Liri Rasha: Kënga me superpozim nuk është shpirtërore, është e thatë

1127
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtarja e mirënjohur, “Mjeshtre e Madhe”, Liri Rasha

 Kisha mbi një vit pa e takuar, por ajo ka mbetur ashtu e qeshur, fisnike me një luk rinor.

E takova në një aktivitet që zhvilloi shoqata, ku ishin të ftuar “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, “Mjeshtre e Madhe” Irini Qirjako, vëllezërit Zena, etj…Sigurisht biseda rrodhi drejt këngës, ku zëri i saj brilant ka ngritur peshë platetë e shumë vendeve të botës, kudo ku ka emigrantë shqiptarë, në të katër anët e globit. Ajo do të mbetet një këngëtare e veçantë e traditës së këngës popullore veriore. Në rrugëtimin e saj skenik, ajo asnjëherë nuk ka deformuar këngën e bukur popullore edhe në emër të parasë. Gëzimi i saj më i madh është që vajza e saj po e vazhdon me po atë dinamizëm dhe përkushtim rrugën e nënës, duke lënë hapur shtigjet e fluturimit brenda familjes në këtë profesion kaq të brishtë, por edhe të bukur dhe magjik.

 Çfarë është duke realizuar tashmë Liri Rasha?

Jam duke realizuar një këngë për kurbetin, temën më të dhimbshme që ka populli shqiptar. Unë gjithmonë kam kënduar këngë kurbeti, por tani po e përcjell në një mënyrë krejt tjetër në këndvështrimin tim. Pra një këngë që ka një tjetër ide.

 Si ju lindi ideja për këtë këngë të re?

 Duke parë një emision të televizion, u ngacmova së tepërmi, për vetë faktin që emigrimi sot është më shumë se një plagë. Në këtë televizion pashë ca pleq në një azil, ashtu të heshtur, që për çdo kërcitje dere shohin se mos vinte ndonjë njeri që i njihte.

 Kush do të jetë kompozitor dhe autor i tekstit së kësaj kënge dhe me çfarë instrumentesh muzikorë do realizohet në studio?

Këtë radhë dhe autore teksti dhe kompozitore do të jem unë (qesh). Është një ndërmarrje e vështirë, por shoh që realizimi do të jetë shumë i bukur. Muzika do të realizohet me instrumente harqesh, ku në qendër do jetë një violinë e parë.

 Keni menduar një duet me vajzën tuaj Ingridin?

 E kam menduar prej kohësh, por unë me vajzën time Ingridin jemi linja krejt të kundërta. Ajo është një këngëtare moderne ndërsa unë një këngëtare popullore dhe kjo bën që të mos na kombinojnë shumë zërat. Por rruga mbetet e hapur, pasi është një dëshira ime e kahershme..

 Si ka ecur në treg Albumi i fundit?

E them me bindje se është një ndër më të shiturit në treg.

 Sot në shumë raste këndohet me superpozim, a kanë rezultat këto këngë?

Nuk duhet të kenë, por në disa raste kanë. Sot në shumë raste nuk shikohet cilësia e zërit, por bukuria e këngëtares apo lëvizjet. Në realizmin me superpozim këngëtari nuk jep shpirtin, nuk jep zemrën, por bën thjesht bën lëvizje mekanike.

 Tashmë ka dy vjet që po zhvillohet Festivali i Këngës Popullore, a është një nismë e mirë?

 Sigurisht, që është një nismë që duhet përkrahur, një nismë që duhet vlerësuar. Është hedhur një hap i rëndësishëm. Unë kam marrë pjesë në Festivalin e parë dhe jam ndjerë shumë mirë. Aktivitete të tilla sjellin diçka të re, aq më tepër, kur flitet për këngën popullore.

 Po femra shqiptare a ndihet e realizuar sot dhe më me përkrahje? A po zë vendin që i takon në jetë?

Femra po fiton terren, qeveria “Rama” i ka dhënë më shumë hapësirë në raport me çdo qeveri tjetër postkomuniste. Femra është gjysma e shoqërisë dhe ajo duhet të marrë atë që i takon, por mund të them se luftën më të madhe për të drejtat e saj duhet ta bëjnë vetë gratë. Ato duhet të luftojnë shumë dhe jo ta lënë veten në mëshirën e të tjerëve për këto të drejta. Ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Edhe rezultatet

 Pra, kush ngelet problemi më i madh i femrës?

Të jetë më iniciatore, më këmbëngulëse, më kërkuese në ato çka i takojnë. Asgjë nuk dhurohet, por fitohet. Femra duhet të arrijë stadin e kohës dhe të kuptojë se çdo gjë fillon nga vetja.

 Të mungon Dibra në Tiranë?

Aspak pasi Tirana është e mbushur me dibranë dhe unë aty shkoj shpesh për dasma. Dibra më mungon vetëm gjeografikisht pasi në çdo hap jam mes dibranëve.

 Çfarë ke marrë më shumë nga Dibra?

Çdo gjë unë e kam marrë nga Dibra, pasi aty u formova si njeri dhe si këngëtare. Në Tiranë kam zgjeruar shoqërinë,

Po vajza juaj pse është tërhequr paksa nga arti, muzika?

Vajza ime e ka pikë të dobët këngën, muzikën kudo ecën mes muzikës, por ajo mbaroi me “Medalje të Artë” Juridikun, por në fushën e muzikës nuk po gjen përkrahje. Në shumë studio televizive këngëtaret ftohen me njohje, me lobe, me miqësi se sa me merita. Ka shumë këngëtare të mira që nuk ftohen asnjëherë në televizione. Habitem me këtë lloj komunikimi.

  Liria dhe  fëmijëria juaj. Bankat e shkollës dhe trokitja e këngës?

-Unë jam lindur në një nga fshatrat e Dibrës që quhet Dalldar, kam mbaruar  tetëvjeçaren në fshatin tim dhe pastaj kam mbaruar të mesmen në Peshkopi dhe më vonë kam kaluar në estradën profesioniste. Kam mbaruar edhe një specializim për kanto, ku kam pasur pedagogët më të mirë Ibrahim Tukiçin, Luçie  Milotin, Ramiz Kovaçin që ka qenë një nga pedagogët që është marrë më direkt me mua.

 A e mbani mend në jetën shkollore, kur keni dalë për herë të parë për të kënduar  dhe kush ju zbuloi si talent?

 -Krahinës që i përkas  unë, ka  qenë  një krahinë  shumë e  thellë, ku nuk  kishte shumë aktivitete. Aty bëheshin aktivitete vetëm kur ishte Festivali i Gjirokastrës, i cili ishte njëherë në katër vjet. Jam zbuluar pothuajse rastësisht, kur kam qenë duke  ndenjur në shtëpi,  duke kënduar për qejfin tim. Aty ka kaluar  një mësues i imi dhe kur kam shkuar në orën e matematikës, në vend që të përgjigjesha për  mësimin që kisha, ai më thotë mua se ti Liri sot do të këndosh. Unë  i thashë se  nuk  di të  këndoj, ai tha  se din të këndosh dhe bukur madje.

Sa  vjeç  ishe në atë  kohë?

Në atë  kohë isha 13 vjeçe.

Kur ke dalë për herë të parë në skenë përpara një publiku të gjerë?

Për herë të parë kam dalë në klasën e tetë. Nga fshati ku jam lindur më morën direkt në Peshkopi. Peshkopia po përgatitej për Festivalin e Gjirokastrës, dhe më morën me grupin e rrethit. Në Festivalin e Gjirokastrës   në vitin 1973, ishte  një  publik  shumë i gjerë. Emocionet ishin shumë të mëdha. Të papërshkrueshme. Ajo kala gjigande. Ai qytet i gurtë, më përcillnin në kujtesë lexime për mbretër dhe legjenda.