Mimoza Elezi:“Dua të hap një shkollë shqipe në Turqi!”

2362
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktorja dhe moderatorja e emisioneve shqip në Turqi, Mimoza Elezi. Takova dhe luajta me ëndrrën, aktoren që ka lozur Shamikuqen

Është lindur në Fushë -Krujë më 8 qershor 1973.  Ka emigruar për në Turqi më 16 maj 1997.  Ishte koha, kur në Shqipëri gjendja ishte në kaos, fill, pas shembjes së firmave piramidale. Kur emigrova isha vetëm 23 vjeç, nënë me dy fëmijë, dy djem, njeri dy vjeç e gjysmë, tjetri 4 vjeç e gjysmë. Shkak për emigrim nuk u bë, as gjendja kaotike në Shqipëri, as gjendja e rëndë ekonomike, as dëshira për të parë botën, por dëshira apo uria për të rritur të denjë dhe me vizion për të ardhmen dy fëmijët e mi. Pra, fëmijët ishin arsyeja e largimit, zemra e një nëne që po shikonte se fëmijët e saj  po rriteshin nën presion psikologjik të përditshëm.

Kush ishte arsyeja e emigrimit?

Bashkëshorti im ishte një burrë alkoolist. Përpara alkoolit ai nuk vente asgjë.  As mendonte se kishte fëmijë dhe çdo natë vinte i dehur dhe kërkonte para. Çdo mëngjes duhet të shlyeja borxhet e tij nëpër lokale. Ai bënte 100 të zezat për një birrë. Një burrë dhe një baba që po e hidhte në disfatë familjen, por më shumë gruan e tij. Një natë më tha që n.q.s s’merr lekë tek yt atë, nesër do ta shes një fëmijë dhe nuk do ta shohësh më me sy. Shtanga! S’e mendoja se do arrinte deri këtu. U tmerrova dhe atë natë vendosa të largohesha nga Shqipëria, atdheu im i shtrenjtë. Doja të rrisja dy fëmijë të denjë për shoqërinë.

 

Kishe një ide se ku do të shkoje, një vend konkret? Apo më mirë përse zgjodhët Turqinë për të emigruar?

E para që unë zgjodha Turqinë për emigrim, ishte se aty nuk kisha as farë as fis. Nga ato që hoqa nga im shoq, nga ato gjëra aq të tmerrshme, doja të emigroja në një vend që nuk kishte shqiptarë, asnjë që më njihte, asnjë të afërm. Ana tjetër ishte se unë që e vogël kisha një dëshirë të madhe të bëhesha aktore. Këtë dëshirë ma ngjizi filmi turk “Shamikuqja”, personazhi më interesant i jetës time. Sa herë e shihja atë film ndihesha si në ëndërr. Fillova të besoj se kinematografia turke ishte ndër më të mirat.  Femrat si Shamikuqja, më dukeshin të ndershme, shtëpiake, punëtore, pra femra perfekte. Por më dukeshin dhe femra shumë të bukura. Por dhe muzika turke gjithmonë më dukej më ndryshe dhe ku gjeja rast nuk lija pa e dëgjuar. Qysh fëmijë mendoja si e si të mësoja turqishten të gjeja një rast fatlum për ta përvetësuar.

Pse ky admirim për këtë vend dhe për femrat turke?

Ah, pyetje me vend. Gjithë kjo dashuri për këtë vend, për filmat e tij, për muzikën kishte dhe një shkas tjetër. Disa komshinj të mi meshkuj dhe femra më thoshin me shaka, “gabele turke”, “ezmere e thartë”. Meshkujt më adhuronin dhe gjithmonë kështu më thonin, madje, disa herë më thonin dhe “Shamikuqe”. Sa gëzohesha. Kurrë se merrja për fyerje kur më thoshin “gabele turke”, pasi unë jam ezmere. Ezmere turke, jo e zezë. Qeshja me vete nga këto emërtime. Madje, gëzohesha dhe rritesha me mendimin se do të mësoja turqishten do bëhesha aktore si Shamikuqja. Të gjithë në qytet më adhuronin për këto sa më lart. Por fati im i zi ishte gjetiu. Por ja rasti erdhi. Duhej të ikja dhe pikërisht në Turqi, për ato që radhita më lart. Isha një nënë me dy fëmijë, një nënë pa të ardhura të duhura, e rritur në një familje mesatare me një disiplinë ushtarake. Por duhet të dini, emigrimi im në Turqi ishte shumë i vështirë. S’dija as gjuhë, as njihja njeri, as kisha ku të përplasja kokën, dija vetëm se duhej të ikja një orë e më parë. Turqia ishte shumë e dashur, por më shumë ishte shumë e panjohur për mua. Ishte një planet i ri, ku çdo gjë ishte mistike.

Ku shkove dhe çfarë ndjeve?

Në një qytezë JALLOVA. Shkova, ku munda. Dy muajt e parë ishin për mua ditët më të vështira të jetës. Shkova në një vend që të gjithë më shikonin si të dyshimtë. Shkova në një qytet, ku s’njihja asnjë dhe s’dija gjuhën. Çdo gjë e nisa me shtëpinë. Rregulloja çdo qoshe të shtëpisë. Pas dy muajsh e gjeta këtë shtëpi thuajse të braktisur njëkatëshe. Më vonë do kuptoja se ata njerëz të atij qyteti do më quanin “vajza e tyre e humbur”. Shtëpia që hyra ishte e pa lyer. Mbante erë myk. Duhej që brenda të vija dorë pasi fëmijët mund të sëmureshin. I mora leje pronarit dhe kundrejt detyrimeve i kërkova, çimento, rërë gëlqere dhe bojë. Ai mi solli i habitur. Të nesërmen ju futa punës, suvatova shtëpinë. Sa u tha suvaja fillova lyerjen. Të gjithë komshinjtë u habitën. Nuk e besonin. Ata flisnin njeri me tjetrin dhe në gjithë lagjen prej 300 banorësh u hap fjala se një grua bën punë burrash dhe më mirë se ata. Ky veprim i preku shumë turqit. Deri dje, siç më thoshin më vonë mendonin si një femër e përdalë.

Pse krijuan këtë mendim?

Pasi unë kisha qejf minifundet, ashtu si kisha qejf xhinset. Kjo veshje më paragjykoi. Por kur panë punën time menjëherë thanë se minifundi s’do të thotë gjë. Kjo vajzë me minifund është punëtore, e ndershme, kërkuese.

Po pse ndenje me minifund, kur dihej opinioni?

Por unë vesh çka më pëlqen. Doja t’u mbushja mendjen se minifundi nuk tregon asgjë, është shije. Atëherë më erdhën në shtëpi dhe më pyetën nga je? Shqiptare u thashë, apo arnaute siç i thoni ju. Atëherë u mblodh lagja dhe kërkuan për mua një banesë. Kërkesën e çuan deri në Ministri, pa diskutuar Bashkinë. Ishin 300 firma, banorë të lagjes në këtë kërkesë. Madje ata kërcënuan se n.q.s nuk do t’u plotësohej kërkesa ata do hiqnin nënshtetësinë e tyre. Atë kohë unë mora nga Shqipëria nënën dhe babanë. Por pas kësaj do ndodhte një tragjedi.

Çfarë tragjedie?

Sapo isha adoptuar me Turqinë dhe mësova të lexoj dhe të shkruaj, kur sapo kisha mbushur dy vjet në Turqi, më 17 gusht 1999 ndodhi “vdekja” dhe kthimi në jetë. Atë ditë ra tërmeti i fuqishëm në Turqi. Në këtë tërmet, unë, dy fëmijët, babai dhe nëna ngelëm nën rrënoja. Tërmeti ishte mbi 6 ballë të shkallës rihter. Atë kohë banonim në një pallat 7 -katësh. Mbetëm aty për disa orë, por zoti na shpëtoi. Dolëm të gjallë nga rrënojat. Kjo bëri që të largohemi nga ky qytet dhe të zhvendosesha në disa ishuj. Kjo tragjedi më lidhi me diçka tjetër.

Me se ju lidhi?

Me dëshirën për të mësuar dhe për t’u futur në trupat e shpëtimit në raste fatkeqësish në ishuj. Madje, bëra kërkesë që të krijoj një grup shpëtimi për mbrojtjen nga tërmeti, zjarret dhe nga përmbytjet. Pra të krijoja një grup të tillë. Prefekti i ishujve më përkrahu në këtë nismë. Për mëse 6 muaj mora mësime speciale dhe fitova diplomën si Komandante e Grupit të Shpëtimit. Diplomën e mora shkëlqyeshëm në prani të shumë autoriteteve vendore. Në këtë ditë për herë të parë më filmoi televizioni prestigjioz CNN. Gjithë shpenzimet na i hoqi shteti. Ndërkohë që merrja këto mësime më erdhi propozimi nga Prefektura për punë. Çudi! Puna ishte Drejtore e Muzeumeve të Prefekturës. Me këtë rast për disa ditë mu dha mundësia të punoj me ministrin  e Kulturës së Turqisë Istemiha Talay dhe çdo fundjavë shkonim në një mbledhje me aktorin më të madh të Turqisë Ediz Hun. Kjo punë më dha shumë hapësira, pasi menjëherë fillova disa kurse për kompjuter, dhe për aktrim. Preka në ëndërr… S’e besoja! Qaja nga gëzimi. Një jetë e re po lindte tek unë. Një jetë që ende më dukej ëndërr brenda ëndrrës. Fati, ishte me mua, ai po më buzëqeshte.

Kur ka qenë roli juaj i parë?

Ah, rastësia mbetet fati i botës. Në fillim ju pata thënë se, filmin Shamikuqja e kisha perëndi. Dhe ja roli im i parë në kinema ishte me aktorin e madh që luante Iljazin në këtë film, me Kadir Inanir. Xhiruam dy muaj, ku unë luaja rolin e një vajze muzikante, që këndoja për të jetuar. Unë në këtë film kisha rolin kryesor. Ndoshta s’mund ta besoni. Filmi bëhej nën regjinë e të famshmit Memuh Un.

Po më tej?

Pas këtij suksesi kërkesat ishin të shumta. Fill pas këtij filmi më thirrën për xhirime në telenovelën  “Tatlli Hayat”, që u kthye në një shou me 6 seri. Në këtë telenovelë ndër më të ndjekurat e asaj kohe kam luajtur me Mbretëreshën e kinemasë turke, me vetë atë që ka luajtur Shamikuqen, me aktoren Turken Shoraj. Ëndrra ime u realizua.

Si u ndjeve kur do luaje një rol me atë aktore që e kishe idhull që në fëmijëri, me Shamikuqen?

Atë natë, para se ta takoja s’më zinte gjumi. Mezi prisja të zbardhte dhe të shkoja ta takoja. Erdhi ora. U afrova aty ku ajo rrinte tërë emocion. Pasi i prezantohem i hidhem në qafë. Ajo u befasua. Unë mes lotësh i thashë gjithë ëndrrën e jetës sime. Ajo lëshoi lot nga sytë. Ju duk e pabesueshme. Ja si sillet jeta. Sillet mes historive të çuditshme. Ky film u dha për herë të parë në kanalin 7.

Sa role keni realizuar në kinematografinë turke?

Kam marrë pjesë në 12 filma, pra në 12 role, me filma 90 minutësh, ku në pesë filma kam qenë në kryerole dhe në të tjerat në role të rëndësishme.

Kush ishte arritja tjetër më e madhe?

Pjesëmarrja ime në shoun e televizionit “STAR TV”, ku isha përkrah të madhit Sadedin Teksoj. Pas kësaj kam marrë pjesë në telenovelën e TRT  e Dede Korkut  Hikajelri, ku unë kisha rolin e një mësueseje të rreptë që mësonte përdorimin e shpatës. Pas kësaj mendova se duhej të mësoja më shumë në aktrim dhe për këtë arsye bëja kurse të ndryshme në shkollat më të mira private për përdorim shpate TAEKËANDO dhe për kalorësi, hipje dhe ngasje kuajsh, ku në diplomën që mora zura vendin e parë. Pas kësaj vazhdova xhirimet në TGRT dhe së fundi në shou televiziv serial KSIK ETEK, ku kisha një ndër katër rolet kryesore, që pasoi me FOXNE CANAN, jo në rol kryesor.

Kur u zhvendosët në Stamboll?

Pas vitit 2009, pasi dy vjet u shkëputa nga kinemaja për arsye familjare dhe shkova në Greqi. Pasi u ktheva nga Greqia, shkova në Stamboll. Është shumë e vështirë të pish ujë diku tjetër n.q.s ke pirë, apo pi ujë në Stamboll. Stambolli është diçka magjike që të fut në misteret e tij.

Si je ndjerë në tërësi në Turqi kur ke përmendur origjinën shqiptare?

Kam ndjerë një miqësi të madhe, një dashuri të madhe, një mikpritje të madhe, kudo që kanë dëgjuar se jam shqiptare. Por më mungonte në ambiente flamuri kuq e zi, njerëzit që jam rritur. Por jam ndjerë keq kur shikoja se shumë emigrantë në Turqi s’u kishin mësuar fëmijëve gjuhën shqipe. Aq më tepër kur s’dinë këngët tona, historinë tonë. Ndaj para një viti e gjysmë m’u shkrep në kokë të bëj një emision, program me këngë shqiptare. Pra të bëja një emision, ku të flisja shqip që të ndizja sadopak mallin e gjuhës, kulturës, të gjithë emigrantëve shqiptarë aty. Trokita në RUMELI TV. Ky televizion kryesisht merret me studimin dhe ballafaqimin e kulturave Ballkanike. Por në gjuhën turke. I propozova pronarit çfarë kërkoja. Si fillim nuk pranoi se i dukej i rrezikshëm, por unë këmbëngula. Së fundi arrita të bëj një marrëveshje me të. Midis të tjerave në kontratë theksohej se, “unë Mimoza Elezi marr përsipër të gjitha pasojat që mund të ndodhin gjatë dhe pas emisionit, si nga shteti turk edhe nga ai shqiptar dhe kosovar”.  Madje nuk kërkova as pagesë dhe përgjegjësitë i mora vetë.

Ku ishte ndryshimi nga emisionet e tjerë me kulturë ballkanike?

Kryesorja ishte që emisionin do ta zhvilloja në gjuhën shqipe dhe në emision do të valëvitej flamuri ynë kombëtar.  Emisionin e ideova vetë dhe e fillova me shumë dashuri. Të gjithë emigrantët shqiptarë filluan ta ndjekin me dëshirë, madje filluan të mësojnë shumë fjalë që i kishin harruar. Emisioni shumë shpejt u bë popullor dhe telefonatat nga shqiptarët nuk kanë të sosur. Mjaft prej shqiptarëve qajnë kur marrin në telefon, pasi kanë mall për njerëzit për tokën. Por në emision flas edhe turqisht, edhe anglisht, madje edhe greqisht. Kjo e ka bërë dhe më të ndjekur.

Sot Turqia po pushton Europën me telenovela, si do ta cilësonit filmografinë turke?

Turqia për mendimin tim, sot për sot ka kinematografinë më të zhvilluar jo vetëm në Ballkan, por konkurron me filmografinë më të madhe europiane. Telenovelat janë me nivel të lartë artistik, madje shumë më lart se ato braziliane, argjentinase, apo latino-amerikane në përgjithësi.

Sa shqiptarë ka sot në Turqi?

Kur fillova të drejtoj emisionin, duke parë interesimin e madh pyeta për këtë çështje dhe më thanë se në Turqi ka rreth 6 milionë shqiptarë. Pra flas me origjinë se dikush mund të ketë babanë dikush nënën shqiptare.

Mendon të kthehesh në Shqipëri?

Jo. Sot e ndjej se shqiptarët, por edhe emigrantët tanë në Turqi kanë nevojë, për një emision në shqip, kanë nevojë për historinë e tyre, për doket, zakonet dhe unë këtu mund t’u shërbej shumë shqiptarëve dhe emigrantëve.

Cilat janë projektet në të ardhmen?

Dua të hap një shkollë shqipe. Një shkollë pasi është shumë e domosdoshme. E ndjej si detyrë ndaj atdheut tim.

Aktualisht përveç emisionit çfarë drejtoni?

Po punoj si regjisore, ku drejtoj çdo ditë katër programe live. Nuk është se kam studiuar për regji, por puna, filmat, telenovelat, emisionet më kanë mësuar shumë nga ky profesion. Ka shumë gjëra të bukura për të bërë për Shqipërinë. Pra ky është zanat i vjedhur.

Po djemtë e tu ku po studiojnë?

Siç e kemi thënë në fillim unë kam dy djem, Djali i madh është 21 vjeç dhe vazhdon shkollën e lartë për inxhinier kompjuterësh, ndërsa djali i vogël 19 vjeç vazhdon studimet për regjisurë, pra në profesionin tim.

 Keni blerë shtëpi?

Ah. Jo. S’jam e dhënë pas pasurisë. Jam në një shtëpi me qira dhe tërë çfarë fitoj i investoj për djemtë. Në shtëpi kam dhe mamin dhe një mace, Por çdo ditë shtëpinë time nga mëngjesi në darkë e sheh të mbushur me miq.