Paro Ziflaj: Tre këngët e mia, tre trëndafila për fansat

1271
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur Paro Ziflaj: Kënga popullore është vetë jeta ime

Vitin e kaluar ajo ka nxjerrë tre këngë të reja, sa zor se mund t’i nxjerr çdo këngëtar tjetër. Kjo falë dëshirës së saj për të qenë sa më afër publikut, sa më afër fansave të saj, që nuk e kanë lënë kurrë në baltë. Kënga “Nuse moj tu bëftë nëna”, “Labëri, Toskëri”, dhe “Amanet bijë”, janë trioja e famshme e vitit 2013 që e bënë Paro ndër këngëtaret më rezultateve të atij viti. Por ajo e ka mendjen, gjithmonë dhe tek i biri në Holandë, vajza e të cilit tashmë do të hyjë në shkollë dhe Paro do që ajo të mësojë gjuhën shqipe. Sipas Paros tre këngët e fundit janë, “tre trëndafila” për fansat.

 Gjithmonë e angazhuar, gjithmonë me këngë të reja dhe me ide të reja. Cilat janë këngët e fundit të Paros?

 Vetëm vitin e kaluar unë kam bërë tre këngë të reja. Janë tre këngë që janë mirëpritur nga fansat e mi, por janë vlerësuar dhe shumë nga kritika. Këto këngë janë: “Nuse moj tu bëftë nëna”, tekstin e së cilës e kam bërë vetë dhe orkestrimi është realizuar nga Alban Hoxha. Kjo këngë ka të bëjë me marrëdhëniet nuse vjehrrë. Mendoj se është një problem i madh sot me këto raporte. Ka shumë diskutime, ka shumë, hipoteza, por në fund të fundit problemet ekzistojnë. Kënga e dytë titullohet “Labëri, toskëri”. Është një duet me këngëtarin e mirënjohur Dule malinji ndërsa tekstin e ka bërë Arben Duka. Muzika Sokol Marsi. Dhe kënga e tretë është “Amanet bijë”. Është një këngë thirrje për të njohur gjuhën shqipe. Sot shqiptarët janë shpërndarë kudo në botë dhe ata duhet kudo ku janë të mos e humbin gjuhën e nënës, të mos e lënë atë të shuhet. Këtë thirrje unë në radhë të parë ja kam drejtuar djalit tim, që tashmë ka një vajzë të vogël që po mbush vitet e shkollës dhe unë dua që ajo të vij nga Holanda këtu, që të mësojë shqip. Ju tashmë e dini shumë mirë se sa fëmijë që i kanë prindërit në emigracion nuk dinë të flasin shqip. Ndaj dua që kjo këngë të jetë në qendër të vëmendjes. Mendoj se e kam arritur. Orkestrimi i kësaj kënge është bërë sërishmi nga Alban Hoxha. Janë disa bashkëpunime me këtë orkestrim kohët e fundit. Tre këngët e mia, “tre trëndafila për fansat”

 Kjo do të thotë që dhe në këto momente nuk e keni ndaluar krijimtarinë?

Jo, aspak. Jam duke punuar për një këngë të re, pro që nuk dua ta bëj publike pa e përfunduar. Dua të jetë sërishmi surprizë për fansat e mi dhe për të gjithë të pasionuarit e këngës popullore. Në muzikë duhet punë, punë, punë. Pa punë zëri zbehet, por dhe komunikimi me spektatorin humbet. Një këngëtar pa spektator s’mund të quhet kurrë këngëtar.

 Cili është mendimi juaj për këngën popullore?

Eh, ç’të të them unë për këngën popullore. Ajo është djepi, qumështi, era, ajri, ushqimi, drita ime. Pa të unë se mendoj dot veten. Unë këngëtare u bëra duke dëgjuar njerëzit e shtëpisë të këndonin kur punonin apo në dasma dhe fejesa. Ashtu u rrita ashtu vazhdoj të jem mes kësaj kënge magjiplotë. Kënga popullore është shpirti i popullit. Për mendimin tim dhe pse ka dhe gjini të tjera të këngës si ajo e muzikës së lehtë, muzikës operistike. Lirike, mbretëresha e këngës është ajo popullore. Gjithnjë sipas mendimit tim.

Përse ajo tashmë ka fituar terren ndaj këngëve të tjera?

Kënga popullore nuk ka fituar terren, pasi ajo e ka pasur atë qysh në lindjen e saj. Ajo s’do shumë instrumente, s’do shumë salltanete. Ajo ka ecur së bashku me jetën e popullit duke dhënë dhe duke marrë me njëri- tjetrin. Nuk ka familje shqiptare të mos ketë një CD apo një kasetë me këngë popullore. Ky është terreni që zotëron kjo këngë.

Si mund të luftohet deformimi i këngës popullore?

Rol kryesor për ruajtjen dhe kultivimin e këngës popullore luan vetë artisti, vetë këngëtari, ndërgjegjësimi i tij. Çdo këngëtar duhet ta dojë si veten këngën dhe të mos e çojë në rrugët e së panjohurës nga populli. E dimë që sot këngëtarët me këngë mbijetojnë, por duke pas parasysh se dhe vetë populli se pëlqen deformimin patjetër që këngëtari duhet ta respektojë këtë kërkesë popullore dhe jo të ketë primare vetëm anën materiale. Pastaj vijnë dhe kompozitorët dhe kritikët e mirëfilltë. Pra janë disa rrugë që mund të ruhet kënga popullore.

 Kush ka qenë kënga e parë në festivalet e Gjirokastrës?

Ishte një këngë e bukur. Një këngë që më veshi rrobat më të bukura të emocionit në skenë. Ndoshta se ishte e para herë që ngjitesha në skenën e madhe të Gjirokastrës, në atë skenë ku kanë dalë apo janë zbuluar këngëtarët më të mirë popullorë, apo këngëtarët më të shquar të polifonisë. Ishte një këngë për Mustafa Matohitin “Hero i Popullit”, i cili është nga fshati im, dhe kënga: “Doli Hëna rrëzë malit/ Hëno o Hënë e bukur o / O yll I këputur o”. Pra këto ishin dy këngët e para të mijat në skenën magjike të kalasë së Gjirokastrës. Kjo ishte një këngë lirike, e cila u pëlqye shumë. Këtu mori drejtim tjetër dhe jeta ime në lidhje me skenën. Këto këngë atëherë i këndova me shoqet e mia të fshatit. Unë isha marrësja.

Në sa festivale folklorike keni marrë pjesë?

Mbas atij viti kam marrë pjesë në të gjitha festivalet që zhvilloheshin. Skena e Gjirokastrës u bë për mua si shtëpi e dytë. S’e mendoja veten asnjëherë jashtë festivaleve të qytetit të gurtë.

Më vonë kaluat në grupin e Bënçës…!

Po është e vërtetë. Ai u bë grupi më i dashur me mua. Ne me atë grup gjetëm njëri -tjetrin. U lidhëm në mënyrë të pazgjidhshme pasi dhe zërat tanë filluan të kombinonin dhe e kuptonim njëri-tjetrin në mënyrën më të përsosur. Tek ky grup kam shpirtin tim dhe më duket si familja ime e madhe.

Pse u lidhët pikërisht me këtë grup?

Nuk e di ndoshta rastësisht, ndoshta se na thirri koha të gjenim njëri-tjetrin. Shumë gjëra vijnë vetiu dhe njeriu gjen njëri-tjetrin. Më vjen pas avazit ky grup, më mbushet veshi, më mbushet shpirti, më mbushet zemra. Ne si grup, jemi bërë si të lindur për njeri-tjetrin.