Rezarta Reçi: Ju tregoj arratinë e “Peshkut të Kuq” për 8 vite me artistët shqiptarë

624
Sigal

INTERVISTA/Flet për “Telegraf” gazetarja e emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq”, Rezarta Reçi

“Arratia e Peshkut të Kuq” është një emision mjaft i ndjekur i drejtuar me mjaft dashuri nga gazetarja e njohur e ekranit Rezarta Reçi. Ky emision ka qenë një “arratisje” për disa momente për shumë artistë të njohur të skenës shqiptare. Ata kanë ndarë me gazetaren e njohur mjaft të thëna e të pathëna për teleshikuesit e këtij emisioni mjaft të dashur. Por në ndryshim nga emisionet e saj këtë herë vjen në një “arratisje” për “Telegraf” vetë Rezarta Reçi për të ndarë me lexuesit tanë eksperiencën e saj me artistët, momentet e bukura dhe ato më pak të bukura gjatë 8 viteve të drejtimit të këtij emisioni.

 -Zonja Reçi si e keni ndjerë veten në 8 vitet e emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq”?

-Dje emisioni im “Arratia e Peshkut të Kuq” kishte ditëlindjen, janë mbushur plot tetë vjet që nga momenti i transmetimit të emisionit të parë në kanalin e dashur për të gjithë dhe për mua NEVvS 24.  I ideuar dhe skicuar si një projekt i thjeshtë, duke synuar që unë, së bashku me personazhet e ftuar të ndjeheshim komodë në “Arratisjet” e përbashkëta kryesisht përmes fjalës, imazhit, lëvizjes, për të zbuluar personalitete shumëplanëshe të atyre njerëzve që me jetën e aktivitetin e tyre kanë kontribuar në ndërtimin e një mozaiku dobiprurës për vendin, ku jetojmë.

 -Si i kujtoni sot pas tetë vjetësh fillimet e këtij emisioni, i cili gëzon një audiencë madhe?

-Gjithçka ka nisur shpengueshëm, thjeshtësisht e miqësisht, për të mos hequr dorë nga profesioni dhe profesionalizmi, për të mos tradhtuar fushën e artit dhe kulturës, me te cilën isha lidhur që në emisionet e para radiofonike … “ARRATI” përmes fjalës, përmes lëvizjes, përmes mendimit, përmes shpirtit, për t’i bërë personazhet e përzgjedhur të ndjehen të paqtë me veten, të sinqertë në rrëfimet e tyre, të guximshëm në pohimin e të vërtetave të forta, përballë vetvetes duke i besuar rrëfimit si para një pasqyre…

 -Çfarë kujtoni nga personazhet e përzgjedhura në fillimet e emisionit?

-Është e vërtetë se në fillim kam zgjedhur personazhe kurajozë, të lirë e të lirshëm që të më ndihmonin me mënyrën e rrëfimit për të realizuar atë çfarë unë kisha në mëndje. Kujtoj që “ARRATIA” e parë e transmetuar me 8 janar 2005 është realizuar  me poeten Mimoza Ahmetaj, e cila përveç shumë gjërave të bukura të ofruara, më ka realizuar në mes të parkut “Rinia” grimasa të hatashme veç për kamerën e “ARRATISË”.

 -Po ndër personazhet e tjera, cilat momente do të veçonit si më të veçantat dhe a ka pasur Rezi ndonjë personazh “të vështirë”?

-E më pas personazhet janë ndërruar javë pas jave duke pasuruar jo vetëm jetën time shpirtërore dhe intelektuale, por duke pasuruar edhe jetën e teleshikuesve të këtij emisioni. Kam dëgjuar rrëfime tepër të bukura, para dhe pas kamerave, kam parë lotin të zbresë faqeve,  kam udhëtuar në vise të panjohura dhe të këndshme, kam ndarë gëzime ditëlindjesh dhe hidhërime vdekjesh, kam kërcyer dhe kam shijuar gatimet e personazheve, kam pozuar për portrete apo foto, kam një album ku janë fiksuar pothuajse 400 personazhet e “ARRATISË”, jam e pasur me copëzat e ngjarjeve të jetëve njerëzore të personaliteteve në fusha të ndryshme të jetës.

 -A ka ende surpriza për të zbuluar në “Arratinë e Peshkut të Kuq”?

Vitet ikin pa u ndjerë, personazhet ia lënë vendin njëri-tjetrit, rrëfimet pasurohen, profesionet e personazheve ndryshojnë, vendxhirimet bëhen më të larmishme. Arratia rritet së bashku me mua profesionalisht. Do të doja të falënderoja publikisht të gjithë ata njerëz që u shndërruan në personazhe reale, interesante dhe pa komplekse në rrëfimet e tyre brilante në “ARRATI”, do të doja të kujtoja me nderim ata personazhe, të cilët nuk jetojnë më, por që unë, falë pjesëmarrjes së tyre në “ARRATI” i risjell në kujtesën publike për hir të emrit dhe kontributit të tyre, do të doja të falënderoja stafin tim të ngushtë, operatorin Armand Hallvaxhiu,  montazhierin Ervin Muratin dhe falënderimi total është për teleshikuesit e emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq” në NEVvS 24 që më bëjnë të ndjehem mirë dhe bukur! “ARRATIA” mbushi 8 vjet dhe unë thjeshtë i jam mirënjohëse asaj dhe njerëzve që kam takuar për shkak të saj, që më kanë bërë të pasurohem, kultivohen, të mendoj dhe të jetoj bukur!

 Disa nga urimet për “Arratinë e Peshkut të Kuq”

Prof. Dr. Anesti Kondilit

Mjeshtëria juaj në zgjedhjen e aspekteve të veçanta të të intervistuarve është shumë e spikatur, por mendoj se “ARRATIA” del aq mirë sepse mirësia që  rrezatoni ju gjatë intervistës bën që personazhet të jenë të çliruar, shumë konfidenciale dhe të aftë të paraqesin në mënyrë origjinale e pa ndrojtje botën e tyre të brendshme përfshire atë profesionale, familjare dhe shoqërore…

Ilir Kadia, gazetar

8 vjet paskan shkuar nga “Arratia…” e parë! Fluturon koha si shigjete, arratiset! Më kujtohen sikletet e Rezartës për të gjendur njerëz të spikatur të fushave të ndryshme të jetës! Nuk e kish kollaj! Ishte një gjë tjetër gjetja e Rezartës! Arratisur nga klishetë! Atëherë Rezi gati fuste miq për t’u mbushur mendjen “Peshqve” të mëdhenj…Mirëpo pas çdo të shtune ata shihnin se më parë askush nuk i kish zbuluar aq ëmbël të fshehtat e tyre, talentin e tyre, njerëzoren e tyre! Ndaj sot “Peshqit” e Rezartës janë dhe fusin mik që t’u zbulohen “arratitë!”Gëzuar Rezi tetëvjetorin! Ne jetën e një njeriu janë pak, por në jetën e një emisioni nga më të preferuarit e medias shqiptare nuk janë pak aspak!Edhe 100!

 Yllka Mujo,  aktore

Çdo njeri ëndërron të arratiset ndonjëherë, por Arratia me “Peshkun e Kuq” të Rezarta Reçit është gjithmonë një tundim i madh…

 Valdete Andoni gazetare, poete

Tetë vjet u zbulove  teleshikuesve  se përse nuk arratiset vërtetë “Peshku i Kuq”, gjithë sharm e fisnikëri na rrëfen folenë e shpirtit të falënderoj, Rezartë!

Gëzim Kame, regjisor

Është institucioni më i besueshëm nga kushdo tjetër, të cilit i rrëfehesh pastërtisht si një fëmijë i pafajshëm. Kjo falë konceptimit të programit si pjesë e një familjeje të përbashkët ku drejtuesja me elegancë, mirësi dhe thjeshtësi, të bën të dorëzohesh pa fshehur asgjë nga jeta jote. Prandaj dhe ndiqet me shumë kureshtje dhe interes.

 Demir Gjergji,  poet

Arratisjet janë ikje për t’u fshehur! “Arratisja e Peshkut të Kuq” është ardhje për t’u shfaqur! Prandaj e dimë 8 vjeçe dhe e duam edhe 180 vjeçe këtë “Arrati”! Përgëzime!