Tefta Radi: Erika, gruaja gjermane që e dashuroi me gjithë shpirt Martinin

343

INTERVISTA/ Flet skenaristja dhe folësja e talentuar Tefta Radi

Në datën një nëntor, ora 18:00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, do të shfaqet premiera e filmit dokumentar “Martin Camaj, i papërsëritshëm” me skenar dhe realizim të Tefta Radit, konsulent Dr. Bardhyl Demiraj, kamer të Agim Kurit, montazh të Gjergji Pano, formulim muzike Kozeta Rafti dhe miksazh të Ermal Bardhi. Rreth këtij filmi për “Telegraf” zhvilluam një bisedë të detajuar me skenaristen Tefta Radi, për ecurinë e realizimit të këtij filmi të veçantë…

 Lengrizi, qyteti gjerman që i përcillte Temalin e Dukagjinit

Vetëm 70 km., larg Mynihut, shtrihet një ndër fshatrat më të bukur të alpeve bavareze, Lengrizi me mbi 5000 banorë. Veç natyrës mahnitëse, rrethuar me male, mbuluar në pjesën më të madhe të vitit nga bora, fshati shquhet edhe për ndërtimet e tij interesante për nga stili dhe arkitektura. Shumë prej tyre janë qindra vjeçare, e të dekoruara me piktura murale që sjellin jetën e traditat e banorëve të kësaj ane.  Turizmi është burimi i të ardhurave  për ta. Alpinizmi e shumë sporte të tjera tërheqin këtu vizitorë të shumtë në çdo stinë të vitit. Përmes kalon lumi Izar që përshkon disa shtete.

Pikërisht në këtë fshat malor të Bavarisë së epërme, në vilën që mban nr. 3, jetoi  deri në shuarje të jetës, një ndër personalitetet më në zë të albanologjisë dhe letrave shqipe  të mërgatës shqiptare. Ky do të ishte edhe vendqëndrimi i fundit pas rrugëtimeve të tij në vite: në Beograd, Romë e Mynih. Dhe jo më kot u përzgjodh Lengrizi si  atdheu i tij i dytë. Zona i përngjan  Alpeve të Shqipërisë, vendit të tij të lindjes,  të cilin e kishte braktisur duke u arratisur  në rini ,me të drejtën legjitime për një sistem shoqëror dhe jetesë më të mirë. Kjo është hyrja e filmit dokumentar që ka realizuar Tefta Radi.

 Fëmijëria

U lind në Temal të Dukagjinit më 13 korrik të 1925-s, në një familje katolike nga prindërit Kolë dhe Tereza Vukaj. Ishte i pesti ndër 7 fëmijë. Dita e emrit, pagëzimi është  21 korriku që shënon   regjistrimin e  tij në librin e të pagëzuarve, regjistri më i saktë për kohën. Shumë herë dita e pagëzimit është ngatërruar edhe me ditën e lindjes.  Për vendlindjen Camaj do të shkruante: Kam lindë  “…në një vis të egër, ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”.

Shkolla

 Ishte viti 1935 kur Martini shkon  në kolegjin Saverian në Shkodër nën përkujdesjen e etërve jezuitë. I ngritur që në vitin 1877 në fillim si shkollë tregtie e më pas me shpalljen e pavarësisë më 1912, si Lice klasik, ky kolegj ishte shkolla më me emër  për kohën përsa i përket formimit  të plotë klasik  krahas atij fetar. Në të kishin studiuar edhe Luigj Gurakuqi, Faik Konica e shumë personalitete të shquara të kombit shqiptar.

Konica ka thënë: “Me këto e të tjera, Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Europës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.

Studimet në këtë kolegj do të  përcaktonin njëherazi  edhe orientimin   kulturor dhe intelektual të Martin Camajt. Arsimin fillor 5-vjeçar e përfundoi  për katër vjet, ku më pas kryen edhe pesë vite të tjera gjimnazin dhe nis liceun në të njëjtin qytet, por detyrohet t’i ndërpresë studimet  në vitin e tretë për shkak të mbylljes së institucionit arsimor më 1946, nga  regjimi komunist. Martin Camaj studioi në këtë kolegj plot 11 vjet. Këtë e vërteton përmes një deklarate të lëshuar më 1961 edhe albanologu i njohur pader Xhuzepe, apo Zef  Valentini, siç e thërrisnin në Shqipëri, i cili  ishte  rektor i kolegjit. Martini kishte qenë nxënës i tij. At’ Valentini ishte vetëm 20 vjeç kur la Italinë dhe erdhi në Shqipëri me detyrën e misionarit jezuit. Kthehet në Itali në fund të 1943.

Në 1955-n bëhet titullari i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themeloi dhe drejtoi qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare. Listat e notave të marra gjatë viteve akademike 1937 – 1946, dëshmojnë për dhunti të spikatura të Camajt në lëndët gjeografi, histori, në doktrinën fetare  si dhe në gjuhë shqipe, latinisht, italisht etj.. Me mbylljen e shkollave fetare, për dy vjet (1946-1948) punoi si mësues në zonën e thellë të Prekalit, emëruar nga vetë regjimi.  Këto rrënoja në lëndinën buze Kirit, kanë mbetur nga shkolla  ku ai dha mësim.  Dy vitet në këtë fshat,  përbëjnë një periudhë të vështirë për Camajn dhe pak  të  njohur  për studiuesit. Mësuesi 22-vjeçar, pasi kishte parë terrorin që u derdh mbi jezuitët, merr një vendim, të arratiset. Martinin e kishin thirrur në rajonin e policisë në Shkodër dhe e kishin mbajtur 5 ditë, duke i bërë presion të tregonte se ku ishte Gjon Sinishta. Ai këmbëngulte se nuk dinte gjë dhe se do të njoftonte sapo të mësonte diçka. Sipas kujtimeve të dr. Ton Koka, në Prekal, Martini krijon bindjen se në Shqipëri ishin bjerrë parimet më elementare të jetesës.

 Arratisja

 Në dimër të 1948 Camaj  largohet njëherë e përgjithmonë  nga bota e vjetër  për mos me i thanë  vendlindje,  ka shkruar ai  në korrespodencat e tij. Kështu Camaj i çeli rrugën lirisë së tij.  Ai u arratis nga  shtëpia e motrës së tij, Mrikës, mbetur e ve me fëmijët e saj.  Martini jetoi me të në Prekal për t’i qenë krah. Po këtu ai ushtroi edhe  profesionin e mësuesisë. Së bashku me 33 vetë, mes të cilëve edhe 5 femra, ai u end në Cukal për rreth një muaj, e më pas arratisen të gjithë nga Shqipëria drejt Jugosllavisë. Bashkudhëtar ishte edhe at Daniel Gjecaj, me të cilin Martini  s’do ta shkëpuste kurrë korrespondencën. Arratisja e Martinit do të bënte që mbi familjen e tij të niste rrugën kalvari i persekutimeve  dhe vuajtjeve. Gjergji, vëllai i madh do të dergjej burgjeve për rreth 3 dekada.

 Studimet në Jugosllavi

Në vitin  (1949-1950) Martini, punoi si mësues në shkollën  fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz të Malit të Zi. Ai nuk mungon të plotësojë dhe zyrtarizojë  aftësitë e tij në mësimdhënie  në vendndodhjen e re. Ndjek një kurs 3 mujor në Pejë dhe fiton diplomën e pjekurisë në mësuesi. Në vitet 1950 – ‘54 kryen studimet universitare në Beograd  për filologji romane me specifikë gjuhë dhe letërsi italiane.  Diplomohet në  korrik të vitit 1955. Në qershor 1951 martohet  me vajzën serbe Nina Bogdanoviç, e cila ishte laureuar në sllavistike.  Ndahet me të në vitin 1968.

Në vitin 1955 – ‘56, përgatitet për një kualifikim pasuniversitar për albanologji në fakultetin filozofik të universitetit të Sarajevës, nën drejtimin e indo-europianistit  dhe albanologut  Henerik  Baric.  Me të  dhe profesor  Rikard Kuzhmic, ai vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktoratë  “ Gjuha e Gjon Buzukut”. Mbesa e stërnipi i Martinit rrëfejnë se marrëdhëniet me të para, 1990 kanë qenë të hershme përmes letërkëmbimeve. Por kjo mundësi komunikimi vazhdoi deri në vitin 1967, vit kur diktatura, për arsyet që dihen, i ndërpreu ato. Ky fakt dëshmohet edhe përmes shfletimit të korrespondencës së Martinit. Asnjë foto apo letër e Martinit drejtuar  familjes së tij  nuk gjendet në vitet  kur ai ishte nxënës në  kolegjin saverian apo kur shkoi në Jugosllavi. Në veçanti në vitet ‘80 presioni i kontrollit të sigurimit të shtetit mbi njerëzit e Camajt u rrit, nga frika, e motra, Mrika,  i fshehu ato diku në mal. Me rënien e regjimit diktatorial,  teksa shkojnë për t’i rimarrë, vërejnë se në më shume se dy  dekada, dhe si rrjedhojë e agjenteve atmosferike,  gjithçka ishte tretur e shkatërruar.

Formimi akademik

Etja për dije do ta çojë atë gjithnjë e më larg.  Martini  do të lerë Jugosllavinë e do t’i drejtohet Italisë. Pas Sarajevës, stacioni tjetër për formimin dhe aktivitetin e tij akademik do të bëhet Roma.  Në vitet 1956 – ‘60 ai kryen studime universitare në letërsi italiane, filologji romane, gjuhe dhe letërsi shqipe, dhe filologji sllave në universitetin  “La Sapienza”, në Romë, pranë Ernest Koliqit, Maver, Xhaneli, etj., duke u laureuar si doktor  me një studim për Mesharin e Buzukut  me rezultatin “con lode”.  Në 1960-n  Koliqi e emëron lektor të gjuhës shqipe. Gjatë periudhës së studimeve, Camaj i përkushtohet edhe kërkimeve të mirëfillta shkencore në terren,  në viset me fshatra arbëreshe .Në vitin 1969  në Kalabri botohej revista “Zjarri” me drejtor pader Zef Farako. Ishte e vetmja revistë e pas luftës së dytë botërore ku bashkëpunuan studiues të mërgatës dhe ata nga Shqipëria. Kjo falë largpamësisë dhe kulturës së priftërinjve katolik  që punonin larg mureve ideologjike. Kontributi i Martin Camajt në këtë revistë ishte i rëndësishëm.  Revista u mbyll më 1998, me vdekjen e pader Zef Farakos.

Në Mynih

 Pas gjithë këtij  rrugëtimi drejt dijes, në fillim të vitit 1961, me përfitimin e dy bursave, Camaj zhvendoset në Mynih, të Gjermanisë,  pranë universitetit Ludvig Maksimilian. Ishte dëshira për t’u thelluar në hullinë e formimit akademik si dhe synimi për të siguruar një perspektive afatgjate  në karrierën e ardhshme profesionale, faktorët që e nxitën atë të zhvendoset rishtazi atdheun e vet portativ. Tashmë ai shndërrohet  nga një student, në  mësimdhënës  pas  konvertimit  të diplomës italiane.

Kur  Martini erdhi në kryeqendrën e Bavarisë,  moti nuk kishte qenë aspak i përshtatshëm. Dimri i egër e kishte venë në dileme atë. Ai e kishte lenë të hapur mundësinë e kthimit në Romë, pasi nuk mund ta duronte dot të ftohtin. Por nuk ndodhi ashtu. Camaj  qëndroi dhe mori përsipër të mbante lektoratin për mësimin e  gjuhës shqipe, i pari i këtij lloji, të paktën në hapësirën gjermanishtfolëse.

 Peter Bartl

Për albanologun Peter Bartl , ish -nxënës i tij e më pas koleg,  Camaj ishte më shumë se një koleg i zakonshëm. Midis tyre u përftua një miqësi e ngushtë që i dha tonin një marrëdhënieje shumëvjeçare.  Kjo miqësi ndikoi edhe në raportin e Bartlit  me  Shqipërinë dhe historinë e saj. Mandej Camaj u përpoq t’i  mësonte atij gjuhën shqipe. Rrethi i të interesuarve ishte i përzier. Nuk kishte asnjë shqiptar, vetëm gjerman, kryesisht gjuhëtar, indo-europianist, historian e koleg të tjerë. Fillimi ishte i vështirë, pasi vete Camaj nuk fliste një gjermanishte të përkryer. Veç kësaj nuk ekzistonte asnjë libër në gjuhen gjermane  për mësimin e shqipes. Për ata që arritën ta njihnin nga afër, e kuptonin se si e ndjente ai veten  si një autor pa lexues. Ai i botoi librat e tij me shpenzimet e veta dhe nuk e mori vesh jehonën e tyre. Martini  nuk e dinte nëse ndonjë nga veprat e tij mundi të hynte në Shqipëri. Tek unë erdhi njëherë një delegacion nga Shqipëria me kryetarin e Akademisë së shkencave Aleks Buda. Desha t’i tregoj atij se çfarë veprash kishim nga Martin Camaj, por  ai  e  ndërroi menjëherë bisedën. Kur pa që kishim veprat e padër Valentinit, u shpreh se kishin nevojë për një vëllim të “Korona Sakra”.  Kështu, ai la të kuptohej se fjala Camaj ishte një fjalë e papëlqyer në Shqipëri. Merret vesh se Martini ka vuajtur në këtë situatë. Ai nuk ka patur akses as si shkrimtar e as si shkencëtar.

Ambient shqiptar

Ai u përpoq që edhe në Lengriz të krijonte ambientin, odën shqiptare. Siguroi dhe një lahutë dhe u përpoq që të këndonte me të, por për veshët tanë,- shprehet ai, – zëri i tij nuk ishte shumë muzikor. Edhe Malet në Lengriz, ishin të ngjashme me ato të Dukagjinit, një nga arsyet kjo pse u vendos atje, janë malet me të cilat ai u lidh. Mandej edhe stili i ndërtimit të vilës ka diçka karakteristike nga ndërtimet në hapësirën shqiptare. Ajo u ndërtua nga mjeshtra arbëreshë të sjellë nga Kalabria. Në veçanti shquan oda shqiptare ku stili, aredimi, oxhaku  e objektet e shumta të zhysin në nostalgjinë për vendlindjen. Dhe Martini me  siguri që kishte sjellë aty në Lengriz një copë jete dhe kujtimi nga dheu i të parëve.

 Kongresi i albanologjisë në Innsbruk të Austrisë

1972. Një kongres i albanologjisë në Innsbruk të Austrisë ku ishte ftuar prof. Çabej dhe shkencëtar të tjerë shqiptarë. Ne, studentët e vitit  1972, sapo kishim filluar të studionim dhe ishim të dëshiruar që të merrnim pjesë në këtë kongres. Më vonë erdhi njoftimi se prof. Çabej dhe të tjerë të delegacionit nga Tirana, nuk do të merrnin  pjesë, nëse do të ishte i pranishëm edhe prof. Camaj.  Martini  tregoi bujarinë dhe zemërgjerësinë e tij, për integritetin, bashkëpunimin që ekziston mes kolegëve. Ai u tërhoq q t’u hapej vendi kolegëve nga Shqipëria. Megjithëse, ishte kritik ndaj regjimit, ai nuk e shprehu këtë asnjëherë hapur.

Lamtumira

Zemra e Martin Camajt pushoi së rrahuri më 12 mars 1992 në  fshatin Lengries të Bavarisë së Epërme në Gjermani, ku jetoi për më se 30 vjet. Ai nuk la trashëgimtar. Mesha në nder të tij u dha nga pader Ndrevashaj. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë personalitete nga Europa e Amerika e largët si Arshi Pipa e të tjerë. Sëmundja e rëndë ja ndërpreu  jetën  parakohe, kur ai ishte vetëm  67 vjeç.

                  MARTIN CAMAJ, I PAPËRSËRITSHËM.

Njohja dhe jeta e Martinit me bashkëshorten gjermane, Erika

 Erika dhe jeta e saj

Plot bukuri dhe freski, dhuratë e natyrës dhe rinisë njëherazi, plot energji e vullnet për të studiuar e për t’u dalluar në fushën e përzgjedhur, atë të mjekësisë, Erika, vajza e lindur, rritur e  shkolluar  në Landin  e Bavarisë, do të shquhej ndër studentet për elegancën dhe sharmin e bukuroshes klasike. Ajo u rrit dhe u edukua sipas rregullave kristiane në një familje katolike. Ndoqi shkollën fillore tek motrat katolike, e më pas  gjimnazin për t’iu drejtuar në vitin 1960 universitetit Ludvig Maksimilian të Mynihut. I përfundoi studimet për mjekësi në vitin 1967 duke përfshirë edhe dy semestra studimi në Oksford. Doktoraturën e mbylli në 1968. Ajo ka punuar në klinika të shumta mjekësore, përfshi edhe Kaliforninë. Por nuk ishte vetëm mjekësia pasioni i saj. Fusha të tjera interesi vazhdojnë të mbeten edhe sot letërsia angleze dhe ajo gjermane, muzikologjia, teologjia dhe histori arti. Mandej vajzën e dikurshme, që sot numëron të 75 vitet, e gjen sërish studente në auditorët e të njëjtit universitet, ku studioi në rininë e saj.  Por le të kthehemi në vitin 1968, kur në rrethet shkencore të universitetit ajo njihet me Martin Camaj me të cilin u martua në vitin 1969.

Tregon Erika bashkëshortja e Martin Camaj (intervistë e marrë nga Tefta Radi)

Si u njohe me Martinin?

Ishte festa e përfundimit të doktoraturës së një shoqes sime. Merrte pjesë edhe Martini, anëtar i komisionit në provimin e saj. Ambienti ku u njohëm ishte lokal studentësh, ku uleshe edhe në tokë. Vendi i vetëm i lirë ishte pranë meje e Martini zuri vend aty. Nuk u prezantua me emër, por  thjesht  tha: Unë jam shqiptar. Në këtë kohë unë nuk e dija as se ku binte Shqipëria. Për më tepër nuk ishte dashuri me shikim të parë. Unë kisha nevojë për më shumë shikime. Por dikur fati erdhi.

 A ishte  Martini  burri ideal  për ju?

 Për të qenë e lumtur me të, duhej të kalonte një farë kohe. Duhet të kalosh edhe momente jo fatlume, në mënyrë që të dish të vlerësosh të qenin e lumtur. Sigurisht që, e përjetova këtë gjë dhe qëndrova pranë tij.

 Erika dhe Martini  në  një lidhje mes dy njerëzve me kombësi,  kultura  e tradita të ndryshme.

Sa ndikoi  ky fakt në marrëdhëniet mes jush?

 Miqësia jonë u ndërtua në një rrafsh krejt tjetër. Nga kjo pikëpamje  midis  nesh  nuk kishte probleme etniko – kulturore,  sepse ne kishim një edukim të ngjashëm. Unë u edukova nga motrat katolike, kurse im shoq u edukua në një mjedis jezuit. Edukimi, mentalitetet  ishin pak a shumë të ngjashme. Zgjodhëm Lengrizin për të jetuar për arsye të maleve. Alpinizmi, ngjitja e maleve ishte një hobi për ne. Unë e bëj atë edhe sot e kësaj dite.

 Po kush ishte Martin Camaj?

Historia e jetës dhe rrugëtimit të formimit akademik të intelektualit që spikati si shkrimtari më në zë në letërsinë e mërgatës shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek.xx, e studiuesit albanolog me prurje kryesore në fushat e gjuhësisë diakronike e sinkronike, të filologjisë shqipe dhe të dialektologjisë arbëreshe është shumë interesante.

Mungesa e një autobiografie të detajuar nga penda e vet autorit  e bën të vështirë fushën e kërkimit. Materiali dokumentar është  i shpërndare , ende i panjohur, i humbur ndërsa  materiali  ekzistues shpesh me të dhëna kundërthënëse.

 Çfarë kujton nga tregimet e tij për fëmijërinë?

Martini ka mësuar vetë shkrim e këndim. Në fëmijërinë e tij kishte si detyrë të kulloste lopët. Por Martini lexonte, nuk e kishte mendjen tek to. Njëherë kur duhej të kulloste dy lopë, njëra prej tyre  u rrëzua në humnerë dhe ngordhi. Kjo ishte një humbje e madhe për ekonominë e familjes. Nuk e di nëse e kanë rrahur në shtëpi. Këtë gjë ma ka treguar ai, ndaj është histori e vërtetë.

Dashuria e Martinit për librin i kishte rënë në sy dhe ish pagëzuesit të tij, pader David Pepës. Ky fakt e nxit atë  të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër për ndihmë. Pas marrjes së pëlqimit  edhe të vëllait të madh, Gjergjit, për ndërmarrjen e hapave konkrete lidhur me arsimimin dhe përgatitjen pse jo, për meshtari të cullakut inteligjent Martin Camaj, ai nisi rrugën e arsimimit. Zgjuarsia e tij dhe skamja në familje  duhet të kenë qenë dy arsye të forta që mundësuan dërgimin e tij në shkollë  në qendrën kryesore urbane të Shqipërisë verilindore. Shkëputjen prej trungut familjar, Camaj e ka përcjellë në mënyrë poetike në poezinë “ Tregim i thjeshtë”.