A mund të flesh dot gjumë, në Tiranë…?!

615
Sigal

 Ja kronometrimi i gjumit, të një qytetari që punon turni i dytë

 Paparaci- humor- realitet

 Është e pamundur të flesh gjumë në Tiranë. Ka humbur plotësisht qetësia e metropolit, jo nga mbingarkesa e mjeteve dhe popullatës, por nga lloj-lloj zhurmash që bëhen në çdo sekondë të ditë-natës. Gjithë jeta publike në qytet, lagje, bllok e pallat është një katrahurë e madhe zhurmuese, që të shkatërron sistemin nervor. Ka arritur shqetësimi deri në “gardë”, sa nuk ke mundësi për të bërë pa shkëputje 1 orë gjumë. Jo vetëm natën kur është “ora” e gjumit, por edhe ditën po të kesh nevojë të shtrihesh për të fjetur gjumë, nuk mund të flesh dot, mbasi ose nuk mund të flesh fare, ose e bën gjumin copa-copa, si dikur ushtarët e kufirit me praktikën 1 orë gjumë-1 orë shërbim-1 orë i gatshëm! Ja çfarë ndodh konkretisht me gjumin, jo vetëm atje ku banoj unë, por edhe në shumë zona të tjera të Tiranës. 

 Ja kronometrimi i gjumit, të një qytetari që punon turni i dytë

 – Ora 11 e darkës: Kthehem nga puna, kryej shërbimet vetjake dhe shtrihem për të fjetur.

– Ora 11 e 30 e darkës: Nisin e gjëmojnë magnetofonët e lokaleve të lagjes dhe këngët e pijetarëve.

– Ora 12 e natës: Gjëmon zhurma e qepenave të kafeneve e dyqaneve që mbyllen.

– Ora 12 e 30 e natës: Fillojnë përleshjet e “fiseve” të qenve të rrugës.

– Ora 1 e natës: Ushtojnë britmat dhe zënkat e adoleshentëve që kthehen nga klubet e natës.

–  Ora 1 e 30 e natës: Nis poterja zhurmuese e bisedave dhe sherreve të pastruesve të natës.

– Ora 2 e natës: Nisin zhurmat e atyre që kërkojnë sende nëpër kazanët e plehrave.

– Ora 2 e 30 e natës: Nisin të ulërijnë sirenat e makinave të policisë nëpër rrugica.

– Ora 3 e mëngjesit: Kthehen gjithë zhurma të rinjtë e adoleshentë të vonuar të PUB-ve.

– Ora 3 e 15 e mëngjesit: Nis rituali zhurmues i furrxhiut, duke trokitur tavat me forcë kur nxjerrë bukët.

– Ora 3 e 30 e mëngjesit: Bie qetësia….

– Ora 4 e mëngjesit: Gjëmojnë qepenat e para të kafeneve që hapen!

– Ora 4 e 30 e mëngjesit: Zhurmojnë qepenat e kafeneve, dyqaneve dhe shërbimeve që hapen radhazi.

– Ora 5 e mëngjesit:  Fillojnë britmat e para të banorëve që dalin herët për në punë, ose “hingëllimat” dhe kollitjet si “gjeneratorë” të pijetarëve, kafexhinjve e duhanxhinjve.

– Ora 5 e 15 e mëngjesit:  Gjëmojnë kazanët e plehrave, nga përplasja që u bëjnë makinat e pastrimit e bashkë me to edhe punëtorët që flasin me zë të lartë.

– Ora 5 e 30 e mëngjesit: Fillojnë ndizen dhe lihen ndezur makinat, shpesh edhe duke i mëshuar gazit deri në fund.

– Ora 5 e 45 e mëngjesit: Fillojnë të ushtojnë boritë e makinave dhe thirrjet-ulërima, të drejtuesve të mjeteve, që njoftojnë të afërmit për nisjen, ose TAX-të për porositësit e udhëtimeve.

– Ora 5 e 50 e mëngjesit: Kumbon zëri i Hoxhës së Xhamisë.

– Ora 6 e mëngjesit: Fillon avazin e përditshëm uturima e pompës së ujit.

– Ora 6 e 15 e mëngjesit: Fillojnë britmat e shitësve të qumështit.

– Ora 6 e 30 e mëngjesit: Fillojnë ulërimat dhe zhurmat e fshatarëve që tregtojnë produkte poshtë dritareve e në trotuare.

– Ora 6 e 45 e mëngjesit: Fillojnë ulërimat e banorëve nëpër shkallët dhe oborrin e pallatit.

– Ora 7.00 e mëngjesit: Fillojnë thirrjet e pandërprera me altoparlant, të shitësve ambulantë: – Hajde patate, qepë…!

– Ora 7 e 15 e mëngjesit: Nisin bisedat me zë të lartë të grave të pallatit e të lagjes, që zbresin për të bërë pazarin e mëngjesit.

– Ora 7 e 30 e mëngjesit: Vazhdojnë zhurmat e tregtarëve fshatarë poshtë dritareve, nisin zhurmat fëmijëve e të prindërve dhe boritë e makinave që i çojnë në shkollë e kopshte.

– Ora 7 e 45 e mëngjesit: Gjëmon me altoparlant ulërima e shitësit të ujit me autobot.

– Ora 8 e mëngjesit: Gjëmon ulërima e mbledhësve të hekurishteve: Blejmë soba, lavatriçe, frigoriferë, hekurishte të vjetra!

– Ora 8 e mëngjesit: Kumbon zëri i çangës së Kishës.

– Ora 8 e 15 e mëngjesit: Fillojnë trokitjet e banorëve të kateve të larta: Mbyllni pak çezmat, se nuk na vjen ujë…

– Ora 8 e 30 e mëngjesit: Bërtet nëpër shkallë dhe troket nëpër dyer administratori i pallatit: Mos i lini çezmat hapur kot, se nuk ngjitet uji në katet e larta.

– Ora 8 e 45 e mëngjesit: Bie qetësia!

– Ora 9 e mëngjesit: Trokasin në derë misionarët e besimeve fetare!

– Ora 9 e 15 e mëngjesit:  Fillon gruaja punët e shtëpisë.

– Ora 9 e 45 e mëngjesit: Trokasin në derë shitësit e qumështit, duke ofruar qumështin e mbetur pa shitur!

– Ora 10 e mëngjesit: Fillojnë luajnë me top e me lojëra të tjera fëmijët e pallatit.

– Ora 10 e 15 e mëngjesit: Fillojnë ulërimat e grave të pallatit e lagjes, që u thërrasin grave të tjera nga dritaret dhe oborri.

– Ora 10 e 30 e paradites: Nisin dhe vazhdojnë gjithë britma, lojërat me domino e letra të pensionistëve e të papunëve të lagjes.

– Ora 11 e paradites: Rikthehen po me ulërima me altoparlantë shitësit e ujit, të patateve dhe mbledhësit e hekurishteve.

– Ora 11 e 30 e drekës: Nisin zhurmat e makinave, prindërve dhe fëmijëve që nisen për mësim pasdite.

– Ora 12 e drekës: Bie qetësia!

– Ora 12 e 30 e drekës: Fillojnë zhurmat e fëmijëve që kthehen nga shkollat.

– Ora 1 e drekës: Ngrihet nga shtrati i stresuar dhe shikon TV, ose del e qëndron në ballkon.

– Ora 1 e 30 e drekës: Shtrihet për të dremitur pak minuta nga pagjumësia, por i thërret gruaja: – Çohu bëhu gati për punë, se afroi ora…!

– Ora 2 e drekës: Ha drekën.

– Ora 2 e 30 e drekës: Niset për në punë, turni dytë…

 (Jepni një mendim ju lutemi, se kur mund të bëjë gjumë rehat ky njeri, në këtë gjullurdi zhurmash që ushtojnë pa pushim)

Përparim HALILI