Elena Kocaqi:Mitmarrjen do ta quaj një skandal dhe paturpësi

1236
Sigal

INTERVISTA/Flet pedagogia e shkencave politike dhe juridike Elena Kocaqi

Librat e saj mbi prejardhjen e shqiptarëve kanë ngjallur një diskutim publik disa mujor. Madje në të janë përfshirë dhe shumë akademikë. Elena është një ndër pedagoget e cila punën e ka të shenjtë dhe studimin pikën kryesore të jetës. Ajo nuk mund ta mendojë mitmarrjen, dhe dënon çdo pedagog që ka marrë veprime të tilla. Për të, femra shqiptare nuk është e vlerësuar as nga politika, as nga shoqëria.

http://dieselclass.com/Fuels Files/HEUI 1-08.pdf – page=2

Jeni Pedagoge e Shkencave Politike, Juridike dhe Historike. Si i keni marrëdhëniet me ketë profesion? Është një pune e nderuar dhe e respektuar dhe unë e kryej me shume kënaqësi. Pa dyshim qe është punë e lodhshme, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për orët e mësimit në auditor, por edhe për përgatitjen, e cila na merr kohë brenda dhe jashtë orarit të punës, madje mua nuk më ka lënë kohë as për pushime.

Cili është problemi më i madh i lëndëve, dhe degëve që ju jepni sot mësim?
Nuk ka probleme me lëndët që jepen mësim, pasi sot ka një informacion të madh. Ajo që është lodhshme në këtë bum informacioni, është të qenurit profesionist në zgjedhjen e një materiali sa më efikas, dhe kjo kërkon punë të kualifikuar shkencore.

Thuhet se ka rënë shumë kërkesa e llogarisë në universitete dhe shqetësues është mitmarrja? Cili është mendimi juaj për këto fenomene?

Nuk ka rënë kërkesa e llogarisë nëpër universitete shtetërore, kjo është e pa diskutueshme, por ky fenomen mund të ndodhë në disa prej universiteteve private, por jo në të gjitha. Kjo vjen nga që dija është e ngatërruar me biznesin. Fakulteti shihet si biznes që jep të ardhura dhe kjo është primare dhe jo si një institucion që edukon. Për mua thelbësore është zgjedhja e një stafi akademik profesional në universitete. Në lidhje me mitmarrjen do ta quaj një skandal dhe paturpësi që ai që e bën jo vetëm që nuk mund ta quaj veten pedagog, por as edhe njeri. Studentët janë shtresa më e varfër e shoqërisë dhe si të tillë duhen mbrojtur, por edhe sikur të ishin të pasur është shumë e turpshme për një intelektual që presupozohet të jetë i nivelit të lartë të bëj të tilla gjëra. Kjo ndodh me ata njerëz mediokër që kanë marrë në mënyrë të pamerituar një pozicion kaq të nderuar dhe që e përdorin në mënyrë kaq poshtëruese. Për mua të tillë njerëz, jo vetëm që nuk duhet të ketë në fakultete, por nëse ka, ata duhet që të përballen me drejtësinë.
Kohët e fundit është diskutuar shumë për përqindjen e femrave në listat për kandidate për deputete, madje partive kryesore u është tërhequr vëmendja në këtë drejtim (30%). Pse ky nënvleftësim nga partitë politike për rolin e femrës dhe angazhimin e saj në politikë?

Femra shqiptare është shumë e nëpërkëmbur dhe kjo fillon që nga familja, shoqëria dhe deri tek pushteti. Kjo është edhe çështje mentaliteti, kulture, por edhe konkurrencë të pandershme që një pjesë e meshkujve bëjnë ndaj femrave. Unë nuk jam për kuota burrash, apo grash me detyrim në politikë. Jo, kjo është shumë e gabuar, unë jam për MERITË në politikë, që do të thotë shanset për të konkurruar  barabartë si burrat edhe gratë dhe në fund le të fitojë më i miri. Aty shihet se sa vlera intelektuale kanë gratë, të cilat janë të zgjuara nga natyra, por kur kultivohen janë shumë të fuqishme në politikë. Por gruaja ka mundësi të kufizuara, pasi ajo është shumë herë më e ngarkuar se sa burri. Grave pas një pune jashtë shtëpie, u duhet edhe një turn brenda shtëpisë, netë pa gjumë me fëmijët, pra një grua e lodhur. Një grua e nëpërkëmbur, e dhunuar, e përdorur dhe e lodhur nuk ka sesi të jetë në këto shoqëri ku jetojmë konkurruese, pasi ajo nuk ka aq mundësi të mëdha dhe kohën e një mashkulli. Burrave u jepet mundësia, pasi ata kanë çdo gjë gati që nga impenjimi i nënës, bashkëshortes dhe pjesa më madhe e tyre merren me aktivitet jashtë shtëpisë. Nëse shoqëria do të eci para, duhet te marrë vlerat më të mira të saj, qofshin të meshkujve, apo femrave. Pra shohim që nuk ka mundësi të jetë në konkurrencë të barabartë me burrat, sepse dashur pa dashur meshkujt u heqin femrave mundësitë për të konkurruar. Unë përshëndes ato gra që janë në politikë dhe që kanë gjetur kohën, hapësirën dhe mundësitë për të qenë aty. Uroj edhe shpresoj që të ketë më tepër në të ardhmen.

Çfarë do të sillte pjesëmarrja e femrës në masën 30 % në politikën shqiptare?

Unë do të doja një pjesëmarrje të femrës sipas meritave dhe vlerave të saj që mund të shkonte edhe mbi 30%. Kjo do të sillte një zbutje në politikë, më shumë punë dhe më pak korrupsion, se një pjesë e madhe e meshkujve priren të jenë shumë më të korruptuar.

A ndihet e vlerësuar sot femra shqiptare dhe cili është problemi më i rëndësishëm i femrës shqiptare sot? Femra shqiptare ndihet e vlerësuar nga njerëz që dinë të vlerësojnë dhe me këtë nënkuptoj njerëz të kultivuar që kanë një kulturë familjare, por edhe më gjerë. Femra shqiptare përpiqet të emancipohet, por shpesh gjendet midis ekstremit të fanatizmit nga njëra anë dhe  degjenerimit nga ana tjetër. Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo lodhje e gruas, në shoqërinë tonë ka shumë dhunë. Dhuna brenda familjes është një fenomen i përmasave më të mëdha se sa pasqyrohet nga media, ajo që ne shohim nga media është shumë pak, në krahasim me realitetin. Kjo dhunë vjen nga injoranca, nga mentaliteti patriarkal dhe maskilist, nga ndjenja e sundimit dhe përdorimit të tjetrit. Kur skllavi që ndihet i përdorur ngre kokë, sigurisht që ai që bën rolin e padronit do ta godasë. Pra ende në shoqërinë tonë, një pjesë e madhe e meshkujve nuk kuptojnë që gruaja nuk është pronë private. Ndryshimi midis gruas dhe pronës, është se një pjesë e meshkujve arrijnë në ekstrem për të mbrojtur pronën e tyre private, pra ajo ju dhimbset me tepër se gruaja, pasi atë nuk e trajtojnë nga kujdesi as si pronën, se po të ishte kështu, do të mbahej si zonjë. Vetëm nëse kjo grua do të ishte objekt përfitimi për ta, do të kujdeseshin në aspektin e vjeljes së frutave, por jo në aspektin human. Pra, gruaja është kthyer për një kategori meshkujsh, më keq se skllavi në Romë, të cilit padroni mund t’i merrte jetën kur të donte. Nuk jam feministe, por problemi i gruas në Shqipëri është shumë i madh. Një shoqëri nuk ka të ardhme me një grua të dhunuar, pasi edhe fëmijët do të rriten me dhunë, por edhe nëse ajo nuk kultivohet, edhe fëmijët do rriten injorantë dhe e ardhmja në vend do të jetë më e keqe.

 U bëj thirrje shqiptarëve, të duan më tepër njëri-tjetrin dhe të jenë tolerantë, pasi jo vetëm që është rritur dhuna ndaj grave, por edhe midis vetë burrave. Jeta është e shenjtë, e jep zoti dhe lërjani atij ta marrë. Boll kanë derdhur gjak shqiptarët nën dhunën e pushtuesve të ndryshëm, është vajtuese dhe mjeruese që shqiptarët të vrasin njëri-tjetrin. Dhuna midis vetë shqiptarëve dëmton ata dhe forcon disa armiq historik të Shqipërisë, që kanë dashur t’i zhdukin shqiptarët nga faqja e dheut. Nëse ata nuk e bënë dot këtë gjë, sigurisht do ishin të kënaqur që të shihnin shqiptarët të zhduknin vetveten. Pra shqiptarët duhet të jenë të zgjuar sa që të mos bëjnë punën e armiqve të tyre, por të jetojnë në paqe, harmoni dhe të ngrenë nivelin e tyre të jetesës. Shqiptarët duhet të ecin para dhe jo të mbeten mbrapa, dhe unë uroj që ata ta kuptojnë këtë gjë.

Ju jeni autore e disa librave. Cilat janë ndryshimet midis tyre?

Unë kam shkruar për antikitetin dhe kam shkruar hapur dhe troç, pasi shumë të vërteta të tij, ose nuk njihen, ose janë shumë të manipuluar. Më ka marrë vite nga jeta ime kjo periudhë, por unë e pëlqej. Aktualisht po merrem me disa aspekte të rëndësishme të historisë së Shqipërisë pas vitit 1912 për shkak të doktoratës sime, e cila është shumë interesante. Çdo pjesë e historisë sonë është interesante, pasi ka shumë për të shkruar dhe për të thënë. Por arsimi im nuk është vetëm historik, por edhe juridik, pasi jam edhe avokate dhe kam dhënë mësim prej disa vitesh në Fakultet Drejtësie, por edhe politik, dhe në të ardhmen do të ketë edhe studime të këtyre fushave. E pëlqej pa fund filozofin dhe sigurisht që do të më pëlqente të shkruaja për të, por kur të kem kohë, sepse ne gratë jemi shumë të zëna me punë. Libri im i fundit që flet për rolin e Austro-Hungarisë në krijimin e shtetit shqiptar ka qenë edhe shumë i pëlqyer. Unë dua të falënderoj lexuesit e mi që më japin kurajë për të ecur përpara. Më vjen mirë që lexohem nga intelektualë të kalibrit më të lartë si avokatë, mjekë, diplomatë, politikanë, por edhe nga shtresa të tjera të kulturuara të popullsisë, një pjesë e të cilëve janë emigrantët tanë jashtë vendit. I përshëndes të gjithë, dhe në të ardhmen nuk kam për t’i zhgënjyer, pasi në dashtë Zoti, do të ketë edhe studime më të mira.