Shpresa Gashi: Unë kam dy zemra, njëra rreh për Kosovën, tjetra për Shqipërinë

2129
Sigal

Retrospektivë

Shpresa Gashi ka qenë shumë herë në Shqipëri. Ka ardhur edhe në Shkodër. Ndoshta është “thirrja e të parëve”, që gjithsesi është një forcë tërheqëse e madhe, apo ndoshta ajo forcë tërheqëse që ka vetë Shkodra për të gjithë shqiptarët kosovarë. Do të thosha pa hezitim se janë të dyja. Si artiste e vërtetë, siç është ajo, Shkodra gjithmonë ka qenë për të një qytet kulturor i zhvilluar dhe emri i saj, nga kjo pikëpamje, është i ngrohtë dhe joshës për të gjithë artistët. Dhe jo vetëm për artistët.

 Kolë Idromeno dhe “Motra Tone”

 Shpresa Gashin e ka tërhequr më shumë drejt Shkodrës diçka e madhe: origjina e të parëve të saj. Ajo krenohet se gjyshja e saj ka pasur dajë të famshmin Kolë Idromeno, piktor i madh shqiptar, muzikant i njohur, arkitekt i përmendur, fotograf me shije të hollë, nismëtar i kinematografisë në Shqipëri, talent i gjithanshëm dhe  një figurë unikale në kulturën dhe artin shqiptar. Gjyshja e Shpresa Gashit  është bija e Tones, motrës së Idromenos, së cilës, piktori i madh, me dashuri i bëri portretin e bukur e të famshëm  “Motra Tone”, piktura e parë realiste e Rilindjes sonë kombëtare, realizuar në vitin 1883.

Motra Tone vdiq e re, duke lënë gjashtë fëmijë, pesë vajza dhe një djalë.  Idromeno u kujdes shumë për këta fëmijë, sikur të ishin të tijtë (një djalë që pati i vdiq i vogël dhe ai pastaj  iu përkushtua kujdesit ndaj fëmijëve të Tones). Rasti e solli që dy nga vajzat e Tones (Matilda dhe Domenika)  u martuan në familje shumë të mira në Pejë. Idromeno shkonte shpesh herë t’i shihte ato dhe atje krijonte edhe njohje dhe miqësi me pejanët. Atje bënte edhe fotografi. Nuk mund të them sot për sot se a ka gjurmë të fotografive të bëra prej tij në Pejë, por besoj se familjet e kulturuara pejane do t’i kenë ruajtur ato nëpër albumet e tyre, veçanërisht të afërmit e Shpresës, që kanë qenë fotografë të njohur në Pejë.

 Të afërmit e Shpresës

Për të vlerësuar një njeri duhet të gërmosh në tre-katër breza më parë. Prandaj nuk besoj se kemi shkuar larg për të arritur tek vlerësimet e artistes dhe këngëtares sonë të talentuar, Shpresa Gashi. Hiret e saj të jashtme dhe zëri i saj i mrekullueshëm kanë rrënjë të thella dhe rrjedhin nga burime të kthjellëta.

“Gjyshja e Shpresa Gashit, Nicë Gashi , ka luajtur shkëlqyeshëm në instrumente harkore, si violinë etj. E ëma e Shpresës, Gjina Ndueleshi-Gashi, ishte këngëtare, tezja, Jozefina, po ashtu, një kushërirë e saj e parë, Gonxhja ishte soprano me emër në Kosovë. Ndërkaq babai i Shpresës ishte i pasionuar pas fotografisë” (Sipas Flora Durmishit). Janë fakte që të çojnë patjetër te “burimi”, te origjina.

Duke ardhur, pra nga  një familje e vjetër qytetare pejane, ku arti dhe kultura, në veçanti muzika, është trashëguar në disa breza, edhe Shpresa do të rritej me dashurinë për  artin, për pikturën dhe muzikën, për çdo gjë të bukur që të kënaq zemrën  dhe të fisnikëron shpirtin…..

Fëmijëria

Shpresa  lindi dhe u rrit në një mjedis familjar ku tingujt e bukur të muzikës dhe ngjyrat e ngrohta të pikturës ishin objekti edhe i bisedave që bëheshin herë pas here dhe kujtimi i artistit të madh ishte i pranishëm gjithnjë. 1)

1) Për të plotësuar kuadrin e pasardhësve të Motrës Tone e të vetë  Idromenos, po japim edhe këto të dhëna: Një nga djemtë e të vetmit djalë që la Tonia është Andrea Skanjeti, (Artist i Popullit), dramaturg dhe regjisor i njohur dhe me shumë kontribut në kulturën e artet shkodrane e kombëtare; njëri djalë e njërës prej vajzave të motrës Tone në Shkodër është Zef Zorba, poet, dramaturg dhe regjisor, i privuar prej krijimtarisë së vet nga diktatura komuniste; kompozitori dhe studiuesi etnomuzikolog Engjëll Berisha, që ka merita të shquara në kulturën muzikore të Kosovës është gjithashtu nip i njërës nga vajzat e Motrës Tone, një mbesë e një vajze tjetër, Terezina Vasija – Tërshana, është shkrimtare e talentuar dhe ka botuar disa libra, ndërsa vëllai i saj, i ndjeri Nikolet Vasija ishte një nga piktorët më të njohur të vendit, me banim në Durrës, etj.

Piktura dhe kënga

Pasioni për pikturën e ndoqi Shpresën e vogël gjatë gjithë shkollës fillore. Vetëdija e saj fëminore gjithnjë i thoshte se do të bëhej një piktore e mirë, si daja i gjyshes. Ishte një vajzë e bukur, e shkathtë, mësonte mirë, një nxënëse me të vërtetë e kompletuar.  Prindërit e saj, (veçanërisht e ëma që e kishte pasur ëndërr të bëhej këngëtare e njohur), duke e parë gjendjen e vajzës së tyre të papërqendruar dhe të papërcaktuar, por duke i vënë re talentin, përpiqeshin  që t’i jepnin drejtimin e duhur në jetë, ta bënin gjithsesi një  artiste të njohur. Këtu filloi edhe dilema për të përcaktuar rrugën e mëvonshme të Shpresës. Ajo kishte zë shumë të bukur dhe, meqenëse të gjithë merreshin me muzikë, vlerësuan më shumë këtë gjini të artit.

– Muzika është gjuha e Perëndive, kanë thënë, – i thoshte e ëma, për t’i mbushur mendjen asaj që t’i përkushtohej e të merrej vetëm me të. Edhe pse nuk mund të thoshe se ajo do të bëhej këngëtare, shihej qartë se këngën e kishte në shpirt. Por edhe pikturën nuk e linte. Peja ishte një nga qytetet e Kosovës   ku kishte një jetë relativisht më të gjallë kulturore dhe një nivel më të lartë të veprimtarive të tyre, si të muzikës ashtu edhe të arteve të bukura. Kështu që klima artistike e Pejës ishte një nxitje për të ecur në shinat e artit. Por erdhi një kohë që duhej vendosur. Në dilemën e përcaktimit se në cilën shinë duhej ecur, më në fund fitoi muzika dhe kënga, duke e bërë të kënaqur për zgjedhjen, por duke i mbetur si peng edhe piktura. Në Prizren kishte një shkollë muzike. Siç dihet, ajo ishte krijuar nga mjeshtri Lorenc Antoni. Atje mund të bëheshe artist i vërtetë. “Shpresa ishte një nxënëse shumë e mirë, që tërhoqi menjëherë vëmendjen e mësuesve dhe të nxënësve të shkollës.  Falë talentit të saj të dukshëm, zgjuarsisë dhe kulturës muzikore që kishte marrë në familje, falë punës së saj këmbëngulëse, ajo arriti suksese të dukshme dhe premtonte për një të ardhme shumë të mirë si këngëtare” – kujton kompozitori Reshat Ramdobrava, autori i krijimit të këngëve të shumta.

Studimet

Dy-tre vite si mësuese muzike në shkollat e Pejës qenë një shkollë tjetër për këngëtaren e ardhshme dhe një përgatitje për studimet e mëtejshme. Nga viti 1970 deri më 1974, ajo studioi në Akademinë e Muzikës në degën e Teorisë së Muzikës, duke ndjekur njëkohësisht edhe kualifikimin e mëtejshëm ndër profesorët më të njohur të Zagrebit, Shkupit e pastaj të Tiranës.

Edhe artistët e njohur kanë idhujt e vet, të cilëve dëshirojnë t’u afrohen sa më shumë. Për Shpresën e re  ato ishin: Tefta Tashko, Marie Kraja, Luçije Miloti dhe Nexhmije Pagarusha. “A do të ndjek vallë rrugën e tyre të artit! A do t’ ngjasoj sado pak atyre në madhështinë që i rrethon ato!” mendonte shpesh Shpresa dhe i rritej kështu  guximi dhe këmbëngulja për të arritur maja sa më të larta.

Turrnetë

Bëri turne të shumta, nëpër shumë vende të botës, nëpër festivale dhe skena muzikore, në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe Australi.

Kudo duartrokitje  e ovacione. Kudo vlerësime e çmime.  Emri i Shpresa Gashit  u unifikua me suksesin  e jashtëzakonshëm, me admirimin e pakufishëm. Arsyeja? Origjinaliteti dhe timbri i zërit të saj të ëmbël e të ngrohtë, me ato veçoritë karakteristike tradicionale, për të cilat, prof. Ramadan Sokoli do të shprehej: “Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip”. Ky vlerësim është, ndoshta, përcaktimi më i saktë dhe më me vlerë që edhe Shpresës i pëlqen shumë. Dhe pastaj mjeshtri prof. Ramadan Sokoli vazhdon: “Natyra e ka pajisë sopranon Shpresa Gashi, me një burim apo laring me cilësi të jashtëzakonshme. Nga dridhja e pejzave të  ndjeshme të këtij gurgulli përshkuar nga fryma përftohen tinguj të kulluar e të lëmuar në tërë shtrirjen e tyre. Të dëgjosh këngëzimin  e shprehjes së thekshme dhe plot kalime të shkrifëta e të shkëlqyera, të dëgjosh Shpresa Gashin kur këndon është jo vetëm ëndje, por dhe kënaqësi e madhe… Uroj sopranon tonë: Të këndoftë zemra o Shpresa Gashi!”

Shpresa këndoi në disa gjini  dhe në të gjitha shkëlqeu, duke dëshmuar se është artiste e lindur. Vetëm në gjininë e operës nuk u perfeksionua, për vetë kushtet e mungesës së një trupe të operës. Ajo u cilësua “Një yll tjetër me shkëlqim të veçantë në qiellin e kulturës sonë muzikore”. Aludohet këtu për Nexhmije Pagarushën, kur përdoren fjalët  “një yll tjetër”.

Edhe si kantautore, Shpresa Gashi ka realizuar nivele të larta, ku, mes tetë këngëve të bukura të krijuara nga ajo, mund të veçojmë „Baladë për Drenicën“, të cilën Shpresa e quan si një kontribut modest për çlirimin e Kosovës, meqenëse kjo këngë është pëlqyer shumë.

Lidhjet me Shqipërinë

Shpresa Gashi e ndien veten shumë të lidhur me  Shqipërinë. „Unë kam dy zemra, – thotë ajo kur e pyesin lidhur me këtë temë, – njëra rreh për Kosovën, tjetra për Shqipërinë. Gjyshja ime është …nga Shkodra dhe rrënjët tona janë atje. Kam ardhur shpesh për të dhënë koncerte në Shqipëri, ndoshta mbi 20 herë. Me emocion kujtoj herën e parë në vitin 1972, kur isha studente në Zagreb. Erdha me një shoqëri kulturore artistike. Më kërkuan të luaja një rol të vogël duke më plotësuar një dëshirë të madhe të fëmijërisë. Të shihja vendin e të parëve, të flisja shqip me vëllezërit dhe motrat që na kishin ndarë tragjikisht. Pas kësaj u çel rruga e bashkëpunimit midis televizionit të Prishtinës dhe TVSH-së, ku kam kënduar me shumë solistë të tjerë. Numërohen disa festivale të përbashkëta ku kam marrë pjesë dhe kjo periudhë është pjesa më e artë e karrierës sime”.

 Shpresa ka shumë e shumë për të thënë, për të folur për rrugën e mëtejshme të saj në drejtim të këngës. Ajo është përsëri e gjithnjë në udhëtim…

Shpresa Gashi është vlerësuar shumë  si këngëtare e shquar edhe nga studiues dhe specialistë të artit.