Driada Dervishi: pse e solla në skenë “Ëndrra e një nate vere”

693
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisorja durrsake Driada Dervishi: Po të kisha rilindur disa herë të tjera, sërish do të kisha zgjedhur regjinë

Nuk më ndodh shpesh që të afeksionohem me një person kur ai sapo fillon të flasë, sepse në përgjithësi kohët e fundit njerëzit kanë harruar se sa e rëndësishme është “fjala” dhe mënyra se si përçohet ajo. Përballë meje është një femër trupvogël me sy plot dritë që i shkëlqejnë akoma më shumë teksa flet me aq pasion për profesionin të cilin ushtron. “Të folurit bukur”, nuk konsiston në fjalë të mëdha, apo terma të çuditshme, por në atë çka thua, dashurinë dhe natyrshmërinë me të cilën shprehesh, veshur kjo dhe nga një intonacion i ëmbël zëri. E rritur mes librave, instruktuar në selektim nga dy prindër të lidhur pandashmërisht me letërsinë, me një adoleshencë kaluar me muzikën dhe veçanërisht flautin dhe të gjitha këto jo rastësisht, por përgatitja për të nisur një rrugë të gjatë drejt ëndrrës së saj, teatrit dhe regjisë. Ëndrra u bë realitet, por Driada Dervishi, regjisore pranë teatrit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, tashmë ka një ëndërr të madhe…

Jeni duke punuar “Ëndrra e një nate vere” (Shakespeare), premiera e së cilës shfaqet s’afërmi. Një hap i madh ky për një regjisore 33 vjeçe…

Kur mbusha 33 vjeçe (Janar), një miku im më shkruan: “33 vjeçe, një vit i bukur për të bërë gjëra të mëdha”. Thonë që edhe Shekspiri kur ka krijuar këtë veprën ka qenë 33 vjeç! Në fakt, “Ëndrra e një nate vere” kishte dy vjet që vërtitej në kokën time… dhe këto ëndrra kaq të bukura duhen bërë realitet, erdhi momenti i duhur. Po, është një hap i madh, sfidë, por po punohet shumë. Shekspir është i famshëm për tragjeditë, por kjo komedi të jep mjaft mundësi për të krijuar dhe përdorur imagjinatën pafund.

 Mendoni se potencialet e aktorëve të trupës së teatrit “A.Moisiu” e përballojnë një kryevepër të tillë?

Absolutisht PO! Nuk do t’i kisha hyrë kësaj ëndrre nëse nuk do të besoja dhe vlerësoja profesionalizmin dhe dëshirën për teatër të mirë të aktorëve, jo vetëm mjeshtrave që kanë formësuar figurën e këtij teatri, por sigurisht edhe aktorët e rinj.

Puna e aktorëve funksionon në grup. Krijohet ndonjëherë mosmarrëveshje, meqë në këtë vepër ka diku te 15 aktorë, breza të ndryshëm?

Përkundrazi. Mirëkuptimi, vlerësimi dhe respekti, janë tiparet e trupës me të cilën unë punoj. Ka përplasje brezash, por shkëmbim eksperiencash. Të rinjtë i njohin dhe e vlerësojnë profesionalizmin e aktorëve me shumë vite eksperiencë, gjithashtu të rinjtë vlerësohen për dashurinë, seriozitetin dhe energjinë që transmetojnë. Ndjehem e privilegjuar në këtë ambient kaq kurajues dhe nuk dua të lë pa përmendur dhe mbështjetje që më jep dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha, që në fillesë më tha: “fillo punën dhe mos e mendo dy herë”.

Le të kthehemi vite më parë, kur ju ishit nxënëse në liceun “Jan Kukuzeli”, studionit për flaut, më pas regji

Unë jam rritur mes librash, instruktuar nga mami dhe babi, të dy profesorë letërsie dhe autorë romanësh e poezish. Lexoja shumë romane, drama, komedi dhe natyrshëm do më ketë lindur dëshira për teatrin, sepse vite me pas kuptova që ishte një dëshirë e kahershme. Ndërsa katër vjet muzikë, flaut, studiova për t’u ndjerë më e kompletuar. Muzika të mbush dhe të ndryshon, gjithsesi edhe po të kisha rilindur disa herë të tjera, sërish do të kisha zgjedhur regjinë.

Çfarë kujtoni nga Akademia e Arteve dhe a vazhdoni t’i ruani lidhjet?

Kam qenë me fat, sepse ishim një grup fantastik dhe shumë dashamirës ndaj njëri – tjetrit. Orë të gjata duke punuar me njëri – tjetrin dhe pedagogët, Met Xhelili, i ndjeri Agim Qirjaqi, Milto Kutali. Të gjithë e donim fort degën që kishim zgjedhur. Lidhjet natyrisht që vazhdoj t’i ruaj, ta imponon këtë ruajtje edhe vetë profesioni.

Gjatë viteve si studente, ju nisen për një specializim në Modena (Itali). Ndryshoi diçka ky specializim te ju?

Shumë. Së pari ndryshoi konceptin në lidhje me regjinë, atje kuptova që ka me qindra mundës dhe variante të reja sesi perceptohet një shfaqje teatrale, si mund të përcillet te spektatori, njohja me dramaturgë të mëdhenj, që këtu te ne për fat të keq nuk njihen. Atje më lindi dhe dashuria ime për dramaturgun e madh suedez Strindberg. Gjithsesi baza mbetet akademia në Tiranë.

Më tej ju diplomoheni dhe punësoheni në teatrin “A. Moisiu”, në Durrësin tuaj. Si u prit ardhja juaj si regjisore?

Puna ime si regjisore pranë këtij teatri, ka filluar 10 vjet më parë dhe me trishtim them që në atë periudhë ky teatër ishte në kufijtë e mbijetesës. Por pasioni im për teatrin u mbështet me shumë dashuri nga tre emra të cilët unë i falënderoj publikisht: Hysen Bashhysa, Xhelal Tafaj, Sanije Hoti. Gjeta përkrahjen e padiskutueshme te këta artistë dhe ata shihnin tek unë një mundësi për ta ringritur këtë teatër. Shfaqja ime e parë në teatrin “A. Moisiu” ka qenë “Babai” i Strinberg, përkthimin e së cilës e kam bërë vetë. Pra atëherë filloi profesioni im.

Përveç aktorëve të trupës së teatrit të Durrësit, janë edhe bashkëpunimet me aktorë të tjerë si…?

N. Xhepa, N. Kanxheri, Y. Mujo, M. Kabashi, G. Radoja, A. Stari, duke vazhduar me më të rinjtë si: N. Liçaj, R. Kostani, S. Braho, N. Xhelilaj, A. Tolka etj. Këto bashkëpunime kanë qenë produktive dhe tepër kurajuese dhe në asnjë moment nuk ka munguar fryma optimiste.

Megjithëse shpesh me projekte teatrale, ju ndërkohë po përfundoni dhe doktoraturën. Çfarë do të ndryshojë kjo në karrierën tuaj?

Mendoj se është një hap i madh përsa i përket ngritjes sime profesionale për t’i shkuar më tej dijeve, zbulimeve, ambicieve të mia. Në 10 vjet si regjisore unë kam vënë 17 premiera, por jam akoma në hulumtim dhe studim, sepse teatri është një eksplorim i rivazhdueshëm pafund, ky fakt e bën teatrin që të mos më mërzitet kurrë.

Si nis një ditë për ju?

Rreth orës 07:00 të mëngjesit bëj zgjimin, merrem me djalin tim Tadeon, angazhimet familjare dhe më pas rend për në teatër, një kafe me kolegët dhe punë, sidomos tani me vënien në skenë të Shekspir, puna është e madhe, orë të gjata në skenë.

Kur ju nuk keni një projekt, si e zini kohën?

Ka shumë variante. Unë lexoj shumë, tashmë jam shkëputur nga biblioteka nënë dhe kam bibliotekën time personale. Më pëlqen të lexoj biografitë e piktorëve të mëdhenj, përkthej nga italisht dhe anglisht dhe deri tani kam përkthyer 7 vepra. Pra, lexoj, përkthej dhe nëpërmjet librave ngacmohem, akumuloj shkëndija që më pas kthehen në flakë (qesh).

Rikthehemi tek “Ëndrra e një nate vere”. Si mendoni se do perceptohen nga publiku durrsak? Si e parashikoni reagimin?

Është hera e parë që publiku durrsak do të shikojë një kryevepër të Shekspir, sepse në 60 vjet teatër në Durrës nuk është vendosur asnjëherë. Por besoj se Durrësi ka shumë intelektualë, të rinj dhe të reja të cilët do ta mirëpresin këtë iniciativë për të parën herë. Pastaj publikut durrsak i shtohet dhe ai tiranas që herë pas here frekuentojnë premierat e radhës në Durrës.

Mesazhi juaj për të gjithë lexuesit dhe artdashësit durrsakë?

Dashuri, buzëqeshje edhe kur nuk ndjehemi mirë, mendoni pozitivisht që edhe dëshirat tuaja të finalizohen bukur. Publikun durrsak e dua shumë, sepse di të vlerësojë artin e vërtetë dhe i ftoj të gjithë ta presin pranverën me “Ëndrra e një nate vere” në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Një stinë kaq e bukur si pranvera, e meriton të pritet me një kryevepër të tillë Shekspiriane…së shpejti.