Nevila Xhindi: Arma më e fortë e femrës në jetë është integriteti social dhe profesional

590
Sigal

PERSONAZH/ Flet nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi

Dikur pedagoge tashmë Nënkryetare Bashkie. Për të të dy këto profesione kanë të përbashkëta, por më shumë kanë veçanti, që dallohen nga mjediset specifike akademike. Propozimin për nënkryetare Bashkie ja bëri vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Basha, propozim që në momentin që e pranoi ju kthye në motivim për të punuar fort dhe për të përligjur besimin dhe vlerësimin jo vetëm të Tij dhe qytetarëve të Tiranës, por edhe të PD-së si forcë politike që drejton Bashkinë e Tiranës.

 -Nga pedagoge tashmë Nënkryetare e Bashkisë Tiranë, cilat janë të përbashkëtat dhe të veçantat?

Ka plot të përbashkëta: ide të reja, formësim politikash, denduria e problematikave dhe zgjidhja e problemeve, puna me njerëzit dhe korrektësia  ndaj tyre, përgjegjshmëria sociale,  përputhshmëria me ligjin etj..

Të veçanta sigurisht që ka, mjedisi akademik është i ndryshëm nga mjedisi i administratës publike, larmia e problemeve, kategoritë sociale të njerëzve, komunitetet të cilave u drejtohesh, përgjegjshmëria politike, performanca e grupimit politik që përfaqëson etj., etj..

– Kush jua propozoi këtë post dhe si e pritët?

Propozimin ma bëri vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Basha, propozim që në momentin që e pranova mu kthye në motivim për të punuar fort dhe për të përligjur besimin dhe vlerësimin jo vetëm të Tij dhe qytetarëve të Tiranës, por edhe të PD-së si forcë politike që drejton Bashkinë e Tiranës.

– A është e vështirë të punosh me  Lulzim Bashën dhe si është mënyra e tij e komunikimit?

Puna me Lulzim Bashën është shumë elitare, mendjehapur, bashkëpunimi dhe komunikimi janë shumëplanësh në planin politik për të përmbushur axhendën e politikave dhe projekteve publike të iniciuara prej tij ne Bashkinë e Tiranës, si  dhe ne aspektin teknik e profesional. Gjejmë përherë momente për të folur miqësisht për gjërat që na rrethojnë, pa petkun institucional.

– A jeni grindur me Bashën dhe kur je ndjerë me keq në marrëdhëniet me të? Cila është arma më e fortë e tij?

z. Basha nuk ta jep asnjëherë “kënaqësinë “ të grindesh me të, është politikan dhe diplomat i lindur. Zgjidhjet e problematikave të ndryshme  vijnë natyrshëm nga bashkëpunimi dhe komunikimi i hapur.

-Aktualisht ndihemi më mirë si nënkryetare apo dëshironit të ishit ende në mësimdhënie?

Në fakt pyetja është dyfishe, unë po e ndaj: Ndihem shumë mirë në Bashkinë e Tiranës, e rrethuar nga profesioniste, inovatorë dhe bashkëpunëtorë të mirë dhe me vepra drejt rezultateve. Ndihem po shumë mirë në mësimdhënie, të cilën nuk e kam lenë asnjëherë, përfshirë kolegët e mi profesorë, sigurisht me kohë shumë të kufizuar tashmë.

– Cilat janë problemet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës sot?

Bashkia e Tiranës është,  punon dhe mbështet qytetarët për një Tiranë moderne dhe europiane. Problematikat janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga bllokimi i buxhetit, i kredive për të pastrehët e deri tek realizimi i projekteve strategjike që kërkojnë edhe mbështetjen e qeverisë, siç është ai i tramit.

-Si po kryhet reforma në arsim nga qeveria Rama?

Kryhet reforma? Është ende një proces, mesa di unë drafti u konsultua në një raund të parë me universitetet, pati debat dhe sugjerime madje radikale dhe pritet reagimi dhe reflektimi në dokument nga komisioni i ngritur nga Kryeministri.

– Cila është puna e Bashkisë në drejtim të komunitetit të jetimëve, ka një strategji për këtë komunitet?

Faleminderit që më dhe mundësinë, ndaj do marr pak më shumë hapësirë këtu:

Pranë Bashkisë së Tiranës komuniteti i jetimeve trajtohet si kategori prioritare  duke përfituar si më poshtë:

• mundësinë e përfitimit të strehimit social, në bazë të legjislacionit për programet e strehimit, që i trajton ata si kategori prioritare, duke i avantazhuar përmes sistemit te pikëzimit, në programet si: Kredi e lehtësuar nga shteti, banesë sociale me qira dhe bonusi i qirasë. Përsa i përket programit te Banesave Sociale me Qira, Bashkia e Tiranës me VKB nr.6 date 30.04.2014, për këtë kategori ka parashikuar nivelin më të ulët të të ardhurave për të përfituar nga ky program për t’i krijuar mundësi  dhe mbështetje edhe jetimeve

•             Në bazë te ligjit ligjit nr. Nr.9062, datë 08.05.2003 “Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë”, neni 263 kapitulli Kujdestaria, për fëmijët jetim të cilët kanë mbetur pa kujdesin prindëror dhe do te vendosen në kujdestari të një të afërmi ose institucioni përkujdesje, Sektori i Shërbimit Social është pjesë e një procesi gjyqësor si pale e trete dhe jep mendimin e tij me anë të një raport vlerësimi i cili përmban ekzaminimin e personalitetit të fëmijës ne kontekstin familjar dhe përshtatshmërinë e tij me kujdestarin e ardhshëm.

•  Shërbime sociale multidisiplinare pranë Qendrave Sociale Multidisiplinare të Bashkisë Tiranë për komunitetin e jetimëve si pjesë e grupeve sociale të përjashtuara dhe të rrezikuara

Dhënien bursë të plotë e shteti për studentët e vitit të parë që ndjekin studimet e larta ne institucionet arsimore publike dhe janë të pajisur me Statusin e Jetimit

Bashkia është e gatshme dhe u përgjigjet nevojave të jetimëve edhe rast pas rasti, me punësim, me përfshirjen e fëmijëve në çerdhe apo kopshte. Sigurisht është në kontakt me palët e interesuara dhe shoqatat e Jetimëve për t’i përfshirë në diskutime për zgjidhje më strategjike dhe afatgjata .

– Thuhet se abuzohet me Shoqatat e Fëmijëve Jetim, a jeni në dijeni dhe çfarë masash janë marrë?

Thuhet?…hmm, unë nuk merrem me thashetheme as për qejf as për profesion. Kushdo që më ka referuar diçka, i kam drejtuar drejt organeve të drejtësisë. Janë ato që merren me hetime, me zbardhje të rastit dhe me vendim, te cilin duhet ta respektojmë të gjithë.

– Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

Integriteti social dhe profesional…duhet shumë mund për t’i krijuar, por edhe për t’i mbajtur, edhe ne rastin kur i ke të trashëguara nga familja apo rrethi social e profesional, të cilit i përket.

-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Femra shqiptare sot na vjen me një evoluim  jo vetëm në statusin social por edhe atë ekonomik. Janë të guximshme, të arsimuara mirë, janë sipërmarrëse, menaxhere, politikane, pjesë aktive dhe e qenësishme e administratës publike. Rreshtova vetëm të mirat, por pikërisht të gjitha këto kanë kaluar dhe ende kalojnë mes vështirësive, pengesave, mosbesimit dhe diskriminimit gjinor. Gjithsesi mendoj që gruaja në zonat rurale është ende larg atyre që sapo përmenda dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë.

-Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

Në të tërën e saj, pa ndarje jug-veri, fshat –qytet etj etj.. Dashuria dhe familja janë ende “pronë” e burrit në shoqërinë shqiptare. Maskilizmin tek ne e moleps varfëria, stresi, mungesa e vizionit, mundësitë e pakta për mirëqenie, ligji në letër, por që nuk zbatohet, por edhe vetdiskriminimi pozitiv I grave. Por besoj ndajmë të njëjtin mendim që maskilizmi është një fenomen jo vetëm Shqiptar, por shumë më shumë europian…dhe më tej. Kam qenë dhe jam skeptike me emancipimin në Shqipëri…

-Qeveria “Rama” a ka krijuar hapësirat e duhura për femrat?

Nuk besoj tek dhënia e hapësirave,  mos harroni përpjekjet dhe presionin për të ndërruar emrin e kandidates femër të radhës me një kandidat mashkull.  Me emra ministresh duket në rregull,  dhe për të fasada vlen!

-Çfarë duhet ndryshuar me ngut në arsimin shqiptar?

….Kjo është një intervistë e tërë, herën tjetër…