Ervehe Çumani:- Ndërtimet pa leje në periudhën e tranzicionit janë si rezultat i mungesës së studimeve urbanistike

1056
Sigal

INTERVISTA/  Flet inxhinierja e ndërtimit dhe specialiste në KLSH, Ervehe Çumani

– Ka kryer studimet e larta në vitet 1985-1990, në Fakultetin e Inxhinieri Ndërtimit, Universiteti Shtetëror i Tiranës, i quajtur në atë periudhë moniste Universiteti “Enver Hoxha”.  Fakulteti i Inxhinierisë në ato vite ka patur profesorë shumë të nderuar si Nikolla Verdho, Luljeta Bozo etj., të cilët kanë qenë të talentuar në profesionin e tyre dhe në metodat e mësimdhënies. Edhe sot Fakulteti i Inxhinieri Ndërtimit ka një staf akademik shumë të mirë. Erveheja ka zhvilluar një kurs pasuniversitar në vitet 2009-2010, dhe ka përshtypjet më të mira për stafin akademik të këtij fakulteti si nga ana profesionale dhe organizative. Njëkohësisht ajo ka punuar në Ministrinë e Pushtetit Vendor, në KLSH, etj..

 -Tekstet mësimore në sistemin monist a ishin në nivelin e vendeve të tjera Europiane dhe pedagogët çfarë niveli kishin?

 – Tekstet mësimore ishin të  nivelit bashkëkohor me vendet mike të Shqipërisë Rusi, Kina etj.. Fakti që në sistemin monist janë ndërtuar shumë vepra dhe objekte të rëndësishme të industrisë; diga, hidrocentrale, kombinate, metalurgji, ndërtesa banimi e social kulturore të ndryshme, tregon për një armatë të madhe specialistësh të kualifikuar në fushën e ndërtimeve, me gjithë asistencën teknike të vendeve mike.

 -Degën e zgjodhe vetë apo ta diktuan?

 – Degën si Inxhiniere Ndërtimi mund të them se ma zgjodhi sistemi i atëhershëm, por me kalimin e viteve unë u dashurova me profesionin tim dhe nuk do ta ndërroja me asnjë profesion tjetër.  Them ma zgjodhi sistemi për arsye se kur mbarova shkollën 8-vjeçare me të gjitha notat 10-ta m’u dha e drejta e studimit për Shkollën e Mesme të Ndërtimit Sarandë, të cilën e përfundova me rezultate shumë të mira dhe pastaj kuptohet studimet e larta do t’i vazhdoja në fushën e Inxhinieri Ndërtimit.

 -Kur mbaruat shkollën, ku ju emëruan dhe me çfarë detyre. A kishte ndërtime pa leje dhe kush merrej si bazë për ndërtimet?

 – Kur përfundova studimet e larta u emërova në Ndërmarrjen Komunale banesa Sarandë, si Përgjegjëse e Poligonit të Prodhimit të Materialeve të Ndërtimit. Një detyrë me shumë përgjegjësi,  me një gamë të madhe prodhimesh material ndërtimi që shërbenin në sektorin e mirëmbajtjes së banesave Shtetërore dhe sektorin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në poligon prodhoheshin që nga pllakat e shtrimit  të  banesave, dyer, dritare, arkitrar, llaç, beton,  etj., deri tek arkivolet për shërbimin e varrimit që mbulonte ndërmarrja komunale. Aktiviteti në fushën e ndërtimeve ishte mirëmbajtja nga shteti i banesave shtetërore dhe ndërtimi i pallateve të reja për banim nga Ndërmarrja e Ndërtimit. Ndërtimet në atë periudhë ishin të miratuara nga institucionet kompetente dhe nuk bëhej fjalë për ndërtime pa leje. Në atë periudhë asnjë dritare nuk mund ta hapje pa miratim të zyrave përkatëse.

 -Cilat ishin arritjet më të mëdha të Inxhinierisë Ndërtimit në atë sistem?

 – Ne sistemin monist, arritjet inxhinierike kanë qenë të shumta, duke patur parasysh zhvillimin ekonomik të Shqipërisë pas viteve 1944 deri në vitet 1990. Nga një vend pa elektrifikim u elektrifikua plotësisht me ndërtimin e veprave hidroteknike, diga e hidrocentrale, në fushën e strehimit u ndërtuan banesa kolektive, të modelit sovjetik sipas orientimit politik ekonomik të sistemit qeverisës në atë periudhë, u ndërtuan vepra të ndryshme industriale si kombinate, fabrika, objekte social kulturore; shkolla,  universitete, pallate kulture, muzeume etj., me një arkitekturë të mirë.

 -Cilat nga ndërtesat e asaj kohe ishin ndër më të veçantat në arkitekturë?

– Ndërtimet e periudhës së monizmit ishin të projektuar në Institutet e Projektimit në Tiranë sipas fushave përkatëse, në bashkëpunim me specialist të huaj rus, kinez etj.. Ndërtime të rëndësishme në atë periudhe kanë qenë të gjitha veprat të ashtuquajtura “vepra të 5 vjeçarëve”

15- katshi, Pallati Kulturës, Muzeu Kombëtar, korpusi kryesor i universitetit, Kombinati Metalurgjik, etj..

 -Përse shumë pallate bëheshin me parafabrikate betoni?

– Çdo inxhinier Ndërtimi e di që materiali më i mirë për ndërtim është druri. Ndërtime me parafabrikate janë përdorur një periudhë të caktuar për zgjidhjen imediate të problemit të strehimit në periudhën moniste.

 -A ishin të rrezikshëm ndaj tërmetit këto pallate?

Jam e sigurt që pallatet ishin shumë të sigurt, për shumë arsye mënyra e projektimit dhe e ndërtimit ishte shumë e kontrolluar dhe me një staf inxhiniero- teknik shumë të përgatitur që bënin llogaritjet për anën sizmike të ndërtesave.

 -Pse shumica e pallateve ishte standard?

– Teknika e ndërtimit në ato vite ishte modeli rus dhe si shumë vende të lindjes ndërtimet ishin tip dhe një model, vizion i sistemit.

-Kur ka qenë momenti më i vështirë në profesionin tuaj?

 – Momenti më i vështirë, por edhe më i bukur i profesionit nga qenë kur u emërova Përgjegjëse e urbanistikës së Bashkisë Sarandë 1996-2000. Një detyrë me shumë përgjegjësi, impenjime, pasion e vizion. Ndjekja e gjithë procedurave ligjore për Hartimin e Planit Rregullues dhe Studimeve urbanistike nga Instituti i urbanistikës, miratimi i tyre në KRTRRSH dhe KRT e Bashkisë, azhornimi i situatës urbane të qytetit me pronat e pronarëve, prona të kompensuara, ndërtime pa leje, kërkesa të të pastrehëve, kërkesa të biznesit etj.. Bashkëpunimi me Këshillin bashkiak dhe komisionet e urbanistikës dhe strehimit për zgjidhjen e problemeve urbanistike dhe të miratimit të shesheve të ndërtimit për banim, shërbime, hoteleri. Shqyrtimi i projekteve të ndryshme në fushën e ndërtimeve të standardeve eurpiane në fushën e shërbimeve sociale e hotelerisë, komunikimi dhe diskutimet profesionale me projektues, arkitekt, inxhinierë etj.. Bashkëpunimi me kolegë të nderuar në fushën e urbanistikës dhe infrastrukturës inxhinierike, komunikimi me kryeministra, ministra, deputetë, këshilltarë dhe deri tek komunikimi me qytetarët e thjeshtë një eksperiencë  impenjative, e lodhshme, e bukur, profesionalisht e papërsëritshme.

 -Sot, ndërtimet pa leje, ku e kanë bazën?

 -Nga eksperienca ime, ndërtimet pa leje në periudhën e tranzicionit janë si rezultat i mungesës së studimeve urbanistike në shumë zona të lira dhe kërkesës së qytetarëve për të ndërtuar ndërtesa banimi dhe biznesi, pa përjashtuar këtu faktin dhe të boshllëqeve ligjore, të cilat po përmirësohen në vazhdimësi, duke koordinuar kompetencat e zyrës së urbanistikës  me policinë ndërtimore e policinë  bashkiake.

 – Ndërtimet e sotme, a janë më të rezistueshme se ato të kohës së Enverit?

 –  Në çdo periudhë historike referuar stilit të ndërtimit dhe teknologjisë së ndërtimit ka ndërtime të ndryshme. Hartimi, miratimi dhe zbatimi i punimeve të objekteve të ndryshme kalon disa procedura tekniko ligjore të kontrollit të tyre. Referuar këtyre procedurave unë mendoj se çdo inxhinier ndërtimi llogaritjet konstruktive të objekteve janë të mirëllogaritura, duke vlerësuar statistikat për tërmetet që kanë rënë në 100 vitet e fundit. Në këtë aspekt çdo inxhinieri bën llogaritje të kujdesshme në radhë të parë për të mbrojtur veten, karrierën profesionale dhe patjetër për të garantuar jetën e qytetarëve.