Kontributi i femrave shqiptare në 100 vjet Pavarësi

935
Sigal

Tashmë është pranuar gjerësisht roli vendimtar, që kanë pasur femrat në rrjedhën e ngjarjeve historike që kanë ndodhur në Shqipëri. Në këtë  rubrikë do të përmendim vetëm tre prej tyre, të cilat kanë pasur rol të madh dhe kanë kontribuar me rolin e tyre në fusha të ndryshme si, Mine Peza, Shote Galica dhe Vaçe Zela.

– Mine Peza lindi në 1875 njihet si gruaja e pare dëshmore e Luftës ANÇ. Mori pjesë dhe vdiq në demonstratën e parë të organizuar para dyerve të burgut të Tiranës më 17 .09 19 42 ku u plagos dhe vdiq.

-Shote Galica, (1895 – 1927) ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austro-hungarezë e bullgarë. Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive intervencionistë serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e shovinistëve serbë 22 anëtarë të familjes.

-Vaçe Zela, “Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigandja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj te pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet “Zëri i Jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare duke u bërë idhulli i shumë brezave. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jeton në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.