Loreta Kosho:Ramiz Kovaçi mbetet idhulli im,Tefta Tashko Koço është e paarritshme

1184
Sigal

INTERVISTA/  Flet sopranoja Loreta Kosho: Kënga është busulla ime e jetës!

Kënga e shoqëron kudo. Kjo për arsyen e vetme se ka filluar të këndojë që në vegjëli. Ajo gjithmonë është në kërkim të të rejave në profesion. Asnjëherë nuk është e kënaqur me veten. Jeta e saj ka kaluar në oshilacione, por ajo asnjëherë nuk është përkëdhelur, apo përkulur. Buzëqeshja e saj është tipike dhe mjaft ngacmuese. Jeta e saj artistike po kalon tre dekada, por ajo nuk e ndjen veten aspak të lodhur apo të tërhequr, përkundrazi çdo shfaqje, çdo premierë, çdo këngë, i përcjell një entuziazëm në jetë, sikundër të jetë të këndojë për herë të parë. Ka studiuar për kanto, por zemrën e ka tek kënga popullore. Rritur në një familje që e ka pasur për zemër këngën, fis me këngëtaren e madhe Tefta Tashko Koço, Loreta e ka provuar suksesin e skenës qysh në moshën e adoleshencës. Kolonja i hapi rrugën e skenës, Berati e konsolidoi si këngëtare, ndërsa Tirana i dha famën. Dhe pse recitalin më të suksesshëm e ka kënduar kohët e fundit  me  këngë  klasike, ëndrra e saj është të bëjë një recital të tillë dhe një album me këngë popullore. Gëzimi i saj i madh është se dashurinë për këngën ja ka transmetuar vajzës së vetme.

Cilat janë aktivitetet e fundit, ku keni marrë pjesë?

 Unë kam qenë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në aktivitete të ndryshme brenda jashtë Shqipërisë. Ndër to unë do të përmend një aktivitet në Beograd para dy vjetësh, ku u pëlqyem shumë. Unë aty u përfaqësova me vallen time që kam marrë çmim medalje në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1978 “Fiata  moj Mushata”, ku u pëlqye në mënyrë të veçantë. Ajo mbetet ende një valle tepër origjinale, elegante, me vlera artistike dhe koreografike. Pra, unë isha si stoliste edhe në valle edhe në këngë. Por dua të them se me Ansamblin e Këngëve nuk jam evidentuar si soliste, pasi shihet se emërimet janë bërë mbi baza njohjesh dhe miqësish dhe jo nëpërmjet vokalit. Unë kam 40 vjet në skenë dhe më është hequr e drejta për të qenë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve.
Kohët e fundit ju keni dhënë një recital me këngë klasike, si jeni ndjerë?

Plotësisht e realizuar. Plotësisht e motivuar. Në vitin 2003 unë kam bërë recitalin në TOB. Me mua ka qenë dhe Edit Mihali, e cila më vlerësoi shumë, e cila i tha maestro Cikos që: Nga Loreta duhet të marrin shembull, këngëtaret e Iperës dhe Baletit”. Në këtë recital unë kam luajtur 9 pjesë, si nga Puçini, opera “Mrika”, pjesë nga Shubert, “Kroi i fshatit tonë”, “Madam Batërflai” akti i fundit, “Peshkatarët e perlave”,  ku kisha apo bashkëpunova me këngëtarin lirik Gëzim Xhaxhaj nga Lushnja një këngëtar i talentuar, i cili sot është pa punë. Jam dhe do të jem një këngëtare në shërbim të kulturës kombëtare. Asnjëherë nuk kam dashur të bëj famë në interes të vetvetes, por në interes të muzikës klasike shqiptare. Kur dikush i shërben atdheut, patjetër do të marrë  me vete dhe inkurajimin e popullit që të jep notën e saktë. Paçka se jam apo s’jam më me kontratë në TOB, ndihem pjesë e tij, pjesë e këngës klasike që për çdo ditë po fiton shumë e më shumë publik. Kënga klasike, apo ajo lirike, janë pjesë e folkut shqiptar që në çdo moment mund të gjesh muzikë, apo këngë nga më të rrallat. Do dëshiroja të isha pjesë e TOB, por dhe të qënit me kontratë më afron me këngën, por nuk më jep hapësirat e domosdoshme.

Si erdhi kënga lirike apo ajo popullore tek ju. Rastësisht apo pjesë e trashëgimisë familjare apo fisnore?

Rastësitë në jetë janë shumë të rralla. Unë jam me teorinë e relativitetit, ku çdo gjë në jetë është relative dhe jo absolute. Prezantimi im është shumë i thjeshtë : jam nga Kolonja, nga  një vend me tradita  të muzikës dhe shumë  gjëra  të bukura të kulturës. Vij nga një familje me tradita muzikore. Kam patur një baba që këndonte shumë bukur (serenata  korçare), ai ka qenë kushëri i parë me Tefta Tashko Koçon. Gjyshen e kam  patur  korçare. Babai im ka qenë shumë lidhur me Korçën dhe serenatat  e Korçës. Nëna  ka qenë një  soprano me një vesh absolut. Ata  këndonin në Kolonjë me grupin popullor dhe në festat që bëheshin  në Korçë për traditat e folklorit.

Kur përkojnë fillimet tuaja të këngës?

Ndoshta do ju duket çudi. Por çudittë sot janë pjesë e jetës. Unë kam kënduar që pesë vjeçe këngë popullore  të zonës  së  Kolonjës. Pastaj kam punuar shumë me Bajram Lapin me  grupin  popullor të Kolonjës. Në  moshë  shumë të re,  kur isha në shkollën tetëvjeçare  më kanë  thërritur  në radiotelevizion  dhe kam kënduar një këngë që i kushtohej Pal Mëlyshit. Njëkohësisht, kam kënduar një trio “Ku bashkohet Drini dhe Valbona” me motrën time, ku dhe ajo kishte një zë shumë të bukur. Këto këngë më hapën rrugën e bukur të jetës artistike ku unë patjetër këmbëngulja të gjeja vetveten. Dhe unë isha në moshën 15 vjeçe. Në mos gaboj ka qenë viti 1975. Në atë vit u dukën vlerat  e mia të vokalit. Pra, u duk sikur rruga ime ishte hapur. Jeta e skenës po më ftonte të hyja në të.

Këto ditë kam marrë në intervistë z, Bajran Lapi. Në grupin e Kolonjës midis të tjerave ai ju përmendte dhe ju. Ku keni konkurruar me grupin artistik të Kolonjës?

Midis shumë konkurrimeve unë do të përmend Festivalet e Gjirokastrës. Ishte një event më i rëndësishëm i kulturës shqiptare që zhvillohej një herë në katër vjet. Në këtë festival për herë të parë kam marrë pjesë në vitin 1978, ku  kam kënduar  një valle popullore të kënduar “Fiata  moj Mushata”. Kjo valle është edhe sot dhe jepet shpesh në radio. Në këtë  festival me këtë këngë kam  fituar medalje. Pas çmimit më ka marrë në intervistë  gazetari i njohur i TVSH Agron Cobani. Pas këtij momenti më ka ftuar Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore, ku e  kam kënduar disa herë  këtë valle të kënduar. Në  moshën 17- vjeçare kam qenë në Greqi me  Ansamblin e  Këngëve dhe të Valleve, po me këtë valle të kënduar.
Fiata moj mushata
Vajzë e bukur
Pra, i këndohet  vajzës së bukur ose ndryshe, Fiata. Këtë valle ma  ka mësuar gjyshja ime dhe unë pata sukses.

Kur keni shkuar për herë të parë jashtë shtetit për të dhënë koncert dhe ku?

Ah! Kjo pyetje më mbush me emocion, më mbush me shumë entuziazëm. Ato vite ishin të rralla. Të dilje jashtë në atë kohë, ishte luks dhe privilegj. Unë kam shkuar jashtë shtetit në  vitin 1978-të, mbas Festivalit të këngës së Gjirokastrës. Destinacioni ishte në Greqi. Duhej të përgatiteshim seriozisht. Patjetër që duhej të bënim një shfaqje të suksesshme. Atëherë nuk falej dështimi. Kemi bërë  dy javë prova në Sarandë me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve dhe direkt kemi ikur në Janinë. Kemi dhënë koncertin e parë në zonën e Çamërisë në Filat, Igumenicë, deri në Athinë. Kemi pasur shumë sukses. Midis të tjerave këndova edhe një këngë popullore  tradicionale greke  që ma  mësuan  në Sarandë. Për  vetë natyrën time të të kënduarit që i përshtatej  kësaj kënge, kënga u mirëprit. Unë nuk dija greqisht, por  ma mësuan. Ajo këngë dashurie greke la gjurmë tek spektatori grek. Nuk e mendoja se do të kisha aq sukses. Duartrokitjet nuk kishin të sosur. U ndjeva sikur isha në Kolonjë. Kjo tregonte se arti nuk njeh kufij. Arti, kënga janë të përbotshme, ato i afrojnë njerëzit dhe nuk i largojnë.

Si ishte gjendja ekonomike aty?

Jam befasuar, por ja kam thënë vetes. Tregu plot dhe rrugët shumë të bukura. Kur bëjë krahasim me vendin tim mbetesha e  gojëzënë. Por askujt nuk ja thashë. Çdo gjë e mbaja me vete.

Fillimet dihen, spontane, trashëgimia familjare, dëshirat, ndikimet, po studimet?

E vërtetë! Rruga ime ishte plot befasi. Isha gjimnaziste në Ersekë, por dëshira e prindërve të mi ishte që unë të isha këngëtare klasike, sepse babai  im e donte shumë muzikën. Sakrifikova  shumë në ato vite sepse nuk  kisha bërë shkollë të mesme  muzike. Kur kam ardhur  nga Erseka në Tiranë, babai më rrinte gjithmonë  nga mbrapa. Ai që më dha ndihmë, ai që më përcolli dashurinë e pakufishme për këngën lirike ishte, ai profesori që më jepte kanto Ramiz Kovaçi. Ai më drejtoi ku duhej në këtë rrugë. Bëhet fjalë në  vitet 1980. Unë studiova  për kanto në Akademi. Pastaj u dashurova me një djalë nga Berati dhe ika në Berat. Mbas Institutit të Lartë të Arteve u emërova  direkt  në Berat.

E gjetët vetveten në Berat?

Berati nuk kishte ato hapësira sa Tirana, por më trajtonin jashtëzakonisht mirë. Ofertat ishin të vazhdueshme dhe unë dhe pse në Berat kam kënduar në Festivalin e Këngës Popullore  qytetare  të Tiranës, në Ansamblin e Valleve, kam kënduar në Opera, kam kënduar me Afërdita  Zonjën. Pra kam kënduar në skenat dhe me institucionet më të bukura të artit.

Ju jeni këngëtare popullore, por edhe soprano, ku ndiheni më mirë?

 Mund të them me modesti se ndjehem mirë në ët dyja këto gjini. Njëra plotëson tjetrën. Sigurisht për mua. Edhe si këngëtare  popullore, por edhe si soprano lirike, koloraturë ndihem e realizuar. Këndoja shumë muzikë klasike, por edhe  këngë popullore qytetare. Ato më korrigjonin njëra- tjetrën.

Berati një qytet me tradita. Sigurisht, kënga popullore ishte më e pëlqyeshme. A është e vërtetë kjo?

Sigurisht, në Berat, më afër kam qenë me muzikën popullore qytetare. Një qytet me kulturë mijëravjeçare. Një qytet me kulturë të lashtë, një qytet i dashuruar me këngën. Ky ishte Berati që njoh unë. Një qytet i bukur, karakteristik me dritaret e tij dhe shtëpitë e gurta, që kishte tradita të  jashtëzakonshme. Ai ishte një qytet mbushur me aktivitete dhe që këngën popullore e pëlqente shumë. Në Berat më mbanin  si një  këngëtare  lirike. Aty fillova punë si mësuese muzike ku punova  rreth 12 vjet. Por njëkohësisht kam dhënë edhe recitalet e mia në Berat. Kanë qenë këngë popullore,  por  edhe muzikë  klasike me pjesë të Verdit, Puçinit. Këngën popullore nuk e kam ndarë asnjëherë dhe sidomos  këngën popullore të Tefta Tashko Koços. “Fryn veriu në mal të thatë”, “Dola në penxhere”, “Në  atë fushë të mejdanit”, janë  shumë këngë  që nuk më  kujtohen të gjithë  titujt. Më ka mbetur peng të realizoj  një recital vetëm me këngët  e Tefta Tashko Koços sepse janë shumë të përshtatura për vokalin tim dhe i kam  shumë  për zemër.

Sigurisht për një këngëtare lirike, soprano, ëndrra e saj është të prekë kryeqytetin për shumë arsye. Kështu besoj dhe për ju që synimi ishte Tirana?

Nuk e mohoj dhe pse dashuria mbetet dashuri, profesioni, ëndrrat e jetës më sillnin pranë Tiranën. Unë kam ardhur në Tiranë  në vitin 1996. Ishte koha e demokracisë. Pas shumë përpjekjeve, kam filluar në Ansamblin e Këngëve  dhe të Valleve dhe isha me kontratë. Në  Teatrin e Operës  dhe të Baletit kam nga viti 2000, ku vazhdoj edhe sot por me një ndryshim, sot jam me kontratë. Me këtë CV më takon tjetër pozicion. Kam dhënë shumë në këtë institucion.

Ju keni dhënë shumë koncerte jashtë atdheut. Mund të na i përcillni ato?

Kam dhënë koncerte kudo. Kam shkuar thuajse në çdo shtet të Europës. Thuajse në gjithë Europën. Kryesisht kam dalë me  Ansamblin e  Këngëve dhe të valleve. Veçoj koncertet në Barcelonë, Austri, Mal të Zi. Kam shkuar  me grupin e Beratit.

Recitalet kanë qenë objektivi juaj. Po ky i fundit, ku konsistonte?

Gjithmonë kam menduar për recitalet. Ato pasqyrojnë individualitetin tënd. Kanë shumë gjëra nga vetvetja. Recitalet janë dhe do të mbeten ëndrrat dhe dëshirat e mia. Ato janë personaliteti individual i çdo artisti.  Para disa muajsh, në Teatrin e Operës realizova një recital të dytë. Këndova  vetëm një këngë popullore  dhe të  gjithë recitalin kam kënduar vetëm  këngë  klasike.

Çfarë pengu keni për në skenë?

Peng në skenë kam që nuk e kam realizuar që të isha unë soliste e parë e Teatrit dhe të Operës dhe të Baletit ndoshta edhe të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve.

Në këtë rrugëtim, sigurisht keni marrë dhe çmime?

Dy çmime. I kam marrë në një Festival të Këngës Popullore. Ka qenë i  njëjti  festival, ku kam marrë çmim e dytë  dhe të tretë.

Sa këngë përmban repertori juaj?

Unë nuk jam e  mbështetur vetëm  në një trevë të muzikës popullore. Unë i këndoj të gjitha trevat. Kam kënduar këngë  shkodrane me Bujar Qamilin në Berat, me Ardit Gjebrenë që më mori në një koncertin e tij recital. Këndoj këngën popullore  beratase që më përshtatet  shumë. Kam kënduar me grupin popullor  pleqtë e Beratit. Këndoj shumë serenatën korçare. Këndoj këngën tiranase, të Elbasanit.

Çdo paraqitje në skenë ka të veçantat, po për ju kush ka qenë dita më e bukur në skenë?

Skena është magjepsëse. Duhet një vëmendje e madhe që të veçosh diçka. Por kur jam gjakftohtë mendoj se dita ime më e bukur në skenë ka  qenë  festivali i vitit 1975, ku kam kënduar në Festivalin e Këngës  Popullore  në Tiranë, ku kam  fituar  çmimin e  dytë dhe të tretë. Kam qenë më vogla e festivalit, 16 vjeçe. Prezantuese ishte Silvana  Braçe.

Flitet shumë për disa këngëtare të reja  që janë vetëm të bukura dhe nuk përcjellin art, kush është mendimi juaj për këtë?

Është e vërtetë. Unë kam qenë vetë pedagoge kanto për 12  vjet dhe kam punuar  shumë. Kam nxjerrë tre studente në Akademinë e Arteve, ku dy prej tyre kanë bërë emër. Njëra është sot në Austri, tjetra është në Lion në Francë në  Teatrin e  Operës (kjo është një vajzë nga Kuçova).Unë shikoj tek pedagogët sot, se fusin kontingjent pa qenë artistë. Sepse duhet të mbajnë vendin e punës dhe të plotësojnë orët që të paguhen. Çdo vlerë është kthyer në aspektin material. Pra del e këndon kushdo që thith spektatorë. Të rinjtë sot duan këngëtare të bukura. Vetëm të lëvizin në skenë.

A është bastarduar sot kënga popullore me muzikë të huaj?

Po. Keni të drejtë. Huazimet janë të shumta për hir të komerçit. Disa prej këngëtareve që gjoja kanë fituar famë për mua, nuk janë këngëtare, ato mund të bëjnë shou për bukurinë dhe shumë të tjera, por vetëm këngëtare nuk janë…

Keni idhull si këngëtare, pasi shumë këngëtare janë jashtë idhujve?

Po, kam. Ajo është një dhe vetëm një, e madhja e paarritshmja Tefta Tashko Koço. Ndërsa nga muzikat e huaja më pëlqen shumë muzika greke.

Artistja është jashtë politikës. Por ka simpati të tërthortë. Diku kam lexuar se keni qenë përfshirë në lëvizjen demokratike të vitit 1990?

Po. Vota është një shprehje e preferencave apo e simpative politike. Unë jam demokrate në shpirt. Jam për atë parti që mënon për artin, kulturën, shkencën, përparimin e vendit.  Por deri më sot nuk kam gjetur atë çka dua  unë  për  një demokraci të  vërtetë. Madje, mendoj se nuk  kam për  ta gjetur  kurrë. Jam shumë e zhgënjyer.

Politika shqiptare i ka ndihmuar artistët dhe këngëtarët. A u ka krijuar kushtet dhe hapësirat e nevojshme?

Jo, absolutisht. I ka rënduar shumë. Unë nuk shikoj  një ministër  kulture që të shikojë një shfaqje. Nuk e kam dëgjuar, apo nuk flet një herë se çfarë do arti dhe artistët  por  vetëm  biznesin, të vijnë turistë dhe  asgjë tjetër.

Një këngëtare mundohet t’ja përcjellë fëmijës së vet dashurinë për këngën. Po ju a ja keni përcjellë vajzës tuaj këtë dëshirë?

Sigurisht. Kam pasur dëshirë. Unë ja kam përcjellë këtë ndjesi. Ajo ka kënduar shumë bukur edhe në “Ethet e së premtes”. Ajo studioi 8 vjet piano në Liceun Artistik. Ishte një pianiste e mirë, por kur unë u zhgënjeva, vajzës i dhamë drejtim tjetër. Ajo mësonte shumë prandaj për të gjetur rrugën e drejtë të artit e çova për studime jashtë. Tani këtu  nuk mund të çash në art.

Loreta zëri dhe paraqitja, luku. Kujt i kushtoni më shumë vëmendje?

Pyetja është e drejtë. Artistja duhet të jetë korrekte dhe me veshjen dhe me ëmbëlsinë e zërit. Ato duhet të duhet të shkojnë në harmoni. Pra, duhet të jenë në harmoni të dyja bashkë.

Ëndrra juaj si këngëtare?

Ah! Janë shumë, por kryesorja? Doja  të bëja një album të këngës  popullore me këngë të Tefta Tashko Koços. E kam  ëndërr  dhe do ta  realizoj. Do të bëj një recital me këngë popullore të Tefta Tashko Koços.

Ç’është dashuria për Loretën?

Jeta pa dashuri nuk ka kuptim. Ku ka dashuri ka art, bukuri, vlerë. Dashuria është gjithçka.

Ke ndonjë ushqim të preferuar?

Unë pëlqej  shumë biftekët.

Në  sistemin  komunist, a veçon ndonjë moment që e kujtoni me keqardhje dhe sot?

Ne  kemi vuajtur shumë nga ai sistem. Babain e kanë luftuar shumë. Ne kishim ca të afërm në Amerikë që na dërgonin plaçka. Unë edhe kur vishja një pallto të ardhur nga Amerika  babanë tim e thërritnin në Komitetin e Partisë. Edhe atë vetë kur veshi një  xhup të tillë e  thërritën dhe nuk e veshi më deri sa vdiq. Sot e mban vëllai im. E kam peng kur e shikoj.

Pushimet ku i kaloni?

Unë kam dëshirë terrenin malor. Por shkoj edhe në det.

Jeni e dhënë mbas kuzhinës?

Shumë. Gatuaj vetë. Gatuaj të gjitha gjërat.

Femra dhe politika shqiptare?

Politika shqiptare ka shumë mangësi. Aq më tepër ndaj femrës. Unë jam demokrate në shpirt, por dua të them që jam me atdheun.  Në Shqipëri politika është tregti.