Manjola Trebicka: “Babka ime i shtrenjtë, të kam shpirt…”. Atij i rrodhi një lot e më tha: “Eh ta dish ti ç’të kam unë ty!”

718
Sigal

INTERVISTA/ Flet pianistja Manjola Trebicka:  Roland Trebicka  ishte i rreptë, me parime, po aq dhe i ndjeshëm si fëmijë

 Biseda me të ishte mjaft e këndshme. Një artiste në shpirt dhe në bisedë. Dhe pse jo një bisedë e drejtpërdrejtë, duke pasur parasysh se për vite të tëra ajo jeton në Francë, FB, ky lloj komunikimi, bëri që biseda jonë të ishte shumë interesante. Kisha kohë që e kërkoja, por vjen një moment që njohjet bëhen domosdoshmëri. Interesimi im për ‘të u bë i vazhdueshëm falë dhe njohurive që më dha aktori i mirënjohur dhe miku i Roland Trebickës, Ahmet Pasha. Kështu vazhdoi dhe u finalizua njohja ime me Manjola Trebickën, vajzën e të mirënjohurit Roland Trebicka, pianisten e talentuar, që  po konkurron ndjeshëm në Francë. Ajo ka një dashuri të pakufishme për të madhin Roland Trebicka, babanë që sipas saj, kishte besim të madh tek ajo. Qysh prej vitit 1992, lidhjet e saj me prindërit nga Parisi, në fillim ishin të vështira, por më vonë u bënë të përditshme.  Sipas Manjolës, Roland Trebicka  ishte i rreptë, me parime, po aq dhe i ndjeshëm si fëmijë. Pengu i saj ishte të bënte një udhëtim me babin në Moskë.

 -Kur e filluat rrugën e bukur të pianos?

E kam nisur këtë rrugë të mrekullueshme në moshën 6 vjeç e gjysmë, që në klasën e parë fillore, te shkolla me emrin e dikurshëm”Kongresi i Përmetit”

-Kush ju zbuloi si talent?

Kur isha ende fëmijë në kopsht, merrja pjesë në festivalet e këngës për fëmijë. Ishte mësuesja ime e atëhershme, Zoica, si dhe një pianiste me emrin Violeta, që më mësonte këngët dhe vallet, që më drejtuan drejt kësaj rruge.

-Cila  është kënga juaj e parë apo muzika që keni luajtur në piano?

Fatkeqësisht nuk më kujtohet e para, por kam në kokë e luaj ende disa pjesë të vogla të kompozitorëve si  Çesk Zadeja apo Paparisto.

-Kush ju mbështeti më shumë në këtë rrugë, babai apo nëna?

Që të dy, sepse ata ishin vazhdimisht dakord midis tyre. Por unë isha një fëmijë i lirë, në kuptimin që ata nuk më rrinin në kokë. Nuk kam patur kurrë piano në shtëpi, kështu që ata kishin besim në faktin që isha e ikur gjatë gjithë ditës në shkollë, e që studioja mirë. Nuk duhet harruar se në atë epokë, i vetmi moment kur prindërit mund të më dëgjonin, ishte gjatë koncerteve të shkollës e për provimet e pianos.

– Cili ishte mendimi i Roland Trabickës kur i thatë do të vazhdoj me piano?

Nuk ishte surprizë për ‘të, dhe kishte një besim të jashtëzakonshëm te unë.

-Kur konkurruat në Akademinë e Arteve çfarë pjese luajtët dhe kush ishte në juri?

Konkurrimi u bë në verën e vitit 1988, nuk më kujtohen të gjitha, por ishte i detyrueshëm një etyd i Shopenit, op.10 numër 4. Një vepër e maestro Zadesë, e diçka tjetër, por nuk mbaj mend, sepse ky konkurrim ishte me perde, gjoja për të mos njohur konkurrentët, e si përfundim të bësh muzikë të ndjerë për një perde, është sot për mua diçka që nuk ka asnjë sens! Në juri ishin profesorë të Akademisë në atë kohë.

-Cilët ishin pedagogët që ju mbajtën më afër gjatë shkollës?

Tre profesorët e mi, që do t’i citoj sipas radhës së mësimdhënies, që nga klasa e parë, Liceu e Akademia e Arteve: mësuese Manushaqe Banja, profesor Petrika Trako, profesoreshë Anita Tartari, për të cilët kam pasur e kam gjithmonë respektin dhe mirënjohjen më të lartë.

 A keni pasur ndonjë fëmijë të ish- udhëheqësave të PPSH-së në shkollë?

-Jo, nuk kam pasur në shkollë fëmijë të udhëheqjes së lartë. Disa fëmijë ministrash, që ishin shumë të sjellshëm. Kur mbarova Liceun Artistik, në vitin 1988, isha nga të rrallët studente që mora një “Medalje Ari” nga Ministria e Arsimit. Në atë kohë ishte ministër z.Gjinushi. Isha e zgjedhur nga vetë nxënësit e shkollës, edhe në fillore, edhe në Lice si komandante klase e komandante shkolle. I doja dhe kisha të njëjtin raport si me nxënësit e shkëlqyer, si me ata që ishin të fundit e klasës, sepse i respektoja si individë të gjithë. Tani e kuptoj që është falë edukatës që prindërit e sidomos babai e kishte si parim themelor. Them se për të gjithë shokët e shoqet e mia, cilësia ime e parë ishte: devotshmëria. Duke pasur mesataren 10 gjatë gjithë viteve të shkollës sime, nuk kisha asnjë”à priori”edhe sikur të ishin fëmijë të udhëheqjes së lartë.

 A ke takuar ndonjëherë ish- udhëheqësit e PPSH-së?

 -Duke qenë me rezultate të larta, si dhe komandante e shkollës, në atë epokë merrnim pjesë në konferenca apo Kongrese si delegacion. Nuk kam takuar Enver Hoxhën, por udhëheqës të tjerë, po, në këto lloj rastesh. Por ja që këtë fakt e kisha harruar plotësisht dhe tani i sjell momentet në memorie falë pyetjes tuaj. Për mua ishte merita e rezultateve në mësim, por si rëndësi në jetën time, nuk ka asnjë rëndësi “kapitale”. Sot punoj në Francë në një institucion që quhet “Shkolla e Legjionit të Nderit”, krijuar nga Napoleon Bonaparti. Është me prestigjiozja në Francë. Falë kësaj shkolle, kam patur rastin të shkoj në vizitë private me nxënëset në Pallatin Presidencial ose të luaj para Presidentit Shirak. Para disa javësh ishim në Varshavë e u pritëm nga Zonja e Parë, në Pallatin e Presidentit. E për mua, nuk është gjëja më e rëndësishme. Më e rëndësishmja është të marr duartrokitjet e publikut, e kur fëmijët më thonë: “Mami të dua më shumë se çdo gjë në botë”.

-Pse menduat që rruga më e mirë është Franca për profesionin tuaj?

Në fakt, nuk e mendova unë. Pak ditë pasi kisha marrë diplomën në Akademinë e Arteve, në qershor të vitit 1992, dhe isha e emëruar për punë në këtë vend, Ambasada e Francës, nëpërmjet zonjës Evelyne Noygues, propozoi të ndihmonte pjesëmarrjen e dy pianistëve në konkursin më prestigjioz të Francës,”Marguerite LONG”, që është dhe një nga më prestigjiozet në botë. Kështu, ne ishim dy pianiste që u zgjodhëm për të marrë pjesë, e tani jetojmë të dyja në Francë. Kurse me zonjën Noygues jeta na krijoi mundësinë të shiheshim më vonë në Paris, nëpërmjet shoqatës “Albania” dhe tani jemi mikesha.

-Si konkurruat për të qenë pjesë e kontratave të ndryshme në Francë?

Në fillim përgatita konkurse  dhe gjatë këtyre konkurseve pata kontakte, si dhe me anë të miqve e takimeve të frytshme që pata rastin të kisha gjatë këtyre 20 vjetëve.

– Shkolla shqiptare e pianos a është e nivelit francez?

Është e vështirë të flas sot, sepse kam 20 vjet që kam ikur, e nuk kam ndonjë ide të shkollës së sotme. Në atë epokë, kishte një diferencë të ndjeshme, nuk mund të thuash te niveli, por te mënyra se si mësohet e si dëgjohet një vepër. Kushtet nuk ishin të njëjta, sepse na mungonim shumë materialet, pianot me bisht, pianot ishin skandaloze, pa tela e të çakorduara, nuk kishim partitura të sakta, mjete për të dëgjuar muzikën, e për të pasur një ide tjetër, përveç asaj që ishim mësuar të dëgjonim. Stili francez është i një finese të rrallë, gjë për të cilën ne nuk zëmë vendin e parë si cilësi në përgjithësi.

-Si i mbajtët lidhjet me familjen kur shkuat në Francë?

Fillimisht ishte shumë vështirë. Mami dhe babi mbanin radhën në mëngjes herët te Posta e madhe dhe më merrnin në një kabinë, ku unë shkoja herët, shumë kohë para orarit të takimit, që kabina të ishte e lirë, kur ata të merrnin. Unë i merrja te disa komshinj, por edhe aty e linim me orar. Pastaj ishin letrat. Shkruaja çdo javë dhe prindërit më përgjigjeshin çdo javë. Më vonë, prindërit morën një numër telefoni fiks, e i merrja rregullisht në shtëpi. Tani me ofertën e internetit, i merrja vitet e fundit pothuajse përditë në telefon dhe vazhdoj të marr përditë aktualisht. Vitet e fundit flisnim pothuajse përditë. Bisedonim për gjithçka: punën, fëmijët, problemet e përditshme, çfarë gatuanim respektivisht; gjithçka…

– Sa herë ka ardhur Rolandi në Francë dhe si është ndjerë?

Të paktën 20 herë, nëse bëj një mesatare. E adhuronte Francën dhe Parisin. Ndihej pa asnjë kompleks, si në shtëpinë e tij. Dilnin vetë e shëtisnin me mamin ose me motrën, e nuk ngopeshin së shëtituri, e mbi të gjitha takonin pa përjashtim të gjithë miqtë e mi më të mirë, e bisedonte për gjithçka me të gjithë.

– Cilat ishin porositë e tij?

Të jesh e denjë! Kujdes fëmijët! Mos e lër kurrë studimin e pianos!

– Si ndjeheshit në shkollë apo në punë kur mësonin se ishit vajza e Roland Trebickës?

Pa asnjë krenari ose kompleks të veçantë, sepse për mua ai ishte mbi të gjitha babai im. Përveç kësaj, shumë pak e dinin, sepse babai nuk ishte nga ata që i pëlqente të dukej. Nuk mund të thuash që nuk donte të më ndihmonte, por nisej nga principi që unë isha e zonja e vetes, e nuk kisha nevojë për emrin e tij.

-Cili është qortimi më i rëndë që të ka bërë babai?

Në vitin 1992, në fillim të grevave të studentëve, kishte një lloj “shtetrrethimi” në darkë,  pas orës 20:00, e unë vazhdoja të studioja 8 orë në ditë, si zakonisht. Një natë, me studentë të tjerë, na rrethuan, e filluan të qëllonin te Garda, ndërsa ne sapo kishim dalë. Hoqëm keq për të ardhur në shtëpi, se i ramë rreth e rrotull për të mos marrë ndonjë plumb. Kur arritëm në shtëpi, babi ishte tym, i zbardhur nga meraku, por dhe shumë i zemëruar. Në atë kohë e mora zemërimin e tij si padrejtësi, sepse në fund të fundit, nuk kishim bërë asgjë, dilnim nga studimi. Por tani që jam prind vetë, e kuptoj që me të vërtetë, ishim të rinj, e pak të papërgjegjshëm.

– Po kur keni parë në teatër “Pallatin 176” si keni vepruar dhe si jeni ndjerë?

Shumë krenare, por babai ishte në elementin e tij. Shumë shprehje janë të gjyshit tim, e për mua shumë fraza, ishin e përditshmja ime. Por isha krenare, sepse babai pati një “hernie diskale” në fillim të provave në tavolinë dhe e bëri këtë shfaqje në kushte shëndetësore shumë të rënda. Ai tërhiqej zvarrë për të shkuar në teatër, e kurrsesi nuk e la punën. Po, për këtë isha shumë krenare, sepse askush nuk pikasi në publik asgjë. Këtë e dinim vetëm ne, aktorët dhe regjisorët.

– Si ishte qëndrimi i babait në shtëpi. Thonë se ishte i rreptë?

Jashtë mase me parime! Nuk shkelte kurrën e kurrës mbi parimet e tij. Nga ana tjetër fillonte e qante po qe se unë dhe motra kishim sadopak temperaturë…

– Si jeni ndjerë kur mësuat sëmundjen? Si e kaloi fazën e parë?

E kuptova kur i flisja në telefon që diçka kishte ndodhur. Pastaj i propozova të vinte në Francë për një diagnostikim. Me anë të miqve mjekë francezë, i kishim përgatitur kontrollet mjekësore brenda një jave. Momenti më i tmerrshëm ishte kur i përktheva diagnozën e tumorit nga pneumologu francez. Pastaj erdhi operacioni dhe koma për 10 ditë. Qëndroi gati tre muaj në Francë, e dy muaj në spital. I shkoja përditë pas pune dhe rrija deri vonë në darkë. Mjekët dhe infermierët më lejonin vizita të gjata, sepse përktheja, e komunikimi bëhej më i saktë e më i shpejtë. Janë dhe momentet më të forta e më të paharrueshme midis tij dhe meje.

-Ku ndodheshit dhe kush jua dha lajmin e hidhur?

Fatmirësisht vendosa të isha në Tiranë, duke parë gjendjen që keqësohej përditë dhe arrita rreth orës 12:00 të natës, një natë para se të mbaronte. I hapi sytë dhe mblodhi të gjitha forcat të më buzëqeshte e të më pyeste për veten, fëmijët dhe tim shoq. Ishin fjalët e tij të fundit pothuajse…Të nesërmen në drekë mbaroi dhe për fat isha aty!

-Sa koncerte keni në repertorin tuaj dhe  në sa skena të botës keni luajtur?

Të them të drejtën nuk i kam numëruar. Ka kaq shumë. Kam luajtur përgjithësisht në Francë, në të gjithë Francën pothuajse.

 -A je ndodhur ndonjëherë keq në skenë?

Njëherë. Një koncert pas një darke në hotelin e famshëm “Interkontinental”, publiku ishte në këmbë, e njerëzit diskutonin. U ngrita në mes të një vepre të Listit, e ika. Mora një mikeshë në telefon, e shkuam për një xhiro në Champs Elysée. Por nuk isha shumë krenare për mënyrën se si ika. Isha më shumë se e nevrikosur, u ndjeva e fyer. Në fakt, isha e re. Tani kur pranoj të luaj, pyes për kushtet me shumë hollësi, e me rastis të refuzoj, kur e shikoj të arsyeshme.

-Cili është kompozitori që bashkëpunoni rregullisht ?

Nuk kam diçka të rregullt, por Bah, Shopen, Mozart, vijnë rregullisht në repertorin tim.

-Kur e keni ndjerë veten më keq në profesionin tuaj?

Kur fillova të merrja mësimet e para me profesorët francezë, e nuk kisha asnjë vepër të kompozitorëve francezë në repertorin tim!!

-A ka moshë ky profesion?

Jo, them që me kohë, veprat i shikojmë me sy tjetër, e mund të luajmë deri në një moshë të madhe pa problem.

-Jeni supersticioze?
Isha jashtë mase kur isha më e re, e tani më pak. Por kam sigurisht “huqet”e mia.

-Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Më pëlqen të gatuaj, receta nga të gjitha kontinentet. Më pëlqejnë të gjitha llojet e kuzhinave dhe ha vetëm në restorante ku e di që gatuhet shumë mirë.

-Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?

Një emancipim dhe njohja e të drejtave. Mendoj se shkolla duhet të luajë një rol shumë të madh, sepse për të emancipuar femrën, duhet në fillim të edukohet gjinia mashkullore. Por gjërat do të ndryshojnë, sepse e shoh që gjenerata e prindërve të rinj,marrin pjesë shumë më tepër në familje dhe janë shumë më të pranishëm në edukimin e fëmijëve.

-Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Të vazhdoj muzikën time sa më larg e sa më lart të jetë e mundur  dhe shpresoj të jem një nënë sa më e pranishme dhe e përgjegjshme për fëmijët e mi.

-Marrëdhëniet me cigaren dhe pijet alkoolike?

Nuk pi cigare, sepse jam dhe midis njerëzve e miqve që nuk e pinë. Më pëlqen të pi një birrë me tim shoq vonë në darkë, kur fëmijët flenë, dhe ne diskutojmë midis nesh. Gjithashtu, më pëlqen shampanja dhe vera e mirë, e me moshë pi vetëm kur cilësia është e lartë, ndryshe preferoj të mos pi asgjë. Nuk pi kurrë në punë apo në qoftë se do të ngas makinën.

-Veshja juaj e preferuar?

Një fustan i zi me një palë këpucë të zeza! Është më e shpejta e më praktikja për të qenë gjithmonë e prezantueshme.

-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Vlerësoj tolerancën dhe kapacitetin për të dëgjuar e kuptuar pikëpamje, të cilat mund të jenë të ndryshme nga se kanë gjithmonë të drejtë.

-Keni ndonjë peng në jetë?

Po, do të kisha dashur të bëja një udhëtim me babain në Moskë.

-Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur, a do ta ndërronit me një profesion tjetër?

Ah jo, nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër në botë! Jam e lumtur me profesionin tim.

-Cili është pengu që keni për babanë?

Që nuk do t’i shohë të rritur mbesën dhe dy nipërit për të cilët kishte një dashuri dhe një pasion të pakufishëm!

 -A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Them që po! Fakti që edhe në politikë, apo në drejtimin e institucioneve të ndryshme ka gjithnjë e më shumë femra! Problemi janë mbase zonat më të thella, por komunikimi me botën, mondializimi, rrjetet sociale, kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

-A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Them që është ende, por hapat e parë janë të mirë! Me vite do të ndryshojë. Femrat tani kanë një rol të cilin e luajnë shumë mirë! Duhet vetëm që të gjeneralizohet. Por ka vende të përparuar, ku këto probleme ekzistojnë ende. Unë nuk jam pesimiste, përkundrazi, kam shumë besim!

 Fjalët e fundit të Roland Trebickës

 Ato sytë e tij të bukur  u hapen thellë kur më pa: I thashë: “Babka ime i shtrenjtë, të kam shpirt…”. Atij i rrodhi një lot e më tha: “Eh ta dish ti ç’të kam unë ty!”