Zamira Kita: Nuk do të harroj kurrë rolet me Roland Trebickën

738
Sigal

PERSONAZH/ Flet drejtorja e Teatrit të Korçës, Zamira Kita

Këto ditë Teatri i Korçës vuri në skenë dramën “Kapitulli i dytë” të Neil Simon, ku Zamira ishte në rolin e Xhenit. Ajo gjithmonë është shquar për role komedie, por në këtë rast shkëlqeu dhe në rolin dramatik. Mbi 100 role në teatër ajo me 30 vjet punë është një ndër aktoret më të suksesshme shqiptare. Tashmë ajo është nderuar dhe me titullin “Mjeshtre e madhe e skenës” nga Presidenti Topi në vitin 2012.

  Në dramën “Kapitulli i dytë” e vënë në skenë për herë të parë në teatrin, ku ju drejtoni, ju keni tashmë një rol jo si regjisore, por si aktore. Çfarë përbën ky rol për ju?

 Është sinqerisht një rol,  nga më të bukurit e gjithë karrierës time, pasi brenda personazhit është brenda edhe humori edhe drama me dhimbje. Është një rol që më jep mundësinë të tregoj se tashmë jam e afirmuar edhe si aktore dramatike dhe jo vetëm si aktore komike. Ky është një rol që dramaturgjikisht është shkruar shumë bukur, ashtu siç është shkruar e gjithë vepra. Pra është një tekst shumë i bukur, shumë domethënëse që ka një mesazh shumë të fuqishëm përveç emocionit. Të gjitha së bashku  më ndihmojnë mua që të realizoj apo të përcjellë realisht figurën. Në netët që ne kemi shfaqur në Korçë, shfaqja është mirëpritur shumë dhe ne si trup jemi ndjerë shumë mirë.

 Tashmë në rolin e një aktoreje, e ndjen diferencën me të qenit drejtore e një institucioni arti më të rëndësishëm në Korçë?

Mua më duket se ajo që dua të bëj më shumë dhe dua të bëj më mirë është aktrimi, pra të qenit aktore. Kjo është pjesa më esenciale e jetës sime. Kjo bën që të mos më krijojë asnjë distancë mes të qenit drejtuese dhe të qenit aktore. Duke qenë e dhënë mbas aktrimit, kjo më bën që ndonjëherë të lë mbas dore ndonjë pjesë të punës si drejtore, pra ndonjë punë dokumentare. Kur punoj si aktore në ndonjë rol kryesor, sigurisht që, i shmangem  pak punës administrative dhe i kërkoj ndihmë të gjithë trupës, apo atyre që kam rreth vetes dhe bashkëpunoj. Ndërsa si Zamira si njeri, kam një lidhje të pazgjidhshme me rolet që realizoj pra me të qenit aktore e mirëfilltë.

  Ju keni një stazh tashmë të madh pune si aktore dhe në këtë dramë vini si aktore nën regjinë e një regjisori të ri siç është Qëndrim Rijani, ju ndodh që të kundërshtoni udhëzimet e regjisorit?

 Kjo varet nga  regjisorët me të cilët punoj, njëkohësisht varet nga rolet të cilët unë luaj. N.q.s ka diçka që tek unë rri mirë dhe është shuam brenda vetes, brenda Zamirës, unë këtë ja kërkoj regjisorit. Kur nuk gjej gjuhën edhe konfliktohem brenda arsyes. Por në këtë rast, në këtë dramë, regjisori përveç udhëzimeve konkrete shumë shprehëse, na ka lënë dhe të lirë, na ka lënë edhe të kemi lirinë tonë. Por unë dua të theksoj se ai në këtë rast ka bërë një regji ndryshe.

 Ç’do të thotë regji ndryshe?

Ai në këtë regji drame, ka bërë diçka të bukur, diçka të veçantë. Më duket se bëhet për herë të parë nj teatër kaq intim,  që të krijon mundësinë që të japësh kaq shumë emocion. Në këtë kontekst na ka lënë po aq të lirë, po aq sa na ka orientuar po kaq bukur. Pra në tërë përgatitjen dhe në shfaqje jemi ndjerë mirë, s’kemi pasur arsye dhe kohë që të kundërshtohemi.

 Ju jeni një aktore që keni kohë që jeni dhe drejtore e Teatrit të Korçës. Kohët e fundit në qeverinë “Rama” shihet se femra po vlerësohet. Cili është mendimi juaj?  Ka një politikë më me hapësirë ndaj femrës?

 Po, po e vë re këtë hapësirë. Për mua kjo është një politikë e mirë. Femrat janë të afta të bëjnë çdo punë, janë të zgjuara, të mençura dhe të përgjegjshme. Femrat për mua meritojnë akoma më shumë. Femrat  janë po aq të domosdoshme në shtëpi sa dhe në shoqëri. Kjo nuk duhet harruar.

  Në një kamerë të fshehtë në një televizion, ju u “tmerruat kur një vajzë ju afrohet dhe ju thotë që kam lidhje me bashkëshortin tuaj. Si e përkujtoni këtë moment?

 Me të vërtetë e kujtoj me tmerr. S’mund ta mendoj tradhtinë në çift, kur është krijuar familje. Janë ca rregulla, ca norma. Tani që e mendoj se ishte një lojë, qesh me vete, por ato dhimbje që kam kaluar atëherë si zor t’i kem kaluar herë të tjera. Tani e kujtojmë së bashku, qeshim, shakatojmë, por që për atë kohë mbetet një shqetësim shumë i madh.

 Kjo tregon se ke një bashkëshort të emancipuar ashtu sikundër ju një grua korrekte. Si keni arritur këtë mirëkuptim?

Edhe ne kemi pasur vështirësitë tona, mbase unë më shumë. Por pas 25 vjetësh me tolerancat, me akumulimet e brendshme, e kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Unë jam përpjekur që ta bëj bukur dhe mirë punën time dhe frytet e punës time e kanë ngrohur dhe mbajtur në balancë familjen. Edhe im shoq është artist, instrumentist, ai është pranë meje në punët e mia dhe unë pranë tij në punët e tij artistike dhe kështu jemi frymëzuar nga puna e njëri- tjetrit. Ne kemi dhe një vajzë, e cila na bashkon më shumë për të gjetur gjuhën. Por mbi të gjitha unë kam një ndihmë të madhe vjehrrën, e cila më ndihmon  shumë në ngarkesën time.

I sajti rol është ky në skenë?

Nuk kam mbajtur ndonjë statistikë, por të mendosh se unë kam 30 vjet në skenë, sikur të kem realizuar 3 role në vit, i bie të kem 100 role. Kaq besoj, por ndoshta dhe më shumë pasi unë kam realizuar dhe në teatrin Kombëtar, edhe në filma, teatrin e Fierit të Durrësit etj…ka pasur raste që kemi vënë në skenë 5 premiera, ku unë kam marrë pjesë në të gjitha.  Po kjo nuk ka rëndësi shumë, se sa role ke. Rëndësi ka sa gjurmë kanë lënë rolet e tua. Dhe unë bëj bilancet dhe nxjerr në pah se, cilat janë ato role që dua shumë.  Tani Xhenin tek kjo dramë e vendos të parin. Kështu më duket mua apo të paktën, për sa pashë në Korçë nga spektatori. Vajza tek “Denoncimi” një vepër e Ruzhdi Pulahës, vajza  e një Prokurori e përdhunuar. Fedra tek “Përbindëshi”,  Efti tek “Jovan Bregu refugjat”,  ku unë kam marrë çmimin aktorja më e mirë në Festivalin Mbarëkombëtar në 1997 në Tiranë.  Efti ishte një rol karakteri, pasi dihet se unë jam aktore e roleve të karaktereve. Tek “Puthja”, kam rolin e një bashkëshorteje, ku kam kandiduar për çmimet kult. Tek “vallja dhe vdekja”,  kam rolin e Alisias, një rol shumë i bukur, ku kolegët dhe kritika më akne vlerësuar shumë. Tek komedia “Nima”,  roli im ka qenë kryerol. Kam dhe një rol tek nj dramë e Odise Plaku “Velloja e bardhë” që zgjati 35 minuta ku një grua prostituonte të mbante fëmijët me bukë. E dhimbshme për shoqërinë shqiptare. Pastaj rolet e komedive, estradës i kam shumë të dashura si arixhofka, gruaja fshatare, gruaja e beut, janë  disa nga rolet e tjerë që kam marrë përgëzime.

 Me kë nga artistët e mëdhenj  je ndjerë mirë në skenë, kur ke qenë partner me ta?

Unë do të veçoja  Aleko Prodanin, emrin e të cilit do t’ja vëmë Festivalit të Komedisë që do të zhvillojmë këtë vit në Korçë nga 15-22 shtator. Së dyti,  do të veçoj me rëndësi të veçantë të madhin Roland Trebicka në disa role që kam luajtur me të. Madje në Teatrin Kombëtar me të kam luajtur rolin e Olimbisë ndrysa Rolandi Nikollaqin. Kjo komedi është realizuar në vitin 2001 në Teatrin Kombëtar dhe për mua ishte një ditë e veçantë pasi ishte një rol i propozuar nga Teatri Kombëtar dhe aq më tepër që luaja me Roland Trebickën.  Kam luajtur me Landin në “Tetë persona plus” ku Landi ishte i ftuar tek ne në Korçë dhe kam luajtur dhe “Kohë e çmendur”,  e Kiço Blushit, ku kishim të dy role kryesore, burrë e grua. Ishte fat për mua që luajta këto role dhe ne bëmë çmos që ai të merrte titullin “Qytetar Nderi i Korçës” dhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

Por unë adhuroj dhe kam vlerësuar po aq shumë dhe aktoren e madhe Violeta Manushi që nuk është më mes nesh. Kam luajtur dhe me Robert Ndrenikën, një aktor i madh, ku në filmin “Tifozët” kam qenë gruaja e Robertit.

Kush ka qenë dita  më e keqe në skenë?

Kur kam luajtur monodramën “Velloja e bardhë” në Korçë, ku nga emocionet u bllokova totalisht dhe nuk kisha asnjë emocion. Pra kam përcjellë vetëm tekst pa emocion. Nuk kam interpretuar. Kur mbarova shfaqjen u mbylla në kabinë dhe kam qarë pafund. Kjo më ka ndodhur  në Festivalin e Fierit tani me Xhenin, që sërishmi u bllokova nga emocionet dhe bëra një shfaqje të thatë të ftohtë. Këto dy raste kanë qenë fatale.

Dita më e bukur?

Kur kam marrë çmimin si “Aktore më e Mirë” në vitin 2001. Edhe kur kam marr çmimin “Mjeshtre e madhe e skenës” nga Presidenti Topi në vitin 2012. Këto vlerësime kanë qenë të papritura dhe janë bërë në skenë.