Shefqete Gosalci/ Sa të jem gjallë do të punoj për kombin, pasi idealet tona ende nuk kanë gjetur zbatim

545
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, këngëtarja dhe luftëtarja e UÇK-së, 

Unë që para se të filloja të shkruaja apo të flisja (qesh) kam filluar të këndoj, thekson ajo. Pra që në fëmijëri në gëzime familjare, në festat kombëtare,  në dasma, në ditëlindje,  këndonte vetë, i vinte zëri nga brenda. Ajo ishte e lidhur me Shqipërinë nëpërmjet RTSH-së, të cilin e kishte stacionin e zemrës. Ishte një ndër luftëtaret e para të UÇK-së dhe ëndërr kishte të shihte Tiranën dhe ka ëndërr të shohë gjithë kombin në një shtet.

 Ju keni qenë veprimtare e çështjes kombëtare, në luftën për çlirimin e Kosovës?

Posi. Kam qenë dhe jam. Jam veprimtare e gjallë pasi idealet tona ende nuk kanë gjetur zbatim ashtu siç i nisëm. Sa të jem gjallë do vazhdoj të punoj për kombin, për Kosovën për bashkimin.

Cilat janë këngët që ju keni kënduar dhe këndoni?

Janë këngë folklorike, patriotike, epike, të trevave të veriut.

 A e ndiqje radio Tiranën dhe radio Kukësin në regjimin jugosllav?

Po. I kam ndjekur me veshët pipëz. I kam ndjekur me dëshirë, me zemër të drudhur, plot dashuri dhe optimizëm. Ato dy radio dhe pse të ndaluara ishin ozoni im i jetës, ishin e vërteta ishin ushqimi shpirtëror i pakrahasueshëm. Ndiqja po aq me vëmendje sidomos televizionin shqiptar. Ato emisione patriotike ishin të mrekullueshme, ishin të pazëvendësueshme. Ishin gjë e rrallë që dhe sot i kujtoj me nostalgji.

 E merrte televizionin shqiptar në fshatin tuaj?

 Me antenë të posaçme. Me antenë të improvizuar që e vinim në fshehtësi natën. Babai im kishte bërë një antenë të lartë. Sa vinte mbrëmja ne me vrap mblidheshim në shtëpi dhe shikonim RTSH, Jam me origjinë nga Golloku, fshati Marec, afër Prishtinës , në kufij me Serbinë, aty ku është komuna e Prishtinës.  Zona jonë është shumë patriote, me njerëz shumë fisnikë, bujar. Ata i kanë  dhënë kombit në çdo kohë, ku mund të veçoj betejën e Prapashticës në vitin 1921, ku  u prenë 300 burra brenda një nate nga pushtuesit. Kjo betejë pak njihet. Dhe unë nga familjarët e mi këtë kulturë kam marrë të jem atdhetare deri në fund. Ne jemi malësor fisnik, dinjitoz. Ne jemi 2 klm larg Serbisë në kufi ajror.

Cilët ishin emisionet më të ndjekura tuajat në Radio Tirana, Kukësi dhe televizioni shqiptar?

 Unë kam ardhur 2 vjeç në Prishtinë dhe banoj në lagjen e Spitalit. Aty është një luginë e vogël. Në atë luginë ne kemi shtëpinë dhe babai që atë kohë (siç e thashë më lart) ndërtoi fshehtas një antenë 20 metër të lartë enkas për televizionin shqiptar,.Një ndërmarrje e rrezikshme. Unë sidomos nuk shqitesha nga Radio Kukësi kur dëgjoja këngët e së madhes Fatime Sokoli, por edhe të gjitha këngëtareve aq të suksesshme të Shqipërisë së asaj kohe që janë të papërsëritshme. Kur dëgjoja ato merrja dhe unë kurajë të këndoja më shumë. Ato ishin kruajua dhe guximi im. Por unë ndiqja kryesisht emisionet Heroizmi Popullit shqiptar në shekuj. Ai emision nuk mund të arrihet kurrë, S’kishte kosovar që nuk e ndiqte. Ngazëlleheshim dhe merrnim forcë me ato që dëgjonim. Në televizion kur shikoja Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, krenoheshim dhe mburreshim.

 Ju ka përndjekur sistemi jugosllav?

Shumë. Ne kemi qenë gjithmonë të përndjekur për veprimtari patriotike. Kjo ka bërë  që ne të jemi gjithmonë në shërbim të çështjes Kombëtare.

Si ju dukej Shqipëria e asaj kohe?

Me sa shihnim në televizion ne mendonim se Shqipëria po lulëzonte. Na dukej bollëk, mirëqenie, siguri, arritje. Kishte demagogji, por për ne çdo gjë na dukej si e paarritshme. Na bëhej zemra mal kur shikonim Tiranën. Çdo gjë shqiptare na dukej madhështore. TVSH ishte për ne burim jete, force, krenarie. Ne krenoheshim para serbëve me Shqipërinë. Ne mes shoqeve të nesërmen në biseda pas shkolle flisnim për Shqipërinë, për gjuhën tonë të bukur. Ne nuk na lejonin të mësonin shqip disa kohë. Dhe ruajtja e gjuhës nga Kosovarët është një meritë e madhe pasi është pjesa më e domosdoshme si identitet i kombit. Nuk ishte e lehtë kur mësoje serbo- kroatisht dhe të dije gjuhën shqipe, aq më tepër kur dhe e flet pastër. Ne e mbrojtëm gjuhën tonë në saj të patriotizmit familjar.

 Si e njihnit Enver Hoxhën e asaj kohe?

Të them të drejtën që në bazë të atyre që dëgjoja nga goja e familjarëve Enver Hoxha ishte simbol i Kombit. Në atë kohë jugosllavët mburreshin me Titon po ne pse të mos mburreshim me Enverin që ishte më i bukur, më krenar dhe qe kishte bërë emër në botë?  Po të them një gjë. Enverin e Kosovës mos ma prekni. Enverin e Kosovës lëreni ne zemrën tonë. Ne e donim me të mirat dhe të këqijat që kishte. Ai ishte një burrë shteti për 50 vjet dhe bëri një shtet që e komentonin të gjithë. Deshëm apo s’deshëm ne ai e bri këtë. Kur shikonim atë në televizion, dhe shinim ato arritje pavarësisht se sa ishin të vërteta, ato fjalime ne na mbanin gjallë. Me atë persekutim që bëhej ndaj nesh, Enverin e shihnim si shpëtim, pasi ai regjim vetëm Enverit i trembej, vetëm Enveri u vinte hakut. Ata bënin çmos që ne të mos e shihnim Enverin. Unë  edhe sot, që kam parë shumë, kam dëgjuar shumë për Enverin e respektoj shumë si burrë shteti që e bëri Shqipërinë të respektuar kudo në botë dhe që ishte tmerri i jugosllavëve. Në këto 20 vite kam dëgjuar për persekutime të Enver Hoxhës, për pushkatime pa gjyq, por duke pasur parasysh se  ai e ruajti Shqipërinë nga çdo agresion, ashtu të vogël, të brishtë, të varfër por të denjë ku shqiptarët i respektonin kudo në botë, për mua ka shumë vlera. Unë them me bindje që pas disa vitesh, pas kalimit të këtyre viteve të vështira të tranzicionit, Shqipërisë i duhet një Enver Hoxhë i ri. Unë e mbaj dhe sot fotografinë e Enverit edhe sot në shtëpi. Kush thotë nga kosovarët që se ka pas në shtëpi gënjen. Enveri ishte vetë Shqipëria për ne.

 Kë do të veçosh nga meritat e Enverit?

Kryesorja ishte ngritja arsimore e Shqipërisë. Kudo që kam vajtur të gjithë intelektualët e kohës së Enverit kanë bërë emër në botë. Por edhe shkrimtarët e asaj kohe. Më bënte  shumë përshtypje shkollimi i femrave që i shikoja në televizor dhe në ambiente pune. Më bënte përshtypje puna vullnetare që bënin shqiptarët, ishte gjë e bukur se i vëllazëronte njerëzit, i bënte më të lidhur. Më bënte përshtypje që njerëzit ishin pothuajse të barabartë. Ishin në një nivel ekonomik. Kultura në atë periudhë u zhvillua në mënyrë të përkryer. Personalitete që lindën dhe u rritën ën atë sistem them se do të vijnë apo do të bëhen prapë nis lind dhe një Enver Hoxhë i dytë. Në art, muzikë, shkencë, hidroenergji, ai bëri epokë

 Ku keni qenë ditën që vdiq Enveri?

 Kur ka vdekur Enver Hoxha kam qenë  duke planifikuar të udhëtoja në Zvicër. Ishim një grup artistik nga Prishtina. Do shkonim tek shqiptarët e Zvicrës. Lajmin e morëm vesh rrugës. Të gjithë sa ishim kemi qarë me dënesë. Nuk e besonim. Kur shkuam në Zvicër në hotel hapëm televizionin dhe shikonim se si bëheshin homazhet dhe më vonë pamë ditën e varrimit. Ishte një varrim madhështor. Shikonim  njerëzit që qanin dhe qanim më shumë dhe ne. Për një moment kamera fokusoi kalin e Skënderbeut në Sheshin e Madh të Tiranës (sheshi atëherë ishte shumë i bukur). Një sy i kalit ishte mbushur me rrëke shiu dhe dukej se lotonte. Dukej fiks fare si lot i pastër. Ne thamë po qan dhe kali i Skënderbeut.

Keni folur me të përndjekur të atij sistemi?

Po kam biseduar me shumë. Kam dëgjuar edhe për çmenduritë e atij sistemi, por kur mendoj se mbajti kombin gjallë të paasimiluar nuk mund ta hedh poshtë kurrë. Atdheu mbi të gjitha. Ruajti gjuhën e bukur shqipe, e bëri nj gjuhë të bukur që bota po e analizon çdo ditë. Kur kujtoj 1997 them me vete se Kombi ishte në rrezik. Në kohën e Enverit nuk u bë kurrë nj 1997. në këtë vit të mbrapshtë Shqipëria pothuajse u zhbë. Po të ishte një ushtri e fortë nuk do bëhej ashtu dhe agjenturat e huaja nuk do rrinin këmbëkryq në mes të Tiranës.

 Po serbët çfarë thoshin për figurën e Enver Hoxhës?

Ultranacionalistët e urrenin, ata se donin pasi  ne jemi racë e bukur, e mençur dhe patriotë që e ruajtën gjuhën dhe identitetin kombëtar. Unë them po nis s’do ishte ajo luftë nacional çlirimtare, ai Enver edhe Shqipëria besoj se nuk do të ishte sot. Edhe ai sistem luftoi kundër serbit, e donte Kosovën, ndaj ata e urrenin.

 E keni parë shtëpinë e Enver Hoxhës?

Posi. S’ka shtëpi më të thjeshtë. Kosovarët si ajo, kanë nga dy. Pastaj ajo nuk është shtëpia  e tij, por e shtetit.

Përse keni studiuar?

Në fillim kam studiuar për inxhinieri ndërtimi në vitet 1990-‘91 kur kam qenë e përndjekur nga regjimi sepse isha ndër organizatoret e revoltës ndaj regjimit të Milosheviçit. Ne u bëmë nj me minatorët e Trepçes, për të drejtat e tyre dhe donim autonominë. E konsideroj veten me fat që i përkas kësaj gjenerate që luftuan për shkëputjen nga Serbia dhe krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Në këto kushte mua më përjashtuan nga shkolla dhe u detyrova të emigroj në Zvicër.

 Me se u more në Zvicër?

Unë fillova punë si mësuese me fëmijët e bashkatdhetarëve që kishin vite që ishin shpërngulur aty. Aty u lidha me shumë patriotë që kërkonin pavarësinë e Kosovës. Pra nuk e ndava nga vetja çështjen e lirisë së Kosovës. Pa pesë vitesh u ktheva prapë në Kosovë për të vazhduar studimet kur reaksioni serb kishte rënë sadopak. Por pësova një dëmtim, aksident që i shtyva studimet dhe më vonë erdhi lufta. Tani po mbaroj shkencat politike.

 Si fillove aktivitetin patriotik për çlirimin e Kosovës?

Kam qenë në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës  që në fillimet e saj. Kjo ishte një lëvizje politiko-ushtarake, ku unë isha  anëtare e Këshillit të Përgjithshëm.  Unë u ktheva nga Zvicra me këtë mision që pasi të kishim mbledhë ët holla për blerjen e armëve të organizoheshim në atdhe. Kështu  filloi organizmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kemi qenë në grupe treshe ën fillim pasi nuk duhej të binim në sy. UDB-ja vepronte. Ne vepronim si njësite guerile. Këto ishin fillimet tona. Mbledhja e armëve dhe veprimi në njësite guerile. Kjo deri në fillimin e luftës deri në përfundim të saj. Gjatë luftës ne u angazhuam në subjekte politike të ndryshme por gjithmonë të krahut të luftës. Unë isha ën Koalicionin për Ardhmërinë e Kosovës. Por në një moment grupimet politike të krahut të luftës u ndanë pasi ne ishim për bashkim Kombëtar, pra bashkim me Shqipërinë pasi betimin të tillë e kishim dhënë. Përkrahës i kësaj vije të bukur, ishte ideologu strategu, poeti, heroi  Bahri Fazliu. Ai mbetet i papërsëritshëm. Ai ka rënë dëshmor në Plav  në Bogiçe, në kufirin Mal i Zi Kosovë. Bahriu me të vëllanë kanë punuar në të gjithë hapësirën shqiptare për të bërë atë luftë të bekuar derisa dha dhe jetën. Ndaj jam me fat  që jam rritu në mes ët heronjve, në mes të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

 Me cilin subjekt politik jeni?

S’jam me asnjë subjekt politik, por ende vazhdoj të jem përkrahëse e krahut të luftës për Bashkim Kombëtar. Unë e kam bindur veten dhe kam shumë fakte që duhet të bashkohemi. Ne an akuzojnë për nacionalizëm për irredentizëm, por s’është e vërtetë. Ne kërkojmë një mohim që na është bërë padrejtësisht në shekuj. Ne kërkojmë bashkimin e Shqipërisë natyrale ashtu siç e ka bekuar zoti.

Kur ke kënduar më shumë në kohën e luftës ?

Kudo para betejave. Unë kam qenë në njësitin gueril BIA që vepronte në Prishtinë. Veprim nën trysninë serbe, nënë zinxhirët e tankeve. Ne në atë kohë kemi botuar revistën “Çlirimi” që e shpërndanim kudo në fshatrat e Kosovës por edhe të Shqipërisë deri në Tetovë, për  të bërë me dije popullin se çfarë po zien, çfarë po përgatitet. Bahriu ka lënë dhe dy libra: Misioni i çlirimit” me dy vëllime, që janë aktuale dhe sot. Në shtëpinë tonë kanë qenë 12 vetë që aktivizoheshin me familjen madje kemi strehuar mjaft ilegalë. Familja ime ka pritur për 15 vite ilegalë nga  të gjitha krahinat. Unë në fillimet e para kam qepur rrobat e UÇK-së,  për njësitë policore ushtarake. I kam qepur në shtëpinë time në ilegalitet të plotë bashkë me motrën. Ishim në teh të briskut. Unë veproja në qytet dhe përcillja ilegalët duke dhënë informacion të rëndësisë së veçantë për ushtrinë. Se di se si kam shpëtuar.

 Unë kam kënduar në Marec në zonën e Llapit, kur vriteshin shokët. Kam kënduar këngë epike, patriotike  “Thërret Prizreni mori Shkodër” për të ngritur moralin e shokëve. Kam kënduar këngën  e Fatime Sokolit për Kosovën, pra këngë që akne të bëjnë vetëm me atdhedashurinë.

Sa këngë patriotike ke në repertorin tënd?

Kam rreth 150 këngë. Të gjitha të kësaj natyre. Tani jam në përgatitjen e albumit të parë. Unë zakonisht këndoj vetëm në Festivale.

Këngëtaret e preferuara?

Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Fatime Sokli mbeten perla të muzikës shqiptare, por edhe dava Gjergjin.

Kur ke ardhur për herë të parë në Tiranë?

Për herë të parë kam ardhur në vitin 2004. Kështu përmbusha ëndrrën më të bukur të jetës sime. Unë jam dhe krijuese dhe poete dhe shpirti krijues e përjeton pak më ndryshe vizitën në qytetin më të dashur. Unë ën Tiranë kam mbërritur në orën 5 e gjysmë të 14 dhjetorit  2004. Sa zbrita në Tiranë u drejtova në sheshin Skënderbe. Aty  kam qarë me zë përpara përmendores së Skënderbeut. Ishte pikërisht dita kur ka rënë Cunami. Dielli sapo kishte lindur. Tirana dukej madhështore. Babai im vdiq me ëndrrën për ta parë Tiranën, por nuk e pa kurrë. Unë me vete kisha dhe mallin e tij. Kur unë po qaja më afrohen dy policë dhe më thonë zonjë ke nevojë për gjë?

 Si t’u duk Tirana?

Tirana më është dukur shumë më e bukur se sa e kisha menduar. Një perlë e vërtetë një qytet europian.

 Albert Z. ZHOLI