Shuhet modeli i pedagoges profesioniste, Drita Siliqi

929
Sigal

Bashkëshortja e poetit Drago Siliqi ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare

  Është shuar më 5 gusht 2013 Drita Siliqi. Ajo ka qenë një grua intelektuale që ka kontribuar në edukimin e disa brezave në fushën e arsimit dhe të botimeve. Ajo ka punuar si pedagoge, publiciste dhe së fundmi si përkthyese nga italishtja në shqipe. Ne po i japim lamtumirën e fundit një gruaje që u lind larg prej këtij vendi, por që kjo tokë bujare u bë dhe toka e saj për rreth 15 vitet e fundit të jetës. Përcjellja nga kjo jetë e njeriut të dashur është një rit aq i lashtë sa vetë njerëzit mbi dhe. Kurdoherë në këto raste për ta thuhen fjalë të mira e lavdëruese, shpeshherë edhe kur këto fjalë nuk janë merituar. Por kjo e fundit nuk ndodh e nuk ka sesi të ndodhë në këtë përcjellje mortore të Dritës sonë të dashur. Ç’fjalë të tjera mund të thuhen për të përveç kurajës e heroizmit që demonstroi në jetë, përveç inteligjencës e punës së palodhur, përveç mirësisë, fisnikërisë e dashurisë që ajo shpërndau aq bujarisht?

Drita Siliqi Shundi lindi e u rrit në mesin e një familjeje të shquar për atdhedashuri e profesionalizëm, vendosur në Tiranë qysh në fund të shekullit të 17-të. Shumë djem e vajza nga kjo familje përfunduan studimet universitare dhe gjatë shekullit të 20-të punuan si mësimdhënës të shquar nëpër shkolla të larta, nëpër qendra studimore e institucione të rëndësishme. Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik, botues i ri e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ‘60 në Shqipëri do të qe pajtuar me fushatat komuniste antikulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij i asaj kohe, Ismail Kadare. Jam i sigurtë që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pak me të dashurin e saj, por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Me një heroizëm e kurajë të pashoqe ajo rriti e edukoi dy vajzat e saj, Laurën e Darinën, duke qenë për to babë e nënë në të njëjtën kohë. Ndërkohë mëkoi me letërsinë breza nxënësish e studentësh si mësuese në shkolla të mesme e pedagoge në universitet dhe punoi e palodhur në organet e shtypit. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet, siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallaçi. Vitet e fundit të saj u jetuan në trekëndëshin Amerikë-Kanada-Shqipëri. Këtu në kontinentin e ri ajo pa të rriten nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat. Jetoi mes dashurisë së vajzave të saj, të dhëndurëve Gjergjit e Arbenit dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e çmonin. Duke ikur, Drita e la pas dritën e saj për të gjithë të dashurit. Lum si ajo që la pas kaq dritë e dashuri dhe u kujtoftë përherë me mall sa qofsim gallë.

Kush ishte Drita?

Drita Siliqi (Shundi) lindi në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit.

Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” të Tiranës dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”. Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat, Darinën dhe Laurën.

Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ua dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e një shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur” dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci. Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj. Ajo la prapa vajzat e saj Darina Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me bashkëshortët e tyre Arben Demiri dhe Gjergj Konda, mbesat Lora Carlessimo (Demiri) me familjen e saj dhe Stella Demiri, nipërit Tedi Konda dhe Martin Konda, si dhe një stërmbesë e një stërnip.

——–

Intervistë me pedagogun dhe shkrimtrain Nasho Jorgaqi

 Drita Siliqi, një dritë që shkëlqen në historikun e pedagogjisë shqiptare

Zoti Jorgaqi, si e kujtoni pedagogen Drita Siliqi, që u shua këto ditë?

Pedagogia Drita Siliqi ishte një shembull i lartë frymëzimi dhe një model i përkryer për pedagogjinë shqiptare. Unë e kam njohur Drita Siliqin me kohë, sepse kam qenë mik i ngushtë edhe me bashkëshortin e saj, të nderurar, Drago Siliqin, Ai ishte një personalitet i madh i letrave shqipe dhe një mik i pësosur për të gjithë ne, që e njihnim. Së bashku me Drita Siliqin, ata të dy përbënin përsosmërinë e një çifti të mrekullueshëm që respektonin dhe respektoheshin prej të gjithë njerëzve. Ata ishit të shkëlqyer në të gjitha drejtimet, duke nisur nga korrektësia, karakteri, profesionalizmi dhe komunikimi me njerëzit. Nga martesa e tyre lindën dy vajza të mrekullueshme, të cilat shkëlqyen gjithashtu, në rrugën e tyre. Njëra prej vajzave është Laura Konda që punon si gazetare në “Zërin e Amerikës” dhe vajza tjetër ka mbaruar për degën e Mjekësisë.

Çfarë ndodhi me familjen Siliqi pas aksidentit ajror të Dragos? 

Në atë kohë Drita Siliqi ishte rreth të tridhjetave dhe iu përkushtua rritjes së vajzave, të cilat i edukoi me një nivel tepër të lartë kulture dhe mirësjelljeje. Duke i kthyer edhe ato në shembuj të përsosmërisë për nivelin njerëzor. Vetë Drita, në këtë kohë punoi në punë të ndryshme duke qenë mësuese gjimnazi, gazetare, redaktore, përkthyese, pedagoge si edhe kryeredaktore e revistës “Gruaja Shqiptare”. Ajo gjithashtu, ishte një përkthyese e shkëlqyer duke kryer një gamë të gjerë studimesh letrare. Përveç këtyre, Drita përktheu dy vepra të Arjana Palacit, dhe dis atë tjera të Elena Gjikës.

Si e mbani mend Drita Siliqin në komunikimin me njerëzit?

Ajo kishte një karakter të përkryer dhe ishte një grua e fortë. Gjithashtu, ishte tepër e meçur dhe e palëkundur në bindjet e veta. Si pedagoge, kërkonte nga studentët maksimumin e njohurive, duke i nxituar ata të studionin sa më shumë.

Si do ta përcaktonit atë me pak fjalë?

Do ta përcaktoja si “gruaja e denjë e një poeti të madh”. Sepse ajo ishte vërtet e tillë.

Ku ka jetuar Drita Siliqi gjatë viteve të fundit?

Gjatë 10-15 vjetëve të fundit ajo ka jetuar në Nju Jork, tek vajzat e saj. ndërsa në ditët e para të gushtit, pedagogia dhe studiuesja e njohur shqiptare ka ndërruar jetë. Duke na pikëlluar të gjithëve dhe duke na lënë pas dëshpërimin e respektin e lartë, për të.

I.B