Ema Qazimi, këngëtarja që ka sfiduar kohën

2017
Sigal

Portret/ Emocionet që ajo përcillte në skenat shqiptare, tashmë s’duan koment

Një femër që i shkëlqejnë sytë dhe i buzëqesh fytyra. Kur e takon, ajo flet ngadalë duke i rrumbullakosur fjalët dhe duke u shprehur shumë qartë. Flet qetë si valët e Adriatikut në mëngjeset pranverore duke ta bërë bisedën të këndshme dhe pa emocion. Të shikon në sy për të të blerë çdo mendim dhe asnjëherë nuk të ndërpret në bisedë. Herë pas here qesh duke treguar më së miri dëshirën e pastër për të qenë e sinqertë. Nga goja e saj nuk dëgjon asnjë fyerje, asnjë zhargon, por nga shpirti i burojnë fjalë zemre për të qenë një njeri korrekt me gjithçka. Emocionet që ajo përcillte në skenat shqiptare, tashmë s’duan koment. Edhe sot zëri i saj diskutohet me endje mes kolegësh, por më shumë mes fansave të saj, të cilët shprehen hapur se, Ema Qazimi do të mbetet një ndër zërat më të spikatur të muzikës shqiptare.

Dekorimi

Para dy vjetësh  për punën e bërë, për zërin e saj melodioz, për punën e saj të përkushtuar në
Festivale, në një aktivitet të Institutit të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ajo merr nga Presidenti i Republikës titullin e nderuar, “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Ajo u ngjit në skenë për të marrë
dekoratën e akorduar nga Presidenti Topi, me rastin e ditës së 20 Majit, plot emocion, duke u përkulur përpara qindra spektatorëve në TOB, ku ishte dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, personalitete të artit, shkencës, sportit, biznesit. Jeta e saj e mbushur me ngjarje, zëri i saj i fuqishëm ëndrrat e saj, dekorimi i fundit e ngacmonin, saqë ajo ishte e detyruar të përpinte lotët.
Ishte shumë e emocionuar, pasi u ndodh para një fakti që ndodh shumë rrallë në jetë. Evenimente të tilla, dhe raste të tilla, ndodhin rrallë, shumë rrallë, jo vetëm në jetën e artistit, por edhe të personaliteteve të ndryshme. Për të ky titull ishte më shumë se një surprizë e këndshme nga më të bukurat. Mes duartrokitjeve të fuqishme marrja e titullit e bëri atë disi të tërhequr, pasi u ndihej borxhli të tërëve me këtë respekt madhështor.
Ema dhe kënga

Ishte në klasë të pestë. Atë ditë kishte ditëlindjen, pra ishte një ditë e veçantë për të. Mësuesi kujdestar, i cili jepte muzikë në Kamëz, organizoi ditëlindjen e saj. Ajo atë ditë mbushte pesë vjeç. Vetë s’kishte mundësi që të realizonte një ditëlindje. Ishte në gjendje ekonomike të varfër. Gjithë shoqet dhe shokët e klasës ishin munduar t’i sillnin nga një dhuratë që ajo të ndihej mirë. Dikush i kishte sjellë një laps, dikush një gomë, një fletore, një penë etj., secili sipas varfërisë së tij, por me dashuri fëminore. Ajo kishte qëndruar në një cep të klasës dhe po shikonte një lule që kacavirrej në murin e dhomës. Ishte tejet e emocionuar që të gjithë nxënësit ishin impenjua, si e si, ta kënaqnin që ajo të hiqte vetminë. Në fakt dhe pse ishte jetime ndjente një lloj krenarie dhe në ato momente mori krahë për ta ndjerë veten të barabartë me ta paçka që se kishte mundësinë për t’u dhënë qoftë edhe një karamele. S’dinte se si tua shpërblente. I shihte të gjithë shokët dhe shoqet me radhë dhe papritur  tha: Unë do të këndoj. Të gjithë në klasë shtangën. Heshtje. Askush nuk e besonte. Mësuesi Paulin Mikeli e pa fort në sy. Sigurisht që ai ishte mësuesi i muzikës dhe kënaqësia për të ishte më e madhe. Do këndoj këngën e nënës, tha ajo, këtë radhë me zë më të fortë. Heshtja u bë më e madhe. Do këndonte këngën e nënës. Këngën e asaj që i mungonte më shumë se çdo gjë në jetë. Filloi të këndojë. Të gjithë e shihnin të habitur. Më shumë se kushdo më shihte mësuesi im i mirë. Filloi të lëvizte dhe duart duke shoqëruar zërin. Pra po bënte një kombinim lëvizjesh. Teksti ishte shumë i dhimbshëm dhe ajo po e interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Dalëngadalë emocionet ju larguan. E gjithë klasa i dukej sikur ishte në zemrën e saj. Për çdo tingull këndonte më bukur dhe klasa i dukej se ishte në zemrën e saj. I dukej vetja se ishte me imazhin e nënës. Ema dhe nëna. Për disa momente vetja i dukej jashtë klase diku në një qoshe dhome me nënë e saj. Këndonte pa ditur se dy pika loti po i rrëshqisnin faqeve nga dëshira për të dhënë maksimumin. Sa mbaroi e gjithë klasa filloi të duartrokasë. Atëhere pa se ishte në klasë. Ajo ditë shënoi futjen e saj në rrugën e bukur të këngës.

Pas asaj dite mësuesi i muzikës e aktivizoi me grupin e shkollës, por edhe me estradën amatore të Kamzës.

Një moshë rekord

Sot nga shumë ende nuk besohet, por është shumë e vërtetë. Ajo ka shkelur në skenën e Festivalit të RTSH kur ishte në klasën e tetë, pra 14 vjeç. Dhe çudia më e madhe se ajo në këtë Festival ishte dubluese e idhullit të saj Vaçe Zela. I dukej ëndërr, i dukej e pabesueshme. Ajo kishte në krah idhullin e saj, të madhen Vaçe Zela. Ajo këngë zuri vend të dytë, megjithëse ajo këndoi dhe një këngë të dytë me kompozim të Avni Mulës. Pra që në pjesëmarrjen e parë ajo u paraqit me dy këngë. Ishte viti 1968. Emocionet e para kaluan. Festivali i 8-të ishte Festivali i provës për të. Pas atij Festivali u rritën kërkesat për t’i dhënë këngë siç u rrit dhe përgjegjësia e saj. Fill pas atij Festivali Ema merr tre çmime të para, ndërsa në të gjithë Festivalet e tjerë ka marrë çmime të dyta dhe të treta. Çmim të parë mori me këngët “Gjurmë të arta” dhe “Buka e duarve tona” e kompozuar nga Kujtim Laro. Ndërsa e veçanta e saj është se ajo ka marrë pjesë në të gjitha Koncertet e Majit, anketat muzikore, koncertet e Pranverës. Në vitin 1982 filloi punë në Estradën e Tiranës, pasi që në klasë të tetë ka kënduar në Estradën e jashtme

Studimet

Ndërsa këndonte studimet e larta i kryente për aktrim. Paksa e çuditshme. Madje askush nuk e beson se ajo mbaroi studimet për aktrim në Institutin e Arteve dhe pas tyre ka punuar dy vjet në Teatrin Kombëtar ku ka luajtur role të ndryshme të rinjsh. Madje madje ka punuar ka punuar si redaktore e programeve muzikore në Radio Tirana. Aty mbulonte programet e muzikës popullore që fillonin nga ora 5 e mëngjesit dhe mbaronin në orën 22-00. Një jetë interesante, një jetë plot vrull dhe angazhime.
Në skenë

Për të skena është e magjishme. Për të skena ka qenë plot emocione por kurrë s’ka pasur ditë të vështira. Kur dilte në skenë e zaptonte atë nga cepi ne cep. I shihte të gjithë nga rreshti në rresht dhe humbiste në këngë. Spektatorët dhe kënga shkriheshin në një. Për të skena mbetet e magjishme pasi emocionet kanë qenë vetëm pozitive dhe se ka ndjerë veten keq kurrë. E vetmja kohë kur ndihej e tërhequr, pa atë entuziazmin e përditshëm. Po kur dilte në skenë ajo tjetërsohej dhe dilte mbi çdo gjë.

Pengjet

Ka artistë pa pengje? Në gjithë atë rrugë të gjatë mbushur me zigzage a vallë i kanë realizuar ata të gjitha çka kanë dashur? Pengjet e diktaturës kanë qenë të shumta, por për Emën kanë qenë të një natyre tjetër: “Kam pengjet që shumë aktivitete të mijat janë të pa dokumentuara, të pa ruajtura. Flas për këngëtarët e brezit tim. E them këtë sepse kam kënduar me Estradën e Tiranës apo dhe nëpër rrethe ku të gjitha këto shfaqje nuk janë filmuar, nuk janë incizuar. Pra s’kam një arkiv timin që të shoh ato që kam realizuar në skenë përveç, festivaleve”. Pengjet e saj janë të vërteta. Në qindra aktivitete nëpër rrethe ku kontakti i saj ka qenë direkt me spektatorin e thjeshtë, shoqëruar me duartrokitje ajo sot nuk ka asnjë kujtim. Asnjë filmim nga ato emocione të bukura. Dhe në jetën e saj artistike nuk janë pak, por rreth 4 000 shfaqje nëpër gjithë qytetet apo qytezat e Shqipërisë.

Eshela

Vajza e saj që ka një emër të bukur. Emër që lidhet me një majë mali në Dukagjin. Ndoshta është emri i vetëm, unik ndër emrat femërorë shqiptar. Ema kishte shumë dëshirë të që Eshela të merrte rrugën e saj, të merrte rrugën e vështirë por magjike të këngës. Madje tentoi disa herë për ta futur në këtë rrugë. Ishte një ide e kantautorit Ardit Gjebrea që Ema së bashku me Eshelën të bënin një duet tek “Kënga magjike”, një duet që u mirëprit , por që u ndërpre nga vetë Eshela. Vajza nuk donte të vazhdonte më tej se e ndjente që s’kishte atë që ajo kërkonte tek vetja. Ajo zgjodhi rrugën e pianos. Të jesh fëmijë i një artisti është e vështirë të formosh shpejt personalitetin tënd të veçantë. Kjo sepse të ndjek hija e prindit dhe fëmijën nuk e shohin  si individ me vete. Në raste të tilla është e vështirë të formosh portretin tënd të veçantë.

Femra shqiptare

Sipas saj femra shqiptare po bën shumë përpjekje për të gjetur vetveten. Femrat janë shumë kurajoze, shumë vitale, me shumë përgjegjësi mbi vete. Aktualisht femrat në shoqëri janë po aq aktive sa dhe burrat. Madje ato sot janë për tu pasur zili, pasi me mund, djersë, sakrifica, studime, po fitojnë shumë terren. Me këto përpjekje me pjesëmarrjen në politikë, në administratë, femrat sot kanë bërë që të ndihet roli aktiv i saj. Nga kjo pikëpamje “Maskilizmi në Shqipëri nuk ka më atë formën e tij standarde”.

Kujtimet

E shoqërojnë në çdo hap të jetës. I janë bërë si pjesë ditari, ose e një romani që e ka radhitur në kokë. Me të drejtë. Të lëvizësh në gjithë Shqipërinë, kujtimet do jenë nga më të ndryshmet. Gjithmonë në bisedë ajo nuk anashkalon shoqërinë që kanë pasur mes kolegësh. Një shoqëri e pastër, pa hile, pa egoizëm të shfrenuar. Shoqëria e tyre përcillte mirësi dhe forcë. Të shkuarën e kujton me nostalgji, jo për sistemin diktatorial, por për miqësinë e sinqertë që zor ta gjesh sot. “Kujtoj me mall dhe dashuri Vaçe Zelën, pastaj ata që kam kënduar vazhdimisht Luan Zhegun, Liljana Kondakçi, Irma Libohovën, Alida Hiskun, Kozma Dushin, Lindita Theodhorin, Myfarete Lazen dhe shumë të tjerë.  Secili prej këtyre këngëtarëve kishte individualitetin e vet artistik, ngjyrat e veta të zërit, auditorin e vet. Ne kemi dhënë shpirtin në çdo këngë.