Violeta Trebicka:Dashuria është motivi për të jetuar

1161
Sigal

 INTERVISTA/ Flet aktorja dhe pedagogia Violeta Trebicka: Rrugëtimi im në botën e artit

Në vegjëli pëlqente kërcimin, por më vonë u bë aktore. Madje, për ta përforcuar dashurinë për aktrimin u martua dhe me një regjisor të talentuar. “Nuk ka komoditet më të madh në profesionin tonë se të luash me partnerin tënd në jetë. Është shumë e rëndësishme në profesionin tonë fryma në grup, klima e punës”, ka  theksuar Violeta. Ajo nuk la lënë pa përmendur edhe rolin e femrës apo paraqitjen e saj në shoqërinë tonë. Sipas saj, tashmë po mbizotëron falsiteti si shpirtëror ashtu dhe fizik. “Femrat po kthehen në Barbi, silikoni ka veshur shoqërinë shqiptare duke e deformuar atë dhe kjo gjë nuk më pëlqen”, ka detajuar aktorja. E dhënë pas profesionit ajo kurrë nuk e lë pas dore dhe mikun më të mirë për njeriun, librin.

 Si lindi dëshira për t’u bërë aktore dhe pse?

Kur kam qenë e vogël i kam adhuruar artistët në përgjithësi  dhe aktoret në veçanti. Vetë kam patur cilësi shumë  të mira në kërcim dhe imitim. Gjyshja ime (nga babai) kur më shihte që kërceja valle të Ansamblit  Popullor,  që kur unë kam qenë 4-vjeç, i thoshte babait tim:- artiste do të të bëhet kjo vajzë. Me këtë dua të them, që dashuria për këtë profesion ka qenë gjithmonë  pranë meje. Mos të flasim pastaj për kohën e gjimnazit, ku çdo mësues do të kalonte në sitën e imitimit të bërë nga unë. Mësuesja ime kujdestare, me kërkonte vetë që ta imitoja dhe qeshte pa fund, (ishte mësuese mendjehapur) nuk ndodhte shpesh një gjë e tillë.

Si jeni ndjerë kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?

Për mua sa herë që dal në skenë është sikur dal për herë të parë.  Vitet e eksperiencës tek unë kanë ndikuar në metodologjinë që ushtroj në profesion, në aftësinë e përthithjes së rolit dhe të ekzekutimit të tij, por kur dalë në skenë jam si për herë të parë. Kam patur shumë emocione dikur dhe ato më shoqërojnë dhe sot. Para se të filloj shfaqjen jam si fëmijë që ka nevojë për praninë e prindërit, si studenti para provimit që kërkon sytë e pedagogut të tij dhe unë kërkoj regjisorin, edhe një mbështetje të fundit nga ai. Kështu që, do të thoja, Violeta ka shumë emocione para se të ngjitet në skenë, dhe këto emocione janë vetëm në minutat e para sa të filloj pastaj, (këtë e them pa frikë) jam si në shtëpinë time, në ambientin tim, ama koha para se të filloj shfaqja është mbytëse.

Çfarë moshe kishit?

Debutimi im i parë ka qenë në set xhirimi, kur kam qene 18 vjeç, pra gjimnaziste. Debutimi i parë në skenë ka qenë  21 vjeç.

Sa e vështirë është të jesh sot aktore?

Të jesh aktore gjithmonë ka qenë e vështirë. Në kohën kur unë kam dashur të konkurroj (dhe kam luftuar shumë që të bind familjen time) për aktore, ky lloj profesioni  sidomos për femrat  nuk shihej “me konsideratë” , me këtë dua të them që femra përflitej si “e pamoralshme” nëse merrej me këtë profesion.  Kurse sot ky profesion shihet si trendi i sotëm. E them këtë sepse sot për të qenë “të famshëm” na duhet “ edhe” diploma e Universitetit të Arteve. Pra të duash këtë profesion dhe ta përdorësh këtë profesion janë dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. E di që deri tani nuk i jam përgjigjur pyetjes suaj në mënyrë të drejtpërdrejt, por kisha nevojë  t’i thoja këto të vërteta. Po, është shumë e  vështirë të jesh sot aktore. Ka humbur sistemi i vlerave, sot ngjiten të gjithë në skenë. Ka humbur shenjtëria e skenës, se ne flasim gjithmonë për shenjtëri skene, teatri, dhe harrojmë që këtë shenjtëri skenës dhe teatrit ia japin aktorët, aktoret, regjisorë, pra krijuesit, nuk ja japin gurët, tullat e dërrasat.  Kjo është një pyetje që kërkon një intervistë më vete, them ta mbyll me kaq.

Cilat janë rolet më të vështira që keni realizuar?

Çdo rol ka vështirësitë e veta, por personazhi i Blansh  Dëbua, në dramën  “Tramvaji me Emrin Dëshirë”, i T. Vvilliams është një nga rolet më të vështira, jo vetëm si karakter , por unë nuk kisha kohën e duhur fizike që të punoja me personazhin dhe kjo e bëri akoma më të vështirë punën me të. Ndërsa tjetër rol i vështirë për mua ka qenë personazhi i Jilian, në dramën “Lojë Martese”, e E.Albee. Duhet të njihesha dhe ta bëja timen mendësinë amerikane të të parit të problemit  thelbësor të veprës, e cila është shumë ndryshe nga mendësia jonë. Pra, m’u desh një punë e madhe në kërkimi të një identiteti të ri amerikan.

Kur jeni ndjerë më keq përpara spektatorit?

8 Nëntor 2010, zhvillohej një spektakël për Ditën e Pavarësisë. Unë isha e ftuar të interpretoja disa pjesë mbi historinë e firmëtimit të Pavarësisë. Fillon shfaqja dhe mua më ikën zëri “si me magji”. U përpoqa “t’a haja” mikrofonin, por  nuk më dilte asnjë tingull. Kërkoj ndihmë nga kolegët që të merrnin dhe pjesët e mija. Nuk jam ndjerë ndonjëherë më keq në jetën time se në këtë rast, para një publiku, ku ti të mos artikulosh dot fjalët, ose më saktë të përpiqesh të artikulosh pa zë. Është e dhimbshme për një aktor, apo këngëtar të të ikë zëri në skenë.

7. A jeni kufizuar nga jeta private në këtë profesion?

Nuk e di si ta kuptoj këtë pyetje. Mund të them që kam sakrifikuar shumë  propozime të tjera pune për profesionin që dua. Do të thuash pse e quan një gjë të tillë, sakrificë. E quaj sakrificë sepse me çdo lloj pune tjetër do të isha më e sigurt financiarisht. E kufizuar nga jeta private ndjehemi sepse në fundjavë ku ne vazhdojmë të punojmë, ( shfaqjet për ne janë punë), për vajzën tonë është pushim dhe ne nuk mundemi të kalojmë një fundjavë së bashku. Fola për një rast, por ka dhe shumë të tjera si largimi nga Tiranë apo nga vendi, i imi apo i Fredit, kështu që dashje pa dashje jeta jonë private është e cenueshme, në një mënyrë apo tjetrën.

 8. A ka moshë ky profesion?

Jemi me fat. Ky profesion nuk njeh moshë.

9. Cilët janë aktorët (teatri apo kinematografie) me famë botërore të cilët i keni idhuj?

Janë shumë aktorë, që kanë qenë pikë referencë në jetën time. Ka shumë aktorë anglezë, amerikanë, francezë etj..  Mund të ndalem te Meryl Streep, Helen Mirren, Kate Blanchet, Charlize Theron, Marlon Brando, Denzel Vvashington, Diane Keaton, Robert De Niro, Al Pacino, Sean Penn e shumë të tjerë që nuk po i përmend sepse i bie që intervista të vazhdojë gjatë.

10. Bashkëshorti juaj është aktor dhe regjisor. Si ndjehet znj. Trebicka kur luan përkrah bashkëshortit të saj?

Nuk ka komoditet më të madh në profesionin tonë se të luash me partnerin tënd në jetë. Është shumë e rëndësishme në profesionin tonë fryma në grup, klima e punës. Një gjë të keqe ka, që kur Fredi do të shkarkojë ndonjë shqetësim për punën, e ka kollaj ta kalojë nëpërmjet meje, d.m.th që “unë i ha” të gjitha.

Një përkufizim për dashurinë?

Dashuria është motivi për të jetuar. Kur themi dashuria kam parasysh të gjitha llojet e dashurisë, jo vetëm dashurinë brenda një çifti.

Jeni supersticioze?

Po jam. Kjo më bën që gjithmonë planet e mia të mos i them para kohe, se sa herë që e deklaroj mendimin asnjëherë nuk më realizohet.

Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Më pëlqen të gatuaj dhe të shijoj. Jam shumë e interesuar për çdo lloj recete të re, por krijoj edhe vetë me gjërat që kam në shtëpi. Më pëlqen shumë kuzhina mesdhetare.
Cilat janë problemet pikante të femrës shqiptare sot?

Problemi pikant për femrën është look-u. Në bisedat e femrave gjithmonë dëgjohet mbi të rejat e fundit të plastikës dhe firmat e veshjeve. Por, do të thoja që ky nuk është thjesht problem i femrës, por i shoqërisë shqiptare. Femrat po kthehen në Barbi, silikoni ka veshur shoqërinë shqiptare duke e deformuar atë.

Ç’mendim keni për bashkëjetesën?

Bashkëjetesa është një hapi më i mirë që një çift mund të bëjë për t’u njohur më mirë me njëri- tjetrin përpara se të zhvillojë një celebrim zyrtar. Nëse bashkëjetesa vazhdon “në infinit” atëherë mendoj se, këtu kemi shmangie ndaj përgjegjësive, sepse  e dimë që nëse je i martuar e nëse ti nesër ndahesh ke dhe disa detyrime dhe përgjegjësi që duhet të mbash. Kjo përbën dhe dallimin midis bashkëjetesës dhe martesës. Se në fund të fundit ç’është martesa? Një bashkëjetesë e zyrtarizuar me ligj, ku palët kanë të drejta dhe detyrime.

 Motoja nga e cila ushqeheni në jetë?

Në jetë për jetën. Ku ka më bukur se të jetosh, me gjithë surprizat që të ofron ajo, përsëri është bukur të jetosh!

Juve jeni pedagoge në Universitetin e Arteve. Si është një ditë pune për ju?

Dita e punës nuk fillon në auditor, por fillon një ditë më parë me përgatitjen për të nesërmen. Në studio materializohen idetë tona dhe të studentëve. Motoja ime është që të ngacmoj idetë dhe ndjesitë e studentëve.  Ora e mësimit për mua është një bashkëpunim. Unë u ngacmoj shpirtin, shpirti i tyre më përgjigjet.

19. Çfarë do të bëni mbas kësaj interviste?

Do lexoj Shopenhauer-in. Librin që kam në dorë.