Mimoza Agalliu: Edi Rama po bën vlerësimin maksimal për aftësitë drejtuese të femrave

324

INTERVISTA/ Flet Mimoza Agalliu pedagoge, poete, prozatore

Një pedagoge që rri në heshtje. Autore e vëllimit poetik “Çelnajë” që ka ngjallur shumë interes tek lexuesit dhe kritika. Ka shumë vjet që merret aktivisht me krijimtari në gjininë e poezisë, po kështu edhe me shkrime të karakterit social dhe profesional si dhe është trajnuar për probleme te mprehta të shoqërisë. Jeta e saj është e mbushur plot ngjasi, evente dhe kulturim, duke u kujdesur gjithmonë për nivelin arsimor…Një veprimtari e gjerë, plot nerv, kërkim dhe lodhje.

 Si pedagoge, cilat janë problemet e mësimdhënies sot?

    Mendoj se jo vetëm sot, por gjithnjë edhe në të ardhmen problematikat e mësimdhënies  janë e do të jenë prezente, të shumta e të gjithanshme, për shkak të evolucionit  që  pëson vetë sistemi arsimor në tërësinë e tij  në etapa të ndryshme të zhvillimit shoqëror. Ato kanë të bëjnë me:

Programet, tekstet shkollore, leksionet, metodat, përvojën pedagogjike e shkencore të pedagogut, të rejat më të fundit  shkencore  etj..

 Sistemi funksionon në mënyrë të atillë që e reja përhapet menjëherë në çdo pikë të planetit. Kjo e bën arsimin të ecë në një hap me shoqërinë në aspektin e informimit… Pedagogu ka detyrë kryesore metodikën që gjërat e vështira t’i bëjë të thjeshta. E gjithë metodologjia e mësimdhënies është në funksion të strategjisë kombëtare. Që të realizohet kjo strategji, metodat ndryshojnë vazhdimisht. Ndryshime bëhen në çdo kohë e në çdo sistem. Sot mësimdhënia duhet të jetë në koherencë me zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë .  Një shoqëri quhet e emancipuar kur  zgjidh problemet e arsimit, ose ka vënë në rrugën e zgjidhjes të gjitha problemet që shqetësojnë atë shoqëri”… Problemet, që dalin duhen evidentuar për t’i shtruar për zgjidhje, duke përcaktuar rrugët dhe strategjitë

Mësimdhënia  në vetvete është art. Mund të ndodhë që këtë art të mos e zotërojnë të gjithë dhe këtu duhet të fillojë faza e seleksionimit midis pedagogeve.

 Bazë në arsim  mbetet Kodi i Etikës dhe cilësia e mësimdhënies, infrastruktura në arsim, mbingarkesa neper auditorë, përsosja e mëtejshme e metodave të mësimdhënies etj.. Studenti duhet parë jo vetëm si objekt, por edhe subjekt aktiv në mësimdhënie.

 Çfarë vini re në atë që rrjedh, pas ndryshimit të konceptit, dhe fushat, ku ju jeni protagoniste? E kemi fjalën për profesionin tuaj si pedagoge, por edhe për lëvizjet poetike, prozën, median e shkruar dhe atë vizive?

Zhvillimi i shoqërisë shqiptare, përmes etapave, fazave të vështira ku ka kaluar, ka sjellë, rritjen, formimin e identitetit tim profesional në profesionin e pedagoges, si dhe një pjekuri në lëvrimin e poezisë dhe prozës! Profesioni im më ndihmon  në zgjerimin e koncepteve për jetën, vizionin e të perceptuarit të problematikave e cila  shërben në precipitimin e situatave edhe kur ato janë të vështira. Duke kaluar në dy kohë, ose dy periudha, që sfidojnë njëra- tjetrën, natyrisht periudha e dytë jeton një fazë pjekurie, me koncepte më të qarta, për jetën, me vizionare, dhe me objektiva, qëllime më specifike! Tashmë unë e di çfarë kërkoj nga vetja, duke u përpjekur në realizimin e tyre pa kthyer kokën pas.

 Si mund ta përkufizoni poezinë tuaj: Poezi e peizazhit shpirtëror, apo lirikë e shpirtit tuaj, lirikë e vjelë nga protagonistë të tjerë dhe e mbrujtur në magjen e kreaturës suaj?

 Poezia e peizazhit shpirtëror është thellësia e mendimit tim, imagjinatës, ndjenjës, zemrës e shkrirë në peizazhin natyror, të cilën unë e dashuroj, si frymëmarrjen time. Pra, unë së pari poezinë e jetoj pastaj e filozofoj në vargje. Poezia ime është:- Fjala, që  buron nga shpirti, pikturuar në natyrë për të nxjerrë një peizazh shpirtëror duke ndërthurur këto dy botë natyrore dhe shpirtërore!

     Ç’do të thotë të jesh pedagoge femër në raport me një pedagog mashkull?

    Për mendimin tim personal nuk do të thotë asgjë, veçse të barabartë. Të qenurit pedagog, pavarësisht gjinisë, në radhë të parë do të thotë profesionalizëm, përkushtim, ambicie, kërkesë llogarie ndaj vetes dhe të tjerëve. Do të thotë  të jesh dinjitoz, komunikues e të krijosh marrëdhënie sa më të mira me studentët në shërbim të interesave reciproke.  Raportin me të tjerët, kushdo qofshin ata, e bën vetë individi . Në fund të fundit edhe raportet midis njerëzve janë e duhet të jenë njerëzore, humane  e në harmoni me misionin për të cilin punojnë. Nëse në të kaluarën pedagoget femra shiheshin si “tabu”, unë mendoj se sot radhët e tyre janë shtuar shumë, ato janë integruar bindshëm në procesin e mësimdhënies e pse jo ndoshta ato janë edhe më të preferuara se kolegët e tyre meshkuj për shkak të afrimitetit human që ato krijojnë me nxënësit.

       Si do ta cilësonit mitmarrjen në pedagog të veçantë?

 Vetë koncepti i mitmarrjes do të thotë abuzim.  Personalisht mitmarrjen e klasifikoj si  krim të rrezikshëm me efekte të gjata vepruese e komprometuese  për shoqërinë. Sigurisht që, kjo është një dukuri tepër negative, që pati një “lulëzim” në vitet e shkuara, e cila e dëmtoi shumë rëndë arsimin, por komprometoi edhe shumë personalitete  të fushës së mësimdhënies, të cilët u përlyen apo individë të veçantë, në rolin e sekserit abuzuan në emër të tyre. Kjo nuk është shumë e vështirë të konstatohet, mjafton të shikosh ndryshimet në jetën e gjithsecilit brenda një kohe të shkurtër me makina, shtëpi apo vila, me pushime jashtë shtetit apo pasuri të shtuar jashtë mundësive reale që lejon paga e pedagogut . Të ushtrosh mitmarrjen do të thotë të shkelësh mbi karakterin tënd, të shesësh moralin dhe kulturën tënde, do të thotë të jesh një tjetër njeri përballë atyre që ju bën moral e leksion me orë të tëra.

Ryshfeti është një plagë e shoqërisë shqiptare, një bashkёjetesё mes mentalitetit, formimit kulturor nga njëra anё dhe kushteve social –ekonomike nga ana tjetёr.

     Mitmarrja është gënjeshtër, është vjedhje,  është mashtrim, është turp, është degjenerim moral për këdo që e ushtron.

 4 . Cilat janë problemet e femrës sot ?

      Femra shqiptare  sot  ka shumë probleme   ashtu  si vet shoqëria në përgjithësi. Ka problem të identitetit të vet,  të përfaqësimit të trajtimit si e barabartë në shoqëri, të mbrojtjes fizike e psikologjike, të pjesëmarrjes aktive në të gjithë jetën e vendit pa kushte specifike e denigruese. Gjithsesi, progres ka. Qeverisja e re është shembulli më i mirë i emancipimit shoqëror  në evidentimin e vlerave më të mira të femrës shqiptare dhe  aktivizimit  dinjitoz në të gjithë hierarkinë shtetërore si  një provë e qartë e një  qasje të re të këtij integrimi.

 Shihet se Kryeministri  Rama po vendos në poste drejtuese shumë femra. Është vlerësim apo një show?

 Nuk gjykoj, se është show. Është një vlerësim që e merr kuptimin tek mentaliteti vizionar i Kryeministrit Rama. Shembujt gjenden edhe në praktikën e ndjekur gjatë funksionit të ushtruar prej tij si Kryebashkiak,  ku pjesa dërmuese në administratë ishin femra, madje dhe në ekipin drejtues të punës. Mendoj që, këto prurje përbëjnë një hap të sigurt drejt demokratizimit dhe progresit të Shqipërisë në BE, duke qenë një nga tetë objektivat e zhvillimit identifikuar si një prioritet kritik për zhvillimin global dhe kombëtar, pra; ‘objektivi mbi Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas’, përbën një nga tetë objektivat e zhvillimit dhe që është identifikuar si një prioritet kritik për zhvillimin global dhe kombëtar.

Por nuk mjafton kjo. Qeveria e re duhet  të kryejë rolin e avokatit në mbrojtje të të drejtave të gruas me një paketë ligjesh dhe rregullash bazë e cila i shërben emancipimit, ardhmërisë së shoqërisë shqiptare. Ka “rrjedhje”  të pjesëmarrjes së gruas, edhe në politikë, si rezultat i një zhgënjimi që pësojnë gratë për shkak të anashkalimit dhe të mos konsiderimit të tyre nga forcat politike në vendimmarrje dhe administratën publike.

    5 . Si këshilltare e zgjedhur, cili është roli juaj në ndihmë të komunitetit?

    Të përfaqësosh komunitetin tënd në Këshillin Bashkiak do të thotë njëherësh  të kesh privilegjin e përfaqësimit, por edhe përgjegjësinë e të shërbyerit ndaj tyre.

    Jo vetëm unë, por edhe kolegë të tjerë këshilltarë e ndjejnë përgjegjësinë e tyre ndaj  zgjedhësve, por ajo që na shqetëson së tepërmi është fuqia jonë vendimmarrëse e reduktuar në minimum saqë  e kemi  tepër të vështirë të zgjidhim hallet e qytetarëve. ‘Thembra e Akilit’ e kësaj situate absurde është padyshim  marrja e kompetencave nga qeverisja qendrore.

    Si mundet  të konceptohet  një njësi e qeverisjes vendore  larg detyrimit për t’i shërbyer  qytetarit  nga mungesa  e kompetencave  minimale?!

    Është e pafalshme, madje qesharake trajtimi injorues i Njësive të Qeverisjes Vendore të Tiranës  të cilat administrojnë një  komunitet me popullsi mbi 50 –  70000 banorë,  shumë herë më keq se një komunë e thellë rurale me 1000 apo 2000 banorë ?!

    Le të shpresojmë se në të ardhmen qeveria e re do të bëjë diçka në këtë drejtim.