Mimoza Gjokutaj:“Magjia e fjalës së një didakti, di të gërshetojë vlerën e fjalës me punën”

1582
Sigal

INTERVISTA/  Flet Profesore Mimoza Gjokutaj: Mendimi didaktik i veprës së Shefik Osmanit

Sot pak flitet për mësuesit, pedagogët, apo për autorët e shumë librave të teksteve shkollore. Shumë prej tyre kanë pasuruar këto tekste duke na lënë një pasuri të pashembullt  të njerëzve studiues- mësues – profesor – didakt të rrallë për arsimin shqiptar. Një ndër ta, që ka falur dhe u ka lënë brezave mjaft botime ka qenë Prof. Shefik Osmani. Por ne, le te ngelemi në diskutimin  e kësaj problematike të arsimit shqip.

Si mund ta përkufizonit autoritetin e Prof. Shefik Osmanit?

Profesor Shefiku  është autoritet  absolut  në fushën  e arsimit shqiptar , i cili rreshtoi bukur si në vargje përmes një fjalori, të gjithë kuptimin e fjalës edukim dhe të gjitha paradigmat e artikulimit të këtyre termave në këndvështrimin më bashkëkohor të mundshëm. Në këndvështrimin didaktik të veprës dhe fjalës së Profesor Shefik Osmanit, janë bërë studime dhe vlerësime të vazhdueshme, të cilat kanë nxjerrë në pah kontributet e gjera dhe të thella të punës së tij në këtë fushë. Por ende  edhe  sot që jemi mbledhur për të thënë fjalë rreth veprës së tij, këto vlerësime vetëm pasurohen dhe nxjerrin në pah vlera të reja të pathëna më parë. Është vetë puna e profesorit, e cila e punuar ashtu si vetë ai dinte ta bënte, ka ruajtur  brenda vetes freski dhe koherencë të padiskutueshme dhe të nevojshme për çdo kohë. Sa herë të ndalemi në veprat e tij do të gjejmë diçka që na mungon dhe që mund të na shërbejë në punën tonë të përditshme. Është kjo magjia e fjalës së një didakti, i cili diti të gërshetojë vlerën e fjalës me veprën, punën dhe talentin, të cilat i ktheu në art në fushën e edukimit. Shpesh ju them studentëve se, didaktika është art dhe një fushë e artë  kërkimi dhe hulumtimi. Ka qenë kjo një thënie e Profesor Shefikut, i cili ma ka artikuluar në vitet e para të profesionit tim, atëherë kur unë në Institutin e Studimeve  Pedagogjike u  ula për të zëvendësuar postin e tij. Më është dukur vetja shumë e vogël  në ato ditë, kur para meje qëndronte një kolos i madh, i cili gjente përgjigje për çdo pyetje që lidhej me didaktikën dhe edukimin.  Ai ishte një kompjuter i rrallë i një biblioteke të madhe që fliste me zë e që mbante emrin didaktikë. Njohuritë dhe aftësitë e tij të shoqëruara ne analiza, gjykime dhe sinteza të spikatura, që shkonin drejt përgjithësimeve që krijonin modele didaktike, ishin rezultat i një vullneti të paepur të një shkencëtari në fushën e arsimit. Kujtesa e mahnitshme, rregulli, ruajtja, renditja, klasifikimi i arsenalit të pafund libror që zotëronte profesor Shefiku, ishin një shkollë e madhe për të gjithë ne, që bashkëpunonim me të. Nuk kishte nevojë t’ja vidhje fjalën, ai ta dhuronte atë me  idetë  dhe zgjidhjet për çdo problem.

Ku spikat vepra e tij në planin didaktik?

Në veprën e Profesor Shefikut, të vështruar në planin didaktik, spikat dukshëm kontributi i tij si didakt i arsimit fillor, njohës i mirë i traditës së shkollës shqipe, nisur që nga periudha e rilindjes, që në fillesat e saj me studimin e gjerë dhe shterues për abetaret e shqipe dhe më pas duke vijuar me programet dhe tekste shkollore të leximit dhe të shkencave. Nuk ka sesi të mos ndalesh në këto kontribute, të cilat kanë qenë tejet të dobishme për arsimin shqiptar për kohën kur janë shkruar dhe për t ë sotmen kur lexohen nga brezat. Me të drejtë në shtypin shqiptar për arsimin Profesor Shefiku është quajtur “Enciklopedi e gjallë”[1] në punën dhe veprën e tij gjen çfarë të mungon, gjen enciklopedinë, fjalorin, programet, tekstet, artikujt skenare, krijimtari letrare, manuale didaktikë, studime arsimore për sistemin, për strukturat për përmbajtjen etj.. Si intelektual që lëvizi në formimin e tij midis dy drejtimeve atë shkencor të mjekësisë dhe në fushën e arsimit Profesor Shefiku ka dalluar për këshillat dhe udhëzimet didaktike të dhëna me aq kompetencë edhe për lëndët që përfaqësojnë mësimet nga jeta në shkencat për natyrën dhe më gjerë.

Kush ishte veprimtaria e tij si mësues?

Siç dihet, mjeshtëria e mësuesisë e gjeti profesorin në Peshkopi, veprimtari, e cila i dha përkushtimin për ta pasuruar këtë profesion me shumë role mësues, drejtues, inspektor, punonjës shkencor etj., kontribute dhe role këto, të cilat u mëshiruan në profilin  e tij, duke gdhendur portretin e një didakti të apasionuar që e ushtroi në tërë jetën e tij me shumë dashuri dhe përkushtim. Përvoja didaktike e Profesor Shefikut dallon edhe për këmbënguljen e tij për të krijuar profilin  e shkollave pedagogjike, të cilat ishin ende të dobëta dhe që tek ato ai shikonte shëndoshjen e kombit, Nëse mësuesit do të ishin më të mirët intelektualë, edhe e ardhmja e kombit për të, do të ishte edhe më e bukur dhe e pasur. Për këtë qëllim ai u kujdes shumë që edhe aspekti praktik i këtyre shkollave të forcohej përmes praktikave pedagogjike,  të cilat duhet të udhëhiqeshin nga metodologjia dhe nga profesionistë dhe edukatorë të dalluar.  Në veprimtarinë shkencore- didaktike të Prof. Shefikut dallon edhe kontributi i tij në lidhje me forcimin e profesionit të mësuesit përmes të ashtuquajturave në atë kohë të “Komisioneve lëndore” apo “Bërthamave metodike “që në këndvështrimin e  tij ishin bazat e një zhvillimi të vazhdueshëm për profesionin e mësuesit. Lëvizjet e mëvonshme profesionale të Prof. Shefikut në shkolla të profilit pedagogjik të tilla si në Tiranë e Shkodër (Shejnaze Juka) bënë që të ngrihet modeli kombëtar i shkollave pedagogjike shumë të nevojshme për formimin e mësuesve të arsimit fillor. Në këto shkolla, duke u bashkuar edhe me edukatore të tjerë si: Llazar Mbreshanaku, Ismail Turdiu, Xhula Levani, Kleanthi Qendro Nos Josifi, Ali Demeti, Gani Daiu, Nuri Caushi etj., personalitete në fushën e  arsimit të cilët të studiuar jashtë vendit sollën dhe përshtatën sa mundën modelet perëndimore të arsimit në Shqipëri. Në bashkëpunim me njëri –tjetrin ata punuan për vete, por edhe për të tjerët për të përshtatur strategji dhe metoda të mësimdhënies bashkëkohore dhe tradicionale, duke iu dhënë atyre vlera përdorimi dhe arritjesh.

Çfarë të kuptojmë për misionin dhe synimin e bërthamave metodike?

 Për Profesor Shefikun, i cili pëlqente shumë punën në grup dhe bashkëpunimin, misioni dhe synimi i bërthamave metodike ishte shumë i vlefshëm. Për këtë qëllim ai punoi gjatë për strukturimin dhe ristrukturimin e këtyre bërthamave, si atëherë, kur ishte mësues edhe kur punoi në Ministrinë e Arsimit dhe  Shkencës apo në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Ai solli një fryme të re për punën e këtyre bërthamave, duke nxjerrë në pah rolin e metodistit,  puna e të cilëve më pas u instalua  pranë Shtëpive të Mësuesit , apo Kabineteve  Pedagogjike të ashtuquajtura në atë kohë  dhe për shumë kohë më pas, të cilat ishin institucione të vërteta konsulence për mësuesit me dhe pa përvojë. Në dobi të këtyre bërthamave profesori këshillonte dhe mundësonte hartimin e programeve dhe kalendarëve vjetore të zhvillimit profesional të mësuesve, përmes të cilave mësuesit informoheshin për problemet aktuale të arsimit dhe të detyrave të tyre të përditshme në lidhje me programet, tekstet, vlerësimin e nxënësve dhe për shumë probleme të tjera didaktike për të cilën ju duhet konsulenca e vazhdueshme.

Ç’do të kuptojmë me “faza e analizës së vazhdueshme”?

Ajo që ranë sy në këtë pjesë të veprës së Prof. Shefikut në lidhje me zhvillimin profesional të mësuesve ishte edhe faza e analizës së vazhdueshme që u bëhej këtyre bërthamave përmes raporteve vjetore dhe ndërtimit të perspektiva për të ardhmen e mësuesve. E në këtë plan, raporte të njëpasnjëshme të hartuara nga profesori kanë qenë ndihmesë e madhe për përmirësimin e kësaj veprimtarie për zhvillim profesional të vazhdueshëm të mësuesve. Në veprimtarinë e Prof. Shefikut dallon, puna dhe kontributi në ngritjen e kulturës së zhvillimit dhe të literaturës profesionale për mësuesit në fushën e pedagogjisë, didaktikës dhe psikologjisë në mjetet didaktike, të cilat ishin një fushë tjetër interesi dhe përfshinin lëndë të tilla si gjuha shqipe, fizika,biologjia etj.. Në kujtimet e nxënësve të tij “ai ishte mësuesi që të gjithë kohën lexonte, shkruante në dërrasë, mbante shënime  skeda nëpër duar përdorte mjete  dhe shumë veprime të tjera me anën e të cilave synonte dhe donte të bindej se nxënësit e tij e kishin kuptuar”.  “Nuk harronte asnjëherë të shkruante datën dhe temën në dërrasën e zezë,-kujton Njazi Kazazi në kujtimet e tij për profesorin, ai shkruan, -“Kujtesa vizuale ishte shumë e rëndësishme për të. Me anën e saj nxënësit do të kishin dije më të ngulitura dhe që do të mbaheshin mend për shumë gjatë”. Zakonin për përdorimin në çdo cep të dërrasës së zezë ai e kishte trashëguar nga një mësues i tij, Prekë Kaçinari, i cili ua kishte këshilluar dhe mësuar nxënësve këtë zakon, kështu ai po na i mësonte neve”.