Flavja Kaba: Nuk mjafton të jesh vetëm pedagoge, por njëkohësisht duhet të jesh edhe psikologe

1037
Sigal

PERSONAZH/ Flet Pedagogia e mirënjohur e Departamentit të Gjuhës Spanjolle, Flavja Kaba

 -Një prezantim të shkurtër rreth vetes … Vajzë e vetme e dy prindërve mjekë, vajzë Tirane apo “goc tirone” siç parapëlqen të prezantohet në mjediset shoqërore, Flavja Kaba është pedagoge pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Gjuhëve të Huaja. Largohet në kohë tranzicioni (1998) për të vazhduar studimet në një kolegj në Stamboll, meqë asokohe Turqia ishte i vetmi shtet që lehtësonte proçedurat me vizat por edhe me studimet. Pasi përfundon kolegjin me rezultate të shkëlqyera, fiton bursë për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi Spanjolle, në Universitetin Shtetëror të Ankarasë, ku pas diplomimit, Fakulteti i propozon të bëhet pjesë e stafit pedagogjik. Malli për familjen dhe dëshira për t’u kthyer në vendin e saj e për të kontribuar njohuritë e fituara, e kthejnë përgjithmonë në vendlindje. Diplomohet në Tirane, për Shkenca Juridike dhe kryen një sërë kurse e trajnime brenda e jashtë vendit për të dy diplomat universitare përkatëse. Njohëse e 4 gjuhëve te huaja dhe poseuduese e një sërë diplomave, certifikatave dhe trajnimeve brenda e jashtë vendit. Një pedagoge autoritare por, edhe një mikeshë e mirë për të gjithë studentët e saj.

 -Ndërkaq, ne ju njohim si Pedagoge, por dimë që, jeni përfshirë edhe në fushën e përkthimit artistik, pasi në vitin 2012 sillni nga spanjishtja në gjuhën shqipe, romanin “I Burgosuri i Qiellit” të shkrimtarit të famshëm spanjoll Carlos Ruiz Zafon. Do te mjaftohemi vetëm me këtë përkthim tuajin apo, keni plane afatgjata edhe në këtë fushë?

 Carlos Ruiz Zafon është një autor bashkëkohor spanjoll, fama e të cilit ka prekur pesë kontinentet dhe vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se pesëdhjetë gjuhë. Zafoni bëri për vete me penën e tij edhe lexuesit shqiptarë. “I Burgosuri i Qiellit” është libri i tretë nga trilogjia “ Varreza e Librave të Harruar”, pas librave “Hija e Erës” , “Loja e Engjëllit” & “Marina”. Në këto dy vite heshtje kemi qenë në pritje të librit të katërt të këtij shkrimtari, i cili ka premtuar se shumë shpejt do t’i sjelli lexuesve në Spanjë dhe jashtë saj edhe librin e tij të fundit për këtë tetralogji. Jemi ende në pritje. Ndërkaq, duke qene se lexuesi shqiptar e ka mirëpritur veprën e këtij shkrimtari, Shtëpia botuese Dituria më propozoi të sjell në shqip tre libra të tjerë të po këtij autori, me të cilët është nderuar edhe me çmime, libra të cilët do të promovohen në nëntor të këtij viti në Panairin e Librit.

 -Marrdhënia juaj me studentin , si është ?

 Mund të them që, kam krijuar raporte shumë të mira me studentët. Sa herë që hyj në auditor nuk harroj se dikur në ato banka jam ulur edhe unë. Duket si profesion i thjeshtë, të paktën kështu e perceptojnë disa. Por në fakt nuk është. Nuk mjafton të jesh vetëm pedagoge, por njëkohësisht duhet të jesh edhe psikologe. Studentët janë të gjithë të ndryshëm dhe komunikimi me ata nuk mund të jetë i njëjtë sikurse nuk është edhe aq i thjeshtë. Duhet të kuptosh dhe të bëhesh pjesë e botës së tyre, që dhe komunikimi të jetë sa më i lehtë. Një student është më i turpshëm, dikush më aktiv, dikush tjetër nuk ka mendjen në mësim, dikush parapëlqen t’ja “shkulësh veshin” me zë të lartë e një studenti tjetër i mjafton vetëm ngrysja jote e vetullave. Jam tolerante sa për të mos i dëmtuar dhe autoritare sa për të mos i lënduar. Jam pedagoge në auditor dhe jashtë ambientit mësimor jam mikesha e tyre me të cilën ata ndajnë gëzimet dhe problematikat e moshës.

 –          Po me kolegët, çfarë marrëdhëniesh keni?

Departamenti Gjuhës Spanjolle përbëhet nga shtatë pedagogë të brendshëm dhe dhjetë të jashtëm. Jemi një staf i vogël por me zemër të madhe. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë ata. Na karakterizon një frymë pozitiviteti dhe mirëkuptimi ndërsjellët. Nuk mungon vullneti për përshtatje dhe vlerësimet që kemi për njëri tjetrin. Marrëdhënia jonë është dhe duhet të jetë marrëdhënie e një “skuadre” fitimtare. Të bazohet në besim, mirëkuptim dhe respekt reciprok. Duke qenë se shumicën e ditës e kalojmë në punë me kolegë mendoj se marrëdhëniet duhet të jenë të sinqerta dhe adekuade jo vetëm për statusin që kemi por edhe duke pasur parasysh që jemi shembull për studentët tanë. Dita jonë nis me plane dhe mendime për t’ shërbyer sa më mirë departamentit dhe studentëve. -Tashmë e keni hedhur pas edhe këtë vit akademik, si ishte ai per ju ? Një vit akademik shumë i bukur, me shumë punë, shumë i gjatë për të kaluar e shumë i shkurtër tani që ka mbaruar. Plot projekte me kolegët dhe me studentët. Jemi departamenti më i ri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duke qenë se deri në vitin 2008 nuk ka patur Departament të Gjuhës Spanjolle. Spanjishtja tek ne, deri në vitin 2008 është mësuar vetëm në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Kemi shumë plane dhe projekte edhe pse mund të them me shumë bindje që në një kohë kaq të shkurtër të hapjes së Departamentit, stafi jonë i pedagogëve ka realizuar plot sukses disa prej këtyre projekteve. Jemi në kërkim te risive por edhe te implementimit të tyre. Motoja jonë është të diplomojmë studentë të përgatitur dhe që të jenë të aftë për të përballuar sfidat dhe vështirësitë në shoqërinë civile, të krenohemi me studentët tanë teksa i shohim të pozicionuar në vende të ndryshme pune duke gëzuar bashkë me ata arritjet e tyre dhe mundin tonë.

 -Si nis dita për ju ?

Plot energji dhe vitalitet. Zgjohem me dëshirën për të marrë maksimumin e mundshëm nga dita dhe për të dhënë gjithashtu maksimumin tim më të mirë në punë e në shoqëri. Dita nis me ballafaqimin me trafikun problematik të Tiranës, kafenë e mëngjesit me miq e kolegë, dhe më pas në krye të detyrës, përpara auditorit me studentë. Meqenëse jam duke u përgatitur për të mbrojtur titullin doktor, një pjesë e mirë e ditës kalon edhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe përpara kompjuterit, ku mundohem të sistemoj oraret e shfletimit online për materiale doktorature por edhe punimet e përkthimeve të lartëpërmendura. Sigurisht që, gjej kohë për familjen dhe për miqtë e mi, takimi me të cilët më zbukuron ditën.

 -Jeta juaj private, si po shkon ?

Momentalisht jeta ime private është hijëzuar nga dëshira për të përfunduar sa më shpejt mbrojtjen e titullit doktor dhe përkthimet. Mbingarkesa profesionale aktualisht zë pjesën më të madhe të kohës time. Por kjo nuk do të thotë që, nuk mund të kem një jetë private, përparësia së cilës nuk është e largët në horizontin tim.

 -Jeni për martese, apo bashkëjetesë ?

Mendoj se triumfi i këtij rrugëtimi pikë së pari është gjetja e njeriut të duhur që të bën të ndjehesh mirë, ofron mirëkuptim, tolerancë dhe dashuri. Unë parapëlqej martesën. Jam pro tradicionales, fustanit të bardhë, puthjes së babait në ballë, ngjyerjes së gishtit me mjaltë. (Qesh) Përsa i përket bashkëjetesës, këtij modeli të brishtë, mendoj se ky term që në zanafillën e tij është keqkuptuar dhe keqinterpretuar në vendin tonë. Kjo si rrjedhojë e moskuptimit në mënyrën e duhur e ardhjes së demokracisë në vitin 1990, këtu e 24 vjet më parë. Bashkëjetesa është perceptuar si një iluzion lirie duke i dhënë martesës ngjyrime të errëta dhe kufizime. Të qenurit i përgjegjshëm nuk është më aftësi dhe virtyt por modernizim i huazuar. Sillemi dhe mendojmë ndryshe nga çfarë jemi edhe pse të gjithë ne, kur topi vjen në fushën tonë, përgjegjesinë e “frikshme” e kërkojmë me ngulm. Përpara se të praktikojmë atë ç’ka vendet e tjera e kanë praktikë të më shumë se 24 viteve, duhet me doemos të jemi njohës të mirë të teorisë.

 -Sot flitet shumë  për kirugjinë estetike ?

Të transformosh një vepër arti të një Artisti (zoti) të madh, është gjynah për Artistin dhe tregon mosrespekt ndaj vetes si edhe komplekset që ke. Nuk jam kundër kirurgjisë estetike në ato raste kur njeriu ka deformime të cilat i vështirësojnë jetesën, por të fryhesh për të qenë më e bukur në sytë e të tjerëve më duket absurditet. Kësaj i thonë “më pëlqe për atë që dukem e jo për atë që jam”. Pa llogaritur faktin që shumica e atyre që kanë guxuar, më shumë janë shëmtuar sesa zbukuruar. Sondazhet e shumta brenda edhe jashtë vendit kanë treguar se origjinalja është mbi transformimin. Unë mendoj se Perëndia i ka krijuar që të gjithë njerëzit e bukur, ajo që duhet të bëjmë është të dimë të ruajmë dhe të kujdesemi për këtë vepër arti, pa harruar që mendja e bukur i ka gjithmonë sytë plot nur. –

Veshja juaj e preferuar ?

Edhe pse themi që njerëzit nuk duhen gjykuar nga veshja gjithsesi përshtypjes së parë nuk i anashkalon askush. Pa harruar që Nastradini thotë të kundërtën që “Qyrku e bën njerinë”. Mua më pëlqen stili klasik si në punë ashtu edhe jashtë saj, ndaj mund të them se bëj pjesë në grupin e femrave që vishen klas. Mendoj se është stili më i përshtatshëm për të treguar feminilitet. Parapëlqej ngjyrat e ndezura por nuk heq kurrë dorë nga e zeza, moda së cilës nuk kalon kurrë. Bëj kujdes që të balancoj veshjen klasike dhe t’i përshtatem ambienteve që frekuentoj dhe eventeve ku marr pjesë. Nuk ndjehem rehat veshur me xhinse dhe atlete apo e thënë ndryshe “casual”. Këto për mua ishin veshje që i përkisnin adoleshencës dhe viteve studentore, dhe sot mendoj që edhe po të duash nuk mund të pranosh faktin që një studente të vishet me taka të larta ndërkohë që jo vetëm nuk i përshtaten ambientit shkollor por çka është më kryesorja, pas mbarimit të ciklit shkollor do të kenë aq kohë në dispozicion sa të vishen si të dëshirojnë. Shkolla, universiteti janë vitet e rehatisë dhe nxënësi apo studenti duhet të harxhojë më shumë kohë duke shfletuar libra sesa duke ndërruar taka.

 -Cili është sekreti i formave të bukura fizike ?

 Mundohem të ushqehem shëndetshëm dhe të konsumoj sa më shumë ujë e sa më pak ëmbëlsira. Për shkak të mbingarkesës, këto kohë kam lënë pas dore aktivitetet fizike, por gjithsesi nuk e ekzagjeroj në të ngrënë. Nuk jam përpjekur kurrë të bëj dieta dhe nuk besoj tek jetëgjatësia e tyre. Dieta më e mirë janë aktivitet fizike dhe ushqimet e shëndetshme. -Cilat janë disa probleme të femrës shqiptare, sot ? Ende të përhumbura në atë çfarë kërkojnë dhe dëshirojnë të arrijnë. Sigurisht që janë ndërgjegjësuar për pozicionin e tyre në shoqëri dhe kanë evoluar por mund të japin edhe më shumë. Megjithëse mendoj se krahas problemave të femrës shqiptare fshihet gjinia mashkullore, e cila nuk pranon dot emancipimin femëror. Femrat janë të betonizuara nga maskileteti egër dhe frustrues, të pafuqishme të zbërthehen dhe lirohen nga këta zinxhirë frymëmarrës. Gjithmonë në garë për të fituar barazinë me meshkujt duke harruar faktin që nuk kanë përse të barazohen. Të gjithë i dimë shumë mirë fuqitë që kemi, pozicionin që na takon në familje, punë dhe shoqëri, ndaj dhe nuk kemi përse të luftojmë për barazi gjinore. Gjithmonë pas emrit tonë ka një “posedues” mashkullor. Njihemi dhe jemi në cilësinë e “vajza”, “gruaja” e dashura” e filanit sepse gjithmonë sipas tyre jemi në plan sekondar. Detyrat tona janë të limituara në të qenurin “nëna”, gra” dhe “shërbëtore”. Madje edhe në penën mashkullore, femra ka pasur funksionin për të kënaqur nevojat fizike dhe shpirtërore të meshkujve. I ka munguar gjithmonë vlera dhe rëndësia. Siç thotë edhe shkrimtarja spanjolle Ana Maria Matute: “ Esenca e vërtetë e femrës, nuk është të qenurit nënë apo bashkëshorte, por përkundrazi të qenurit e lirë, të qenurit vetvetja”. Duhet pranuar që femra shqiptare ka bërë ndryshime nga “burrneshë” në një femër moderne të emancipuar por na duhet edhe më shume punë për të çrrënjosur mentalitetin mashkullor. Shpëtimtari vetvetes jemi vetë ne dhe jo fuqia muskujve të fryrë

 . -Pjata juaj e preferuar ?

Të gjitha gatimet e nënës time. Më pëlqejnë prodhimet e detit por, nuk heq dot dorë nga brumërat. Kuzhina ime preferuar është ajo mesdhetare por, më pëlqen të provoj e shijoj nga të gjitha kuzhinat.

 -Personazhi shqiptar, i veshur me mire, sipas jush eshte …

 Ka shumë, por do të cilësoja Blendi Fevziun. Është karizmatik dhe vishet me shumë shije të hollë. Komplimente.

 -Si e shikon veten pas disa vitesh ?

Në fakt nuk rri dhe e shikoj por punoj që të arrij aty ku unë dua. Asgjë nuk arrihet pa mund. Pas disa vitesh besoj se do jem një nënë e përkushtuar pas familjes time, një pedagoge me më shumë eksperiencë dhe me më shumë grada e tituj, si edhe një përkthyese e denjë e gjuhës shqipe. Të gëzoj shëndet të plotë, qetësi, harmoni dhe shumë dashuri për të dhënë e për të marrë në familje, punë e shoqëri. A dëshiroj të arrij majat në çdo fushë? Po, pse jo. Por duke punuar dhe me meritë e jo duke bërë sehir e duke shpresuar.