Eriona Rushiti:“Për t’u pranuar në akademi duhej të bindja veshin e të madhit, Çesk Zadeja”

1348
Sigal

INTERVISTA/ Flet violinistja, kompozitorja dhe pedagogia Eriona Rushiti

Ajo është një femër e kompletuar në profesionin e saj. Gjithmonë në lëvizje, në aktivitete, por dhe mes studentëve.  Violina trokiti e para në ëndrrat e saj të fëmijërisë dhe pastaj vazhdoi studimet për kompozicion dhe  sot është dhe pedagoge. Sipas saj, shoqëria shqiptare është maskiliste dhe është shumë e vështirë për femrën të çajë mes këtij maskilizmi. Por megjithatë femra shqiptare është largpamëse dhe mjaft e motivuar për të gjetur pozicionin e saj në jetë.

 1-Në vitet e fëmijërisë me violinë në dorë, kush ua ngjizi këtë dëshirë?

 Vendosja e gishtave të mi mbi violinë i përket një ngjarjeje krejt të rastësishme që kur i kthehem dhe e mendoj sot mund të them pa frikë se jeta ime, ndoshta, nuk do të kishte fare lidhje me muzikën dhe unë do të isha dikush tjetër. Pra, përveç dëshirës së prindërve, të cilët janë gjithnjë në luftë të vazhdueshme mes dëshirave të parealizuara të rinisë së tyre dhe të ardhmes që fëmijës së tyre rastësia, rrethanat, fati marrin rol dominant. Fare rastësisht në moshën 4-vjeçare një violinist shumë i njohur zbuloi tek unë një vesh shumë të mirë ritmiko-melodik (sepse këto janë të vetmet të dhëna që një fëmijë mund të tregojë në atë moshë), dhe insistoi që sapo të mbushja moshën për të shkuar në shkollë të studioja violinë ose piano. Në kushtet e atyre viteve, violina ishte instrumenti më “i rehatshëm” për të realizuar orët e studimit (familje fare të pakta mund të kishin piano në shtëpi) dhe, kështu, prindërit e mi zgjodhën instrumentin e violinës-instrument që e ke gjithmonë me vete. Mbase ishte zgjedhja më e vështirë, sepse dihet që violina është mbretëresha e instrumenteve muzikore dhe përsa i takon shkallës së vështirësisë, gjithashtu, zë vendin e parë, e më pas, violina u bë pjesë e trupit tim.

2- Në Akademinë e Arteve ndoshta një ditë e veçantë. Përse konkurruat për kompozicion kur kishit violinën? Kë kishit si juri, pjesa që luajtët dhe si qe reagimi jurisë.

Edhe pse me violinën kaluam së bashku 12 vjet dashurie që rritej dita-ditës, gjatë studimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja” u eksperimentua hapja e dy degëve të reja: kompozicion dhe dirigjim, ku edhe këtu prapë merr një rol të rëndësishëm rastësia. Vendosa të eksperimentoja në degën e kompozicionit dhe të shihja nëse kisha apo jo të dhëna të mira. Ndërkaq edhe pedagogët e mi insistuan që unë studimet e larta t’i kryeja për këtë degë. Mesa duket tingujt e parë të krijuar nga unë (një prelud për piano) vendosën të ndryshonin të ardhmen time. Më duhej të bëja orë shtesë të disa lëndëve më shumë, ndryshe nga shokët e mi të klasës, pasi megjithëse vazhdoja për kompozicion, violina duhej mbrojtur me diplomë në Liceun Artistik. Dy vitet e fundit të shkollës së mesme kanë qenë tepër të ngarkuara për mua dhe shpesh me dilemën e zgjedhjes. Më duhej të lija dashurinë e vjetër, violinën  dhe të nisja një të re, atë të kompozicionit (edhe pse të dyja dashuritë nuk mund të jetonin pa njëra-tjetrën).

Dita e veçantë e Akademisë? Ishte pikërisht jo vetëm një ditë, por të katërta ditët e konkurrimit: bëhet fjalë për datat 4-8 gusht 1990. Ndërkohë që, unë mëngjeseve të këtyre ditëve shkoja në Akademi për të konkurruar e për të vendosur fatin e rrjedhës së jetës sime, në rrugë ndeshesha më njerëz që edhe ata kishin vendosur të ndryshonin të ardhmen e tyre. Ishin ditët e hapjes së ambasadave… takoja në rrugë miq e të afërm që më sugjeronin jo hyrjen në Akademi, por hyrjen në ambasadën italiane apo gjermane, por ajo, hyrja e parë ishte më e fortë se çdo gjë. Jo se ishte më e sigurt, sepse konkurset që zhvilloheshin atëherë ishin shumë të ashpra dhe konkurrenca shumë e fortë mund të të linte jashtë dyerve të akademisë, por sepse dashuria për tingujt nuk mund të tradhtohej aq lehtë, nuk mund të tradhtohej kurrë. Për t’u pranuar në akademi duhej të bindja mendjen dhe veshin e kompozitorit të madh, Çesk Zadeja; muzikologes Zana Shuteriqi, si dhe atë të pedagogut tim të studimeve të mëvonshme, kompozitorit Sokol Shupo. Ia dola t’i bindja dhe, më pas, rrodhën shumë shpejt 4 vitet e studimit në akademi, vite që do të pasonin edhe disa të tjera vite studimi, ato pasuniversitare. Bukureshti përgjatë 3 viteve më mësoi ta jetoja jetën larg familjes dhe ditë të mbushura me koncerte e njohuri më të avancuara se ato të Tiranës. Akademia e Muzikës në Bukuresht më përgatiti për t’u përballur pa frikë me gjuhën e re muzikore me të cilën kompozohej në Evropë. Pjesëmarrja më pas në shumë festivale dhe konkurse ndërkombëtare ma vërtetuan më së miri këtë fakt.

3-Emërimi mbas studimeve i plotësoi dëshirat tuaja, apo…?

Pas studimeve shumëvjeçare, punësimi im i parë ishte ai pranë Ministrisë së Kulturës, pranë Drejtorisë së Projekteve, punësim 5-vjeçar, i cili më mësoi një pjesë tjetër të panjohur për mua, atë të funksionimit të administratës publike dhe, kryesisht, atë të realizimit të projekteve artistike. Për aq kohë sa kam punuar jam munduar t’u vijë në ndihmë projekteve muzikore (festivaleve dhe konkurseve të ndryshme instrumentale muzikore), gjë që sot jo se unë nuk jam më pjesë e ministrisë, por si krijuese e ndjej në lëkurë dhimbjen e mbylljes së të gjithave alternativave. Sot nuk zhvillohet më asnjë festival i muzikës serioze, asnjë konkurs instrumental dhe kjo për arsye të pamundësisë financiare. Ministria e Kulturës nuk ka më fonde për artin, muzikën prej disa vitesh. Janë lënë në mes festivale 10-vjeçare si: “Vjeshta e Tiranës”,  “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” apo edhe konkurse të tjera pianistike, violinistike, vokale etj. Në fakt, kjo i takon hartimit të politikave të ministrisë, por unë jam e detyruar ta them duke përcjellë kështu shqetësimin e shumë krijuesve të mi kolegë, të cilët e kanë thënë shpesh publikisht, por që askush duket se nuk i ka dëgjuar. Sot unë e ushtroj profesionin tim pranë Universitetit të Arteve, në Fakultetin e Muzikës.

-A e keni ndjerë veten keq në skenë dhe si keni vepruar?
Sot a e mendoni se kompozicioni është profesioni juaj më i mirë që ju ka dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?

Për aq vite sa unë kam studiuar violinë kam patur mundësi të marr pjesë në konkurse të ndryshme violinistike si dhe në orkestër në shumë Dekada Maji, duke provuar kështu ndjesinë e skenës. Ka qenë një kontradiktë e madhe midis dëshirës sime për të dhuruar tinguj nga skena dhe emocioneve që provoja. Emocionet ishin shumë më të mëdha se unë. Nuk e di nëse ishte ndjenja e përgjegjësisë që provoja  apo eksperienca e cila vjen me kohën dhe me rritjen, por di të them që në skenë unë ndjeja emocione që më përfshinin aq shumë saqë tronditnin të gjithë qenien time të brishtë, atëherë. Mbaj mend që provoja gati humbje të ndërgjegjes dhe luanin apo interpretonin instinktet muzikore të fituara gjatë studimit. Mbaj mend që ky ndoshta ishte edhe shkaku që më bëri të zgjidhja një degë tjetër, atë të kompozicionit. Edhe më pas, edhe sot unë ndjej të njëjtat emocione, por duke qenë tashmë jo unë interpretuesja, por krijuesja askush nuk mund t’i shohë ato. Unë e di se çdo të thotë kur në skenë interpretohet një vepër e imja…jam e gjitha e mpirë, duart e mia shtrëngojnë njëra-tjetrën aq fort, dhe vetëm kur vepra ka mbaruar janë duartrokitjet ato që më zbresin në tokë. Kështu ndodh edhe gjatë procesit të krijimit, për aq kohë sa jam duke krijuar largohem aq shumë nga realiteti, sa gati më duket sikur jetoj në një botë tjetër. Është ndjesia më e bukur kjo e hedhjes së tingujve në letër…

-Cilët kanë qenë idhujt tuaj në violinë dhe në kompozicion që ju kanë paraprirë në jetë?

Idhujt e mi janë të shumtë e, shpesh, i kam përdorur si model për t’u formësuar. Nuk di të veçoj disa prej tyre, sepse në vite e rrethana të ndryshme ato kanë ndryshuar e variuar. Sot kuptoj që shija ime ka evoluar dhe, sigurisht, që idhujt nuk janë më ato të disa viteve më parë.

Sot a e mendoni se kompozicioni është profesioni juaj më i mirë që ju ka dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?

Të ardhura të mira? Më vihet buza në gaz nga kjo pyetje. Cili nga artistët jo komercialë sot është i kënaqur me të ardhurat që siguron nga arti i tij? Dhe ky nuk është fenomen vetëm shqiptar, por këtu merr akoma më shumë “vlerë” amatorizmi i veshur me komerç”. Besoj se me këtë përgjigje i kuptoni të gjitha…

-Çfarë vlerësoni tek njerëzit? Motoja në të cilën udhëhiqeni në jetë?

Jam rritur në një familje me parime shumë të forta, ku tek njeriu duhet të dominojë vlera humane dhe jo ajo monetare. Tek unë rrënjosej dita-ditës kahja drejt dhurimit të dashurisë pa kushte. Fakti që pjesë e imja u bë muzika e konturoi akoma më shumë këtë fakt. Duke qenë pjesë e tingujve që në vegjëli u mësova të merrem me nuancat më të holla, me ngjyrimet më delikate, me atë që ndjesia e udhëheq veprimin e kjo, sigurisht, që përforconte parimin e familjes sime. Duke u marrë me tingujt jam mësuar të shoh tek njerëzit që më rrethojnë anën më të bukur të tyre e t’i pranojë “defektet” njerëzore si pjesë kalimtare të jetës së njeriut, i cili çdo ditë përpiqet të shkojë drejt përsosjes. Duke u marrë me tinguj, ende besoj që zhvillimet e reja teknologjike e kanë robëruar njeriun dhe shpirtin e tij, por që në thelb ai është i njëjti…funksionon fiziologjikisht dhe shpirtërisht njësoj, vetëm se shfaqja e ndjesive të tij gjen rrugë të reja shprehjeje.

 A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe pse?

Shoqëria shqiptare është një maskiliste dhe bëhet tolerante apo zbutet paksa vetëm kur “goditet” nga bukuria femërore e jo nga vlerat e saj. Në fushat e artit ky maskilizëm nuk ndjehet shumë,sepse muzika, letërsia, piktura, kinematografia flasin me një gjuhë tjetër, me gjuhën e ndjesive dhe këtu femra ndjehet akoma më e privilegjuar…