Mimoza Agalliu: Mitmarrjen e klasifikoj si krim të rrezikshëm

583
Sigal

INTERVISTA/ Flet Mimoza Agalliu pedagoge, poete, prozatore: Meshkujt dhe femrat janë të barabartë në profesion

Ajo është publiciste, poete, por mbi të gjitha një aktiviste në ndihmë të shtresave në nevojë. Shkrimet e saj në “Telegraf”, të karakterit social dhe profesional kanë sjellë shumë reagime. Mimoza është trajnuar për probleme të mprehta të shoqërisë. Ajo punon, studion, vepron në emër të të qenit intelektuale, duke u kujdesur gjithmonë për nivelin arsimor… Një grua e thjeshtë që rrezaton mirësi. E qeshur, fjalëpakë. Një pedagoge që rri në heshtje. Autore e  disa vëllimeve poetike, një intelektuale vizionare që me shkrimet e veta ka ngjallur interes tek lexuesit dhe kritika.

Flitet shumë për mësimdhënien.  Thuhet ka probleme, niveli i ulët i mësimdhënies, kualifikimi, notat e padrejta, janë disa nga problematikat e arsimit sot…?

 Janë një mori problemesh në përditshmërinë e saj që duan shumë kohë për përgjigje. Mendoj se, jo vetëm sot, por gjithnjë edhe në të ardhmen problematikat e mësimdhënies  janë e do të jenë prezente, të shumta e të gjithanshme, për shkak të evolucionit  që pëson vetë sistemi arsimor në tërësinë e tij në etapa të ndryshme të zhvillimit shoqëror. Ato kanë të bëjnë me:

Programet, tekstet shkollore, leksionet, metodat, përvojën pedagogjike e shkencore të pedagogut, të rejat më të fundit  shkencore  etj..

 Sistemi funksionon në mënyrë të atillë që e reja përhapet menjëherë, në çdo pikë të planetit. Kjo e bën arsimin të ecë në një hap me shoqërinë në aspektin e informimit… Pedagogu ka detyrë kryesore metodikën që gjërat e vështira t’i bëjë të thjeshta. E gjithë metodologjia e mësimdhënies është në funksion të strategjisë kombëtare. Që të realizohet kjo strategji, metodat ndryshojnë vazhdimisht. Ndryshimet bëhen në çdo kohë e në çdo sistem. Sot mësimdhënia duhet të jetë në koherencë me zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë.  Një shoqëri quhet e emancipuar, kur  zgjidh problemet e arsimit, ose ka vënë në rrugën e zgjidhjes të gjitha problemet që shqetësojnë atë shoqëri”…  Problemet, që dalin duhen evidentuar për t’i shtruar për zgjidhje, duke përcaktuar rrugët dhe strategjitë.

Mësimdhënia  në vetvete është art. Mund të ndodhë që këtë art të mos e zotërojnë të gjithë dhe këtu duhet të fillojë faza e seleksionimit midis pedagogëve.

 Bazë në arsim  mbetet Kodi i Etikës dhe cilësia e mësimdhënies, infrastruktura në arsim, mbingarkesa nëpër auditorë, përsosja e mëtejshme e metodave të mësimdhënies etj.. Akoma, më shumë se kurrë, në ditët e sotme, vihet re një masivizim në arsimin e lartë. Ky masivizim total, ka sjellë edhe një indiferentizëm sa i  takon  përgatitjes  individuale  të studentëve për të qenë konkurrues  në tregun e punës. Komunikimi i ndërsjellë  pedagog- student dhe krijimi i një mjedisi në harmoni midis tyre është i një rëndësie të veçantë, gërshetuar  me lidhjen e teorisë me praktikën do të bëjë që studentët të jenë gjithnjë e më tepër pranë punës së nesërmes. Mungesa e teksteve shkencore  kushtëzon përgatitjen serioze të leksioneve në nivel  e parametra shkencorë në një mënyrë të qartë e sa me më pak ujëra të tepërta, duke i dhënë mundësinë studentit të përvetësojë në maksimum programin  në një diskutim e bashkëbisedim të pandarë student – pedagog, edhe në vartësi të kapaciteteve asimiluese  të grupit apo individit. Metodat e mësimdhënies duhet të jenë sa më shkencore, por  të thjeshtëzuara në raport me kapacitetet arsimuese të studentëve.

    Studenti duhet parë jo vetëm si objekt, por edhe si subjekt aktiv në mësimdhënie.

 Përveçse pedagoge, ju jeni poete, publiciste. Çfarë përbën në jetën tuaj krijimtaria artistike?

Aktualisht, zhvillimi i shoqërisë shqiptare, përmes etapave, fazave të vështira, ku ka kaluar, ka sjellë, rritjen, formimin e identitetit tim profesional në profesionin e pedagoges, si dhe një pjekuri në lëvrimin e poezisë dhe prozës! Profesioni im më ndihmon në zgjerimin e koncepteve për jetën, vizionin e të perceptuarit të problematikave, e cila shërben në precipitimin e situatave edhe kur ato janë të vështira. Duke kaluar në dy kohë, ose dy periudha, që sfidojnë njëra- tjetrën, natyrisht, periudha e dytë jeton një fazë pjekurie, me koncepte më të qarta, për jetën, me vizionare  dhe me objektiva, qëllime më specifike! Tashmë unë e di çfarë kërkoj nga vetja, duke u përpjekur në realizimin e tyre pa kthyer kokën pas.

     Pedagogjia, një profesion i vështirë.  A mund të ekzistojnë raporte pedagoge femër apo mashkull?

        Ka shumë diskutime për këtë përkufizim. Mendimet janë të ndryshme. Për mendimin tim personal nuk do të thotë asgjë, veçse të barabartë.

    Të qënurit pedagog, pavarësisht gjinisë, në radhë të parë do të thotë profesionalizëm, përkushtim, ambicie, kërkesë llogarie ndaj vetes dhe të tjerëve. Do të thotë  të jesh dinjitoz, komunikues e të krijosh marrëdhënie, sa më të mira me studentët në shërbim të interesave reciproke.  Raportin me të tjerët, kushdo qofshin ata, e bën vetë individi. Në fund të fundit edhe raportet midis njerëzve janë e duhet të jenë njerëzore, humane e në harmoni me misionin për të cilin punojnë. Nëse në të kaluarën pedagogët femra shiheshin si “tabu”, unë mendoj se sot radhët e tyre janë shtuar shumë, ato janë integruar bindshëm në procesin e mësimdhënies e pse jo ndoshta ato janë edhe më të preferuara se kolegët e tyre meshkuj për shkak të afrimitetit human që ato krijojnë me nxënësit.

 Poezia është e brishtë. Poezia të shket për një moment nga dora. Si mund ta përkufizoni poezinë tuaj, në raport me kohën?

 Secili poet, apo kritik ka mendimin, apo mënyrën e vet të të konceptuarit të poezisë. Poezia është shumëplanëshe. Poezia e Peizazhit shpirtëror është thellësia e mendimit tim, imagjinatës, ndjenjës, zemrës e shkrirë në peizazhin natyrore, të cilën unë e dashuroj, si frymëmarrjen time. Pra, unë së pari poezinë e jetoj pastaj e filozofoj në vargje.

   Poezia ime është: “Fjala, që  buron nga shpirti, pikturuar në natyrë për të nxjerrë një peizazh shpirtëror duke ndërthurur këto dy botë natyrore dhe shpirtërore!”

    Të vijmë tashmë në një moment tjetër delikat. Mitmarrja. Diskutohet çdo ditë. Si do ta cilësonit mitmarrjen në pedagogë të veçantë ?

 Ah, ndihem keq kur diskutoj diçka të tillë. Vetë koncepti i mitmarrjes do të thotë abuzim.  Personalisht mitmarrjen e klasifikoj si  krim të rrezikshëm me efekte të gjata vepruese e komprometuese  për shoqërinë. Sigurisht që, kjo është një dukuri tepër negative. që pati një “lulëzim” në vitet e shkuara, e cila e dëmtoi shumë rëndë arsimin por kompromentoi edhe shumë personalitete  të fushës së mësimdhënies, të cilët u përlyen apo individë të veçantë, në rolin e sekserit abuzuan në emër të tyre. Kjo nuk është shumë e vështirë të konstatohet, mjafton të shikosh ndryshimet në jetën e gjithsecilit brenda një kohe të shkurtër me makina, shtëpi apo vila, me pushime jashtë shtetit apo pasuri të shtuar jashtë mundësive reale që lejon paga e pedagogut . Të ushtrosh mitmarrjen do të thotë të shkelësh mbi karakterin tënd, të shesësh moralin dhe kulturën tënde, do të thotë të jesh një tjetër njeri përballë atyre që ju bën moral e leksion me orë të tëra. Ryshfeti është një plagë e shoqërisë shqiptare, një bashkёjetesё mes mentalitetit, formimit kulturor nga njёra anё dhe kushteve social –ekonomike nga ana tjetёr .

 Të shndërrohesh nga një investues dijesh për studentët në një shembull shitësi ambulant vlerësimi në vlerë material, do të thotë të shkelësh mbi veten dhe të tjerët.

Këtu ligji duhet të jetë i pamëshirshëm, sepse gjendja psiko- sociale e studentëve cenohet rëndë. Gjykoj, që duhen marrë masa efikase për ta izoluar këtë fenomen duke rritur pagat e pedagogëve,duke sensibilizuar studentët për të mos dhënë ryshfet, kontrolli i provimeve të bëhet nga pedagogë të tjerë  dhe jo thjesht të mbetet në nivel teorie ose keqpraktikimi etj..

   Mitmarrja është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht. Prandaj shteti, por edhe vetë studentët duhet të jenë të parët në denoncimin dhe dënimin e kësaj plage të egër që nuk i shërben askujt e në radhë të parë studentit.

     Mitmarrja është gënjeshtër, është vjedhje,  është mashtrim, është turp, është degjenerim moral për këdo që e ushtron.

    Bota e femrave shqiptare, cilat ka si probleme akute?

     Femra shqiptare, sot, ka shumë probleme ashtu si vet shoqëria në përgjithësi. Ka problem identitetin e vet,  të përfaqësimit të trajtimit si e barabartë në shoqëri, të mbrojtjes fizike e psikologjike, të pjesëmarrjes aktive në të gjithë jetën e vendit pa kushte specifike e denigruese. Gjithsesi, progres ka. Qeverisja e re është shembulli më i mirë i emancipimit shoqëror në evidentimin e vlerave më të mira të femrës shqiptare dhe aktivizimit  dinjitoz në të gjithë hierarkinë shtetërore, si një provë e qartë e një  qasje të re të këtij integrimi. Por megjithë këto arritje ka “rrjedhje”  të pjesëmarrjes së gruas në politikë