Arvizu: “Ia dhamë me qira Berishës, Shtëpinë e Ushtarakëve”

471
Sigal

INTERVISTA/ Ambasadori amerikan zbardh të  vërtetën  e  SHQUP-it për seli të PD-së

U thanë e u shkruan një lumë fjalësh e akuzash për rrëmbimin me forcë  të SHQUP-it, ndryshe, Shtëpia e Ushtarakëve, nga qeveria në ikje. Punët shkuan kaq ters, saqë edhe pensionistët ushtarakë, lanë lojërat e dominove dhe të shahut dhe u bënë grusht çelik, për të mbrojtur me gjakun e tyre, shtëpinë tyre të ahengjeve dhe të morteve,  e pushtuar nga pushtuesit partiakë demokratë. Mirëpo, të gjitha këto të thëna dhe të shkruara, ishin thashetheme, nga ato që përhap për panik armiku, me qëllim, që të ndezë fitilat e luftës, midis ushtarakëve dhe demokratëve. Ambasadori Arvizu, në intervistën që bëmë bashkërisht, na e sqaroi fije e pe gjithë të vërtetën, duke mos lënë si bisht asnjë thashethem, që të bëhet shkak lufte. Boll telashe na ka nxjerrë Siria.

– Mister Arvizu, a janë të vërteta disa fjalë që u dëgjuan, se ju u takuat me ministren e re  socialiste të Mbrojtjes, për ta qetësuar se SHQUP-i nuk u shtetëzua nga qeveria në ikje?

– Bo, bo, ç’jeni ju shqiptarët? Zoti ju ruajtë e ju shtoftë?! U bëtë  gati të luftonit me njëri-tjetrin, më keq se sirianët, për një copë godinë.

Për ish-ushtarakët tanë, mister Arvizu, SHQUP-i ishte vetë krenaria e tyre.

– Mos i bëni gjërat edhe më tragjike. Pastaj, ju i fryni thashethemeve.

– Kanë një çikë të drejtë ish-ushtarakët tanë, ndaj Imamit,  mister Arvizu. Pasi u shkuli  gradat, më keq se  Enveri, pasi  e çoi gjithë ushtrinë në metalurgji për skrap, e vetmja krenari që u kishte mbetur ish-ushtarakëve, ishte SHQUP-i, i cili u kujtonte se dikur edhe ne kishim një ushtri…

– Tani besoj se u qetësuan gjakrat. E sqarove edhe zonjën ministre, që SHQUP-i nuk është shtetëzuar nga qeveria në ikje. Vetë zoti Berisha më garantoi se, ka ngordhë koha e Enverit, që shtetëzonte pasurinë e borgjezëve. Qeveria në ikje vërtet ka disa ish-komunistë, por nuk mund të marrë kurrë  në kohë demokracie, vendime komuniste. Kot e hamë bukën ne këtu?!

– Mister Arvizu, të gjithë ne  do të më donim t’ju besonim, në këto fjalë sheqer që na thua.

– Si? Edhe ju nuk besoni fjalët që u thotë ambasadori amerikan?

– Mister Arvizu, më  falni, që ju shpreh mosbesimin, por nuk e kam me fjalët që ju thoni, por…

– Por, kë nuk besoni, zotrote?

Atë që ju tha këto fjalë, që më thoni ju tani, mister Arvizu.

– Por, derisa unë  jua  them, do të thotë, që diçka di më shumë.

– Sado ju u munduat të silleshit si  politikanët shqiptarë, ngaqë çdo ditë të ishit në media, prapë, mister Arvizu, nuk arritët t’i njihni kaq mirë.

– Keni edhe ju çikë të drejtë. U habita shumë, kur  tani,papritur filluan të më bënin mua  armik të partisë së tyre, siç bënte Enveri me Titon, Hrushovin, kur ata  nuk binin në ujdi me atë.

– No, no, mister Arvizu. Ata, ju konsiderojnë, si veten, edhe juve. Qeveri në ikje ata, ambasador në ikje ju trajtojnë edhe juve. Ndaj, nuk e kanë për gjë, t’ju thonë edhe  broçkullat që thanë.

– Tani, do t’ju them të gjithë të vërtetën e SHQUP-it, që të qetësoni edhe miqtë e mi ish-ushtarakët.

– Pse, ka 2 të vërteta?

– Për mua ka vetëm një të vërtetë. Atë që unë ia thashë edhe ministres së re të Mbrojtjes.

– Cila është kjo e vërtetë?

– SHQUP-i nuk është pronësi as e Ministrisë së Mbrojtjes dhe as e ndonjë partie.

– Mister Arvizu, me gjithë respektin që ushqej ndaj jush, më falni, që dyshoj te ju.

– Si? Edhe ti, që nuk je partiak, dyshon te fjalët e mia?

Mister Arvizu,  mbase  ju keni telashet tuaja, dhe nuk i keni lexuar fare qitapët e pronësisë që dha qeveria në ikje.

– E ç’thonë ato qitapë që nuk i paskam lexuar unë?  Unë, që nuk lë asnjë Facebook e Tvvitter pa kontrolluar çfarë shkruajnë!

Që SHQUP-i i kalon me qitap partisë mëmë.

– Ju shqiptarët, prandaj mbetët një jetë të tërë që grindeni me njeri-tjetrin. Sepse u besoni çdo fjalë që shëtit bulevardeve.

– Qitapët janë fermanë të qeverisë, paçka se është qeveri në ikje, mister Arvizu?!

– Të gjithë ju shqiptarët nuk dini asgjë. SHQUP-i është pronë e Amerikës.

– Vërtet? Po të jetë kështu ky lajm,  është rrufe e bubullimë, në qiellin pa aeroplanë, meqë edhe ata, Imami i  çoi për skrap.

– SHQUP-i që nga koha e Turqisë ishte pronë e Toptanajve. Pasardhësit e tyre janë tani shtetas amerikanë. Dhe çdo pasuri e patundshme e shtetasve amerikanë,  në këdo shtet  qoftë, është edhe pasuri e shtetit amerikan. Ndaj, unë, si përfaqësues edhe i pronave të shtetasve amerikan, i paraqita dokumentet e pronësisë edhe ministres së re të Mbrojtjes, që të mos lodhet me shtetëzime të mëtejshme.

Mister Arvizu, Kryeministri ynë në ikje, të ishte kaq i paditur, sa me qitap qeverie, e bëri pronë partie, pasurinë e shtetit amerikan, edhe këtu në buzë të Lanës?

– Këto janë punët tuaja. Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme. Unë ia kisha thënë me kohë mis(t)ër Berisha, që SHQUP-i është pronë e shtetasve  amerikanë. Që do të thotë, që SHQUP-i është pjesë e territorit amerikan në Tiranë.

– Mister Arvizu, atëherë, përse ju e lejuat që pjesën e territorit amerikan në Tiranë ta shtetëzohet në seli partie?

– Ne, amerikanët, gjërat nuk i bëjmë në publik dhe, më kryesorja, është që ne nuk lëmë as zhurmë dhe as gjurmë në punët tona. Mi(s)tër Berisha, erdhi me m’u lut. “Mistër Arvizu, – më tha mi(s)tër Berisha- Aman, na e jep me qira SHQUP-in, për partinë time, që t’u tregoj shqiptarëve, që ju nuk më dhatë votën, por Amerika më dha shtëpi.”. Unë i shpjegova mi(s)tër Berishës, që,  sado burrë shteti e konsideronim, tani që populli e hodhi në kosh, nuk mund ta mbanim më kungull nën sqetull. Ndaj, thashë, që 23 Qershori është më i lavdishëm nga 22 marsi.

Mister Arvizu, mos vallë disa këtu ju sulmuan personalisht, juve, ngaqë nuk e bëtë par(t)inë e qeverisjes në ikje amerikane?

–  Unë, ambasadori Arvizu, nuk merrem me punët e kota. Unë ju them juve, për herë të parë, që me mi(s)tër Berishën ramë dakord, që t’i japim me qira  pronën amerikane, SHQUP-in, për ca kohë partisë së tij. Kështu, ia plotësuam pjesërisht kërkesën mi(s)tër Berishës. Partia e tij, do të ketë në Tiranë  një seli në territorin amerikan.

– Mister Arvizu, mos vallë tani, mi(s)tër Berisha do të pretendojë që partia e tij është edhe partia amerikane në Tiranë, meqë ka seli pronën e amerikanëve në Tiranë?

– Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Unë, prandaj takova personalisht kryetarin e ri, mister Bashën, përpara se t’ja mbath nga Tirana. Ia thashë, qartë. Ne amerikanët, i kemi të gjithë miq, por miq për fiq, kemi (vetëm) atë parti që është në pushtet. Me partitë e tjera, kemi vetëm biznes, dhënie-marrje qirash.