Zana Shuteriqi (Prela):“Historia e një kënge”, përpjekje e krijuesve që aspironin për një krijimtari të lirë

1387
Sigal

INTERVISTA. Flet pedagogia, muzikologjia, pianistja Zana  Shuteriqi (Prela): Superiorë janë meshkujt në kompozicion dhe dirigjim

Cila është historia e muzikologjisë shqiptare?

Muzikologjia ka një histori në Akademinë e Arteve që me krijimin e saj.  Ajo është formuar në vitin 1962, ku krahas degëve të kompozicionit, të dirigjimit, u hap dhe një degë  tjetër që në atë kohë quhej Teoritikë, që kishte një pikësynim të gjerë, ose objeksion të tillë. Pikësynimi kryesor ishte që të formonte mësues për shkollat e mesme apo shkollat e muzikës.  Në këtë kohë kishte mungesë të muzikantëve që mund të jepnin mësim në shkolla të ndryshme. Një qëllim i dytë ishte për të formuar muzikantë për Shtëpitë e Kulturës, Pallatet e Kulturës, pra për terrenin.  Dhe një qëllim i tretë më minor, ishte krijimi i një  bërthame të studiuesve. Sot, ne, këtë e quajmë muzikologji.  Them më minor se kjo ishte gjithmonë në funksion të kontingjentit që vinte, sepse ishin të paktë ata që vinin dhe zgjidheshin për këtë degë. Kjo ka vazhduar kështu deri në fund të viteve ‘80 dhe fillim të viteve ‘90.  Ka qenë një kurs më masiv se sa në instrumente, ku mbaronin pak njerëz ndërsa teoritiku merrte më shumë.  Por dhe këtu bëhej seleksionim. Prej këtij grupi kam dalë dhe unë.  Fatmir Hysi,  Piro Miso, Benjamin Kruta, Zana Turku, etj., kemi mbaruar teoritikun. Në vitin 1990, me vendim u hap muzikologjia. Pra teoritiku u kthye në muzikologji. Dhe pikësynimi ishte jo i këtyre anekseve të tjera, por krijimi i studiuesve të muzikës. Sigurisht që, pedagogjinë e mësuesve të muzikës nuk do ta veçoja në asnjë rast sepse kjo shkollë nxjerr pianistë, violinistë, që gjithashtu, mund të jenë dhe mësues të këtyre  instrumenteve nëpër shkollat e muzikës. Pra, pak a shumë kjo është historia e muzikologjisë nëpër vite, por dua të them se këto vitet e fundit muzikologjia ka pësuar një transformim për arsye se: Së pari, ju nënshtruam kritereve të Kartës së Bolonjës, pra  Akademia tashmë është atashuar në këtë strukturë  dhe Fakulteti i Muzikës ka pranuar strukturën  dhe së fundi jemi shndërruar në universitet.

 Pse si studiohet muzikologjia?

Muzikologjia duke pasur parasysh praktikat e njohura,  sidomos atë të shkollës ruse ecte me teoritikun, po në praktikat  e shkollave perëndimore, muzikologjia studiohet në universitet  dhe jo më në shkollat e tipit të Konservatorit  siç i kishim ne deri dje. Pra, herë e atashuar me shkencat sociale, sociologjinë, filozofinë, letërsinë,  me media komunikim dhe në momentin që është shndërruar në universitet, detyrimi është dhe më i madh për ta shndërruar, muzikologjinë në detyrime të tipit universitar. Por kjo ka ndodhur dhe më herët që prej vitit 2008 (pra kthimi në universitet realisht), kur ka nisur kjo reformë dhe është  pajisur me disa disiplina muzikologjie dhe gjithashtu me disiplina të tjera formuese jo muzikologjike që nuk janë studiuar më parë. Tani themi se padyshim, se e konceptuar kështu siç është aktualisht, ajo është  krejtësisht e konvertueshme, me shkollat  analoge, ose me drejtimet analoge nëpër  universitete.

 Muzikologjia e sotme apo teoritiku i djeshëm në regjimin komunist, a ka pasur ndikime ideologjike të theksuara?

 Muzikologjia do ta vuante shumë  më tepër nga të gjitha disiplinat e tjera të Akademisë së Arteve, (ose Konservatori), ndikimin ose presionin  ideologjik. Kjo ndodhi edhe në Historinë e Letërsisë, Kritikën e Artit, si me muzikologjinë. Të gjitha këto kërkesa ideologjike vinin nëpërmjet orientimeve të Partisë –shtet dhe pastaj vazhdonin  të ndikonin fuqishëm në këtë degë deri në vitin 1973. Në vitet 1972-‘73, ishte koha e luftës kundër liberalizmit dhe ndikimet ideologjike ishin shumë stresante, në pikëpamje të përmbajtjes, por dhe në pikëpamje të metodës që merrej në tërësi me përmbajtjen e veprës artistike dhe shumë më pak me strukturën e elementëve të gjuhës. Por në radhë të parë ishte përmbajtja e veprës, e ideologjizuar përmbajtja ashtu siç dëshirohej nga Partia. Le pastaj në drejtim të shfrytëzimit të literaturës së huaj, ku kishte një censure absurde si kudo, por që qe më reflektuese në muzikologji. Kjo pasi kishte të bënte me qëndrimin që duhej të mbaje ndaj veprës artistike, në interpretimin e veprës artistike,  ku nuk lejohej të luhej një pjesë që i takonte shekullit të XX, apo muzika kishtare, ku në fund të fundit kjo ka ndikuar në cilësinë e muzikologjisë, ku po kaq e ka vuajtur dhe kompozicioni. Sepse kishte kufizime shumë të mëdha në përdorimin dhe aplikimin e stileve të kohës.

 Në këtë periudhë u vu në skenë dhe baleti “Historia e një kënge”. Si do ta komentonit ju heqjen nga skena e këtij baleti?

 Unë kam qenë 18-vjeçare në atë kohë, studente e vitit të parë në Institutin e Lartë të Arteve. Ishte një tablo koreografike,  me koreografi të Agron Alisë  dhe me muzikë të Nikolla Zoraqit . Viti 1971 ishte një periudhë, (para plenumit të katërt), e lirive artistike.  Një periudhë  që zgjoi disa shpresa, disa iluzione që do ndryshonte jeta, do bëhej më e lirë. Në këtë periudhë shumë artistë, që aspironin për një krijimtari të lirë, pa ideologjizma, ishin artistë të prirur për hapësira më të mëdha krijuese midis të cilëve ishin dhe Agron Alia  dhe Nikolla Zoraqi. Ajo që mund të them se, kjo pjesë ishte përshtypja, ishte gjurma, e një fenomeni të ri në krijimtari. Madje, nuk ishte vetëm kjo pjesë, por dhe krijimtari të tjera, si  Feim Ibrahimi që po sillnin risi në krijimtaritë e tyre. Në vitet 1967  ishin vitet e lëvizjeve të mëdha revolucionare, ku midis tyre ishte dhe lufta kundër fesë nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez, ku koreografia shqiptare, arti koreografik shqiptar, pati një skematizim, të jashtëzakonshëm, ku ne i kemi quajtur kinezërira, si veshjet me uniforma ushtarake, veshje  aksionistësh të cilët u kthyen në personazhe. Në skenë përveç lëvizjeve  veshja ishte skematike. Kështu pas kësaj kohe doli në plan të parë dhe tabloja koreografike “Historia e një kënge”.  Pra kjo tablo erdhi si një erë e re kundër këtyre skematizimeve, kinezërirave, tabuve, me një ndikim tjetër sidomos rus. Këtë kishte në thelb kjo vepër, një çlirim nga këto shtamba, nga këto ndrydhje, kthime mbrapa. Vetë tema ishte një temë dashurie, një temë rinore, një temë e hapur, me dritë, jashtë klisheve të kohës. Pra një temë që nuk kishte pathosin revolucionar, njeriun e edukuar me mësimet e partisë. Gjuha muzikore, gjuha koreografike kishte shumë hapësirë, dritë. Kjo vepër kishte si mision të shprehte dimensione të reja të artit shqiptar, të muzikës shqiptare dhe mundësisht për të  krijuar marrëdhënie më efektive me zhvillimet bashkëkohore. Kjo ishte një periudhë e shkurtër me dy tre vepra dhe kështu nuk mund ta kryenin dot këtë mision që morën përsipër. Më vonë, pastaj ndodhi ajo që ndodhi në plenumin e katërt, ku muzika u kufizua nga ndikimet e reja.

 Cilat janë problemet e muzikologjisë sot?

Muzikologjia është një fushë e studimeve që mund të shtrihet kudo. Detyra  e shkollës është që t’i informojë studentët, që  mendimi teorik, mendimi studimor, mendimi artistik janë probleme të muzikologjisë.  Unë po kaloj tek ajo çka unë kam personalisht në vëmendje, në prirjen time.  Shpesh herë me të drejtë flitet, për këngën e muzikës së lehtë që s’ka një kritik muzikor, etj.. Muzikologjia e ka këtë terren, mund ta bëjë këtë gjë, pra kritikën. Kritika tek ne formohet prej muzikologëve në përgjithësi, pra është një terren i hapur pasi ka hapësira shumë të mëdha, ku mund të veprojë muzikologjia. Në aspektin  real të kohës unë do të shtroja disa probleme ose detyra të muzikologjisë sot, ku përfshihemi të gjithë.  Ndër to janë, rivlerësimi i traditës sonë muzikore, gjykimin e saj mbi bazën e parametrave artistikë dhe jo sasiorë siç e kemi bërë më parë. Nuk po flas mbi bazën ideologjike dhe politike se këto terma nuk vlejnë më sot. Ne kemi një traditë të re të arteve muzikore, ose më mirë bazuar mbi një traditë të viteve 1950, ndonëse kemi një parahistori shumë më të hershme, që vlen për ta ndriçuar. Muzikologjia e ka bërë këtë gjë, këtë ndriçim të hershëm për të njohur muzikologë të para Luftës së Dytë Botërore që për shumë arsye mund të kishin ngelur në heshtje, jo  për ndikim politik. Ka qenë njëfarë zbrazëtie,  në shumë kohë të cilat sot janë munduar të mbushen duke bërë prezent shumë figura historike muzikore që ishin mbuluar me pluhurin e harresës. Por do të them që ka dhe ekzaltime në këtë drejtim, por që justifikohet pasi çdo gjë e munguar dhe e zbuluar sjell një ekzaltim, por më vonë kur kalon emocioni, këto ekzaltime, racionalizohen, ekuilibrohen. Fusha e kërkimeve nga Instituti i Folklorit që është në përbërje të Institutit të Studimeve Albanologjike, nuk ka një studiues të muzikës akoma dhe pse terreni i muzikologjisë është i madh, i gjerë.  Detyrë është që në këtë fushë t’i afrohemi kërkesave me ato të parametrave bashkëkohorë,  ose të fushave analoge, apo arritjeve në muzikologji…

 Muzikologët dhe instrumentistët femra janë po aq konkurruese sa dhe meshkujt?

S’besoj se ka ndonjë ndryshim. Madje do të thoja  në tërë prirjen e këtij 20 -vjeçari të fundit nëse do të flisja për muzikologjinë, ka mbizotëruar kontingjenti i femrave. Shumë pak janë meshkuj. Unë studiova për piano 12 vjet dhe pastaj kalova në muzikologji, pasi pata një problem me dorën. Pra, nuk qe vokacioni im që më shtyu drejt muzikologjisë, por ishte një rrethanë e caktuar. Pra, në pak raste vijnë për këtë vokacion. Por muzikologjia ka një problem, pikësynimin në të ardhmen, duke ndjerë apo kuptuar vetveten, për të pasur një pasion për tu marrë me çështjet studimore, e cila nuk lind që fëmijë si instrumentistët. Fakti që shumë muzikologë që kanë bërë emër, që kanë bërë studime, kanë zbukuruar tek vetvetja, pasionin e studimit, interesat për një formim të këtij karakteri përbën të veçantën. Pra, nuk ka diferenca  midis femrave dhe meshkujve në këto profesione, as tek muzikologët, as tek instrumentistët, pra superiorë meshkujt janë në kompozicion, apo dhe dirigjim.