Tefta Radi: Radio, një studio e dashur, televizioni magji, filmi përjetësi

816
Sigal

Tefta Radi: Filmi dokumentar  është pjesa më e bukur e jetës

Kohët e fundit ajo ka realizuar një nga filmat e saj dokumentarë më të mirë për Martin Camaj. Dhe pse ka mbushur dy vjet që ka dalë në pension, asaj ende nuk i besohet. Bën po atë ritëm pune, po atë lidhje me miqtë, po atë ideim në përditshmërinë e jetës. Në RTSH ka kaluar pjesën dërrmuese të jetës, por filmi i jep tempin në vitet më të bukura të krijimtarisë. Ajo se ndjen lodhjen pasi njerëzit nëpër rrugë e përshëndesin si më parë dhe ajo u dhuron atë buzëqeshjen karakteristike që jepte dikur nga ekrani. Bisedat me të rrjedhin këndshëm, pasi ajo asnjëherë nuk njeh xhelozinë, smirën apo egoizmin e sëmurë. Është një intelektuale që përçon zërin e së vërtetës dhe asnjëherë nuk e njeh hipokrizinë. Zëri i saj i ëmbël, delikatesa, mënyra e përçimit të lajmit, komunikimi, veshja, një sërë elementesh që do t’i kishte zili çdo gazetare dhe lajmëse e ekranit, e kanë bërë Teftën një ikonë potente të TVSH-së. Në bisedë për të tre profesionet, radio, televizion, regjisore filmi dokumentarësh ajo thotë: Radio një studio e dashur, televizioni magji, filmi përjetësi

  Ku dhe si e realizua filmin dokumentar për Martin Camaj?

 Vetëm 70 km., larg Mynihut, shtrihet një ndër fshatrat më të bukur të alpeve bavareze, Lengrizi me mbi 5000 banorë. Veç natyrës mahnitëse, rrethuar me male, mbuluar në pjesën më të madhe të vitit nga bora, fshati shquhet edhe për ndërtimet e tij interesante për nga stili dhe arkitektura. Shumë prej tyre janë qindra vjeçare, e të dekoruara me piktura murale që sjellin jetën e traditat e banorëve të kësaj ane. Turizmi është burimi i të ardhurave  për ta. Alpinizmi e shumë sporte të tjera tërheqin këtu vizitorë të shumtë në çdo stinë të vitit. Përmes kalon lumi Izar që përshkon disa shtete. Pikërisht në këtë fshat malor të Bavarisë së epërme, në vilën që mban nr. 3, jetoi  deri në shuarje të jetës, një ndër personalitetet më në zë të albanologjisë dhe letrave shqipe  të mërgatës shqiptare. Ky do të ishte edhe vendqëndrimi i fundit pas rrugëtimeve të tij në vite: në Beograd, Romë e Mynih. Dhe jo më kot u përzgjodh Lengrizi si  atdheu i tij i dytë. Zona i përngjan  Alpeve të Shqipërisë, vendit të tij të lindjes,  të cilin e kishte braktisur duke u arratisur  në rini, me të drejtën legjitime për një sistem shoqëror dhe jetesë më të mirë,- thekson Tefta.

  Vitet e mësuesisë…

Vitet e mësuesisë, mbeten për të më të bukurat, më të vështirat, që i dhanë besim për të ardhmen. Fillimisht ka punuar në fushën e mësuesisë, pasi përfundoi studimet në Gjuhë –Letërsi në Universitetin e Tiranës. Kur nuk e priste mori emërimin në një nga rrethet më veriorë të vendit, në Pukë. Ka punuar kryesisht në Fushë-Arrëz si mësuese në shkollën e mesme. Edhe pse larg Tiranës, jeta i dukej e bukur. Puna me nxënësit si linte kohë mërzisë. Madje të qënit mësuese ishte një eksperiencë tjetër e bukur për të. Në bisedë  ajo e thotë me plot gojën se në Fushë -Arrëz ka kaluar shumë mirë. Atëherë, kanë qenë vitet e rinisë, ku flinte me ëndrra, me nostalgji, me forcë fizike dhe me një pasion për mësuesisë. Në Fushë Arrëz run kujtime shumë të mira me mijëra malësorë, me njerëz fisnikë, mikpritës, ku vazhdon akoma të ruaj relata. Shumica e tyre tani janë jashtë shtetit. Por për këtë vend ajo ka dhe kujtimin më të bukur të jetës, atë të njohjes me njeriun e jetës Françesk Radi.  Ajo e përcjell jo pa ngazëllim atë moment njohjeje. Më parë nuk njiheshin. E kishte njohur vetëm nga ekrani si një zë i njohur në fushën e muzikës. Ai ishte i internuar në Pukë mbas festivalit të 11-të. Në atë vend u njohëm më mirë dhe nga viti 1975 e deri tani jemi bashkë.

Në shkallët e Radio -Tiranës

Radioja në kohën e pushimit ishte një relaks i madh për të. Ishin vitet 1979-80 kur ajo do të ngjitej në shkallët e Radio Tiranës. Arriti të filloj në  RTSH pas një konkursi kombëtar që u bë për folës. Në atë kishte një komision artistik që vendoste, dhe konkurrenca ishte e fortë. Konkurrentë kishte shumë, por ajo fitoi me merita dhe kjo qe edhe arsyeja e tërheqjes nga mësuesia. Në atë vit ishte e vështirë të shkëputeshe nga veriu dhe të ktheheshe përsëri në Tiranë. Ka qenë RTSH  ajo që bëri që ajo të shkëputej nga Fushë-Arrëzi. Kërkesat të hyje në godinën e shenjtë ishin të forta. Është normale. Kishte shumë kërkesa artistike që duhej t’i plotësoje, zëri radiofonik, qartësia. Ajo fillimisht ka punuar në Radio -Tirana. Më vonë filloi paralelisht edhe në Televizion sepse kishte nevojë për folës. Kërkesa e llogarisë nga ana profesionale kanë qenë shumë e fortë.

 Radioja, një studio e dashur

Dihet rëndësia dhe sadisfaksioni që të jep radioja. E kujton sikur të jetë sot. Me të drejtë. Pak janë pikat kulmore në jetë të cilat njeriu i kujton me nostalgji dhe i ruan si thesare brenda vetes.“Ka qenë një ditë e enjte vjeshte, muaji tetor. Kam qenë nga natyra një tip i qetë, jo shumë emocionuese që mua më ndihmoi shumë në atë kohë që të dilja në ekran apo mikrofon. Kam ditur ta përmbledh veten. Gjakftohtësia më ka shoqëruar në të gjitha transmetimet e mia. Kjo më ka bërë që të jem më e sigurt. Ky emision ka qenë në vitin 1979 në Radio Tirana”.Radio për të ka qenë një shkollë e madhe. Të gjithë folëset që kanë kaluar nga radio kanë qenë shumë të mirë në shumë aspekte. Radio mbetet një nga studiot më të dashura të cilën ajo vazhdon ta dojë, por ana televizive ishte diçka tjetër ku emocioni ishte më i madh sepse duhej të punoje paralelisht me lajmin, logjikën, transmetimin, paraqitjen vizive.

Ekrani një magji me vete

Në ato vite vetëm emrin të përmendje teelvizion, dukej diçka e madhe. Pas një viti, pikërisht në vitin 1980, ajo kalon nga Radioja në televizion.

Ditët aty ishin të bukura për të pasi kur ndihesh mirë me punën sigurisht njeriu gjen bukurinë e çdo gjejë. Ditë të bukura quhen edhe ato që përcjell një lajm që vërtetë është i bukur,që i bën njerëzit e lumtur, dhe të tilla kanë qenë jo pak ashtu edhe kur në një ditë të trishtuar kur arrin të japësh një lajm tragjik.Një jetë në ekran në përgjithësi ka qenë e saktë. Nuk ka gabuar edhe pse në atë kohë nuk ishte teknologjia që është sot. Sot folësit e kanë materialin dhe e lexojnë në një ekran të madh, që i bën më të pavarur dhe të zhdërvjellët në të shprehur. Ato përpiqeshin të lexonin me shkrimin e makinës së shtypit herë me bojë e herë pa bojë, herë dukeshin germat dhe herë nuk dukeshin, me fjalë që shkruheshin edhe me shkrim dore. Kushtet e leximit në atë kohë kanë qenë më të vështira se sa sot. Sot për të media është luks, përsa i përket folësve dhe jo në aspektin e gazetarit. Sot të jesh folës nuk është aq e vështirë sa ishte në atë kohë kur ajo ishte në ekran. Veshjet janë më ndryshe. Në atë kohë veshjet i kishin të kufizuara. Para viteve ’90,  zakonisht visheshin me xhaketa, me uniformë, me xhaketa blu, të errëta, pa shumë tualet, pa shumë bizhu. Kur punonin në terren kërkonin të nxirrnim gjërat ku jo gjithmonë përputheshin me realitetin, ku të intervistuarit të visheshin bukur, kur mos të kishte ndonjë mur të gërvishtur mbrapa të intervistuarit, të mos kishte barseta, pra të përfaqësonte njeriun e kohës. . Në këtë rast mendja të shkon në shumë gjëra si flokët, veshja, si dukem, është një kompleksitet gjërash, ndërsa në radio mund të rrish në çdo pozicion dhe mund të flasësh më lirshëm. Televizioni kërkon tjetër impenjim, tjetër prezencë. Të mendosh regjimin ku çdo gjë ishte strikte, ku lapsuset ndodheshin dhe tërhiqej vëmendja edhe për një të tillë. Është normale që kishte emocion. Në ditën kur dha emisionin e parë e kanë pritur mirë të gjithë si në shtëpi, familje, edhe kolegët që nga Elsa Xhai, Viron Noti, Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule, etj..

Ndërsa sot është tjetër liri dhe tjetër mundësi për të punuar. Sot në do të bësh një gazetari të mirëfilltë ke mundësi ta bësh, thekson Tefta.

 Mentaliteti për folësit

 -Sot ka ndryshuar mentaliteti. Në atë kohë folësi së pari duhet të kishte zërin radiofonik dhe televiziv. Duhet të kishin prezencë. Sot duket se gjërat kanë ndryshuar meqë edhe koha vetë ecën përpara. Spikeri nuk është më aq pozant. Sot gazetari mund të punojë në një televizion, edhe kur nuk i ka këto mendësi, arrihet të dalë. Megjithatë mirë është që ti ketë, që të jetë një figurë morale, të jetë një figurë e besueshme të ketë një lloj pjekurie. Nuk mund të jetë i besueshëm një i ri 18-19 vjeç në ekran. Atij i mungon prezenca, i mungon logjika, i mungon zëri etj. Mirë është të merren parasysh edhe disa elementë që i plotësojnë figurën e të qenurit folës-gazetar, thekson Tefta. Ndër folësit e shquar në vite ajo thekson: “E kam të vështirë t’i ndajë sepse kemi pasur shumë që nga Haki Bejleri,Vera Zheji, Nevzat Dibra, Kiço Fotjadhi, Elsa Xhai, Viron Noti, Virgjil Kule ku për mua akoma është i paarritshëm, është një figurë model, i kompletuar në çdo drejtim. Sot tentohet për të qenë gazetar dhe folës bashkë. Nuk janë më ato nocionet e një folësi klasik. Sot njerëzit duan thjeshtë për të marrë lajmin. Sot edhe regjimi i jetës është ndryshe dhe e folura është ndryshe. Koha ecën edhe gjërat ndryshojnë. “Po t’i hedhim një sy të shkuarës sonë, unë kur kam filluar spikere kam pasur një tjetër të folure nga paraardhësit e mi. Po të krahasojmë dhe të dëgjojmë folësit e viteve ‘50 qoftë edhe në dokumentar të Kinostudios ka qenë një e folur në funksion të ideologjisë së kohës me nota lart për të nxjerrë atë madhështinë e sistemit. Ishte ideologjia e diktaturës së vet”. Ndërsa sot dëgjuesit të thjeshtë i intereson të marri lajmin.  Nga ana tjetër ajo nuk pajtohet edhe me anën tjetër, ku sot në ekran ka njerëz që të lodhin ku i dëgjon, me zërat e tyre qaramanë, ku nuk ka një shqipe të pastër, ku nuk ka redaktorë të lajmeve. Një emër qyteti ose fshati ose personaliteti jepet me emërtime nga më të ndryshmet. Ka sot folës, ku nuk njohin gjeografinë e vendit të tyre. Nuk dinë të shqiptojnë një emër lumi, mali, fshati, personaliteti etj. Kanë një lloj mendjemadhësie, ku e kanë për turp të pyesin. “Unë sot që i kam lënë të 56-tat në çdo gjë që kam pasiguri vazhdoj të pyes dhe nuk më duket se është turp”. Njeriu gjithmonë duhet të gjej më të mirën, më të bukurën, dhe duhet bërë ashtu siç është. Ajo ka qenë edhe folëse edhe gazetare, i përkas atij brezi vetëmohues. Nuk i ka ndarë kurrë terrenin nga ekrani. Rreth 25 vjet ka qenë gazetare gjithë ditën dhe folëse në mbrëmje. Për të terreni është i rëndësishëm. Nëse do të bëhesh një gazetar i mirë duhet të provosh terrenin. Terreni të bën të zot, të mbush me shumë informacion, me shumë lidhje dhe nuk do t’i ndaja kurrë.