Gezim Prengzi/ Anila Hoxha, sopranoja tropojane në operat e Milanos

1279
Tropoja vendi i artistëve të mëdhenj popullorë dhe jo vetëm të tillë, emrat e spikatur të artit popullor, Fatime Sokoli (Mjeshtre e Madhe), Fatmira Breçani (Mjeshtre e Madhe), Gëzim Nika, Xhevahire Gashi, Deli Metaliaj, Skënder Haklaj, u pasuan me emra të tjerë të artit të kultivuar si tenorët Pal Imeri e Seladin Neziri dhe instrumentisti Besnik Dozhlani… por një emër që kumbon fort me “Mallin përtej detit” është sopranoja tropojane e Operës së Milanos (Itali) Anila Hoxha Gjermeni… Anila Hoxha lindi në qytetin e ‘Bajram Currit’. Qysh në klasat e fillores u dallua për talentin e saj në fushën e muzikës, duke qenë pjesëmarrëse që në moshën 7-8 vjeç në festivalet për fëmijë në ‘B.Curri’, duke qenë fituese disa herë e çmimeve të para e të dyta dhe dy herë pjesëmarrëse në Festivalin Kombëtar për fëmijë në Shkodër. Ishte një fat i madh, siç shprehet Anila, që të kesh mësuese muzike këngëtaren e madhe Fatime Sokoli. Duke parë ecurinë e saj, vokalin e interpretimet dhe pjesëmarrjet në aktivitete lokale e kombëtare, mësuese Fatimja e pyeti një ditë Anilën: A ke dëshirë të vazhdosh kanton si profesion? Anila nga kënaqësia mbeti pa fjalë dhe e kënaqur iu përgjigj: Po, kjo është një ëndërr për mua. Në festivalet e fëmijëve në Tropojë, Anila ka kënduar këngët e kompozuara nga Kolë Susaj, Skënder Dozhlani, Bashkim Gjyriqi, Kujtim Rizvani etj. Nga këngët më të bukura nga festivalet kombëtare të fëmijëve në Shkodër, e kënduar nga Anila ishte kënga “Çfarë do bëhesh ti o Luli”, e cila u vlerësua me çmim të dytë. Edhe kënga popullore ka qenë shumë e dashur për Anilën. Ishte 13 vjeçe kur këndoi këngën popullore ‘’Dil në bahçe” të cilën publiku e kërkoi 3 herë në skenë. Pas mbarimit të klasës së tetë shkoi për të konkuruar në shkollën e mesme të muzikës “Prenkë Jakova” në Shkodër dhe e fitoi konkursin menjëherë. U plotësua kështu dëshira për të qenë artiste e shkolluar dhe profesioniste. Këtu në Shkodër ishte një fat i madh që pati si profesor të kantos të madhin Ferid Bala, i cili punoi siç duhet me Anilën duke arritur që në moshën 16 vjeçe të realizonte operën e parë si protagoniste në operën “Mrika”. Ishte një sukses i madh realizimi i kësaj opera në këtë moshë e cila ishte një shtysë që i dha krahë për suksese të tjera në vazhdim. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Shkodër me rezultate të larta, Anila konkurron dhe fiton konkursin për në konservator në Tiranë. 
Karriera në Tropojë
Karrierën e ka filluar me ansamblin e Tropojës me këngëtarët e njohur Fatmira Breçani e Gëzim Nika, derisa ajo mbaroi shkollën dhe këndoi me zë të impostuar. Edhe në Tiranë për katër vjet si studente mori pjesë në mjaft aktivitete artistike dhe u diplomua me aktin e fundit të operas “Traviata” , përveç detyrimit shkollor. Pas mbarimit të konservatorit me dëshirën e saj dhe për probleme familjare, Anilën e caktuan si mësuese të kantos në shkollën e muzikës Fier. Atje u martua, bashkëshorti është muzikant profesionist, fëmijët kanë dhunti në instrumentin e kitarës, por kanë preferuar të vazhdojnë shkolla në profilin shkencor. Në pesë vitet e punës në Fier, të shumta kanë qenë aktivitetet artistike në teatrin “Bylis” dhe koncerte recitale. 
Karriera në Milano
Pas pesë vjetësh në Fier, shkoi në Milano (Itali) ku dhe vazhdon të jetojë e punojë. Këtu për Anilën filloi një karrierë e dytë, në fillim me vështirësi, por, nuk mund ta linte pas dore profesionin e saj. Në operën e Milanos në fillim filloi me role të vogla, e më vonë në 2001 realizoi me shumë sukses operën “Traviata”, në rolin e Violetës, duke vazhduar më pas role dhe koncerte të tjera, dhe arriti që në 2009 të diplomohet në Akademinë e Skalës duke kënduar dhe në skenën e famshme të “La Skalës”. Operat në repertorin e Anilës janë: “Traviata”, “La Boheme”, “Toska”, ‘’Trovatore’’, ‘’Aida’’, ‘’ Cavalleria Risstikana’’, ‘’Pagliaci’’ dhe këndon muzikën e Sacros, muzikën e kishës dhe të kompozitorëve të shek.XVIII, Mocart, Requiem, Hendel etj. E pyetur se cilët janë idhujt e saj në kanto Anila thotë se, janë: Maria Callas, Renato Tebaldi, Ana Moffo etj, ndërsa nga ato shqiptare Tefta Tashko Koço, Naile Hoxha e Valdete Hoxha. Ajo kujton gjithmonë kolegët e saj tenorë e soprano të njohur si: Manjola Nallbani, Irini Nikolla, Laura Hakaj etj. Ndërsa suksesin e saj ua dedikon edhe pedagogëve , Ferit Bala, Hamide Streinga dhe Shqipe Mingomata.
Suksesi i recitalit në vendlindjen
Afishet në vende të ndryshme në qytetin Bajram Curri në verën e vitit 2014 se sopranoja e madhe lirike tropojane Anila Hoxha do të jepte një koncert në vendlindje nën kujdesin Kryetarit të Bashkisë Z. Agron Demushi, ngjallën një interes të madh te artdashësit tropojanë. Një artiste me karrierë të suksesshme në muzikën lirike në Operën e Milanos, do të këndonte në atë skenë e në atë qytet ku lindi e mori duartrokitjet e para. Pjesëmarrja e njerëzve në sallë në një koncert me muzikë operistike ishte një risi për qytetin e B.Currit, ashtu edhe Anila e kishte merakun se, a do të pëlqehej kjo lloj muzike në vendlindjen e saj. Ajo e kishte konceptuar koncertin e saj në dy pjesë: Pjesa e parë me arie të zgjedhur nga literatura operistike botërore në të cilën u shoqërua nga pianistja Etrita Ibrahimi, vajza e kompozitorit Feim Ibrahimi, si dhe pjesa e dytë me këngë të zgjedhura nga muzika popullore e trevave shqiptare. Gjatë gjithë koncertit si ariet nga muzika klasike u duartrokitën edhe këngë të njohura popullore si, “Margjelo”, “E kujtoj atë takim”, “Baresha”, “Çikë e bukur nga Tropoja” , “Kenke nur i bukurisë” etj. Pas koncertit pati duatrokitje të forta e emocione që përcolli këngëtarja Anila Hoxha në skenën ku e nisi karrierën dhe ku mori duatrokitjet e para.
Jeta koncertale përtej oqeanit
Të shumta janë kërkesat nga Europa në Amerike për koncerte nga sopranoja Anila Hoxha, pas Tropojës në Maqedoni, recitalet në Pavia, me 3 maj në Dallas, me 15 maj në Pavia operën “Cavalleria Rustikana”, në qershor recital në Moza, në korrik në Maqedoni sapo përfundoi me shumë sukses në Dallas e Detroit të SHBA-së … e kështu sopranoja tropojane e operas në Milano, Anila Hoxha është zëri shqiptar që jehon gjithnjë me ‘’Mallin përtej detit’’.
‘’Malli përtej detit’’
Teksti: Agim Doçi
Muzika: Edmond Zhulali
Atdhe i lashtë, parajsë i tokës
Sa mall qe kam kur jam larg teje
E të ma japin gjysmën e botës
Gjithë dashurinë ke marrë prej meje
Kam mall për erën, flladin e detit
Kam mall për njerëzit e për një gur
Kam mall për fushat, kam mall për qiellin
Atje ku shqipja rri në flamur.
Sigal