Rudina Magjistari: Nuk i trembem moshës dhe ëndrrat i bëj realitet

1049

Flet ylli i ekranit, Prezantuesja e “Pasdite në TV Klan”, Rudina Magjistari: Ende nuk kam në plan Martesë!

Në një intervistë ndryshe, Prezantuesja e mirënjohur e programit “Pasdite në TV Klan”, rrëfen jetën e saj jashtë ekranit, dashurinë e madhe për botën e televizionit, lidhjen dashurore me sportistin e njohur, si dhe sekretin që e bën kaq të dashur për publikun shqiptar… Gjithçka mbi jetën aktuale të Moderatores Rudina Magjistari.

  -Natyra të ka falur forma perfekte, si kujdeseni për imazhin tënd dhe për të mbajtur trupin në formë?

Kujdesem shumë për veten, që nga dieta ime e përhershme, mosabuzimi kurrë me ushqimin apo pijet alkoolike, përditshmëria me palestrën dhe ecjen. Këto janë kryesoret për të pasur një fizik në formë.

 -Emri juaj Rudina, përfaqëson lëndinat e bukura të maleve, ato lulet e veçanta në këto lëndina, kush ka këmbëngulur për këtë emër?

Me ç’më kanë treguar, ka qenë kushërira ime 5-vjeçare, që në momentin kur unë kam lindur, ka këmbëngulur që unë të quhem Rudina. Ky emër i pëlqeu edhe prindërve të mi, sepse rudinat janë ato lëndinat e maleve të mbushura me lule të vogla shumëngjyrëshe. Ky emër më pëlqen shumë.

 –Tashmë jeni një personazh shumë i njohur televiziv dhe me shumë fansa në të gjitha hapësirat shqiptare, por nuk dimë për çfarë keni studiuar …

 Unë kam studiuar për Ekonomi në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

 -Çfarë kujton tani nga shkolla e mesme apo vitet studentore?

Thonë, që vitet e shkollës së mesme, janë vitet më të bukura, por gjeneratës sime i qëlloi që, në shkollë të mesme të ishim pikërisht në momentin e ndryshimit të sistemeve. Kjo na bëri, që në vend të shkonim nëpër party, apo të dilnim shëtitje, ose të paktën të kishim vajtur nëpër aksionet e bukura, të përshkruara nga klasat më lart se ne, na qëlloi të shkonim mitingjeve nga njëra fushë në tjetrën e nga njëri shesh në tjetrin. Megjithatë, ishte një eksperiencë shumë e veçantë, një eksperiencë që nuk përsëritet më në histori, ndaj them që kam jetuar një kohë të rrallë.

 -Kur shikon trupin tënd ndiheni e kënaqur, apo shikoni ndonjë pjesë të trupit tënd që kërkon ta rregullosh përmes një ndërhyrje estetike ?

Ndjehem “ok” me trupin tim, por nuk jam edhe kundra atyre që i bëjnë këto ndryshime , pasi mund të të ndihmojnë të ndjehesh mirë, të ndihmojnë të kalosh, ndoshta, komplekse të vogla apo të mëdha që mund të të kenë krijuar defekte të ndryshme fizike. Por, gjithmonë pa kaluar limitin e humbjes së identitetit tënd.

 -Prej kohësh ju shohim çdo ditë në ekran me “Takimin e Pasdites”. Sa e realizuar ndjeheni në këtë format televiziv?

 Prej 5 vitesh drejtoj “Pasditen…”, një format, i cili vërtet më pëlqen.

  -Çfarë të ka shtyrë në punën tuaj për të arritur këto që ke?

Për të gjitha ka një emërues të përbashkët, nëse bëjnë atë që duan. Pasioni dhe dashuria e pakushtëzuar për atë që bën. Sigurisht, ka pasur momente të errëta, plot ngarkesë emocionale negative. Por në fund të ditës, ndjen që energjia dhe pasioni nuk të shteron. Sepse mbi të gjitha është Pasioni i një profesioni, mendoj unë.

 -Të ka shkuar në mendje ndonjëherë t’i lësh të gjitha?

 Po përgjigjem shkurt: Kurrë! Përpos çdo sfide e vështirësie, kurrë!

 -Tani le të kalojmë pak tek jeta juaj private. Si po shkon ajo ?

Shkon shumë mirë. Jam e dashuruar dhe e lumtur në krah të partnerit tim Xhavitit.

 Fansat janë kurioz të dinë, a keni në plan Martesë? Mendon se do të shohim të veshur me të bardha së shpejti ?

Ende nuk kemi ndonjë plan për martesë. E rëndësishme është që ne jemi të dashuruar dhe këtë gjë nuk e fsheh në asnjë moment. Ndihemi shumë mirë dhe të tjerat le t’ia lemë kohës. Përveç ndonjë shërbimi fotografik nuk e besoj, sepse nuk është në planet e mia të afërta.

  -Çfarë të tërhoqi tek Xhaviti ?

Ai është nja mashkull shtatlartë, pra 197 cm, gjë që mua më pëlqen. Pastaj janë shumë cilësi që e bëjnë Xhavitin një mashkull të kompletuar.

 -Sa fëmijë dëshiron të kesh dhe çfarë profesioni do dëshiroje të kishin ?

Do dëshiroja të kisha dy fëmijë. Për të vajtur deri tek profesioni i fëmijëve është pak larg, por që gjithsesi do të doja ta vendosnin vetë.

 -Si ndihesh për moshën që kalon ?

Jashtëzakonisht shumë mirë. Nuk e kam pasur asnjëherë problem apo frikë kohën. Për sa kohë mbetemi të rinj në mendje, mosha kalendarike nuk do të mund të na ndikojë as në shpirt, e as në mënyrën e jetesës. Për këtë jam e bindur.

 -A ke një ëndërr të parealizuar deri tani?

Kam shumë, por për të qenë e sinqertë kam edhe ëndrra, të cilat i kam prekur tashmë, dhe nuk do rresht kurrë së ëndërruari, mjafton të punosh dhe ëndrrat arrihen, preken. Për mua ëndrrat bëhen realitet.