“Jam nëna më e lumtur në botë”

741
Sigal

INTERVISTA/ Flet violinistja dhe këngëtarja e talentuar Enxhi Nini

 Violinistja dhe këngëtarja e famshme shqiptare Enxhi Nini s’ka disa muaj që është bërë nënë. Ajo ndihet mjaft e lumtur dhe pse lindja e ka larguar paksa nga skena. Mia është akoma e vogël dhe Enxhi tërë kohën ia dedikon asaj. Bashkëpunimi prej 10 vjetësh në Teatrin La Scala të Milanos i ka dhënë asaj një famë që pak violinistë e gëzojnë jashtë atdheut, por megjithatë asaj i mungon shumë Tirana. Kryesisht ajo do dëshironte me gjithë shpirt të ishte në festimet e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Është e kënaqur për profesionin gjithsesi, tashmë vështirë të kërkosh rrugë të reja edhe nëse s’je apo jo në kulmin e dëshirimit dhe “nganjëherë mendoj që mund të isha bërë balerinë gjë që më pëlqente shumë kur isha e vogël apo imituese këngëtaresh”

 -Enxhi nënë, si ndiheni?

Të qenit nënë të jep ndjenjën më unike në këtë jetë, ndjenjë e cila nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër. Nuk krahasohet me asgjë në botë lumturia që të jep ajo krijesë e vogël teksa të sheh të kërkon, teksa e ndjen në gjirin tënd, teksa gugat ndërsa merr qumështin por ajo shtohet çdo ditë e më shumë, çdo ditë që fëmija yt hap sytë dhe të jep një buzëqeshje apo mundohet të komunikojë diçka të re. Është një ndjesi që nuk shprehet me fjalë.
A ju ka privuar nga shumë aktivitete fëmija?

Është normale, mund të them, që të privohesh tashmë nga shumë gjëra, nuk mund të jetë ndryshe. Në këtë periudhë që Mia është akoma e vogël tërë kohën ia dedikoj asaj. E kam harruar veten tashmë. Unë as që mund të mendoj e të planifikoj të bëj gjëra sepse ajo qenie e vockël dhe aq e ëmbël është prioriteti im dhe ka shumë nevojë për mua në të 24 orët e ditës. Por është normale që në këtë ndryshim shumë gjëra duhet t’i seleksionoj dhe t’i bëj në funksion të nevojave të saj.

-Sa ndikon një fëmijë në punën e përditshme të një artisteje?

Nuk është e lehte aspak. Unë e shoh në lidhje me violinën se sa e vështirë është të gjesh 30 minuta në ditë për të studiuar e sa shpesh bëhet edhe e pamundur. Vetë studimi në përgjithësi për një instrumentist është sakrificë e madhe por në këto momente bëhet akoma më e vështirë. Çdo nënë që ka provuar muajt e parë të jetës së fëmijës e di që janë aq të bukur por edhe shumë të mundimshëm. Më shumë pagjumësi, më shumë preokupime, shqetësime për çdo gjë…ankthi të cilat nënat e reja nuk e shmangin dot me frikën se nuk i kanë bërë mirë gjërat për bebin e tyre, me frikën se a janë mami të mira e të përkushtuara.

-Kur flasim për artin, ku ndihet më mirë Enxhi si këngëtare apo si violiniste?
Është vështirë t’i japësh përgjigje një pyetjeje të tillë, sepse mua të dyja më kanë dhënë kënaqësi, por tashmë mund të them që ndjehem shumë mirë si violiniste. Ajo ka qenë gjithnjë detyra ime parësore, prioriteti im dhe këto vite i jam dedikuar shumë vetëm asaj: violinës. Të studiuarit për orë e orë, pjesëmarrja dhe rezultatet në konkurse të ndryshme kanë dhënë rezultatet e veta. Bashkëpunimi prej 10 vjetësh në Teatrin La Scala të Milanos e njëkohësisht bashkëpunimi me orkestra të ndryshme në Itali, Zvicër Spanjë, bëhet fjalë për orkestra me emër e nga më të dëgjuarat dhe së fundi fitimi i konkursit në Orkestrën Simfonike Italiane në RAI, kanë qenë pra rezultat i punës dhe i sakrificës. Këto vite kam gjetur veten edhe në muzikën e dhomës e cila me përshtatet shumë nga ana violinistike, dhe sodisfaksioni në këtë zhanër është shumë më i madh.
Përsa i përket këngës do të dëshiroja gjithmonë një kthim në skenat shqiptare, por do të doja të realizohesha në një kontekst të veçantë, në një zhanër muzike që i përshtatet më shumë karakterit tim muzikor. Për këtë duhet shumë punë dhe shumë kohë e cila më ka munguar për shkak të studimit e punës, turneve etj. Kjo gjë më ka ngelur si ëndërr në sirtar, shpresoj që ndofta një ditë të mund ta realizoj.

– A ndiheni e pezmatuar që nuk morët pjesë në aktivitetet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë ku erdhën dhe instrumentistë nga jashtë?
Do të thoja që më vjen shumë keq, shumë keq për faktin se ajo festë ishte një datë shumë e rëndësishme. Dhe këtë e ndjejmë sidomos ne shqiptarët që jetojmë jashtë atdheut. E vuajmë me të vërtetë mungesën e vendit tonë dhe pamundësinë të jetojmë dhe të festojmë së bashku një datë të tillë.
Në këto vite jo vetëm unë por edhe muzikantë të tjerë kanë prezantuar me dinjitet Shqipërinë si në aspektin artistik gjithashtu edhe në jetën e përditshme. Por atë natë nuk ndodheshim aty..!!! Unë do të kisha marrë edhe Mian që është vetëm gati dy muajshe dhe do të kisha ardhur. Por nuk më njoftuan dhe s’ju përgjigja dot thirrjes që ju bë instrumentistëve që janë jashtë. Vërtet që më erdhi shumë keq por ishte shumë vonë kur e mora vesh. Një kolege dhe shoqe që u nis për Tiranë më tha si fillim që po vinte në koncertin e 100 vjetorit dhe ma paraqiti si një privilegj që i takonte vetëm disave. Pastaj nga mami im mora vesh se nuk ishte ashtu por ju ishte bërë thirrje të gjithë instrumentistëve, këngëtareve që të merrnin pjesë në këtë koncert. Por siç thashë unë e mora vesh vetëm një ditë para koncertit. Një pjesë e mirë e jona, pra e instrumentisteve që janë jashtë e ndjenë këtë mungesë.. Ndofta kjo ndodhi sepse ishte lënë për t’ja kaluar njeri- tjetrit si passa parola, e jo një ftesë zyrtare për të gjithë. Ndonjëherë ndjehemi më të vlerësuar jashtë se sa ne atdhe!
-Çfarë të mungon më shumë në këto momente?
Në aspektin shpirtëror në këto ditë festash dhe në këtë vit kaq të rëndësishëm për mua më mungojnë familjarët e mi, të cilët nuk mund të ndajnë me ne këto momente kaq të bukura. Do dëshiroja të kisha afër babain tim, Doriani.n i cili nuk mundi të njoh as Mian e vogël. Më mungon shoqëria qe kam në Tiranë dhe miq e shokë të tjerë që jetojnë jashtë atdheut.
Sa afër të është gjendur nëna Violeta në këtë ditë të shënuar të jetës si nënë?

Tepër afër, dhe si gjithmonë ajo ka treguar dashurinë e madhe, shpirtin e sakrificës, durim dhe vullnet. Ajo është e palodhur, dhe tani që jam bërë vetë nënë e kuptoj më mirë dedikimin e saj. Falë këtij dedikimi javët e para pas lindjes qenë shumë më të lehta sidomos nga ana psikologjike. Jam shumë e lumtur që munda t’i jap këtë dhuratë dhe sodisfaksion të madh që ka fakti i të qenit gjyshe. Dhe e shoh që ajo është shumë e lumtur.

-Jeni penduar për këtë profesion që keni zgjedhur tashmë, violiniste?

Zgjedhur… duhet të them se këtë profesion e kam dhuratë nga mamaja ime. Unë u mësova ta dua e ta vlerësoj me kohë. Dhe tani shpesh e falënderoj dhe i them që ka bërë mirë. Por …Nuk e di…Ndonjëherë ”pendohem”, por jo në kuptimin e vërtetë të fjalës. Mund të them me mirë që në këtë profesion shpesh lodhesh shumë e nuk merr sadisfaksionin që do. Ky i fundit për faktin që jam shumë kritike me veten dhe në përgjithësi kjo ndodh me shumë instrumentiste. Edhe pse jep në skenë maksimumin ke gjithmonë diçka për të cilën ndjehesh jo plotësisht i kënaqur. Duhet të sakrifikosh shpesh kohën e lirë për të studiuar sado pak dhe shpesh herë kur ke impenjim për një koncert të rëndësishëm përveç valixhes në krahë duhet mbajtur edhe violina
Por… jam e kënaqur për profesionin tim gjithsesi, jam vërtet e kënaqur dhe tashmë vështirë të kërkosh rrugë të reja edhe nëse s’je apo jo. Nganjëherë mendoj që mund të isha bërë balerinë gjë që më pëlqente shumë kur isha e vogël apo imituese këngëtaresh

-Orari i një dite të zakonshme, tashmë?

Në këtë periudhe e imagjinoni pa hyre shumë në detaje, nevojat që ka Mia më okupojnë tërë ditën. Megjithatë ajo më ka dhënë një forcë që më çudit mua dhe të gjithë… në atë kaos që krijohet ndërmjet impenjimeve të shumta që nga mëngjesi e deri në mbrëmje për mos të thënë që edhe gjithë natën shumë shpesh me Mian, mundohem të gjej kohë çdo ditë që të bëjmë shëtitje të gjata në ajër të pastër. Kjo është në programin tim të ditës përveç të tjerave

-Cili ka qenë koncerti juaj i parë dhe si jeni ndjerë?
Koncerti i parë..në të vërtetë kam qenë shumë e vogël kur fillova të “mbaja” koncerte . Kujtoj një verë në plazh kur mora një shkop në dorë si mikrofon, shumë persona ishin mbledhur rreth meje dhe mundohesha të bëja spektakël duke imituar këngëtarë të ndryshëm të atyre viteve.
Kurse nga ana profesionale jeta ka qenë e mbushur plot me aktivitete të ndryshme e të rëndësishme, në shkollë (me grupe të ndryshme orkestrale) dhe më pas me këngë dhe me violinë .Nuk kam kujtim të veçantë si koncerti i parë, por mund të kujtoj herën e parë në Festivalin e Pranverës ku këndoja në skenë për herë të parë në vitin 1992. Ishte mosha ku fillova të kuptoj rëndësinë dhe përgjegjësinë që ndjen kur ngjitesh në skenë. Pak e frikësuar dhe shumë e emocionuar përpara se të futesha në skenë, asnjë njeri nuk të njeh dhe prezanton veten për herë të parë. Ai është një moment i rëndësishëm sepse aty fillon ose mund të mbaroj ajo për të cilën je përgatitur. Nuk flas për karrierë sepse as që më shkonte ndërmend një gjë e tillë, nisi thjesht si lojë. Loja kaloi nga skena e plazhit në një skenë reale. Kisha thjesht dëshirën për të kënduar dhe jo për të arritur.

Cilët janë violinistët…….?
Më përpara se të rendis violinistët e rinj nuk dua të mos kujtoj instrumentistët dhe profesor të ndryshëm të cilët na janë dedikuar të gjithëve në këto vite, dua të kujtoj mësuesen tim të liceut Shanka Kumbaron, profesor Ibrahim Madhin dhe Anton Berovski i cili më ka përgatitur vitet e fundit.
Kohë më parë pata mundësinë të dëgjoja pas shume vitesh një regjistrim të profesorit Ibrahim Madhit i cili më ka lënë shumë mbresë, ka qenë me të vërtetë një violinst i madh.
Do të përmendja Tedi Papavramin por dhe violinistë të tjerë si Klaidi Sahatçi, Shkëlzen Doli të cilët kanë një lojë të përkryer, dhe njëkohësisht shumë muzikalitet. Në botë violinistët e mëdhenj kanë qenë të shumtë sidomos në shekullin e kaluar, duhet të bëje një listë të gjatë por mund të përmend të madhin Itzhak Perlman, i cili ka një lojë që unë e adhuroj. Violinistë të rinj të këtyre viteve si Kavakos, Repin etj., kanë lënë një kujtim të bukur në memorien time. Kam pasur fatin t’i shoqëroj disa herë dhe për mua kane një violinizëm të përsosur.