Ermira Zhuri: Arma më e fortë e femrës dashuria, brishtësia, puna pa kompromis…

895
Sigal

INTERVISTA/ Flet avokatja Ermira Zhuri: Përfundimi i Universiteti të Bolonjës më bën të ndjehem krenare

  U largua për në Itali në vitet më të vështira të Shqipërisë. Vitet ku rrugëzgjidhja e vetme e shumë prej bashkatdhetarëve të sajë ishte emigrimi. E kujton si sot Janarin e vitit 1992. Një muaj i ftohtë, ku përveçse dridhej nga të ftohtët, kishte dhe dridhjet e emocioneve që më rrëmbyen atë ditë pasi priste të takonte dy njerëzit më të dashur për të Nënën dhe vëllain e vogël.

 -Si e menduat dhe si e gjetët Italinë?

Mendimet ishin nga më të ndryshmet me thënë të drejtën, Italia ishte si një ëndërr e bukur dhe e largët për të gjithë shqiptarët, po ashtu dhe për mua. Një ëndërr që mezi prisja ta prekja… por realiteti ishte shumë ndryshe. Megjithatë, arsyeja se pse unë shkova ishte të rrija pranë familjes sime dhe kjo më jepte siguri dhe forcë të ecja përpara

 -Si ju duk shkolla italiane me atë shqiptare, a kishin pika të përbashkëta?

Shkollën fillore dhe 8-vjeçare e kam kryer në Shqipëri, ku jam dalluar për rezultate të shkëlqyera, me tepër në lëndët shoqërore. Kisha dëshirë të pashtershme për lexim, veti që e ruaj edhe sot. Megjithëse, në ditët e sotme jam shumë e impenjuar me punë por atë pak kohë të lirë që kam e shfrytëzoj për lexim. Në fillimet e mija në Itali ishin shumë të vështira dhe nuk arrita t’i mbaja këto rezultate që kisha në Shqipëri për arsye të gjuhës. U regjistrova direkt në gjimnaz pa kryer ndonjë kurs për gjuhën ndaj dhe vështirësia ishte shumë e madhe. Mund të them që ngjashmëria e shkollës shqiptare dhe asaj italiane ishte pothuajse fare, nuk gjeja pika të përbashkëta, këtu ishte një sistem tjetër ndërsa ai që kisha lënë un ishte një sistem tjetër. Megjithatë, arrita të përshtatem shumë shpejt me shkollën dhe gjuhën kjo falë punës që bëja në periudhën e studimeve pasi kam nisur të punoj në moshë të vogël, kam qenë vetëm 15 vjeçe kur nisa të punoj si kameriere, pastruese dhe babysiter.

 -Ju keni mbaruar në Universitetin e Bolonjës një ndër më të mirët në botë, çfarë të veçantash kishte ky universitet?

Po është e vërtet që Universiteti i Bolonjës është ndër më të mirët dhe ndjehem shumë krenare që kam arritur të përfundoj studimet me sukses pranë këtij universiteti. Vitet më të bukura të jetës sime i kam kaluar në Bolonja. Mendoj që në Bolonja është një qytet i krijuar për të studiuar. Si përsa i përket kushteve të studimit, biblioteka  shumë e pasur më libra dhe vendi im i preferuar, sallat e leximit, auditet dhe përsa i përket mbështetjes që i ofron studentëve si p.sh bursat e studimit. Dhe unë kam arritur të kem një bursë studimesh pavarësisht prejardhjes sime dhe për këtë fakt kam qenë tepër e lumtur.

 -A ke ndjerë shenja racizmi në shkollë?

Në fillimet e mija në Itali i kam ndjerë së tepërmi këto “përbuzje” racizmi, pas shumë kohësh ku dhe arrita të kem miqësi dhe të më njihnin për më tepër duke parë mundin tim dhe dëshirën për të studiuar arrita t’i superojë të gjitha vështirësitë. Më pas nuk i kam pasur këto probleme, siç thash dhe më sipër arrita të fitoj Bursën e Studimeve mes shumë studenteve madje dhe italian.

 -Kur jeni ndjerë më keq në Itali?

Mund të them që kanë qenë shumë situata që më kanë bërë të ndjehem keq, nuk e di se cilën të veçoj nga këto situata. Por si pasojë e këtyre situatave mua më erdhi dëshira të diplomohem në Avokati dhe të luftoj për të drejtat e gjithë emigrantëve, të drejta që mua më janë mohuar dikur.

 -Si asistente pranë Universitetit të Bolonjës, cilat ishin kriteret e punësimit dhe a ka aty punësim në bazë njohjesh, miqësish, ngjyra partiake?

Përsa i përket kritereve të punësimit ishin, mesatarja e lartë e rezultateve dhe bursës së studimeve që un kisha fituar. Përsa i përket pyetjes se në rast punësimi funksionon në bazë njohjesh, miqsh apo ngjyra partiake, normalisht Italia si çdo vend tjetër ka probleme të tilla dhe mund të kem dëgjuar por në rastin tim nuk ka qenë kështu. Unë isha një e sapoardhur ndaj nuk kisha si ti kisha këto njohje, sado njohje mund të kisha, un nuk isha italiane.

 -A ke menduar ndonjëherë ta fshehësh të qenit shqiptare?

Asnjëherë. Përkundrazi gjithmonë kam shprehur krenari për prejardhjen time.

Madje, vetë fakti që un isha shqiptare më dukej sikur kisha më shumë gjëra pozitive se të tjerët.

E dua vendim tim. Kam luftuar dhe luftoj çdo ditë për të drejtat e bashkatdhetarëve të mijë.

 -Sot në profesion të pavarur në një zyrë si interpretuese për të drejtat e emigracionit (shqip frëngjisht). A ju nxorën pengesa për hapjen e kësaj zyre informuese dhe ndihmese?

 Pengesa nuk më kanë nxjerrë. Por kur kam hapur zyrën i kam menduar të gjitha vështirësitë. Fakti që jam shqiptare nuk më jep përparësi në zyra të ndryshme. Përkundrazi më shohin si rivale. Megjithatë, puna me klientët e mijë i justifikon të gjitha vështirësitë e hasura pasi kam komunikim shumë të mirë me të gjithë klientët , ku pjesa më e madhe janë shqiptarë, më mbështesin dhe më përkrahin çdo ditë, ku më falënderojnë për punën e kryer.

 -Cilat janë problemet e emigrantëve shqiptarë në Itali sot?

 Problemet janë nga më të ndryshme, duke filluar që nga çështjet penale dhe civile. Problem kryesor mendoj se, mbetet pajisja me dokumente identiteti italiane. Një problem tjetër madhor në jetën e emigrantëve shqiptarë dhe jo vetëm mbetet dhe kriza që ka kapur Italinë këto vitet e fundit. Sa vjen dhe më e vështirë bëhet për të gjetur një vend pune. Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë me familjet e tyre dhe në përgjithësi janë burrat ata, të cilët punojnë dhe ushqejnë familjen ndërsa gratë preferojnë të kujdesen për fëmijët, kjo dhe si faktor, pasi nuk kanë mundësi për punësim, ndaj ky mbetet një ndër faktorët kryesor të problemeve të të gjithë emigrantëve.

 -A ka shumë burokraci dhe shenja racizmi ndaj shqiptarëve sot?

 Po mendoj se ka akoma, ndoshta jo në atë formë aq të rreptë sa ka qenë vite më parë. Pasi shqiptarët janë integruar më së miri në Itali dhe i njohin të drejtat e tyre. Megjithatë, unë mendoj se Italia mbetet një ndër vendet që ka më tepër burokraci, ndërsa përsa i përket racizmit mund të them që Italia ka qenë e papërgatitur që të mirëpresë fluksin e emigrantëve.

 -Si do të jetë e ardhmja e emigrantëve tanë në Itali? A po kthehen shumë emigrantë?

 Si pasojë e krizës, të cilën e përmenda dhe më sipër mendoj se do të jetë akoma e vështirë dhe si pasojë e krizës shumë emigrantë janë kthyer në atdheun e tyre, duke mos pasur mundësi punësimi në Itali.

Unë mendoj se pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë kanë dëshirë të kthehen, por kushtet e jetës në Shqipëri si ato politike dhe ekonomike vazhdojnë të jenë një problem madhor në Shqipëri dhe faktor i emigrimit akoma të shumë shqiptarëve.

 -Si janë lidhjet e tua me emigrantët shqiptarë, me shoqatat e tyre dhe a janë të organizuar shqiptarët aty?

Përveçse punës që unë bëj dhe kontakteve për çdo ditë që kam me shqiptarët për probleme të ndryshme që mund të kenë, ne takohemi dhe për festat e ndryshme që organizojmë. Jam e lumtur të përmend faktin që jam zgjedhur  Kryetare e tre shoqatave shqiptare në Itali. Shoqata ILIRIA Treviso, Shoqata e Bizneseve Diasporë Treviso  dhe së fundmi jam shumë krenare të përmend faktin që jam zgjedhur Kryetare e fondacionit Nermin Vlora Falaschi në Treviso. Një fondacion kaq i rëndësishëm  jo vetëm për mua por për gjithë gratë për vetë qëllimin dhe misionin që ka ky fondacion. Së fundmi kemi organizuar një Mbrëmje në nder të Gruas Shqiptare në Treviso, ku ishin dhe të pranishme gra të shquara nga vendi ynë si aktorja e mirënjohur Tinka Kurti, “Artistja e Popullit” Roza Anagnosti, Prezantuesja e mirënjohur Silvana Braçe, ish- Zonja e Parë e Shqipërisë Teuta Topi, shkrimtarja dhe poetja Vitore Stefa Leka, gazetarja e mirënjohur dhe Presidente e fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, publicistja, poetja Vllasova Musta, etj., të pranishme në këtë mbrëmje ishin pjesëmarrëse të gjitha gratë e trevave shqiptare që ndodhen në Itali. Gjatë mbrëmjes u diskutua për rolin e gruas në shoqëri dhe integrimin e saj.

Kemi organizuar dhe shumë mbrëmje dhe koncerte të tjera me fondacionet , mund të përmend 6-vjetorin e Pavarsisë së Kosovës! Ku pati dhe një pjesëmarrje të gjerë, gjithashtu dhe koncerti me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor.

Përsa i përket pyetjes a janë të organizuar aty dhe lidhjes që kemi ne me njëri-tjetrin , ne jemi shqiptarë, na bashkon origjina, gjaku, malli për atdhe, kjo është një lidhje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Dhe pikërisht për këtë ndihem edhe me krenare që jam shqiptare. Për vetë lidhjen që kemi ne me njëri-tjetrin.

 -Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Çdo femër ka një emër, çdo emër ka një person brenda tij, çdo person ka një personalitet, çdo personalitet ka një historik dhe çdo historik nuk është universal për çdo femër ndaj mendoj se çdo femër ka pikën e saj të fortë dhe të dobët. Por ajo që na karakterizon të gjithave mendoj se është dashuria dhe brishtësia…dashuria për jetën, dashuria për familjen, dashuria për të afërmit.

 -Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Gjatë mbrëmjes së organizuar nga fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, në nder të gruas shqiptare u fol dhe për problemet e ndryshme që kanë gratë në ditët e sotme dhe për vështirësitë që hasin çdo ditë duke qenë se janë në një vend të huaj, me kulturë ndryshe, me zakone shumë ndryshe nga ne.

Duke bërë një krahasim me kohën e kaluar mendoj se femra shqiptare ka avancuar . Në ditët e sotme , femrat po fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta, gjithashtu, kanë më shumë rol dhe integrim në jetën sociale, politike e ekonomike, por me gjithë dëshirën e mirë për progres, në mentalitetin shqiptar gruaja ende diskriminohet.

 -Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

Më vjen keq të përmend këtë prapambetje që kemi ne si shoqëri përsa i përket maskilizmit. Në punën time kam kontakt me shumë njerëz të ndryshëm, ku pjesa më e madhe janë burra. Më ndodh t’i pyes për gratë e tyre dhe ata e kalojnë situatën duke qeshur. Që do të thotë, janë akoma shumë gra, të cilat misioni i tyre i vetëm në jetë është t’i shërbejnë burrave e të rrisin fëmijë. Mendoj që këtë më tepër e ka kush ka ardhur shumë vite më parë në Itali dhe vazhdojnë e ruajnë mentalitetin e kohës së shkuar.

A ke menduar të kthehesh në Shqipëri?

 Shqipëria është ëndrra ime. Besoj se gjatë gjithë intervistës është vënë në dukje dashuria, krenaria dhe fakti sa e dhënë jam unë pas vendit tim. Por unë kam një mision në vetvete, atë të ndihmoj bashkatdhetarët e mijë në zgjidhjen e problemeve të tyre me ligjin dhe shtetin italian  dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt të mos ekzistojnë më problemet e emigracionit dhe unë atëherë të kthehem e lumtur në vendin tim.

Unë momentalisht sapo kam hapur një zyre Avokatie në Tiranë. Dhe kjo është një provë dhe fakt që unë dua të kthehem në Shqipëri.