Juljana Sokoli: Arma më e fortë e femrës në jetë, inteligjenca dhe vetëbesimi

1106
Sigal

PERSONAZH/ Flet pedagogia dhe përkthyesja Juljana Sokoli

Përkthyese dhe pedagoge, dy profesione sa të ngjashme po aq dhe të ndryshëm. Në morinë e përkthimeve të sotme, është vështirë të zgjedhësh librin e duhur, por edhe të përcaktosh përkthimin më të mirë. Juliana është një ndër përkthyeset, që asnjëherë për interes të fitimit, nuk hedh hapin e nxituar për përkthim  interesi për të lënë mënjanë profesionalizmin. Sipas saj, një përkthyes duhet t’i qëndrojë besnik tekstit origjinal dhe kjo është e padiskutueshme, por kuptimi dhe përcjellja e mesazhit  të teksteve të ndryshme kërkon qe një përkthyes të jetë nga pak njohës i të tëra fushave që përkthen. Ndërsa të qenit pedagoge ajo e përcakton. “Mësimdhënia është një përgjegjësi shumë e madhe, por që të jep një kënaqësi të papërshkrueshme”.

  Përkthimi, një profesion i vështirë, cili është libri i parë që keni përkthyer dhe a ka treg në Shqipëri për përkthimet?

 Pikë së pari ju falënderoj për këtë interviste. Ashtu si çdo fushë tjetër, edhe përkthimi ka vështirësitë e veta, sidomos në Shqipëri ku tregu i përkthimit ka probleme të mëdha përsa i përket raportit çmim-cilësi. Sigurisht që, në Shqipëri ka përkthyes mjaft të mirë, por problematike mbetet përkthimi i veprave letrare.

 -Përkthimi është krijim, është art, a mendoni se një përkthyese duhet të jetë paksa dhe krijuese, pra poete, shkrimtare apo gazetare?

 Një përkthyes duhet t’i qëndrojë besnik tekstit origjinal, dhe kjo është e padiskutueshme, por kuptimi dhe përcjellja e mesazhit  të teksteve të ndryshme kërkon qe një përkthyes të jetë nga pak njohës i të tëra fushave që përkthen. Unë personalisht mendoj së një përkthyes i veprës letrare duhet të ketë patjetër një prirje shkrimtari, të ketë njohuri të përgjithshme të një niveli të lartë dhe një përvojë të gjerë në fushën e përkthimit. Është shume e trishtueshme kur lexon një libër të përkthyer keq. Për mua është një tradhti ndaj autorit të veprës origjinale.

 -Ku ndiheni më mirë në përkthim në prozë, poezi, apo publicistikë?

 Unë kam studiuar në degën e Përkthimit dhe jam Diplomuar si përkthyese dhe Interprete e gjuhës angleze pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Jam marrë me përkthime më herët, pasi e kisha pasion. Gjatë punës time si përkthyese jam marrë me tekste të ndryshme si raporte, studime shkencore dhe akademike, konferenca dhe takime kombëtare dhe ndërkombëtare. Sidoqoftë, unë mendoj se një përkthyes i mirë nuk mund të jetë i përsosur në të gjitha fushat, prandaj unë personalisht jam ndalur në këto fusha.

 – A ka sot degë studimi enkas për përkthime të krijimtarisë letrare në USHT?

 Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës, nëpërmjet programit të lëndëve, u jep mundësinë studentëve të përmirësojnë dijet e tyre dhe për këtë stafi i pedagogëve përpiqet maksimalisht t’u jap atyre përvojën e tyre si përkthyes, njohës te gjuhës, si mësues dhe profesionistë. Nuk do të tregohesha e sinqertë po të mos thoja se ky është fillimi i punës pasi pjesa tjetër i përket secilit dhe se dijet e një përkthyesi nuk mund të kufizohen vetëm në shkollë. Puna e një përkthyesi nuk mbaron asnjëherë. Një përkthim i ri, do të thotë një fushë e re, një sfidë tjetër.

 –Ju jeni dhe pedagoge e jashtme, ku qëndron lidhja mes të të qënit përkthyese dhe pedagoge, po ndryshimet, ku janë?

 Qëkurse mbarova Fakultetin kam dhënë mësim si pedagoge e jashtme, në një nga Universitetet e Tiranës. Mësimdhënia është një përgjegjësi shumë e madhe por që të jep një kënaqësi të papërshkrueshme. Lidhja e të qënit edhe pedagoge edhe përkthyese ka të bëj me artin do ta quaja unë të komunikimit. Ndryshimi ndoshta qëndron në faktin se si pedagoge jap më shumë nga vetja dhe përpiqem të përcjell tek studentët ato dije dhe përvojë që unë kam, ndërsa si përkthyese jam e ftohtë dhe i përmbahem gjithmonë më besnikëri mesazhit origjinal.

 -Si do ta cilësonit mitmarrjen në disa raste nga ana e pedagogëve?

 Mitmarrja është një dukuri negative në çdo fushë veprimi, por ne këtë rast unë mendoj se ka dhe një problem social që lidhet me faktin se jo vetëm te rinjtë mendojnë se dijen mund ta blesh me para, por këta të rinj edukohen që në moshë te re të marrin diçka të pa merituar dhe ky pastaj është një zinxhir që vazhdon gjithë jetën dhe ka pasoja në te gjithë shoqërinë si dhe në të ardhmen e tyre.

  – Tekstet shkollore në UT, për degën e gjuhëve të huaja a janë të niveleve Europiane?

 Departamenti i Gjuhës Angleze ka bashkëpunuar gjithmonë ngushtë me Këshillin Britanik këtu në Tiranë, qoftë në ndihmën për të pasuruar bibliotekën e departamentit, por edhe duke kryer vizita shkëmbimi për të krahasuar pikërisht kurrikulat. Departamenti i Gjuhës Angleze ka pasur si për qëllim që një prej lëndëve në program të jepej nga pedagogëve të huaj. Kjo është një gjë shumë e mirë për studentin, i cili ka mundësi të përfitojë si nga pikëpamja akademike, ashtu, edhe kulturore. Në këtë kuadër mendoj se e gjithë paketa që ofrohet nga departamenti i gjuhëve të huaja është i niveleve europiane.

 – Sot, kërkesa nga pedagogët në UT, a është korrekte,  po studentët a kanë krijuar në vetvete përgjegjshmërinë për të qenë të rregullt dhe të disiplinuar në leksione?

 Raporti pedagog-student ka ndryshuar sot, duke bërë që studentët të jenë më ndërveprues gjatë orës së mësimit. Kjo gjithëpërfshirje, mendoj, ka zëvendësuar modelin e vjetër, ku pedagogu fliste dhe studenti mbante vetëm shënime. Rol shumë të rëndësishëm kanë luajtur universitetet private, pasi ato sollën një model të ri mësimdhënie më në qendër studentin.

  -Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Inteligjenca dhe vetëbesimi.

 -Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

 Është bërë zakon që kur flitet për femrat ose problematika të ndryshme, të merret parasysh vetëm kryeqyteti, ku për hir të së vërtetës duket sikur problemet e femrave  janë shumë pak. Në rast se do të flasim për femrat jashtë kryeqytetit, atëherë do të dilnin në pah një sërë problemesh siç është punësimi i ulët, pabarazia gjinore dhe sidomos dhuna në familje, qoftë fizike apo mendore.

 -Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

 Shoqëria shqiptare ka kaluar një sërë etapash këto dekada dhe sigurisht që është përmirësuar, sikundër vazhdon të ketë problematika të ndryshme në përballje me ritme kaq të shpejta ndryshimi. Maskilizmi shqiptar i ka rrënjët shume te thella, dhe kjo vihet re edhe sot edhe tek brezi i ri. Modeli në familje nuk ka ndryshuar ende, paragjykimi vazhdon të jetë shumë i pabarabartë dhe shumë i madh kundër femrave sesa meshkujve. Unë mendoj që ka ende shumë punë për të bërë.

 -Qeveria “Rama”, a ka krijuar hapësirat për femrat?

 Është e vërtetë që numri i femrave në politikën shqiptare është rritur gjatë viteve. Vendimmarrja në raportin meshkuj-femra është përmirësuar ndjeshëm. Mendoj që, ky ka qenë në fokus të çdo qeverisje. Është e vërtetë që roli i femrës në politikë është sot më i dukshëm dhe në ato poste politike si p.sh Ministria e Mbrojtjes, që drejtohet nga një femër. Sidoqoftë, mezi pres të kemi një kryeministre femër.

 Albert Z. ZHOLI