Nga ëndrra e Top Channeli-it, tek sfidat për mjeksinë

810
Sigal

INTERVISTA/ Flet mjekja dermatologe “Doktoresha e ekranit”  Erjona Shehu: Shoqëria shqiptare është e dhunshme ndaj gjinisë femërore 

Një femër e kompletuar, e guximshme, plot talent. Ajo jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe në atë të spikeres ka lënë gjurmë të pashlyeshme, për korrektesën, profesionalizmin, thjeshtësinë, ku me të drejtë mund të quhet “Doktoresha e ekranit”.

 -Cilat janë problemet e dermatologjisë shqiptare sot?

Sot dermatologjia shqiptare gjendet në një situatë, ku si në çdo fushë tjetër është përballë sfidës që ka çdo fushë tjetër në Shqipëri, të jetë në një nivel me dermatologjinë bashkëkohore europiane. N.q.s do flisnim përtej kësaj atëherë duhet thënë që është për të ardhur keq që në shumë raste problemet dermatologjike nuk ndiqen nga mjekë të specializuar në këtë fushë, madje në rastin më të keq, por që ndodh edhe më shpesh shumë njerëz lënë një organ shumë delikat si lëkura në duar të njerëzve që nuk janë as mjekë. Nga ana tjetër prej mjekëve dermatologë po bëhet punë përditë e më sensibilizuese me qëllim që njerëzit të njohin dhe të kuptojnë problemet e tyre, t’i njohin e trajtojnë në kohë ato dhe të kujdesen që situata të caktuara të mos dalin nga kontrolli.

 -Problemet dhe shqetësimet dermatologjike a janë më problematike se vendet e tjera të Ballkanit dhe pse?

Përgjithësisht është e njëjta situatë. Nga praktika ime e përditshme do të thosha që ka shumë raste me dermatite atopike, me akne apo puçrrat e moshës, dermatite alergjike, por edhe shumë easte me scabies apo me sëmundje të tjera infeksioze. Këtu do të thosha që jemi përpara vendeve të tjera të rajonit edhe pse ky më duhet të saktësoj është një përfundim i arritur nga përvoja ime dhe jo i bazuar në një studim të mirëfilltë statistikor.

 -Shkolla shqiptare e dermatologjisë a është e niveleve europiane?

Ende jo, sidomos po të konsiderohet aspekti logjistik. N.q.s literatura tashmë falë gjuhëve të huaja, hapjes së kontakteve me perëndimin dhe kohës së internetit është e arritshme edhe pse me kosto financiare që bie në kurriz të vetë mjekut, logjistikisht dermatologjia ka nevojë për më shumë, për të shkuar atje ku synojmë të gjithë. Kam pasur fatin të shkoj në shumë spitale dhe klinika dermatologjike evropiane, të cilat janë për t’u admiruar për mënyrën se si janë pajisur: që nga sallat e mikrokirurgjisë e deri tek aparaturat lazer për trajtime edhe estetike. Besoj se dhe ne do të shkojmë në atë rrugë me kohën. Ndërsa në aspektin privat shumë dermatologë kanë nisur të ngrenë klinikat e tyre. Kjo është shumë pozitive pasi do krijojë edukatën e ndjekjes dhe trajtimit të lëkurës tek dermatologu duke shmangur abuzimet e pafundme që bëhen në emër dhe në shpinë të dermatologjisë me kosto shpesh herë të pakthyeshme mbi lëkurën e pacientëve.

  -Mjeket femra të dermatologjisë a konkurrojnë në profesion me meshkujt?

Unë nuk e shoh gjininë si kriter konkurrence. në konkurrencë janë në lojë të tjerë faktorë: pasioni për specialitetin, vullneti, studimi, dëshira për tu kualifikuar, raporti me pacientët etj. përdorimi i gjinisë si kriter kualifikues në aftësitë profesionale për mua është shumë anakronik.

 -Cili është raporti i femrave dermatologe me ato të meshkujve?

Predominojnë femrat, ndoshta edhe për shkak të karakterit estetik të këtij specialiteti.

 -Në këtë profesion hytë me dëshirë apo ka qenë një dëshirë e prindërve?

Mjekësia ka qenë dëshira e prindërve të mi. Më nxitën aq shumë sa nisa ta besoja edhe vetë që e doja shumë. Nuk mund ta them ku mbaronte nxitja e tyre për të e ku niste dëshira ime. Të bësh zgjedhje të tillë madhore në një moshë aq të vogël kur nuk e njeh jetën fare dhe nuk di pothuajse asgjë për të është shumë absurde, gjithsesi kështu funksiononte atëherë.

 -Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Ndodh edhe që të pendohem. Për shumë gjëra kërkohen standarde europiane, por kërkesa për këto standarde nuk duhet të jetë selektive, standardet duhen plotësuar njëlloj, në të gjitha drejtimet, vetëm atëherë do justifikohen shumë nga kërkesat e njëanshme që bëhen në drejtim të personelit mjekësor dhe do na bëjnë edhe neve të mos ndjehemi të palumtur në zgjedhjen tonë profesionale.

  -Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Ka ndryshuar…kur isha adoleshente ishte të isha njeri i famshëm, kur isha studente të bëhesha e pasur dhe e famshme, tani është të jem e lumtur me familjen time. Vetëm kaq, nuk dua asgjë më shumë!

 -Një ditë pune e zakonshme?

E gjatë, shumë e gjatë. Nis në orën 8:00 dhe përfundon diku rreth orës 21:00. Ka lodhje, angazhim, shumë kontakte me njerëzit, me kolegët, shumë punë, impenjim. Nga ana tjetër edhe shumë sakrifica e stres.

 -Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Një njeri është produkt i shumë rrethanave. Që të flasësh për një njeri nuk është e lehtë, pasi duhet parë me gjithë atë që e ka formuar gjatë jetës.  Unë personalisht vlerësoj njerëzit e drejtë dhe përbuz ata që nxisin konflikte, nga më banalet e deri tek luftërat që janë e keqja më e madhe që mund t’i bëjë njerëzimi vetes.

 -Keni ndonjë peng në jetë?

Pengjet besoj do t’i them kur të jem në fund të jetës. Unë jetoj, jam rritur nga dy prindër të mrekullueshëm, kam një motër që është e shtrenjtë për mua, kam një profesion, punoj, kam familjen më të mrekullueshme në botë. Do tregohesha makute po të kërkoja më shumë se kaq. Fatmirësisht në jetë nuk kam dashur kurrë të krahasohem me të tjerët për të vendosur standardet e mia. Kam jashtëzakonisht shumë, ndjehem njeriu më me fat në botë, mund të kisha shumë më tepër, por edhe mund të mos kisha asgjë nga këto!

 -Ç’është familja për ju?

Është arsyeja pse ndjehem unike dhe më e lumtura e globit.

 -A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Unë nuk e di si ndjehen femrat shqiptare, them që nuk janë të vlerësuara. Shoqëria shqiptare është maskiliste, por me rezulton të jetë edhe e dhunshme ndaj gjinisë femërore. Vrasje, dhunime, fizike e verbale, mungesë kolektive emancipimi. Ndoshta e mendoj ekstremisht ashpër situatën, por gjykoj që është shumë e rëndë dhe do vazhdojë të jetë e tillë me këto modele të tmerrshme që u ofrohen brezave të rinj: meshkuj që ushtrojnë dhunë dhe femra që e pranojnë kokulur si destinin e tyre të merituar dhunën!

 -Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

Kam shumë miq në radhët e politikës ndaj më duhet të kërkoj sërish ndjesë për frazën që do përdor: Cila klasë politike shqiptare?!

 Një kohë të gjatë spikere  në televizionin më prestigjioz “Top Channel”. Si e kujtoni punën në këtë media vizive?

 “Top Channel” mund të them që ka qenë një ëndërr që e jetova bashkë me miqtë e mi të TCH, një ëndërr që na e dhuroi një njeri i jashtëzakonshëm, dhe që së bashku me ‘të, ua dhuruam gjithë shqiptarëve. Ndonjëherë ëndrrat janë të bukura thjesht sepse mbeten të tilla!