Enver Hoxha shkruan: “Më pëlqeu shumë shfaqja në veçanti artistja e talentuar Liljana Kalleshi”

1313
Sigal

INTERVISTA/ Flet akrobatja, “Mjeshtre e Madhe Cirku” Liljana Paci Kalleshi: Faruk Kalleshi është serioz, por jo xheloz

Ajo mbetet një ikonë e cirkut. Plot virtyte, por që me thjeshtësinë e saj, kurrë nuk e ka ngritur zërin e madhështisë, por ka ngelur modeste. Kur flet, fjala e saj zë vend për vetë argumentet që përcjell. Ka filluar në moshën 9- vjeçare në rrethin e Baletit pranë Shtëpisë së Pionierit në Shkodër, me instruktore artisten e madhe Roza Xhuxha (Anagnosti) në vitin 1960. Nga lëvizjet elegante që realizonte e afroi pranë grupit të akrobatëve trajneri i grupit z. Myftar Tafili. Në atë grup bënin pjesë talentet e cirkut shkodran si: Fatmir Gokovi, Nikolin Gjergji, Faruk Kalleshi etj..

 Cili është numri juaj i parë? Si reagoi publiku?

Fillimisht u zbulova si akrobate e plastikës dhe numri im i parë ishte një ekzekutim duet me akrobatin e talentuar Faruk Kalleshi, numri u pëlqye jashtëzakonisht shumë, që përbënte një nismë për karrierën time si profesioniste.

 Ku je ndodhur keq në cirk-skenë?

Në një shfaqje në teatrin “Migjeni”, gjatë ekzekutimit të një numri në mes të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të publikut, bazamenti ynë Asim Belinova humbet ekuilibrin dhe unë bie nga një lartësi e madhe duke pësuar frakturë në këmbë. Publiku në ato momente priste me ankth se si isha atëherë me këmbë të plagosur dola përsëri në skenë dhe ekzekutova numrin e radhës me kolegun Tano Banushi, ku duhej të kërceja një valle ruse. Emocione të veçanta, ku publiku qëndroi në këmbë deri në përfundim të numrit

 Cilët janë mjeshtrit që ju keni mësuar shumë? Cilët kanë qenë partnerët tuaj kryesorë?

Janë të shumtë, pasi e tillë ka qenë puna ime.  Fillimet në cirk i kam marrë nga mësuesi im Myftar Tafili dhe pastaj ka vazhduar vetë deri në fund të karrierës time me shokun tim të ngushtë dhe më pas bashkëshortin tim Faruk Kalleshi.

– Cilat kanë qenë lidhjet tuaj me Skënder Sallakun, Vitore Sallakun, Telat Agollin, Kujtim Dumen dhe Fatos Allën?

 Me artistët e Cirkut të Tiranës kemi patur lidhje të vazhdueshme profesionale miqësore si me të madhin Telat Agolli, Fatos Alla, Skënder Sallaku, Pina Shkurti, Vitore Sallaku, Pavli Sallata si dhe drejtuesit e cirkut Sulejman Dibra, Bujar Bodinaku dhe Kujtim Dume.

 Cilët kanë qenë numrat më të vështirë?

Gjatë karrierës time 30-vjeçare kam ekzekutuar shumë numra të vështirë dhe me një cilësi të lartë artistike, kryesisht në gjininë e plastikës, ekuilibrit me gota, trapezi fluturues e kombinuar me ushtrime force. Numrat që kanë ngelur në kujtesën time si dhe në vëmendjen e spektatorit kanë qenë:  Dyshe plastike me Farukun mbi një tavolinë, trapezi fluturues, soliste Liljana së bashku me grupin e cirkut, si dhe  ekuilibri me dy gota, 4, ekuilibri me 16 gota, ekuilibri me hekur gjimnastikor, soliste Liljana, bazament Hasim Belinova, vertikalist Faruk Kalleshi

 Cilat kanë qenë vlerësimet më të mëdha të asaj kohe?

Si sportiste gjimnaste kam marrë pjesë në Spartakiadën e 3-të Kombëtare me ekipin e Vllaznisë, kam dalë kampione në ushtrimet e lira. Si artiste në moshën 17-vjeçare, në Festivalin Kombëtar të Estradave Profesioniste e zhvilluar në Tiranë, jam vlerësuar me çmimin më të madh të kohës “Laurat i Republikës”. Në 4 Festivalet Kombëtare të Estradave jam vlerësuar me Çmim të Parë. Në takimet kombëtare të gjithë grupeve artistike të cirkut profesionist, jam vlerësuar më e mira “Mjeshtre e Madhe Cirku”.  Nga Kuvendi Popullor jam dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”.  Në vitin 2012, nga Presidenti i Shqipërisë jam dekoruar me medaljen “Naim Frashëri i Artë”

 A të kanë penguar prindërit?

Në fillim të karrierës time babai im nuk dinte gjë, me dijeninë e nënës shkoja e stërvitesha dhe në shfaqjen e parë kur babai erdhi të më shikonte me ndërhyrjen e trajnerit tim, babai u surprizua shumë nga talenti im dhe nuk më pengoi më.

Kur dhe si u njohe me Faruk Kalleshin? A ishte ai xheloz ndaj teje? Ka qenë ndihmë apo pengesë në karrierën tuaj të gjatë si profesioniste?  

 Isha vetëm 9-vjeçe dhe ai 15 vjeç, ishim shokë të një grupi cirku. Stërviteshim çdo ditë bashkë si dhe ekzekutonim bashkë numrat e ndryshëm në shfaqjet anë e mbanë Shqipërisë. Miqësia e fortë, përkushtimi dhe pasioni i madh ndaj artit si dhe jemi rritur bashkë na bëri që mos ta mendonim kurrë jetën pa njëri- tjetrin. Asnjëherë nuk ka ekzistuar fanatizmi apo xhelozia, pasi e njihnim shumë mirë njëri- tjetrin.

 A e keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën, po Mehmet Shehun apo udhëheqës të tjerë. Si janë sjellë me ju?

 Në vitin 1966, udhëheqësit më të mëdhenj të asaj kohe, Enver dhe Nexhmije Hoxha, Ramiz Alija si dhe disa anëtarë të byrosë, erdhën të shihnin shfaqjen e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Shfaqja mbyllej me ekzekutimin e numrit tim akrobatik. Sapo kisha filluar ekzekutimin e numrit të cirkut me elemente të vështira të niveleve botërore, Enver Hoxha dhe gjithë publiku ngrihet në këmbë me duartrokitje më shoqëruan deri në fund të numrit. Në librin e përshtypjeve të institucionit, teatri “Migjeni”, Enver Hoxha shkruan: “Më pëlqeu shumë shfaqja dhe në veçanti artistja shumë e talentuar e cirkut Liljana Paci (Kalleshi)”. Të nesërmen jam thirrur në Komitetin Ekzekutiv nga Kryetari Bilal Parruca, ku ishin shumë zyrtarë brenda që më prisnin mua, shumë e tronditur në ato momente se, ku kisha gabuar, por sa hyra në zyrë të gjithë më uronin dhe më thonin na nderove, nderove një qytet të tërë. Gjithashtu, më pranuan si profesioniste pranë Estradës së Shkodrës pas refuzimit që bëra për të vajtur në Tiranë si profesioniste në Cirkun e Tiranës.

 Në çfarë moshe e keni lënë cirkun?

 Cirkun e kam lënë në moshën 40-vjeçare dhe njëkohësisht që në moshën 15 -vjeçare kam qenë drejtuese e grupit të cirkut të Shkodrës me një staf 40 vetësh dhe me talente të cirkut si: Fatmir Gokovi, Suzana Vlladna, Laureta Rroku, Arben Zajmi, Alida dhe Amarildo Xheka, Alfred Daka e shumë të tjerë.

 Si ju trajtonin në atë kohë? A kishte shumë fanatizëm në atë kohë? A ju kanë vlerësuar për punën që keni bërë?

 Ndihma ndaj cirkut ka qenë shumë e vogël kryesisht ndaj bazës materiale si dhe kushteve të stërvitjes, kurse në aspektet morale kemi qenë shumë të nderuar si nga publiku ashtu edhe nga shtetarët e asaj kohe.

 Ju keni 2 fëmijë të mrekullueshëm Anilën e Endritin. Anila, një personazh mjaft i njohur mediatik dhe mjaft e vlerësuar nga shtypi dhe televizionet, djali juaj po ashtu një person i arrirë në karrierë…A jeni krenare?  

Patjetër jam shumë krenare pasi arritjet e tyre nuk kanë patur aspak ndihmë nga emri i babait apo i nënës së tyre dhe për këtë ndjejmë një krenari të dyfishtë për çdo sukses të tyre.

Keni menduar ndonjëherë t’ja trashëgonit fëmijëve tuaj profesionin tuaj Tashmë jeni gjyshe. Jeni gjyshja e Franklit dhe e Juenës… Si ju ka ndryshuar jeta me ardhjen e tyre në jetë?

 Jo s’kam menduar. Vuajtjet dhe vështirësitë gjatë profesionit tonë kanë bërë mosangazhimin e fëmijëve tanë në profesionet tona të sportit dhe të artit. Kur bëhesh gjyshe mbase nostalgjia bën të vetën dhe pse jo dëshira për t’ja trashëguar nipit apo mbesës është e madhe. Ndoshta vëmendja më e madhe shoh një perspektivë më të madhe tek nipi dhe mbesa se tek fëmijët e mi.