Jovan Jano:Aktorja greke Irenë Papas i tha Margaritës: “Po çuditem që qenke më e bukur se unë”

1944
Sigal

INTERVISTË/ Flet shkrimtari dhe publicisti Jovan Jano: Nëse ka një Ofeli në artin shqiptar ajo është Margarita Xhepa

Jovan Jano është një shkrimtar dhe publicist i njohur për librat dhe përkthimet e tij të veçanta. Por ai ka gjithashtu lidhje familjare e fisnore me aktoren Margarita Xhepa. Për këtë arsye ne i shkëputëm atij disa mbresa e mendime për figurën dhe artin e saj të madh, duke i kërkuar edhe sekretin e talentit dhe bukurisë së kësaj gruaje fisnike.

 Zoti Jano, si e keni njohur aktoren Margarita Xhepa?

Margarita Xhepa (Prifti) ka një jetë të tërë në dispozicion të skenës së teatrit dhe të shesh-xhirimeve të filmave. Jeta e saj kaloi nëpërmjet kohës së mjerimit, të ëndrrave dhe zhgënjimeve të mëdha. Jeta ka një mijë mënyra për t’u jetuar. Të gjesh më të mirën ndër këto, ky është misteri i saj. Dhe Margarita gjeti rrugën e bukur e të vështirë të artit. Mendojmë se asgjë nuk është kaq rastësi sa thuhet në këtë botë, çdo njeri i ngjizur, përtej fatit e rrethanave priret të përmbushë një “mision” në jetë, “mision” mbase i pamundur për shumëkënd, por i realizueshëm për disa. Mjafton vetëm dëshira e zjarrtë, vullneti i hekurt dhe i gjithë Universi do të “komplotojë” në favorin tënd, që ëndrra të kthehet në realitet.

 Cili është mjedisi ku u rrit Margarita Xhepa?

Margarita ishte 8 vjeçe kur nëna e saj biologjike, u nda nga jeta, duke lënë pas katër fëmijë: një djalë, Josifin dhe tre vajza: Margaritën, Tikën dhe Anastasinë e vogël. Gjyshet dhe nënat tona kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e këtyre fëmijëve që asnjëherë nuk e ndjen veten jetim. Ato i donte shumë nënë Vija, halla ime, me të cilën u martua xha Zoi, babai i Margaritës. Vazhdimisht, Margarita e kujton me shumë nostalgji atë, sepse gjeti dashurinë dhe ngrohtësinë e nënës së vërtetë. Hallës tonë, i qe vrarë bashkëshorti gjatë luftës dhe pasi ndenji nja dy vjet, tek vëllezërit e saj në Libofshë, u martua me babain e Margaritës, të cilit i gjeti katër fëmijë dhe i solli tre me vete. Dhe lindi edhe tre të tjerë. Nuk ishte e lehtë të përballoje dhjetë fëmijë. Ata u rritën në një varfëri dinjitoze, mes ledhatimeve dhe jetës gazmore që krijonin xha Zoi me nënë Vijën. Asnjëherë Margarita dhe motrat e saj nuk e përmendnin fjalën “njerkë”. Mund të themi pa ndrojtje se ajo është shëmbëlltyrë e largët e gjysheve, tetove dhe nenave tona zëmjalta që me fjalët e tyre zbusnin peizazhin e vrazhdë patriarkal të mjedisit shqiptar. Margarita gëzon një respekt të veçantë tek njerëzit e familjes tonë e të mbarë fisit. Ajo u rrit dhe u edukua në familjen tonë dhe ishte së bashku me motrat e saja më e “privilegjuara” sepse ishte e dashur, e qeshur dhe shumë e përzemërt. Të tilla ishin edhe gjyshet, prindërit, nënat, tetot dhe kushërirat tona. Bukuria e saj dhe e motrave, e lindur, talenti i shprehur në një moshë të njomë, mjedisi ku ajo u rrit, në Lushnjë dhe në familjen e Janove, në Libofshë; gjyshet dhe nënat tona, fshati, kopshti me gjithfarë pemësh frutorë; pyjet, lumi, njerëzit, cicërimat e zogjve, blegërimat e deleve, festat kishtare dhe mbase pak fat, u gërshetuan për të na dhënë aktoren, një nga obeliskët më të mirë e më të bukur të skenës dhe ekranit, Margarita Xhepën.

 Kur spikati talenti i saj artistik dhe kush influencoi atje në Myzeqenë e shkatërruar nga lufta?

 Bëre mirë që ma drejtove këtë pyetje. Vitet e hershme të fëmijërisë së Margaritës përkojnë me një periudhë kur në qytetin e Lushnjës dhe të fshatrave të saj kambanat e kishës binin 3-4 herë në ditë, gjë që do të thotë se vdisnin shumë njerëz. Tuberkulozi dhe malarja bënin kërdinë. Edhe sot, po të pyesësh të moshuarit, ata thonë se në Myzeqe, njerëzit ndaheshin: në të varfër, të mjeruar dhe gjorçinare, (të gjorët), pra shkalla më e ulët e mjerimit. Vetëm në Stanin e Bobos, brenda një jave kanë vdekur nëntë vetë. Ky fakt, nuk duhet harruar. Por manushaqet dhe të gjitha llojet e luleve gjenin terren dhe mjedis për të shpërthyer dhe lulëzuar. Kështu ndodhi edhe me Margaritën. Që në moshën e fëmijërisë së hershme, spikati tek ajo dëshira për të recituar, për të lexuar vargje, nga Naim Frashëri, Mjeda, Migjeni dhe Lasgush Poradeci. Recitonte ajo në shkollë, ku dallohej nga fëmijët e tjerë, në lagjen e vet, në Lushnjë, ku thurte ëndrrat e veta, me shoqet e saja, Ferial Alibali, apo me vajzat e respektuara të familjes Fuga, që i kujton me nostalgji, për bujarinë e tyre, kur loznin në atë kalldrëmin e rrugës së lagjes, tek Kroi i Krakullit dhe sidomos në fshatin tonë, në Libofshë, kur vinte për pushimet e verës. Ajo pati tërhequr vëmendjen e artistëve të talentuar vendas, si Ilia Shyti, Kristaq Dhamo, Vangjel Myzeqari, etj.. Ju kujtoj se Myzeqeja është trevë artistësh. Këtu ka dalë zëri më i bukur dhe më i paarritshëm deri sot, në Shqipëri, Vaçe Zela. Po ashtu kanë dalë njerëz të shquar të letrave si Jakov Xoxa, Nasho Jorgaqi, Vath Korreshi, Faslli Haliti, etj..

 Kur e vuri këmbën Margarita Xhepa, në teatër dhe ç’role iu besuan?

Ajo hyri në teatër kur ishte filiz i njomë dhe u rrit me veprat shekspiriane, interpretoi tragjeditë polidimensionale, që ishin të mbështetura në antikitetin e lashtë. Kontribuoi në art, duke u përballur me lloj – lloj mendësish patriarkale. Në moshën e rinisë së hershme, Margarita, duke spikatur me sharmin e saj rinor, që rrezatonte mirësi dhe me talentin e saj tërhoqi vëmendjen e artistëve më të rritur e më të shquar të kohës dhe vazhdoi jetën artistike nga Lushnja në Tiranë, ku pas një pune këmbëngulëse dhe falë talentit të saj, do të kthehej jo shumë vonë, në një ikonë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Sharmi i saj është sinonim i fisnikërisë, i bukurisë dhe inteligjencës së femrës shqiptare. Jo shpesh, qëndrojnë kaq hijshëm këto tipare njerëzore, se sa tek Margarita. Statura e saj artistike i jep nder kombit tonë. Ajo është një qytetare  dinjitoze shumë e mirë, sa edhe një nënë me cilësi të mrekullueshme. Ajo së bashku me bashkëshortin e saj, të ndjerin, artistin dhe aktorin Xhavit Xhepa, lindën dhe edukuan tre djem, të cilët spikasin me punën e tyre në shërbim të detyrës, që kanë. Është i shquar për talentin e tij, një nga bijtë e saj, Ndriçim Xhepa, një ndër aktorët më në zë të brezit të vet. Margarita është shumë e komunikueshme, e papërtuar dhe e thjeshtë. Pallatet e Kulturës së Fierit dhe Lushnjës, kushedi sa herë janë dridhur nga duartrokitjet që korrte ajo në skenë. Ajo qysh në moshën e rinisë luajti në skenë role mjaft të vështira, të cilat i realizoi me dinjitet. Kujtojmë me këtë rast Ofelinë, te “Hamleti”, Dezdemonën, te tragjedia “Otello”, Klean tek “Dhelpra dhe rrushtë” dhe dhjetëra role në filmat tanë.

 Si jeni ndjerë, kur e keni lexuar librin që i kushtohet Margarita Xhepës?

Për të është shkruar jo pak, në shtypin e përditshëm, por edhe në televizione, ajo ka qenë e ftuar shpesh. Një libër tjetër është në proces kushtuar kësaj aktoreje. Por mua, më shumë më ka bërë përshtypje monografia, e shkruar në mënyrë interesante nga studiuesja Angjelina Xharo. E kemi biseduar dhe komentuar këtë libër me Margaritën. Ajo ka mbetur e kënaqur, po ashtu edhe unë kam dhënë konsideratën time. Libri është shkruar me një realizëm të saktë, me dashuri dhe me mjaft kulturë. Midis të tjerave zonja Angjelina Xharo shkruan: “Nëse ka një nënë Pashako, ajo është “Artistja e Popullit” Tinka Kurti. Nëse ka një teto Ollgë, ajo është “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi. Nëse ka një Bude, ajo është “Artisja e Popullit”, Drita Pelingu. Por nëse ka një Ofeli, një Hekubë, ajo, pa dyshim është “Artistja e Popullit” dhe “Mjeshtre e madhe e Artit”, Margarita Xhepa. Po ashtu autorja e librit midis shumë të tjerave i referohet një studiueseje amerikane, e quajtur Suzan Post, ku ndër të tjera e përcakton Margaritën si aktore ndërkombëtare, me forcë shprehëse artistike si aktore të tjera të mëdha. Ajo e krahason me Ingrid Bergman, me Melina Mërkurin dhe Irenë Papas. Ndërsa tek “Kënga e Mjelmës”, ajo krahasohet me Simone Sinjore, me Sofia Loren, apo Ana Manjanin. Mendoj se kurdoherë vendi ynë nxjerr personalitete të denja për t’u krahasuar me të huajt. Për këtë, zonja Xharo meriton edhe falënderimet e mia.

 Si ndjeheni kur dëgjoni opinione të mira për të, kur ajo debuton edhe në këtë moshë të madhe role të vështira?

Sot Margarita Xhepa është një obelisk i gjallë dhe gjithë vitalitet. Ajo e ka lartësuar emrin saj dhe familjes tonë me famën e vet. Ajo gëzon popullaritet, sepse është e kudogjendur: nëpër mbrëmjet tematike duke recituar, në Tiranë, në Fier, Lushnje, në Prishtinë, në Gjakovë, në Tetovë, Athinë, Selanik etj., e kudo ku bëhen veprimtari për çështjen kombëtare. Ajo edhe sot kur po i afrohen të 80–tave, mori përsipër role të vështira si “Hekuba” e Euripidit, ku mbajti në shpirt gjithë tragjedinë e Trojës, ose “Kënga e Mjelmës”, ku mban për një orë e gjysmë të mbërthyer publikun artdashës.

Para ca vitesh, ajo së bashku me Mjeshtrin e Madh të Artit, Kadri Roshin, debutoi në një nga teatrot e Selanikut dhe në fund, siç më ka treguar Kadri Roshi, në emër të jurisë, foli aktorja me famë botërore, Irenë Papas. Kur Margarita u ngjit në skenë, publiku u befasua nga performanca e saj. Mes duartrokitjesh, kur Papas po i dorëzonte medaljen, i tha publikisht: “Më vjen keq që qenke më e bukur se unë”.

Më befason pasioni për skenën dhe kujtesa e mrekullueshme e saj, emocionet që krijon dhe dashuria që ajo shpreh për shokët dhe shoqet e skenës. Ajo mbi të gjitha i do njerëzit, di të komunikojë me ta. Ajo është shumë e përzemërt me të gjithë. Është e thjeshtë dhe gojëmbël. Ajo dhe komunikimin me njerëzit e ka kthyer në art. Mendojmë se figura të shquara dhe të nderuara si Margarita, janë të lumtura sepse e kanë fituar mendjemprehtësinë që në rini. Por tri herë më e lumtur është Margarita sepse ruan zellin e rinisë në moshën 79- vjeçare. Ne si njerëzit e saj, më të dashur kemi dëgjuar e lexuar për të duke e klasifikuar si ikona e skenës shqiptare, si kurora e artë në artin shqiptar, ose si lulja më e bukur në kopshtin e teatrit popullor. Ajo është “Qytetare Nderi” e Fierit dhe Lushnjës, është “Artiste e Popullit” dhe “Mjeshtre e Madhe e Artit”. Natyrisht, që djemtë, nipërit, mbesat dhe të gjithë ne, të afërmit e saj, ndjehemi krenarë me të. Margarita Xhepa ka luajtur me sukses mjaft role të vështira në teatër dhe në kinematografi. Ka realizuar tipe dhe karaktere artistike që kanë lënë gjurmë në kujtesën e spektatorit shqiptar e të huaj. Që në fëmijërinë time të hershme i ndiqja e i dëgjoja me kënaqësi interpretimet e saj që kur vinte me trupën e Teatrit Popullor për të dhënë shfaqje teatrale në Lushnje e në Fier; ia dëgjoja zërin në Radio- Tirana, në emisionin “Teatri në mikrofon”. Margarita është një margaritar në mozaikun e grave artiste, pse jo, edhe të gjithë  Shqipërisë. Me këtë rast, më kujtohen ca fjalë të një njeriu të madh, ku me të drejtë shkojnë me kontekstin për të cilin po flas: Të të dojë familja është gjë e mirë. Të të dojë shoqëria, është mrekulli. Ndërsa të të dojë kombi, është madhështi.