Linda Loka: Dashuria është pasion, mirëkuptim dhe besim midis dy individëve

1457
Sigal

INTERVISTA/ Flet arkitektja Linda Loka: Shpesh femra “paragjykohet” për dobësinë e saj.

Dëshira e saj për t’u bërë arkitekte ka ardhur si pasojë e ndikimit të babait, i cili është inxhinier ndërtimi.

Që e vogël ka qenë në kontakt me botën e ndërtimit dhe me rrethin me të cilin ai punonte. Ai e ka “prezantuar” me botën e arkitektëve, e cila e tërhoqi përnjëherë. Kjo sepse ndryshe nga inxhinieria që ka studiuar i ati, arkitektura përfshin një rang më të gjer të të perceptuarit inxhinierinë në vetvete, ashtu sikurse botën për rreth.

Një ndërthurje shumë e veçantë e aspektit artistik të shpirtit me njohuritë inxhinierike, të cilat shkrihen në këtë degë duke e bërë të prekshme në çdo aspekt të jetës.

Cilët kanë qenë ata persona që ju kanë shtyrë drejt kësaj rruge?
Ndikimi kryesor ka qenë im atë.
Megjithatë, shumë njerëz më kanë përkrahur pavarësisht se ky profesion shpeshherë shihet së tepërmi si profesion “maskilist” dhe i vështirë, por vullneti dhe dëshira më ndihmuan t’i futem këtij profesioni e ta çoj atë deri në fund, duke e vazhduar ende sot.

Si e kujtoni ditën e parë të punës tuaj?
Ditën e parë të punës e kujtoj të mbushur me entuziazëm dhe me dëshirën e madhe për të bërë gjëra të jashtëzakonshme në arkitekturën dhe urbanistikën e Shqipërisë.
Duhet pasur parasysh se puna e arkitektit ka një impakt të fuqishëm në shoqëri pasi një vize e drejte që arkitekti hedh në letër ngelet vite me radhë në “fytyrën” e një qyteti/shteti, ndërkohë që kjo gjë kohët e fundit nga arkitektët është harruar pothuajse fare duke e kthyer më tepër në biznes këtë profesion.

Çfarë impakti keni marrë?
Impakti fillestar ka qenë pozitiv, kjo si pasojë edhe e stafit me të cilin kam punuar. Firma me të cilën kam filluar të punojë për herë të parë, drejtohej nga një djalë i ri i cili kishte studiuar jashtë dhe realizimi i punëve bëhej duke marrë etalone të huaja. Puna e parë ishte një shkollë shumë e mirë, pasi më mësoi me një edukatë të fortë, duke filluar nga organizimi, kërkimi paraprak në kryerjen e punëve, përqasjen me klientët etj..

Keni punuar për rreth 1 vit në Kosovë, në një projekt tejet ambicioz. Çfarë mund të na thoni më tepër?
Projekti i Kosovës ka qenë një eksperiencë shumë e rëndësishme edhe e fortë për mua.
Falë pedagogut, i cili më ndoqi gjatë punës time të diplomës në universitet, i cili më mori pranë studios së arkitekturës për të cilën ai vetë punonte (dhe unë i jam shumë mirënjohëse), u përzgjodha për të punuar në Prishtinë. Në këtë projekt studioja jonë merrej me Menaxhimin e Projektit, i cili përfshinte kontrollin e kantierit (sigurinë, realizimin e punëve, kontrollin e tempistikave etj.) si dhe koordinimin e projekteve arkitektonike (kontrolli mbi projektet e impianstistikës, elektrikës, arkitekturës etj.).
Eksperienca e Prishtinës ishte një gjë, të cilën ia këshilloj të gjithë arkitektëve të rinj. Kjo për vetë faktin se në projekte, ku përfshihet kantieri, arkitekti ka mundësi të njoh të gjithë elementët e ndërtimit duke u futur në detaje dhe duke kuptuar praktikën e kryerjes së punëve. Gjithashtu, stafi jonë kishte edhe staf të huaj (italianë, austriakë etj) të cilët të mësojnë me një mentalitet të ri pune. Kjo eksperiencë, do të thoja se ishte e fortë si nga ana profesionale ashtu edhe nga ana personale.
Nga pikëpamja e punës ishte një shkollë e dytë për mua pasi më njohu me botën e gjerë të kantierit të ndërtimit, aty ku koncepti apo ideja e arkitektit “merr jetë” Përqasja me njerëzit, marrja e vendimeve të cilat ndikonin në arkitekturën jo vetëm të godinës por edhe vendit ku ajo “do të jetonte”, si dhe shumë elementë të tjerë, më ndihmuan të kuptojë se puna e arkitektit është më e gjerë dhe më komplekse se ajo ç’ka ne mësojmë në universitet.
Nga pikëpamja personale më bëri më të fortë për të përballuar jetesën vetëm, përqasjen me individë të niveleve dhe kombësive të ndryshme, të rrisë aftësitë organizative dhe vlerësimin etj.

A i mori ky projekt pritshmëritë tuaja?

Pritshmëria ime ishte para se të gjithash eksperienca, pasi ishte një projekt relativisht i madh ku kishe mundësi shumë të mira për të mësuar mbi kantierin në mënyrë të menjëhershme. Mund të them me plot gojë se kjo pritshmëri u realizua pasi ishte një pikë e “chekclistes” time të cilën e synoja pas mbarimit të universitetit dhe ku e shoh veten edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër ka pasur edhe aspekte më pak pozitive që ndihmojnë individin (jo vetëm profesionistin) që të kalitet, pasi duke pasur zellin e madh për të bërë gjithçka në mënyrë sa më perfekte dhe i nisur me idealizma, realiteti i punës praktikë të përplaset ndonjëherë si një dush i ftohtë. Para se të gjithash përplasesh me paragjykime dhe lloje të ndryshme karakteresh që nuk e perceptojnë punën ashtu sikurse ty. Në këtë rast fillojnë “zhgënjimet” e para. Megjithatë, përsa kohë puna bëhet me dëshirë, edhe anët negative duhen marrë si eksperienca të cilat të rrisin dhe të ndihmojnë të përqasesh ndryshe në eksperiencat e ardhshme të punës.

Femrat arkitekte….

Femrat që studiojnë në degën e arkitekturës janë të shumta, por ajo që ndodh shpesh (jo vetëm në profesionin tim) është që pas universitetit arkitektet të cilët spikasin më tepër janë të seksit të kundërt. Nëse e gjykojmë këtë situatë në rangun e arki-stareve (arkitektet më famë botërore), mjafton të themi se femra e parë e cila ka fituar çmimin “Pritzker” (çmimi më i rëndësishëm i arkitekturës botërore, ku vlerësohet çdo vit një arkitekt mbi një godinë e cila plotëson kushtet e inovacionit, qëndrueshmërisë etj) ka qenë Ark. Zaha Hadid në vitin 2004, ndërkohë që ky çmim jepet që prej vitit 1979. Pyetja që natyrshëm shtrohet është: Pse ndodh kjo gjë? Arkitektura është një profesion sa i bukur aq edhe i vështirë.
Është një profesion që do impenjim të madh dhe kompromis me veten si dhe me njerëzit që të rrethojnë.
Orët e vona të punës për shkak të tempistikave të saj, impenjimi i kantierit (interier apo eksterier) etj nuk e bëjnë të lehtë punën për një femër. Femra ‘tipike’ presupozohet që të krijojë familjen e saj pas një moshe të caktuar duke dashur të përkujdeset për këtë të fundit.
Orët e vona dhe impenjimi i madh nuk e bëjnë të lehtë për një femër të kryejë “detyrën” e saj si grua ashtu sikurse edhe profesioniste të kësaj fushe.
Gjithashtu përqasja me kantierin nuk është e lehtë, pasi shpesh femra “paragjykohet” për dobësinë e saj. Duhet të kemi parasysh se stafet e nënkontraktorëve me të cilët punon arkitekti janë kryesisht meshkuj dhe siç ndodh në shumicën e rasteve, zëri i një gruaje dëgjohet më pak se ç’mund të dëgjohet i seksit të kundërt.
Megjithatë, duke përdorur profesionalizmin të përzier me karakter të fortë, një arkitekte femër arrin ta bëjë zërin e saj “të oshtijë” më së miri.

Sa e vështirë është të bësh karrierë në Shqipëri?

Mendoj se për të bërë karrierë në Shqipëri, ashtu sikurse në vende të tjera, duhet të jesh një menaxher i mirë i profesionit tënd. Menaxhimin e profesionit unë e lidh me aftësinë për të gjetur punët e duhura në momentin e duhur dhe shpërndarjen e tyre në mënyrë të tillë që çdo punë të shërbejë si mësim për t’u rritur në të ardhmen. Në qoftë se arrin të menaxhosh punën si arkitekte qoftë në aspektin personal dhe atë profesional karriera është e lehtë për këdo.
Pavarësisht se shpesh lakohet fakti që për të bërë karrierë në Shqipëri duhet ‘miku’, mendoj se një personi, që është me të vërtetë i aftë në atë çka bën, nuk i mohohet asnjëherë e drejta për të ecur përpara.
Megjithatë, edhe vetë individi duhet të dijë të bëjë lëvizjet e duhura në momentin e duhur, pra të ketë intuitë, në mënyrë që të mund të eci përpara.
Më pëlqen personalisht një shprehje, e cila mendoj se çdo njeri duhet ta përdorë për të ecur në karrierën e tij: THINK BIG.

A jeni kufizuar nga jeta private në këtë profesion?

Nuk do ta përcaktoja si kufizim se sa prioritet. Kjo sepse profesioni im për momentin është prioritet më i madh për mua se sa jeta private.
Sikurse e thashë edhe më sipër ky profesion kërkon angazhim të madh, dhe shpesh është e vështirë të gjesh persona në jetën private që kuptojnë me të vërtetë synimet e tua apo prioritetet e jetës tënde profesionale.
Megjithatë, mos të përgjithësojmë gjithçka, pasi ka edhe persona që e kuptojnë këtë angazhim…arkitektët e tjerë (qesh)

Ka moshë ky profesion?
Mendoj se mosha e këtij profesioni lidhet me nivelin e eksperiencës.
Ka arkitekte të rinj të cilët punojnë që në vitet e para të universitetit, ashtu sikurse ka arkitekte të tjerë të cilët punojnë pasi kryejnë studimet.
Kuptohet që në këtë rast grupi i parë në një moshë më të re, arrin të ketë 3-4 vite më tepër eksperiencë punë duke e zvogëluar kështu moshën, ku arkitekti arrin kulmin e karrierës së tij. Megjithatë përgjithësisht është vënë re se arkitekti kulmin e karrierës së tij profesionale e arrin rreth 40 vjeç, pasi deri në këtë moshë ka pasur eksperiencat më domethënëse të jetës së tij.

 Cili është arkitekti që ju do të donit të ndiqnit hapat e tij?
Në fakt nuk do të thoja një arkitekt në veçanti se sa një stil. Personalisht më tërheqin arkitektët minimalist, ku të preferuarin tim mund të përmend spanjollin: Alberto Campo Baeza. Më është dhënë rasti ta njoh dhe ta studioj si karakter dhe stil arkitektonik. Më tërheq shumë pastërtia dhe thjeshtësia e punëve te tij. Konceptimi i hapësirës si elemente të vazhdueshme që të gjitha bashkë duhet të krijojnë një rrjedhshmëri të natyrshme midis tyre, përdorimi i ventilimit natyror për ta bërë godinën sa më autosuficente si dhe thjeshtësia e elementëve të fasadës dhe interierit që ai përdor, më kanë tërhequr në punët e këtij arkitekti.

 Një përkufizim për dashurinë.

Pasion, mirëkuptim dhe besim midis dy individëve

Jeni supersticioze?

Jo. Supersticioni më duket thjesht një mënyrë e njerëzve për të justifikuar veprimet që ato bëjnë (pozitive apo negative) duke qenë se shpeshherë nuk dinë t’i japin shpjegimet përkatëse.
Përgjithësisht kam vënë re se personat supersticiozë janë ata, të cilët nuk kanë një karakter të fortë dhe i justifikojnë veprimet e tyre si supersticione.

 Marrëdhëniet tuaja me ushqimin?

Ah, kjo është një pikë shumë e rëndësishme për mua (qesh). Unë jam shumë e apasionuar pas ushqimit. Më shijon shumë e ngrëna sidomos e prodhimeve të detit dhe e ëmbëlsirave, e shoqëruar me një gotë verë. Përgjithësisht jam një person, të cilit çfarëdo lloj gjëje t’i shtrosh në tavolinë do ta haj me kënaqësi. Më tërheqin shumë ushqimet karakteristike të vendeve, në varësi të vendeve ku kam udhëtuar, pasi vetë ushqimi më ndihmon të kuptoj mentalitetin e vendit përkatës.

Po me kuzhinën?

Me kuzhinën nuk i kam marrëdhëniet shumë të mira, pasi më pëlqen më shumë të haj se sa të gatuaj. Gatimin e bëj rrallë kjo dhe si pasojë e orëve të punës.

 Kuzhina juaj e preferuar?

Kuzhina italiane, pasi është një kuzhinë e pasur si nga ana e produkteve dhe nga ana e pijeve me të cilat shoqëron ushqimin.

Cilët janë problemet pikante të femrës shqiptare sot?

Problemet e femrës shqiptare, sot, mendoj se janë të shumta.  Pavarësisht se në Tiranë, situata ka ndryshuar, kam vënë re se në rrethet e Shqipërisë, femra vazhdon të sundohet nga patriarku. Duke mos pasur pavarësi ekonomike, duke u perceptuar gjithmonë si një person, i cili duhet të merret me përkujdesjen e familjes (të rris fëmijët, të gatuaj etj), femra bëhet pjesë e një shoqërie, e cila e ka vendosur paraprakisht mënyrën e saj të jetesës. Megjithatë kjo gjë po ndryshon. Po vihet re në politikë, ku edhe në Shqipëri kuotat rozë po rriten, ashtu sikurse në sektorin privat ku duket që femrat gjithnjë e më shumë po zënë vende drejtuese. Pavarësisht gjërave që përmenda më sipër, një problem kryesor i femrës shqiptare në shoqëri është Dhuna ndaj saj. Kjo pjesë përmendet shumë pak dhe mendoj se duhet ngritur shpesh si problematikë.
Jemi në shekullin e 21-të dhe ende ka femra që keqtrajtohen nga partneri i tyre. Femra të cilat mbajnë familjet dhe rrisin fëmijët e tyre pa kërkuar gjë mbrapsht, e ndërkohë duhet të durojnë në heshtje edhe dhunën e burrave. Është një problem shumë pikant dhe që duhet përmendur shpesh për të sensibilizuar femrat shqiptare kudo që janë. Femra shqiptare duhet të kuptojë që nuk është pronë e askujt dhe nuk meriton asnjë lloj keqtrajtimi (psikologjik apo fizik) nga cilido qoftë. Ajo duhet të gjej kurajon të kërkoj ndihmën përkatëse dhe të mos e marrë dhunën si një turp për familjen e saj, duke e mbajtur kokën ulur.

Ç’mendim keni për bashkëjetesën?

Mendoj se bashkëjetesa është mënyra më e mirë për të njohur një person, aq më tepër atë që ke në krah. Bashkëjetesa të bënë të njohësh një person në të gjitha ngjyrat e tij, duke të mësuar si të bësh kompromise nëse ia vlen apo si të ndash të përditshmen me një person tjetër.
Gjithmonë, bashkëjetesën e kam parë si një gjë shumë pozitive për të vlerësuar të ardhmen e mundshme me një person, pasi të ndihmon të kuptosh më mirë nëse një person ia vlen apo jo të ndajë të përditshmen me ty. Ndodh shpesh që kujtojmë se i njohim njerëzit që kemi rreth nesh duke shkuar një javë me pushime, apo duke pirë nga një kafe në ditë, por kjo nuk e përkufizon një person. Është e përditshmja, që kur personi tjetër hap sytë, mënyra se si jeton ditën, e deri sa i mbyll sytë, që të bën ta njohësh vërtetë atë dhe këtë mundësi e ofron më së miri bashkëjetesa.