Majlinda Laska: Muzika klasike duhet të arrijë spektatorët e muzikës popullore apo asaj të lehtë

716
Sigal

PERSONAZH/ Flet sopranoja Majlinda Laska: Ftesa nga Akademia Imperiali në Itali, ishte impresionuese

Një këngëtare lirike që gjithmonë tenton drejt niveleve maksimale. E qetë në përditshmëri, por shpërthyese në skenë. Ajo ka studiuar në Paris për muzikë klasike, ku aty ka marrë leksione specifike që vetëm shkolla të atij niveli Parisien mund t’i japin. Në jetën e saj artistike ajo ka luajtur operat më të suksesshme botërore, por asnjëherë nuk është vetëkënaqur me rezultatet. Ftesa e fundit nga Akademia Imperiali në Itali së bashku me tenorin e ri me perspektivë Julian  Gjojdeshi, ishte për të suksesi i radhës, ku ajo veçon pritjen e ngrohtë, por dhe shpërblimin “Mirënjohje” nga organizatorët. Sipas saj, tendenca e muzikës klasike duhet të jetë të arrijë spektatorët e muzikës popullore apo asaj të lehtë.

 Ju para disa ditësh ishit të ftuar së bashku me tenorin Julian  Gjojdeshi në Itali për një koncert. Konkretisht çfarë përmbante kjo ftesë?

Po, para disa ditësh së bashku me Julianin ne ishim të ftuar në Franka Vila, nga Akademia Imperiali, e cila çdo  vit organizon një mbrëmje gala, për të dhënë kontribute të ndryshme ndaj personave të suksesshëm në gjininë e këngës lirike në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Kësaj radhe koncerti  filloi me një manifestim internacional,  në piacën e Shën Xhiovani 13, në një kështjellë pranë Brindisit. Ky event kishte rëndësi të veçantë për vetë pjesëmarrjen e gjerë të këngëtarëve lirik nga disa vende.  Ishte një koncert bashkëpunues me të gjithë artistët italianë ku ne të dy si shqiptarë patëm një pritje të ngrohtë. Koncerti ishte me pjesë të ndryshme nga autorët më me zë në Europë, kryesisht me këngë klasike, por edhe napolitane, të cilat janë shumë të pëlqyera nga ana e publikut.

 Ju çfarë pjesësh interpretuat në këtë koncert kaq specifik?

Unë luajta  “Tu che di gel sei cinta” një pjesë të Puçinit, “Tarantela Napoletana” e Rossinit dhe një pjesë të Leharit. Repertori ishte i pasur, ku unë në pjesën më të madhe kam kënduar me tenorin e ri të talentuar shqiptar Julian  Gjoldeshi.

 Në këtë event sa herë keni marrë pjesë apo jeni ftuar?

Direkt me ftesë nga Akademia Imperiale, është hera e dytë që marr pjesë. Ndërsa në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Brindisit kjo pjesëmarrje është hera e parë. Mund të them se kjo Akademi i ka mbështetur gjithmonë talentet shqiptare, dhe ftesat kanë qenë në vijimësi për këngëtarë klasikë që ata tashmë i njohin mirë.

 Morët çmim në këtë koncert ku kishte një pjesëmarrje kaq të gjerë?

Ne si dy shqiptarë morëm një mirënjohje nga organizatorët, si kontribuues për sjelljen e paqes në ato vende ku nuk ekziston paqja, apo vende jo fetare.

Organizime të tilla mund të bëhen në Shqipëri?

Sigurisht mund të bëhen dhe duhet të bëhen. Madje, këto të mos organizohen vetëm në Tiranë, por kryesisht në qytete bregdetare, që kanë turistë, apo në qytete me tradita në fushën e muzikës. Madje, ato mbështeten nga biznesi vendas, apo bashkia ku me një buxhet të vogël organizohen koncerte në vende publike në interes të komunitetit por edhe të turistëve që vizitojnë këto qytete ku do të zhvillohen këto koncerte.  Këto koncerte mund të organizohen deri katër këngëtarë me repertor të ndryshëm që të kenë natyrë dhe çlodhëse. Madje me një grup të vogël instrumentistësh. Këto bëhen me miniprojekte që janë në interes të dy palëve, por që fitojnë shumë njerëz si nga komuniteti edhe turistë. Dihet se në Itali aktivitete të tilla në vendet bregdetare janë më se të zakonshme me një traditë dhjetëra vjeçare. Por mbi të gjitha, ne këtu, shohim karakterin edukativ që është qëllimi kryesor. Pra këto aktivitete kanë mesazh të qartë artistik dhe edukativ. Kjo është fryma që përcjell arti.

 Populli ynë e ka kthyer në traditë tashmë operën?

Këtu duhet të këmbëngulet sidomos në qytetet e tjera të mëdha dhe në qytete bregdetare. Kjo duhet të jetë puna jonë, këtu duhet të konsistojmë në vijimësi. Në Tiranë tashmë është kthyer në traditë, është bërë po kaq e dashur opera sa dhe muzika e lehtë. Kjo shikohet në mbushjen plot të TOB në të gjitha shfaqjet.

 Pra mendoni se opera, muzika klasike, do të arrijë të pëlqehet sa dhe muzika e lehtë apo ajo popullore?

Ky duhet të jetë synimi, këtu duhet të përqendrohet puna sidomos tek brezi i ri. Po u punua me objektiva të qarta, pse jo edhe arrihet. Çdo gjë vjen nga puna, përpjekjet, nga edukimi që i bëhet çdo brezi me muzikën. N.q.s bëhet punë sistematike pse jo çdo gjë realizohet. Ne kemi muzikë të bukur dhe të lehtë dhe popullore. N.q.s këto këngë mund të moderohen, të përpunohen, të bëhen më të lehta klasiko moderne, që mund të bëhen më të kapshme për publikun e gjerë dhe jo vetëm atë të kualifikuar në këtë gjini kënge.

 Shkolla shqiptare muzikës klasike a është konkurruese me ato europiane?

Sigurisht që është. Sot kudo në botë këngëtarët tanë lirikë po krijojnë famë, falë kësaj shkolle. Që nga Amerika dhe deri në Australi këngëtarët tanë apo këngëtaret kanë bërë bujë. Femrat si soprano si mexosoprano dhe meshkujt si tenor apo bariton, janë kudo të kërkuar falë shkollës sonë, kërkesave të saj, nivelit të saj të lartë profesional.

 Shkolla jonë ka qenë shkollë ruse, po  sot a ka ndërthurje me shkollën europiano -perëndimore?

Pas përmbysjes së diktaturës sigurisht shkolla jonë ka bërë hapa përpara, duke u futur në sistemin evropianoperëndimor. Unë vetë kam studiuar në Francë dhe si unë kanë studiuar shumë të tjerë në vende të ndryshme evropiane. Kjo është bërë tendencë sot tek të rinjtë, pra për të studiuar në shkollat më të mira Europiane. Mund të them se në klasën, ku unë kam studiuar kanë qenë japoneze, koreane, pra kjo tregon për nivelin e lartë të shkollës. Ato vinin në Paris për të mësuar për muzikë klasike, pasi aty është kultura.

 Çfarë i mungon repertorit të Operës shqiptare?

Për mendimin tim, i mungon zhanri gazmor. Ky është një zhanër tepër specifik që kërkon interpretues dhe skenë po kaq specifike, pasi është pa ngarkesa të tepërta. Në perëndim kjo gjini e operës është përhapur shumë për vetë natyrën zbavitëse. Kryesisht në stinën e verës në shumë qytete bregdetare. Por mbi të gjitha ky zhanër është një mënyrë tjetër komunikimi me spektatorin, ku mund të aktivizohen dhe këngëtarët e rinj. Ashtu sikundër ky zhanër pëlqehet nga spektatori i ri pasi është larg ngarkesave të mëdha dhe larg operës së mirëfilltë klasike.

 Po flitet se aktualisht me një TKOB, të rinjtë nuk kanë vend për të hyrë në këtë godinë ëndërrimtare. Si mund të krijohen hapësira të reja për të rinjtë përveç angazhimit në TKOB?

 Mund të them se rrugët dhe alternativat janë të shumta. Për mendimin tim një ndër këto rrugë është dhe hapja e klasave operistike, pranë TKOB apo dhe Universitetit të Arteve. Kjo klasë të shërbejë si një lidhje e atyre që kanë mbaruar Universitetin e Arteve me TKOB, pra urë lidhëse, në këtë klasë të parapërgatitet repertori i çdo këngëtari të ri lirik, të përgatitet shfaqje paralele për një opera, apo dhe të këmbehen eksperienca. Tek kjo klasë të mësohet për operën me repertor nga më të ndryshmit. Ai që krijon një repertor në këto klase d.m.th parapërgatit larmishmëri bën një hap drejt futjes në TKOB. Kjo mënyrë funksionimi ruan ekuilibrat dhe shkëmben eksperiencat.

Pra ekzistenca e vetëm një TKOB bëhet pengesë për të rinjtë?

Sigurisht që bëhet pasi çdo TOB ka limitet e veta të punësimit, aq më tepër që vitet e ardhshme do të përdoret audienca. Me një TOB edhe repertori duket i cunguar dhe nuk ka hapësira për të gjithë.

Cila është rruga tjetër e afrimit të elementit të ri?

Një rrugë është përgatitja e dy stafeve paralele për të njëjtën opera, qoftë dhe pa pagesë fillestare. Pra kur në TKOB përgatitet një opera e re, ajo të përgatitet dhe me stafin e të rinjve paralel. Kjo përgatit stafetën e së ardhmes me të rinjtë. Në këto prova të rinjtë përgatiten për shfaqje por njëkohësisht edhe mësojnë nga eksperienca e të vjetërve. Kështu kjo mënyrë funksionimi kthehet në traditë.

 Mos vallë ka xhelozi mes të rinjve dhe të vjetërve, hapësirat e vogla të punësimit mos vallë krijojnë egoizmin e sëmurë?

Nuk mund të them se ka arritur gjendja deri këtu, por unë flas për veten time, për mënyrën time të komunikimit me kolegët. Ne duhet t’i japim më shumë dashuri njëri -tjetrit, duhet ta nxisim njëri- tjetrin. Komunikimi duhet më i gjerë, më shpirtëror, më inteligjent. Ka shumë probleme në këtë drejtim. Humori dhe harmonia ndikojnë shumë tek artisti, tek skena.

 Si mund ta përkufizosh këtë?

Shumë thjesht. Një bisedë e bukur gjatë ditës, një nxitje, një stimul, një fjalë plot respekt, një fjalë poetike, të sjellin një gjendje shpirtërore shumë të mirë. Në këtë mënyrë ti shkon në shfaqje pa strese, shkon i sigurt, se do realizosh diçka të mirë. Stresi të mbyt, të than paksa shpirtërisht.