Merita Smaja: Femra është burimi i jetës, por meshkujt janë fara e saj

761
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktorja dhe regjisorja e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Merita Smaja: Xhelozia në art është më e theksuar

  Jetën e saj artistike ajo e ka zhvilluar në qytetin me tradita në këtë fushë, në qytetin e Shkodrës.  Tashmë Merita Smaja,  në këtë teatër ka lënë gjurmët e saja të pashlyeshme. Talentin e saj e zbuloi mësuesi i letërsisë, i cili i kish thënë në atë kohë se do të bëhej aktore se e tillë ishte në brendi, se ndjente si e tillë, se kishte brumë dhe pamje si e tillë.  Vitet rrodhën dhe asaj, ajo bisedë i ngeli në mendje. Nuk arrinte ta kuptonte shumë në atë kohë, por kuptoja se diçka kisha të veçantë, që më pëlqenin gjërat e veçanta, ato që i përkisnin një bote të bukur, botës së artit, shton më tej ajo.

 Rolet e fundit si regjisore po si aktore?

Ah, si regjisore… Kam vënë në skenë monodramën “Seks?!!! Faleminderit, sa me e provu” me autor Dario Fo, që e ka interpretuar Rita Gjeka. Ju keni qenë vetë në këtë pjesë, e cila u mirëprit shumë në Universitetin e Arteve.  Si regjisore kam drejtuar diskutimet mbas shfaqjes…Kanë qenë diskutime shumë të bukura, kryesisht nga studentët ku unë kam mësuar shumë gjëra. Debate apo diskutime të tilla janë shumë të frytshme.

 Ndërsa si aktore cili është roli i fundit?

Kam luajtur tek drama e Fadil Krajës “Dy jetë”, ku kisha rolin kryesor Merin, me të cilin fitova çmimin si aktorja më e mirë protagoniste në festivalin e Ferizajt të zhvilluar vjet. Ishte një rol i vështirë, plot ritëm, por që ja dola me sukses. Në Kosovë vlerësohet shumë teatri dhe ndiqet me shumë interes.

 Lindur në Berat, por ushtruar aktivitet në Shkodër, si ndodhesh midis këtyre dy qyteteve historik?

Shumë mirë. Të dy të bukur, të dy me histori të çuditshme. Në Berat jam lindur, por shkollën fillore e kam mbaruar në qytetin e Burrelit. Aty kam marrë nga kultura e këtij qyteti.  Më pas pa e mbaruar klasën e katërt fillore, shkova në qytetin e Peshkopisë, ku kalova vite të tëra, sepse në këtë qytet unë mbarova shkollën tetëvjeçare dhe më pas gjimnazin. Por Shkodrën e kam qytet të dytë të lindjes, sepse më ka dhënë shumë, më dha dashurinë e madhe të jetës, më rriti si njeri, më rriti si artiste. Ky qytet ka shumë për të dhënë e për të thënë, sepse mban e mbart shumë jetë e dashuri. Çdo ditë në këtë qytet lulëzojnë filiza që i japin e do i japin artit e kulturës shumë.
Ku janë fillesat e jetës suaj artistike?

Eh, saktë fillojnë në Peshkopi kur, sapo kisha mbaruar gjimnazin. Më mbushet mendja se fati im ishte aktrimi, nisem drejt Tiranës pa asnjë përkrahje. Para se te hyja në konkurs, takohem rastësisht me të madhin Kadri Roshi, i cili me ndihmoi dhe më tha që unë duhet të thosha me zë të lartë se dua të bëhem aktore dhe jo t’ia lija rastësisë…. sepse isha aktore. Këto ishin fjalët e tij, por ai nuk u mjaftua me kaq, erdhi edhe ditën që unë kisha konkursin për të më parë ….Në Juri ishin aktorë dhe njerëz shumë të njohur të artit, si: Esat Oktrova, Vangjush Furrxhi, Viktor Zhusti, Mimika Luca, Agim Qirjaqi, Gëzim Kame, Misto Zoto, Vera Zheji., Timo Flloko, Mevlan Shanaj, Esat Oktrova,  Agim Qirjaqi, Viktor Zhusti, Birçe Hasko, Sandër Prosi e shumë të tjerë. Kur mbarova konkurrimin Vangjushi më pyeti :”Çfarë e ke Kiço Blushin? (sepse mbiemri im është Blushi). Unë pa u menduar gjatë, i thashë, djalë xhaxhai….dhe dola jashtë …Mbas pak minutash hapet dera dhe profesor Vangjushi më thërret. Unë u afrova e emocionuar, nuk e dija çfarë do më thoshte. Ai më pyeti: -Si e ka emrin babai yt? Raif -i them unë …Po pse the qe e ke djalë xhaxhai Kiçon? -Po e thashë ngaqë ju e njihnit…Dhe u skuqa, u bëra flakë, sepse kisha gënjyer….Ai qeshi dhe më rrahu shpatullat …”. Mirë shko, me tha, do flasim në shtator. Unë ika duke fluturuar, sepse e mora vesh që kisha fituar.

Sigurisht, Akademia e Arteve, ka lënë gjurmë tek ju?

Sigurisht. Shkolla mbetet shkollë. Kur isha studente unë kam interpretuar role shumë të bukura, që më kanë mbetur vërtet në mendje dhe kanë qenë një ndihmesë e madhe për mua. Në vitin e dytë unë kam interpretuar Nënën Karar, tek drama e Brehtit “Pushkët e nënës Karar”. Më pas kam interpretuar sërish Breht “Nënën Kurajë dhe bijtë e saj”. Kam interpretuar Zyraken te “Këneta “…Izabelën tek Kryevepra e Noel Kauardit, role që më kanë dhënë mundësinë të dal në jetë e përgatitur. Ndërsa roli i parë në teatrin profesionist është një bibliotekare tek drama “Rrënjët e dashurisë” e Mustafa Tukajt me regji të Serafin Fankos, një rol që më dha shtysën për të hyrë në rrugën e madhe të artit të interpretimit.
Rolet tuaja kanë qenë nga më të ndryshmet, por cili ka qenë roli më i vështirë i jetës skenike?

Kur flitet për rolet duhet të mendosh gjatë. Të gjithë kanë vështirësitë e veta dhe mua më është dashur të punoj shumë për t’i realizuar. Do veçoja Martirion tek “Bernarda Alba”, Nanë Terezën, Anin…një transvestit tek “Dinner party”.  Po t’i marrim rolet një nga një, te gjithkush gjejmë vështirësi, sepse janë ndryshe nga ne dhe ne duhet të veshim lëkurën e tyre e të marrim mendjen e tyre, për të qenë të besueshëm.

Mbas studimeve sërishmi në Peshkopi, si u ndjetë…?
Ndoshta për profesionin do të ishte më mirë në një qytet tjetër, por për ngrohtësinë që më ofrohej padyshim isha mirë në Peshkopi. Ajo që vlerësoja ishte impenjimi i të gjithë aktorëve, që unë të paraqitesha sa më mirë. Atë ditë që unë dhashë provimin, salla ishte plot e në rrugë ishte një numër i madh, po shumë i madh njerëzish që më mbështetnin. Kjo është një gjë e bukur besoj, që të bën të lumtur. Peshkopia do mbetet për mua ndër qytetet më të dashura. 
A e jeni ndjerë keq ndonjëherë në skenë dhe si keni vepruar?

Skena ka të papritura. Jam ndjerë njëherë keq, veçse kur kam qenë në gjimnaz, kur harrova poezinë. Por në atë rast ma  lehtësoi gjendjen Hekuran Isai, anëtar i Byrosë Politike, i cili me shumë dashamirësi e kuptoi që poezia më ishte dhënë për një kohë të shkurtër, ndaj dhe nuk e bëri veten.

 Kur ndihesh keq në profesion?

Kur më sulmojnë të pafatët. Ata gjithmonë vënë gurë nën rrota, ata janë në çdo fushë të jetës, por në aktrim, pra në art janë më shumë se gjithkund. Mjerë kush bëhet pre e tyre. Shpesh themi që mospërfillja është rruga më e drejtë, por gabojmë, ata janë shumë më të shkathët e hyjnë deri në poret tona. Duhet luftë kundër tyre, luftë e ndershme (pa armë natyrisht) po me profesionalizëm e talent.
Mos vallë femrat aktore a janë më xheloze dhe egoiste se meshkujt brenda profesionit?
Ndarja femra e meshkuj nuk ekziston. Të gjithë duan të të “hanë të gjallë”!… Femrat e shprehin ndoshta më hapur, ndërsa meshkujt ta ngulin thikën e qëndrojnë krejt të qetë si miq për kokë. Mendoj se më mirë të dish se ke një armik, se sa të të godasin pas shpine.
A ndihet e vlerësuar sot femra shqiptare?
Them që sot femra shqiptare po e vendos vetë fatin e saj, po ecën një rrugë me gjemba e pengesa, por po lufton të fitojë vetë betejën, e kjo nuk është pak. Është  vlerësim për veten dhe kur vlerëson veten, di të vlerësosh edhe botën.
-A është ende maskiliste shoqëria shqiptare?
-Maskilizmi i botës do jetë përderisa në botë të ketë meshkuj, sepse ata ndjehen epiqendër, e kjo i bën të rëndësishëm. Në fakt femra është burimi i jetës, por meshkujt janë fara e saj. Mos na lëntë Zoti pa meshkuj!…

Motua në të cilën udhëhiqeni në jetë?
Secilit i takon në jetë një detyrë e posaçme dhe e papërsëritshme, pra nuk ka një jetë të pavlerë. Edhe qenia më e dobët dhe e mjerë, në vendin që i është caktuar, mund të jetë dinjitoze, mundet e përfaqësuar,  diçka origjinale, vetvetja, duke u munduar te kryeje detyrën e tij. Ky është humanizmi i vërtetë që gjithnjë rrezaton diçka fisnike e të dobishme, edhe nëse ushtruesi i kësaj detyre është një djall mjeran, vendin e të cilit askush s’e lakmon. Pra të jem sa më njerëzor!

 Rolet

 Martirjo, te “Shtëpia e Bernarda Albës”; Lorka, “Nëna” “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit” Pirandelo, Ani -një tranvestit; te “Dinner Party”, Heroina e Grave; te “Vizita e fundit” e Albri Brahushës; Gruaja  te “Le Ultime Lune” e Furio Bordon; Ajo te “Luaj për mua në violinë” e Gazmend Krasniqit; Natasha -tek “Ishulli i Shitenit” i Albri Brahushës, e shumë e shumë drama e komedi sidomos në këto vitet e fundit, për të mbërritur tek roli i fundit me të cilin sërish u shpall “Aktorja më e mirë e festivalit” për rolin protagonist në festivalin e Ferizajt, Meri -në dramën e Fadil Krajës “Dy jetë”. Nanë Terezën, që ka qenë një rol i dashur shumë për të.