Eva Allushi: Këtij vendi po i merret fryma nga fenomeni i korrupsionit

811
Sigal

INTERVISTA/ Flet Doktore Shkencash Eva Allushi:- Edi Rama beson tek aftësia dhe suksesi i grave

 Dikur gazetare, sot pedagoge. Nuk e harron kurrë të qenit gazetare, por edhe mësimdhënia për ‘të është një profesion fisnik. Sipas Evës, në arsim ka patur suksese, por ndërkohë, ato janë errësuar nga ngutja dhe nxitimi i aplikimit ndonjëherë, i reformave të pakonsultuara gjerësisht si në nivel ekspertize, ashtu dhe me grupet e interesit. Ajo përshëndet iniciativën e Ramës për përfshirjen e grave në rangje ministrie apo dhe drejtuese në institucionet më të rëndësishme, pasi gratë sipas saj, janë më të përkushtuara në punë.  Zgjedhja që ka bërë, duke vendosur disa zonja në pozicionin e ministres, është për t’u vlerësuar.

 Problemet e arsimit janë shumë evidente, që nga mungesa e teksteve, ndryshimi i tyre në arsimin e mesëm dhe 9-vjeçar, gabimet e mëdha në shtypshkrim, etj., pse vijnë këto probleme?

 Vlerësoj faktin që në vëmendjen tuaj, problemet e arsimit zënë një vend të rëndësishëm. Në gjithë këto vite tranzicion është bërë jo pak për arsimin në Shqipëri. Nuk më pëlqejnë situatat apo analizat bardhë e zi, kur i referohemi zhvillimeve në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në arsim. Të dalë nga një regjim totalitar, sfida për të ndryshuar rrënjësisht arsimin, si një ndër fushat e goditura rëndë nga doktrina komuniste, ishte e vështirë, por e domosdoshme. Shqiptarët janë një popull arsimdashës dhe i kanë mbështetur hapat e hedhura në kohë nga e Majta dhe e Djathta , si dhe reformat tërësore apo pjesore që janë realizuar në segmente të ndryshme të arsimit. Pa dyshim, ky reformim i vazhdueshëm ka pësuar ulje-ngritjet e veta. Ka patur suksese, por ndërkohë, ato janë errësuar nga ngutja e nxitimi i aplikimit ndonjëherë e reformave të pakonsultuara gjerësisht si në nivel ekspertize, ashtu dhe me grupet e interesit. Një tjetër problem madhor, si në çdo fushë duhet thënë se, është korrupsioni, i cili jo në pak raste ka qenë bashkëshoqërues dhe shkak i dështimit të reformave në arsim. Ka patur një mungesë vizioni, për qëllimin se ku do të arrihej dhe një konfuzion për rrugën që do të ndiqej për të transformuar këtë fushë kaq sensitive për të ardhmen e vendit. Me shumë të drejtë ju rendisni probleme madhore si mungesa e teksteve apo ndryshueshmëria e teksteve shkollore, në arsim 9-vjeçar apo të mesëm. Këto nuk janë problematika pa zgjidhje, kjo është me shume çështje vullneti dhe ka ardhur koha t’u jepet fund sot nga qeveria, aventurave me tekstet mësimore, mungesës së pa arsyetuar të tyre etj..

 Numri i madh i universiteteve private e rrit apo e ul cilësinë e mësimdhënies në Shqipëri?

 Numri nuk duhet të na trembë. Çështja e cilësisë së mësimdhënies në universitetet private veçanërisht, nuk duhet të jetë dhe të mbetet e lidhur me numrin e tyre në Shqipëri. Jetojmë në një shoqëri të hapur, në një treg të hapur të iniciativës së lirë. Më shumë se çështje numri, kjo mbetet përmbushje standardesh e kriteresh që garantojnë cilësi e qëndrueshmëri në sistemin arsimor. Ne jemi dëshmitarë të faktit që, edhe pse me një historik të shkurtër të ngritjes së tyre, në Shqipëri ka edhe universitete private model të mësimdhënies, cilësisë, trajtimit të studenteve etj.. Çdo politikë centraliste, shtrënguese dhe e mbyllur, nuk do të ndihmonte konsolidimin e arsimit privat në Shqipëri. Besoj se, nëse do të kishte vullnet pozitiv për t’iu referuar shembujve më të mirë të evoluimit të proceseve arsimore në vende të ndryshme, ato perëndimore veçanërisht, optika rreth qasjes së kësaj problematike do të ndryshonte sigurisht. Pa dyshim, licencimi i këtyre universiteteve, renditja e tyre duhet të jetë në përputhje me kritere rigoroze e transparente.

 Karta e Bolonjës a ka gjetur zbatim tek arsimi shqiptar dhe ku konsiston ajo?

Po, Karta e Bolonjës ka gjetur zbatim në sistemin arsimor shqiptar. Nëse i referohemi analizës që studiues të ndryshëm europianë i bëjnë këtij sistemi, si dhe efekteve që rezultojnë me aplikimin e tij në Shqipëri, kuptojmë se si çdo sistem në fund të fundit, ka anët e veta të ndriçuara apo të errëta. Pra ka vend për ndryshim dhe ky diskutim është i shtruar tani në tryezat europiane, aty ku diskutohet dhe ndërmerren hapa për të përmirësuar arsimin në tërësi. Një diskutim i veçantë bëhet lidhur pikërisht me sistemin 3+2, sa i efektshëm është ai, a i jep studentit njohuri të qëndrueshme, a e ndihmon dhe përgatit atë për tregun e punës etj.. Ka vende europiane, të cilat nuk e aplikojnë këtë sistem. Megjithatë, unë mendoj se nuk ka sisteme të këqija, por aplikime, apo zbatime jo të mira të tyre. Por nëse do të konkludohej se ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë sistem referimi, do të isha e hapur ndaj ndryshimit.

 -Jeni pedagoge, sot diskutohet fenomeni mitmarrjes, mendimi juaj? Si mund të frenohet ky fenomen kaq negativ?

 Në këtë pikë, unë kam qëndrim tërësisht drastik. Këtij vendi po i merret fryma nga fenomeni i korrupsionit. Ky i fundit është udhërrëfyesi i së keqes, shtruar tashmë, këmbëkryq në Shqipëri, në çdo fushë. Në arsim po ashtu. Si mund të frenohej? Unë do të kërkoja më shumë patriotë në këtë vend, njerëz me dinjitet që i shërbejnë vendit të tyre. Por nëse kjo tingëllon shumë idealiste për kohët e vështira që kalojmë, atëherë ligji dhe modeli i zbatimit të tij për të parin dhe të fundit shtetas të këtij vendi do të ishte rruga më e mirë, për të frenuar këtë gangrenë.

 -Thuhet se ka rënë kërkesa e llogarisë në universitete, a është e vërtetë?

 Jo. Këtë nuk mund ta them. Për mua nuk qëndron dhe jua argumentoj. Sot në universitete, fatmirësisht ka staf të përgatitur dhe ambicioz. Kurrikulat në universitetet publike mbështeten në modele bashkëkohore. Të gjithë përdorin literaturë të fundit, nuk ka më asnjë pengesë për ta gjetur atë. Nuk shikoj problem në mësimdhënie. Ka një çoroditje në angazhimin e studentëve, sigurisht, pra kanë një nivel përgatitjeje që le për të dëshiruar. Nga kjo pikëpamje mund të shikohet mënyra për të rregulluar apo ngushtuar raportet pedagog-student. Por unë, gjithsesi, mendoj që kjo është një fazë për t’u kaluar. Pra, çdo kush që nuk shikon një të ardhme të qartë i drejtohet universitetit sot, nesër pa dyshim që do t’i drejtohet një rruge tjetër, nëse konsolidimi i ekonomisë dhe i fushave të tjera do t’ia lejojë këtë.

 Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Kontributi. Puna. Sinqeriteti. Nuk i ndaj dot se këto shkojnë të gjitha bashkë. Po duhet edhe kurajo, dinjitet për të ecur para në këtë terren të vështirë. Si burrat edhe gratë përballen me vështirësi e sfida, e rëndësishme është të mos devijosh nga parimet.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Ka disa modele femrash shqiptare sot. Një model, është gruaja e papunë. Një familjare në vështirësi ekonomike, në pamundësi për të kontribuar në shëndoshjen ekonomike të familjes, e privuar padrejtësisht për të dhënë kontributin e saj në shoqëri. Ky është sot problemi më i madh për gruan në Shqipëri, e veçanërisht në zonat periferike të saj. Gruaja në zonat rurale, gjithashtu, përballet me vështirësi të panumërta, me të drejta jo të barabarta me burrin në familje e shoqëri, e rraskapitur nga puna në një bujqësi ende të pamekanizuar. Ka edhe një tjetër model të gruas shqiptare, është gruaja e trafikuar, pre e trafiqeve të organizuara kriminale, por edhe peng i varfërisë e skamjes, e parrugëdaljes gjithashtu. Ka edhe modele të tjera, gra të realizuara, që i japin shumë shoqërisë, familjes, brezit të ri. Që punojnë fort, për ta ndryshuar këtë vend, të vendosura për të ecur përpara, herë duke e ngritur zërin e herë në heshtje.

 -Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

Maskilizëm ka kudo e kurdoherë. Jo vetëm në shoqërinë shqiptare. Edhe në shoqëritë më të zhvilluara, duket sikur fle maskilizmi dhe nuk dëmton, por sapo gjen hapësirë ngre krye dhe kërcënon. Në Shqipëri ende mbetet fenomen dominant. Kjo është pjesë edhe e faktit që ne mbetemi ende një shoqëri e brishtë, e pakonsoliduar, e kërcënuar nga frikëra e ambicie të panevojshme. Ne jemi dëshmitarë të mosrespektimit të kontributit të gruas në politikë. Listat që përdorin partitë politike, janë një dëshmi, një tregues i një mjedisi ende jo respektues deri në fund ndaj angazhimit të grave, mbi të gjitha ndaj domosdoshmërisë për të ndarë me ‘to pushtetin dhe përgjegjësitë, kurajon dhe forcën për ndryshim.

 Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

 Jeta e njeriut është e gjatë. Ka vend për shumë kontribut e në fusha të ndryshme. Disa i zgjedh vetë, e të tjerat jo. Unë nuk do të harroj asnjëherë profesionin tim të parë, gazetarinë, ku mësova shumë e u përpoqa të jap sa kisha mundësi e hapësira gjithashtu. Politika po ashtu, ka qenë bashkëshoqëruese e një pjese të rrugës time. Ia vlejti gjithashtu, të njohësh shumë njerëz e të ndash me ‘ta ide e qasje të përbashkëta, është përgjegjësi dhe mbetet e bukur gjithashtu. Por pa dyshim mësimdhënia, mbetet një profesion fisnik. Unë ndihem mirë mes studentesh, sepse jo vetëm iu jap dije, por dhe marr shumë nga ata. Të ecësh me kohën, mbetet sfidë për secilin nga ne.

 Cilat janë rrugët për emancipimin dhe pavarësinë e gruas në shoqërinë shqiptare?

 Në çdo kohë vështirësitë do jenë të pranishme. E rëndësishme është të vazhdohet rruga. Kudo ku gruaja jep një kontribut. Po veçanërisht duhet një qëndrim i përbashkët për forcimin e një segmenti që mund të bëjë bashkë shumë njerëz të lirë në qëndrime e mendime dhe kjo është shoqëria civile. Duhet forcuar shoqëria civile në Shqipëri. Është imperative të konsolidohet ky zë, si një kolonë e pazëvendësueshme e qëndresës dhe e përparimit në Shqipëri. Gruaja duhet të jetë pjesë e shoqërisë civile, e politikës gjithashtu. Por për këtë të fundit kërkohet më shumë bashkëpunim dhe aleancë të qëndrueshme mes grave.

 Qeveria “Rama” në shumë poste ka vendosur femra. A mund të përballojë një femër problemet e drejtimit të një institucioni po aq sa një mashkull?

 Është e vërtetë. Edi Rama zgjedh të punojë me gratë. Dhe beson tek aftësia e suksesi i tyre. Zgjedhja që ka bërë duke vendosur disa zonja në pozicionin e ministres, është për t’u vlerësuar. Nuk ka gra të paafta, ka njerëz të aftë ose të paaftë. Ka gra dhe burra te suksesshëm. Por gratë dallojnë për shkak të përkushtimit të tyre shumë të lartë kur i besohet një detyrë. Eksperienca botërore ka treguar se, gratë kanë qenë të afta të marrin vendime si për paqe, ashtu edhe për luftë. Pra, unë nuk shoh asnjë ndryshim. E rëndësishme është që në këtë marrëdhënie të mbizotërojë besimi dhe dinjiteti, jo e kundërta. Në fund duhet t’i vlerësosh për këtë kontribut. Në politikë nuk ndodh gjithmonë kjo.