Linda Kazhani: Jam mrekulluar nga publiku shqiptar, u befasova nga duartrokitjet

904
Në shfaqjen “Rigoleto” e shfaqur ditët e fundit në TKOB. Linda vjen për herë të parë në TKOB me rolin e Xhildës. Ishte një rol, që ajo e përcolli në mënyrën më të bukur, më profesionale, ku pas përfundimit të saj, gjithë publiku e duartrokiti për minuta të tëra. Duhet thënë se kjo ishte një ndër shfaqjet e rralla, ku spektatori kishte mbushur gjithë sallën e bukur të TKOB. Në këtë shfaqje, Linda ishte origjinale, emocionale dhe tepër virtuoze. Ajo e justifikoi tërësisht besimin që i ishte dhënë në këtë rol dhe në këtë sallë, që ajo priste me mall të shprehte talentin.
Në “Rigoleto” e shfaqur në TKOB ju në rolin e Xhildës, shpalosët një anë të veçantë të repertorit tuaj, çfarë mund të më thoni për këtë rol, impresionet, emocionet tuaja në skenën shqiptare, duke pasur parasysh se keni vite të tëra në Austri?
Në këndvështrimin tim si soprano, roli im (i Xhlidës) ishte një rol i veçantë, pasi ai ka veçori tepër specifike si vokale po ashtu dhe dramaturgjike. Jam shumë, shumë e lumtur që munda të jap maksimumin dhe të emocionoj publikun, si dhe të gjithë trupën në këtë interpretim që mbetet shumë i veçantë në jetën time. Një rol, që më dha tjetër emocion në vendin tim.
Besoj se nuk është hera e parë që e interpretoni Xhildën?
Jo, e kam interpretuar prej shumë vitesh. Interpretimin e parë e kam bërë në Udine në Itali dhe më pas e kam interpretuar në disa skena dhe me kolegë të ndryshëm. E kam kënduar këtë personazh edhe në Torino.
Cilat janë rolet që të kanë dhënë më shumë emocione?
Rolet që më kanë dhënë emocione janë Moxartjane, që i kam shumë për zemër dhe rolet Verdiane. Në “Mbretëreshën e Natës” kam realizuar disa produksione jo vetëm me vështirësi vokale, por edhe emocionale. Unë jam nënë dhe interpretimin e parë me “Mbretëreshën e Natës” e kam bërë kur kam qenë shtatzënë me djalin. Edhe sot e kësaj dite i them djalit që e kemi kënduar bashkë “Mbretëreshën e Natës” ku janë rreth 17 shfaqje (vitit 2002). Këto janë emocione sa personale po aq dhe artistike. Më vonë këtë rol e kam realizuar edhe në shumë produksione të tjera. Po ashtu rolet Verdiane si “Traviata”, Xhilda dhe rolet si Adina, Luçias, Anna Bolena, kanë mbetur tek unë të pashlyeshme. Më kanë dhënë kënaqësi aktoriale në skenë. Roli Luçia, janë role të realizuara me një intensitet psikologjik, që arrin deri në çmendurinë e Luçias. Çmenduria e Luçias është një nga skenat më të forta psikologjike dhe vokale. Këto role më kanë impresionuar dhe më kanë dhënë fuqi edhe si njeri por edhe si artiste.
Kur flitet për artin, a mendoni se shkolla shqiptare e këngëtarëve lirikë është e niveleve europiane?
Unë mendoj se shkolla jonë është shumë e denjë dhe kjo shkollë mund të konkurrojë në të gjithë botën. Ne jemi shumë këngëtarë lirikë, që këndojmë jashtë me shumë sukses dhe n.q.s. nuk do të kishim këtë shkollë nuk do të kishim këto rezultate. Universiteti Çajkovski i Moskës, ku kanë studiuat pedagogët tanë janë me famë edhe sot në botë. P.sh pedagogia ime Hamide Stringa, që ka studiuar aty na ka mësuar në mënyrën më të bukur profesionale. Në studimet në këtë Universitet pedagogët tanë formuan shkollën tonë të muzikës që vunë bazën, themelet, e metodikës së këngëtarëve, jo vetëm atyre lirik por në të gjitha drejtimet. N.q.s nuk do të kishim këta pedagogë që na u përkushtuan deri në detaj, bota e artit në Europë dhe në botë nuk do të na i kishte hapur dyert.
Sot ne kemi vetëm një Teatër Opere, në qoftë se do ishe në Shqipëri, do ta ndjeje mungesën e një opere të dytë apo të tretë?
Në Austri, Spanjë, Gjermani, Slloveni, Itali, Hungari ku unë kam kënduar ka dy kategori operash. Ka teatro A që quhen teatrot nacional dhe Teatro B që quhen teatro komunal. TKOB është teatër nacional dhe duhet të jetë i këtij niveli, si artistik dhe administrativ. Fakti që kemi një teatër nuk është mangësi, por është detyrimi ynë që ti përkushtohemi, detyrohemi këtij teatri, të rrisim cilësinë, profesionalizmin. Pra është një teatër, por që kërkon këngëtarë dhe pret risi.

Kur fillon hyrja, debutimi juaj si profesioniste në skenat botërore?
Unë isha studente dhe po kryeja një Master Klas në Austri, në vitin 1994, kur isha vetëm 20 vjeç, luajta rolin e parë timin në këtë vend. Isha në vitin e dytë të Institutit të Lartë të Arteve dhe arrita një sukses që për moshën pak veta mund ta arrijnë. Gjë që solli mbarimin e shkollës me medalje të artë, pasi i nxora të gjitha 10-ta. Absolute në diplomë. Në marrjen e diplomës realizova një koncert diplome me orkestrën e Radios, tepër prestigjioze që në atë kohë drejtohej nga Ferdinand Deda. Ky koncert ishte shumë mbresëlënës dhe i vlerësuar nga të gjithë pedagogët, por nuk bëri atë bujë, pasi përkon me vitin e mbrapshtë 1996, kur në Shqipëri filluan trazirat. Pra njerëzit në atë kohë nuk e kishin mendjen tek muzika, kënga lirike. Ndaj u detyrova të largohem nga Shqipëria, pasi nuk gjeta vendin e duhur në muzikë, në profesion (jo veten). Nuk pata mundësinë të gjej vend në TKOB dhe u detyrova të studioja jashtë vendit në Gjermani për master.
A ke ndjerë shenja racizmi në Austri si shqiptare?
Racizëm? Mos e fol. Nuk e kuptoj, se si njerëzit mund të flasin për racizëm në marrëdhënie me njerëzit intelektualë në Europë. Nuk e di, ndoshta se unë kam punuar dhe jetuar me njerëz intelektualë, me njerëz të artit, me njerëz me kulturë që vlerësojnë artin, njeriun e punës, etj. Di, se kudo ku kam shkuar, më kanë respektuar për punën, për seriozitetin, për zërin. Dhe pse unë kam pasaportë austriake, kudo paraqitem si shqiptare dhe fëmijët e mi dinë shumë mirë shqip. Edhe bashkëshorti im është shqiptar dhe është po kaq i dashuruar me vendin e tij. Në mes kolegëve shkëmbejmë kulturat, të veçantat e vendeve tona, madje shumë prej tyre vijnë dhe kalojnë pushimet në Shqipëri, pasi u pëlqen klima, bukuria natyrore. Mua më mungon vendi im dhe tashmë jam mysafire. Vij me mall, shikoj çdo gjë për zhvillimet dhe vlerësoj z. Ilir Kerni që më ftoi të marr pjesë në një shfaqje të tillë, ku jam befasuar që salla ishte plot dhe duartrokitjet ishin të shumta.
Në takimet që keni marrë, me sa dëgjoni apo shikoni tek të afërmit tuaj, femra në Shqipëri a ndihet e vlerësuar?
Unë jam shikuese e jashtme në Shqipëri. Pa dashur të kritikoj, pa dashur të mohoj zhvillimet, por deri dje femra shqiptare mund të fitonte me shumë forcë çfarë i takon dhe çfarë i duhet sipas aftësisë. Të arrijë diçka asaj i duhet të jetë shumë e “ashpër” dhe të punojë shumë e sforcuar. Në një shoqëri të ekuilibruar femra duhet të jetë një zë më i fortë dhe duhet të kërkojë më shumë. Por ajo që vë re është se këtu flitet shumë pak për artin. Arti thuajse është i nënvleftësuar dhe kërkohet të dalë në pah pa e parë, pa e zhbiruar, por në mënyrë indirekte, apriori. Pra arti nuk ka atë vlerë që i duhet, që i takon dhe që pasqyron kulturën virtytet dhe cilësitë e veçanta të një kombi.
Cila është mangësia më e madhe e artit, kryesisht në gjininë e operës dhe këngëtarëve lirikë?
Nuk ka kritikë të mirëfilltë. Ndoshta nuk janë të përgatitur gazetarë të tillë. Pa kritikë të specializuar, arti nuk përparon në mënyrë korrekte, normale dhe me hapin e kohës. Kjo është një ndër detyrat e arit shqiptar (mendimi im)
Sigal