Flet Xhuljeta  Kulla: Pëllumbi më “kërkoi dorën” kur binin tërmetet

1399
Sigal

Një femër plot temperament dhe gjithnjë e qeshur. Që fëmijë recitonte e vallëzonte, jepte programin e shfaqjes e këndonte. Këto prirje e shpunë pastaj dhe në rrethet artistike të Shtëpisë së Pionierëve. Aty e konsideronin si një shougërl të vogël.

 -Donim  diçka më tepër për ju, se cila ka qenë  Xhuli  fëmijë  dhe adoleshente, në jetën e qytetit  punëtor dhe  intelektual  të qytetit të Kuçovës, ku ju jeni  lindur?

-Jam lindur në Berat dhe  rritur në Kuçovë, ku kam kryer shkollën fillore dhe atë shtatë vjeçare.

Spektatori ynë prej vitesh ju ka ndjekur nga salla apo ekrani. Ju kujtohen trokitjet e para në rrugën magjike të artit?

-Mendoj se prirjet artistike fëminore ndikojnë shpesh në rrugëtimin e mëtejshëm të jetës. Që fëmijë unë recitoja e vallëzoja, jepja programin e shfaqjes e këndoja. Këto prirje më shpunë pastaj dhe në rrethet artistike të Shtëpisë së Pionierëve. Aty më konsideronin si një shougërl të vogël

-Në dokumentarin televiziv “Arkitektët e Arit të zi”,kushtuar Koço Plakut, Beqir Aliajt, Lipe Nashit dhe Kuçovës,në intervistën e zhvilluar me ish- drejtoren “Mësuese e Merituar” Adile Xhabia, midis emrave që nderonin qytetin, na përmendi dhe emrin tuaj si  artiste e talentuar. Ju kujtohet  ajo periudhë?

-Po më kujtohet mirë… Kam patur një fëmijëri të shëndetshme në atë qytet. Edhe shoqëria me vajzat e moshës sime ishte e tillë, aq sa ne edhe sot i ruajmë miqësitë me njëra-tjetrën  dhe pastaj ndiqja me vëmendje veprimtaritë artistike. Ah, ruaj edhe ca kujtime me aromë të komizmit!… Siç shohim tani njerëzit që kanë dashuri dhe kujdes për kafshët, për konet apo macet e bukura, unë për pet (siç i thonë këtu) kisha një dhi të bardhë që u rrit pas meje që kur ajo ishte kece e vockël. Më ndiqte apo e merrja me vete edhe në rrethet e recituesve e më priste e lidhur deri sa unë të mbaroja provat apo shfaqjet. Ja këto ishin vitet e mia në Kuçovën e naftëtarëve, pilotëve dhe specialistëve të huaj… Falënderoj me këtë rast zonjën Xhabia dhe ruaj konsideratë të lartë, për personalitetin e saj të spikatur. Kur pashë në televizion këtë dokumentar artistik, i cili i kushtohet vetëmohimit të tre shkencëtarëve të naftës, kur midis disa emrave u përmend dhe emri im nga goja e saj, emocionet m’u shumëfishuan për shkak të së bijës, shoqes sonë të dashur Ludit (Ludmilla Pajo), që na la, duke u ndarë nga jeta e saj e bukur në një moshë fare të re. Edhe e ndjera Ludmillë, atëhereë shfaqte prirjet artistike. Ne këndonim tok, recitonim dhe vallëzonim. Pastaj, siç e dini, ajo u bë një poete dhe gazetare e shquar.

-Ju keni studiuar për aktore. Ishit e vendosur në zgjedhjen e profesionit dhe e sigurt se do të përshkonit një rrugë të suksesshme?

-Sjell ndërmend debutimet si fëmijë në skenat e pionierëve të Kuçovës, duartrokitjet që shoqëronin daljet e mia dhe njerëzit përgëzonin prindërit dhe nuk kursenin fjalët e ngrohta. Këto i shënoj jo si pikë të karrierës së mëvonshme, se ato i ka mbuluar pluhuri i harresës, por dua të nënvizoj ndikimin e duartrokitjeve, nganjëherë edhe të tepruara, apo  për të  bërë qejfin. Ato janë mjaftë për të shtytur një fëmijë drejt rrugës të magjishme të artit. Kështu, unë shkova në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe më pas në shkollën e lartë për aktore “Aleksandër Misiu” që u bë pjesë e Akademisë së Arteve. Posa përfundova studimet, më priste drejtimi regjisorial i amatorëve dhe disa herë  pjesëtare e estradës profesioniste e qytetit të Beratit. Më pas  vijuan martesa, periudha tre vjeçare në teatrin “Petro Marko” të Vlorës dhe “Bylisi” i Fierit.

-Strehëza e “Bylisit”, në fillim të viteve ‘70!… Çdo të  thoshit  tani për këtë folezë arti?

-Transferimi në Fier, në biografinë time artistike, solli dritën e viteve të arta të estradës profesioniste në këtë qytet. Aty u bëmë tok me kolegët e mi të mrekullueshëm, Luftar Pajën, Fuat Boçin, Hajrie Rondon,(Dhimitër Janon, Muhamet Sherin, Mina Koxhaku, Fatos Selën, që për fatin tonë të keq tashmë nuk jetojnë më) Vasil Vason, Arqile Lipen, Todi Llupin, Hasan Bregun, Sotir Stefën. Në ato vite aty punoi regjisori Leka Bungo, që më dha rol kryesor në shfaqjen time të parë. Më pas erdhën të mirënjohurit Teodor Laço e Maku Pone dhe aktorët e tjerë Dervish Biba, Vladimir Muzha, Natasha Sela, Niko Vrushi, Roland Roshi, Landi dhe Aurela Çarka, Arqile Lici, Agim Agolli, Astrit Hasani, Fatmir Xhelili e shumë të tjerë. Ishte fat i madh të punoje në një shoqëri të tillë. Fat ishte, gjithashtu, edhe periudha e zgjatur e pjellorisë letrare të tim shoqi, Pëllumb Kullës, që shkroi dhe inskenoi një letërsi që u bë pjesë e trashëgimisë së humorit në shkallë vendi. Që nga vendosja në Fier e deri në largim, kam qenë aktorja bazë e Estradës dhe  me aktivizim të herë pas hershëm në teatër. E pranishme në të gjithë spektaklet e televizionit publik Shqiptar (T.V.SH.) në prag të çdo Viti të Ri, nga viti 1975, deri në vitin 1993.

-Në hapat e viteve të para të Estradës së Fierit, ju njiheshit si aktore e vetme e humorit…

-Buzëqesh lehtë. Dëgjo Fadil. Në atë periudhë kolegët e mi dhe mua na quanin “Borëbardha me shtatë vëllezër”. Një grup i tillë partnerësh, për mua ishte një fat i rrallë, që do të lumturonte çdo artist.

-Në se do të riktheheshit në retrospektivë, a ju kujtohen rolet, në veçanti emocionet,që sillnin secili prej tyre?

-Rolet janë aq të shumtë sa edhe sikur të ishin kryevepra, lista e bën vetë të mërzitshme përmendjen e tyre. Sidomos për të rinjtë e sotëm, që do t’u duhej vetëm të lexonin këto që kërkoni ju, edhe pse për një pjesë fierakësh e shqiptarësh kanë krijuar kënaqësi e mbase u hyjnë ndër kujtime. Në favor të të dy palëve, unë do të rreshtoj shumë pak nga qindra role të luajtur në skenë dhe telefilma.

Në  teatër:

1972- “Historia e një vajze” (rolin kryesor, Jonidën),

1976 – “Gjëmimi i atij dimri” (Mullixheshën)

1979 – “Shoku Niqifor” (Lenën, motrën e Niqiforit)

1981 – “Dy krisma në Paris” (Lizetën)

1989 -“E bukur shtëpi e vjetër” (Fallxhoren Poleska).

 Në   estradë:

1973“Snobizmi” (Gjyshen)

1973- “Kultura duket” (Blerësen e librave me metra)

1977 – “Sonte do të na gatuajë Vera” (Verën).

1977 – “Kinezi 14 vjet në gjumë” (Instruktorja Çen)

1980 –“Çobo Rrapushi”: “Dada Bonjakja” (Dadanë)

1981- “Telefoni i ri” (Zelihanë)

1984 – “Këshilla fëmijëve 5 deri 55 vjeç” (Mjeken)

1988 – “Zemrat me Zilka” (Kardiologen)

1989- Telefilmin “Serum për të shmangur rrudhat e gojës” (Nusen)

1990- komedinë greke “Një Budalla e gjysmë” (Uraninë).

-Ku qëndronte çelësi i suksesit të trupës suaj, e cila për vite me radhë cilësohej nga trupat më të mira të vendit?

-Ishin një sërë faktorësh. Rrallë mund të gjesh bashkë një trupë me aq aktorë të talentuar sa gjendeshin në Fier. Regjisorët që punuan me ne, ishin të prirur tek loja realiste, me karaktere njerëzorë tërheqës që na ofronte materiali letrar i klasit të parë, pas një zgjedhje repertori që e ndiqnin me kujdes libretistët që përmenda. Dua të them se, fati ynë i kishte zgjeruar krahët më shumë nga sa fola deri tani. Njerëzit që mbulonin artin nga aparatet ekzekutive dhe ata të partisë ishin artdashës të apasionuar. Ata ishin krenarë me përparimet e artistëve të skenës dhe kanë luajtur një rol mbrojtës dhe orientues.

-Thuhet se në atë  periudhë, që vlerësohej e artë për artistët dhe publikun fierak,“tenxherja gjeti  kapakun”,ku krahas aktorëve të talentuar, në krye të kësaj trupe erdhi regjisori e shkrimtari i njohur i letërsisë humoristike, Pëllumb Kulla dhe çdo shfaqje do të përfundonte me sukses të padiskutueshëm?

-Ju e dhatë vetë një pjesë të përgjigjes… Ashtu është. Në skenën e  “Bylisit” kanë shfaqur vlera të papërsëritshme dhe regjisorët e mirënjohur Gëzim Kame, Serafin Fanku, Arqile Garo, Roland Roshi… Por më afër trupës dhe repertorit ishte Pëllumbi, i cili shfaqi një autoritet në rritje dhe ushtroi rol të rëndësishëm pedagogjik.

-Në ato vite ju u njohët, u dashuruat, madje u martuat me regjisorin…

-Nuk është e saktë… Dua të them, e saktë është që vazhdova të dashurohem dhe vazhdoj akoma ta dua. Të dy kemi qenë studentë. Zanafilla e njohjes sonë starton që në vitin 1964. Martesën e bëmë pesë vjet më vonë.

-Kur lidhët jetën dhe fatet me të, e dinit se Pëllumbi kishte një “njollë” në biografi, duke iu dashur të lundrojë në një det të trazuar midis  dallgëve, me batica e zbatica që diktonte sistemi i kohës?

-E dija, por kjo për mua kishte një rëndësi të dorës së dytë. Njerëzit kur njihen dhe duan të bashkëjetojnë nuk kërkojnë dokumente dhe shënime për përshtatësi.

-Mendoni se këto gërmime dhe dokumente nuk i kërkuan prindërit tuaj? Nuk ju kundërshtuan ata  për këtë lidhje të fshehtë?

-Njerëzit që duhen, pa padyshim i mbrojnë lidhjet tyre me mburojën e fshehtësisë. Fshehtësinë dashuria e ka përdorur që kur ka lindur njerëzimi. Vetëm Adami me Evën duhet të bëjnë përjashtim, nga që nuk kishin kujt t’ia fshihnin. Unë dhe Pëllumbi ruajtëm lidhjen tonë nga familjet, edhe pse koha e zgjatur, rrezikon daljen e të fshehtës. Nuk e mbaj mend tani përse plasi papritur fshehtësia jonë. Kur unë u emërova në Berat, shoku im i pati mbaruar studimet tre vjet përpara dhe punonte në Vlorë. Në momentet që po përgatiteshim për  të shpallur fejesën, për arsye të biografisë, Pëllumbin e dënuan të punonte në prodhim, në guroren e Shushicës. Kjo veç prejardhjes, të sëkëlldiseshe që na duhej ta tregonim, i komplikoi gjërat edhe më shumë. Duke pritur rikthimin e tij në teatër, ne e shtymë edhe më tej shpalljen e marrëdhënieve dhe i vazhduam ato fshehurazi prindërve. Dhe po zgjatem pak në këtë rrëfim…

-Vazhdoni, është kënaqësi!

-Në një nga vizitat klandestine të Pëllumbit në Berat, unë e vura atë në dijeni se lajmi pati marrë çuditërisht dhènë dhe marrëdhëniet tona, e sidomos dënimi në gurore, ishin bërë gogol. Pëllumbi papritur vendosi të bënte të nesërmen një vizitë te njerëzit e mi dhe të sqaronte situatën, të tregonte se kush ishte, të siguronte qëllimet e mira, e tjera e tjera. Shkurt “të kërkonte dorën time”, siç është zakon të thuhet. Atë natë në Berat ra një tërmet i madh, që u dha të çara ndërtesave të qytetit e bëri shumë dëme të mëdha. (Kuptohet, Pëllumbi nuk kishte faj për këtë!) i dashuri im vendosi të mos e shtynte “kërkimin e dorës” edhe pse në Berat, në çdo dy orë, binin tërmete, siç ndodh pas çdo lëkundjeje të madhe. Ndaj atëherë njerëzit e mi e pritën Pëllumb Kullën për një vizitë të shkurtër njohjeje. Ai erdhi dhe me shumë dinjitet tregoi ndërmendjet që kishim dhe çfarë na pengonte neve që ta kishim shpallur dashurinë tonë më parë. Në një moment solemn, u ndje një lëkundje tjetër e madhe tërmeti. Situata u bë tragjike. Asnjëherë nuk dihet sa i gjatë dhe sa i rëndë do jetë tërmeti që është duke rënë. Unë u tremba se mos shtëpia na zinte brenda. Banorët e tërë Beratit kishin dalë jashtë banesave, kurse aty në një shtëpi të vjetër një i “krisur” lutet për nuse! Situata me shtëpinë e vjetër që i kërcisnin trarët, nga tragjike u bë edhe komike. Tani kush duhet t’ia mbathte i pari? Njerëzit e mi, që pretendojnë se janë fis me rrënjë trimërie? Apo t’ia mbathte ai që pretendonte se e desh vajzën e tyre dhe që do ta mbronte nga tërë rreziqet? Si ata që do të jepnin vajzën, si ai që e kërkonte, po më dukeshin të verdhë dyllë! Po asnjëri nuk lëvizi, si për të thënë, “ne nuk pyesim për tërmete!” Unë nuk e di se si bëhen krushqitë e tjera, por të bësh krushqi nën lëkundje malesh, pa t’u dridhur qerpiku, vetëm kjo e imja ka ngjarë! Unë tani i them tim shoqi se gjatë jetës tonë të përbashkët kemi vuajtur shumë, por trimëri të tjera, ai nuk më ka treguar më!

-Po ai vetë, çfarë thotë?

-Ai thotë se trimëritë e tjera nuk janë dashur, ndërsa për “tërmetin e kërkimit të dorës” thotë, se kjo ka qenë e vetmja lëkundje në marrëdhëniet tona!

-E si janë marrëdhëniet“pa lëkundje”me bashkëshortin tuaj dhe njëkohësisht kolegun tuaj në rrugën e bukur të artit, z. Pëllumb Kulla?

-Ato vazhdojnë të mos kenë lëkundje e nuk do të kenë. Jeta jonë ka qenë e vështirë, e bukur, e ëmbël, e hidhur, me humbje e fitore! Bashkëpunimi ynë ka qenë i përhershëm, me ndihmë reciproke njëri- tjetrit! Ka qenë një jetë që do të dëshironim ta rikthenim si rikthehen bobinat e filmit për të provuar sërish të njëjtat emocione!

-Vërtet Xhuljeta,ishit ju që shkuat në krahët e Pëllumbit, apo ai fluturoi tek ju?

-Le të ketë emër shpendi ai. Unë di të fluturoj më mirë.

Sa e vështirë ishte përballja e jetës së dy bashkëshortëve artistë, ku për çdo ditë shkonin në prova para dite dhe pas dite, duke ndjerë pas krahëve “cicërimat” e tre fëmijëve, që si lastarë po  rriteshin?

-Ishte mjaft e vështirë. Por ndërkohë ata rriteshin edhe në shoqërinë e aktorëve në turnetë nëpër qytete dhe shfaqjet e përnatshme në Fier. Vërtiteshin prapa skenës, këndonin këngët e Brunës dhe Sofikës, kur ato dilnin para publikut, mësonin përmendsh tekstet e Fuatit dhe Luftarit, uleshin në kabinat ku bënin makijazh aktorët. Djali im, Flladi, për shumë vite nuk e dinte hiç se mustaqet e burrave rriten natyrshëm. Ai mendonte se tërë burrat e Fierit dhe Mallakastrës që haste nëpër rrugë, i blinin dhe i ngjitnin mustaqet si Arqile Lipja, me eter.

-Sa ka ndikuar në jetën tuaj prania e Pëllumb Kullës bashkëshort, regjisor dhe qytetar?

-Ka ndikuar së tepërmi. Ne jemi shumë pranë njëri- tjetrit në të gjitha kuptimet. Ndajmë të njëjtat mendime dhe i kemi të njëjta, si virtytet ashtu edhe të metat.

 -Përse jo pak nga rolet tuaj, luajtur në skeçet, “Kultura duket”, “Zemra me zilkat”, “Këshilla për fëmijët nga 5 deri 55 vjeç”, “Telefoni…” etj, edhe sot mbeten ende të freskët në kujtesën e spektatorit?

-Thjesht ata janë ndërtuar letrarisht bukur, japin dorë me karakteret e sjellë në letër dhe ngacmojnë në vatrën e problemit dhe jo larg vatrës. Marrim shembull “Telefonin…”. Njerëzit pothuajse të gjithë tani kanë telefona, por ende vazhdojnë të kërkojnë e duan ta përdorin gjënë e tjetrit.

-Mjaftë skeçe, në veçanti, “Opozitarë, por vëllezër”, “Më shumë  dua vjehrrën e burrit, se sa vjehrrën time”, “Grindjet me burrin në metro”, “Djali im dashuron një kineze”, shkruar vitet e fundit  nga bashkëshorti  juaj, janë mirëpritur nga auditori shqiptar i Amerikës. Ndjeheni e lumtur me suksesin e tyre?

-Oh, sigurisht! Këtu suksesi skenik ka një shije tjetër. Malli i bashkëkombësve për shfaqjet tona të dikurshme është aleat në suksesin tonë. Pra ne e nisim lojën me dhjetë pikë në avantazh.

-Nëse vërtet djali juaj do të dashuronte, një kineze, si do të ndiheshit ju, si nënë?

-Së pari do të uroja ta njihte mirë vajzën dhe ajo ta meritonte dashurinë e tim biri. Unë do ta prisja njësoj si të ishte vajzë shqiptare, italiane, ruse, apo  kombësie tjetër.

-Vitet e fundit midis librave “Si  qeshnim në  diktaturë”, “Vdekja e Enver Hoxhës”, “Lejlekët nuk vijnë më”, “Luftë pa fund”. “Teatri  kjo lojë magjepsëse” etj., me autor Pëllumb Kullën, spikat libri “Rrëfenja nga Amerika”, i cili trajton temën e emigracionit. Si e pritët ju këtë vepër?

-Padyshim me entuziazëm. Ai është libri më popullor i tim shoqi. Është botuar dy herë dhe si vepër është bërë mjaft e njohur.

-Flitet se në udhëtimin e faqeve të tij, qëndron dhe jeta juaj e përditshme brenda hapësirës familjare. Është e vërtetë?

-Natyrisht. Po citoj autorin tek ka thënë njëherë se, “jeta e artistit është miniera kryesore e krijimtarisë së tij”. Në atë libër jam unë, janë fëmijët tanë dhe ne i kemi dhënë autorit shumë material për rrëfenjat e tij. Aty janë shumë nga përleshjet e emigrantëve me ambientimin në një vend të ri, vite drite larg me vendin prej nga erdhën. Në atë libër është i maskuar edhe vetë autori, që figuron si shofer, si i pashkolluar, si gojështhurur. Pra, ai të gjithëve ne, sikurse edhe veten e vet, na ka shtrembëruar dhe karikaturizuar ngrohtësisht. Është libër i mahnitshëm!

-Keni shkuar disa herë në Shqipëri. Cilat prej ngjarjeve ju kanë sjellë më tepër kënaqësi?

-Është gjithmonë një kënaqësi rikthimi në shtëpinë tënde. Në Fier, veç premierave teatrore, unë kam qenë së fundi edhe në dy festa. Kam qenë në kremtimin e 50- vjetorit të estradës, ku dhe u vlerësova me titullin “Qytetare Nderi”. Katër vjet më pas, u organizua festa e 40 -vjetorit të teatrit, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, zoti Topi, që më nderoi duke më dorëzuar medaljen“Naim Frashërin e Artë”.

-Cila është thirrja e artistes Xhulieta Kulla, ndaj qeverisë, ku jo pak artistë me tituj e medalje, po qëndrojnë “prapa liste“ duke mos u trajtuar  nga  shteti ashtu si duhet?

-Qeveria ka shumë probleme që i kanë lidhur këmbët. Janë probleme të drejtësisë, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë. Të gjitha këto në atmosferën e një lufte politike të egër. Ne i ndjejmë në lëkurën tonë hallet e mëmëdheut. Qeveria dhe Opozita duhet të kenë më tepër besim se kultura, arti dhe artistët janë aleatët e tyre, nëse punohet për të mirën e Shqipërisë.

-Edhe sa rrugë do të përshkojë në itinerarin Amerikë – Shqipëri dhe anasjelltas, çifti i artistëve Kulla?

-Nuk e themi dot numrin e saktë, se së pari, nuk dimë se sa do të rrojmë!.

Ju uroj të rroni sa më shumë, të keni një gjallëri të pashterur. Si admiruesi juaj, uroj edhe veten, që të shoh nga ju vepra, shfaqje dhe role sa më të bukur.                                                    

                                                          INTERVISTOI

                                                 FADIL SHEHU           

                                                 Florida, SHBA,

Gusht 2014