Kozeta Kurti: Arma më e fortë e femrës është se ka në dorë vazhdimësinë e jetës

684
Sigal

INTERVISTA/ Flet gazetarja dhe përkthyesja Kozeta Kurti: Gazetarë janë ata që shkelin troje të pashkelura

Një gazetare tepër korrekte, por dhe një përkthyese me pretendime.  Përkthimi i librit “Vajzat e mira nuk marrin zyrën në qoshe”, të Lois Frankel shënoi një hap të ri në jetën e saj. Është një ndër gazetaret e pakompromentuara, e gjallë, aktive dhe në kërkim të së resë.

Ju këto ditë keni nxjerr në treg përkthimin e librit të Lois Frankel “Vajzat e mira nuk marrin zyrën në qoshe”. Çfarë përmban ky libër?

 Këtë libër nuk e nxora e vetme sepse askush nuk mund ta bëjë, por erdhi si pasojë e besimit që drejtuesit e shtëpisë botuese OMBRA GVG patën tek unë. Libri përmban 101 gabime që bëjnë femrat gjatë përpjekjes për t’u rritur profesionalisht. Për çdo gabim ka shembuj e për çdo shembull ka disa këshilla. Nuk është një manual, ose të paktën unë nuk dua ta shihni si të tillë, sepse autorja nuk e trajton kështu, pasi ajo shpjegon që nëse mirëfunksionon me një metodë tjetër, bëjeni, por më vonë mos u ankoni pse keni mbetur në vend.

   –Pse e more këtë iniciativë për përkthim, dëshirë, sfidë, apo ndjesi e brendshme?

 Së pari, nuk kam thënë “PO” menjëherë. E lexova librin për t’u familjarizuar me të, më pëlqeu sepse më bëri të njoh veten, të mirat dhe gabimet e mia, si edhe të personave që më ka lidhur apo më lidh puna ime e përditshme kudo ku kam angazhime. Më pas duhet të jepja një provë që mund t’i jepja jetë me një shqipe të pranueshme. Përktheva kapitullin e parë, më aprovuan botuesit dhe vazhdova. Pra me pak fjalë, kjo iniciativë m’u propozua dhe unë, pasi kalova provat që unë vetë i vura vetes, e çova deri në fund. Më shumë se sa sfidë, ishte një ndjesi e brendshme për t’u shërbyer vajzave dhe grave të tjera. Nëse nuk do isha unë, do ishte dikush tjetër, por pse të mos isha unë? (qesh). Këtu hyjmë tek sfida pastaj.

   Sa kohë të mori ky libër dhe cila ishte pjesa më e vështirë? A ka qenë ndonjë moment që keni pasur dëshirë ta lini në mes?

 Ky libër më mori dy muaj kohë, pasi gjatë kohës që u mora me të, nuk kisha asgjë tjetër për të bërë, përveç detyrimeve të mia akademike. Pra, një kohë e jetuar veç mbi libra. Momentet e vështira gjatë përkthimit janë ato kur të duhet t’u japësh kuptim në shqip shprehjeve frazeologjike, por besoj që aftësia në të shkruar më ka ndihmuar mjaft në këtë drejtim. Mendoj se librin nuk ma besuan si njohëse të gjuhës angleze, por si njohëse e mirë e gjuhës shqipe. Kurrë nuk më ka shkuar ndërmend ta lë në mes, e para sepse më përpiu që në fillim dhe e dyta, hyj tek njerëzit që po mori përsipër diçka, do ta çojë patjetër deri në fund.

 Sot Shqipëria vuan për përkthyes, mendoni se do të hyni në plejadën e përkthyesve të suksesshëm?

 Plejadë është fjalë e madhe dhe nuk e kam për modesti këtë, por e gjitha varet edhe nga investimi që njeriu i bën vetes në këtë fushë. Mua po më shijon, sepse aktualisht kam një tjetër libër po të Ombra GVG, këtë radhë nga një psikologe kliniste mbi marrëdhëniet që krijojmë me njerëzit që humbasim. Duket si teologji, po në fakt është e gjitha filozofi dhe stil jetese. Pra, kjo fushë po më tërheq, por nëse do të merrem vetëm me këtë në të ardhmen, mbetet për më vonë.

  Të qënit moderatore e një emisioni të suksesshëm të mëngjesit në Ora News sa të ka ndihmuar në këtë libër?

 Më ka ndihmuar libri për emisionin. Kam mësuar si të prezantohem tek të tjerët në mënyrën e duhur, si duhet t’i kërkoj ca gjëra që më parë i konsideroja të parëndësishme, si duhet t’i ndihmoj ata që punojnë me mua e të tjera detaje.

  Të jesh gazetare, pra femër në gazetari, a është më e vështirë se sa një mashkull?

 Së pari, ndërtohet pyetja: sa gazetarë dhe gazetare janë ata që prezantohen si të tillë? Gazetarë e quajnë veten edhe ata që merren tërë ditën me biografinë e Britney Spears….por gazetarë janë edhe ata që vendosin përditë mikrofonat në podet e konferencave për shtyp. Për mua, gazetarë janë ca të tjerë; janë ata që shkelin troje të pashkelura, janë ata që zbulojnë dokumente të rëndësishme, janë ata që investigojnë raste dhe fenomene abuzive, janë ata që bëjnë analiza, janë ata që parashikojnë se ç’mund të ndodhë në të ardhmen e afërt apo të largët të realitetit politik etj., etj.. Në këtë kuptim, për një femër është më e vështirë, jo për kurajon apo potencialin intelektual, por për kohën që duhet të shpenzojë, ndërkohë që, duhet të merret edhe me familjen apo detaje të tjera. Gazetari të tillë shumë pak kolegë bëjnë dhe ata, aq pak sa janë, i ndjek me admirim.

  Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

Arma më e fortë? A ka armë më të fortë se të kesh në dorë vazhdimësinë e jetës? Meshkujt me siguri do thonë, as këtë femrat nuk e bëjnë vetëm, por krijesa e re rritet në trupin e tyre dhe të mos i hyjmë këtyre detajeve, kush e ka më të thjeshtë e kush e ka më të vështirë. Ajo të lind, të rrit, të edukon dhe është ka përgjegjësinë kryesore në stabilitetin brenda familjes. Është katalizator. Kur e bën këtë rol mirë në familje, mund ta bëjë po kaq mirë edhe në një komunitet më të madh, siç mund të jetë puna apo organizime të tjera, ndaj edhe bëhen përpjekje të vazhdueshme për t’i dhënë e për t’i garantuar liri.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

 Nuk respektohet, nuk vlerësohet, nuk mbështetet, shtypet, përdoret, shihet si objekt, por duhet të thënë se ky nuk është vetëm problem i mjedisit që i rrethon, por edhe i vetë atyre. Femrat nuk pranojnë njëra- tjetrën, femrat pranojnë të bëjnë kompromise që ju vënë në dyshim dinjitetin dhe këtu po flas për femrat që kanë një lloj pushteti social apo ekonomik, se nëse do dalim në rrethina, aty ku mungon arsimimi i duhur, pavarësia ekonomike, problemet janë jetike, që nga shfrytëzimi e deri tek frika për jetën.

 Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

Kudo, që në familje, edhe pse më pak se në familjet e mëdha tradicionale, por edhe në tryeza, ku nuk lejojnë një femër të paguajë, jo për xhentilesë, por se “ka meshkuj këtu” dhe më pas në rolet drejtuese, ku janë më të favorizuar. Ky nuk është një problem shqiptar, por një problem global, sepse edhe në librin që po flasim, autorja flet për 1200 kompani të mëdha në SHBA, ku vetëm 11 prej tyre kanë drejtuese kryesore gra.

 Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

 Mua më pëlqen që bëj një profesion që më jep mundësinë të njoh shumë njerëz. Nëse nuk do të kisha bërë këtë, është e sigurt që profesioni im tjetër nuk mund të ishte një profesion që të mbyll vetëm, tetë orë në një zyrë, por një tjetër ku do të takoja shumë njerëz…mund të isha bërë mësuese, punonjëse sociale…

 Një përkufizim për dashurinë?

 Ndjenja më sublime në botë që të bën të jesh edhe vetë më pozitiv/e, që ndryshon sipas ndryshimit të prioriteteve, por që mbetet e njëjta në respekt dhe mbështetje.

Marrëdhëniet me pijet alkoolike dhe duhanin?

 Këto marrëdhënie çdo njeri ose nuk i ka fare, ose nuk i ka të mira. Rrugë të mesme nuk ka. Unë nuk abuzoj as me njërën.