Dedin Suli: Nermin Strazimiri, koreografike shqiptare me famë botërore

1013
Sigal

PERSONAZH/ Flet njëra nga mësueset e para të Shkollës Koreografike Kombëtare, Nermin Strazimiri

*studiues, koreograf

Ajo është një grua inteligjente, punëtore, gojëmbël, korrekte dhe shumë punëtore. Ka nxjerrë me qindra koreograf dhe balerina nga duart e saj dhe krenohet me nxënësit e saj. Në atë shkollë ajo punoi mëse 30 vjet dhe sot kujtohet me nderim dhe respekt të veçantë. Ajo është një mësuese veterane, tepër e nderuar – një mësuese që gjithçka pati në jetën e saj, e lidhi dhe e animoi brenda hapësirave të ‘Shkollës Kombëtare të Koreografisë’. Zysh Piti e kanë thirrur gjithmonë dhe ndokush sot e kësaj dite, ende nuk e njeh me emrin Nermin (Ahmeti) Strazimiri… Në shumë takime ajo më tregon: “…kulturën e përgjithshme  e kemi bërë tek ‘Rruga e Kavajës’, tek ’21 Dhjetori’, ku ka qenë Liceu, ndërsa mësimin e baletit, fillimisht e bënim ku ka qenë ‘Teatri Popullor’ dhe pastaj kemi kaluar tek ‘Teatri i Operës’ apo siç quhej atëherë Opera, sot”Akademia e Arteve”. Rrinim deri në nëntë të darkës, duke bërë prova me pedagogun tim të parë që mbetet edhe idhulli im Agron Aliaj. Ndonëse sapo ishte kthyer nga Moska, ai me mish e shpirt, çka kishte marrë atje, në lëndën e “kërcimit klasik”, brezit tonë të parë ia transmetoi me të gjithë komponentët artistik si teknikë, kërcyeshmëri etj…

Si e kujton Shkollën e parë Koreografike Kombëtare?

Në vitin 1957 u hap për herë të parë shkolla koreografike me pedagogët ikonat e baletit si: Agron Aliaj, Petrit Vorsi, Zoica Vaxho, Ganimet Vedresha, Skënder Selimi, Panajot Kanaçi etj.. Pedagogu i lëndës kryesore të kërcimit klasik ishte “Artisti Popullit” Agron Aliaj. Që nxënëse të kësaj shkolle ne merrnim pjesë edhe në trupën e Teatrit të Operës e Baletit që nga viti 1957 deri në 1963. Ne në klasë ishim 23 vetë dhe në fund të shkollës  ngelëm vetëm gjashtë. Çdo vit ngeleshin nga disa nxënës, por kishte dhe nga ato që nuk kishin talent dhe largoheshin vetë. Me trupën e teatrit kemi interpretuar premierat si Opera “Pranvera”, Baleti “Fadeta”, “Sherezade”, “Lola”, “Halili e Hajria” dhe “Detashmenti i kuq i grave”, “Cuca e maleve” ku unë kishte rolin e Dranes. Në nëntor të vitit 1969 vendosa të kontribuoj (e nxitur edhe nga propozimi i trupës së mësueseve të shkollës së baletit) në lëndën e mësuesisë. Kjo pasi eprorët e mi panë vullnetin këmbëngulës në punë dhe talentin e për pedagogji. Vendosa të kaloj si mësuesja e parë efektive e shkollës koreografike pranë Liceut Artistike (Jordan Misja).

Çfarë ndjeve kur nga nxënëse e pe veten mësuese në këtë shkollë?
Qysh në hyrjen për herë të parë si mësuese në ambientet e kësaj shkolle m’u përsëriten emocionet e para 12 viteve, kur unë shkela për herë të parë si nxënëse. A do të bëhesha dhe unë si pedagogët e mi? Nuk shkoi shumë e të gjithë këto pyetje që unë i bëja vetes teksa përballesha me ato vajza e djem që , të ulur në banka m’i ngulnin sytë për atë mision që unë kisha marrë  përsipër të kryeja, sikur u arratisën. Dëshira që unë të jepja mësim dhe rezultatet e para që unë arrita me nxënëset e mija si M. Kuqo , A. Lito , S. Roshi ,T. Bashari ,B. Arbana , E. Seraj, R. Mone, R. Sulejmani, V. Hajati, K. Barkiu etj., arritën e plotësuan katërcipërisht dy objektiva: 1. Ato u bënë balerina që kishe qejf t’i shikoje teksa fluturonin përgjatë skenës, e shumë prej tyre u bënë edhe mësuese të kësaj fushe. 2. Mua si mësuese e tyre gjithmonë më kanë dashur e respektuar më kanë dëgjuar me ëndje, sepse edhe unë qysh në hapat e para të mësuesisë, rrënjosa në shpirt dashurinë për këto bukuroshe që aq shumë e stolisën skenën dhe i dhuruan publikut me interpretime që unë i kisha mësuar hap pas hapi. Janë pikërisht ish- nxënëse që sot po i japin tonin baletit këtu dhe në skenat botërore. A ka kënaqësi, gëzim për mua për këto nxënëse dhe nxënës?  Unë shoh sot e ndihem krenare që ish nxënësit e nxënëset e mia sot janë drejtuese institucionesh, koreografë të shquar studiues të fushës së baletit. E pra teksa i shoh, e bisedoj me ta ndjej që shpirti më mbushet me gëzim të paparë.
Për Marjola Kuqon ish -nxënëse e kësaj mësueseje në faqet e librit tim të para një viti: “Artist të shquar të interpretimit koreografik shqiptar” jam shprehur:  “Ishte vetëm 10 vjeçe kur kjo vajzë filloi studimet në shkollën e baletit nën drejtimin e mësueses së baletit klasik Nermin Strazimiri ose “Piti” siç edhe shpesh thirrej nga nxënësit e pedagogëve e kolegëve të saj. Çfarë do të thoni për të?
Ka arritur shumë rezultate dhe ndihem krenare për të. Në gjithë veprimtarinë time si mësuese e baletit klasik, e duetit klasik, repertorit, karakterit të huaj kam qenë korepetitore e të gjitha koncepteve brenda e jashtë Shqipërisë, kur shkolla jonë është nderuar me tituj nderi. Në vazhdën e nderimeve titujve, çmimeve që kjo shkollë ka arritur mendoj se edhe unë arrita të jap kontributin tim jo vetëm si mësuese, por edhe si shefe e departamentit të lëndës klasike si drejtuese e këtij institucioni përgjatë periudhës së vështirë të tranzicionit.

 Kur ke dalë jashtë shtetit për herë të parë?

Ka qenë viti 1967, kur u krijua Ansambli amator i Uzinës “Traktori” për të qenë në nivele të larta ata morën dhe valltarë dhe balerin nga shkolla jonë por edhe nga TKOB. Në këtë ansambël u thirrën dhe dhanë ndihmë Agron Aliaj, Zoica Haxho, Dedin Suli, të cilët ishin profesionistët më të mirë të asaj kohe.  Ne në Kinë ndenjëm 3 muaj, shtator deri në nëntor 1967. Midis të tjerave  ne dhamë  pjesën “Detashmenti i kuq i grave” si dhe shumë valle popullore. Ne na pritën shumë mirë. Në atë kohë kur ne shkuam erdhi për vizitë Mehmet Shehu. Për nder të ardhjes së tij Ministria e Jashtme Kineze shtroi një darkë. Aty shkuam dhe ne. Mehmeti na përshëndeti të gjithëve duke na thënë të keni kujdes dhe të jeni të disiplinuar.

Si ishte gjendja ekonomike e Kinës së asaj kohe?

Shumë më keq se tek ne. Kur shkonim nëpër reparte ushtarake shikonim kazanë të mëdhenj që zienin vetëm lakra të egra. Ne aty jepnim apo prezantonim vallet popullore dhe ato klasike. Në drejtim të valleve klasike ata ishin shumë mirë. Por ekonomia ishte e rrënuar. Në qytet shikoje burra me mjekër që tërhiqnin karroca. Ne habiteshim, si në rendin skllavopronar. Nuk e mendonim kurrë kështu Kinën.

 A takuat ndonjë nga udhëheqësit e asaj kohe në Kinë?

Ah, po. Është një ngjarje shumë interesante. Ne kishim disa ditë që ishim në Pekin, kur një mëngjes dyert tona po goditeshin me grushte nga jashtë. Një përkthyese po fliste me zë të lartë “çohuni, çohuni”. U tmerruam. Sa hapëm dyert përkthyeset na thoshin vishuni shpejt, vishuni se do bëni një takim special, sekret. Një lëvizje dhe gjullurdi e madhe. Vetëm fjala shpejt mbizotëronte. Ne bëmë si na thanë. Filluam të gjitha të visheshim me shumë shpejtësi. Për disa minuta u gjendëm tek hyrja e hotelit. Na futëm në autobusë dhe na çuan në një ndërtesë të madhe të bukur. Nuk dinim se ku na çonin. Ne hapnim sytë  nga madhësia e ndërtesës së madhe. Aty na kontrolluan dhe na futën në një sallë të bukur. Ishim rreth 100 vetë. Në këtë moment na thanë se do vij t’ju takojë vetë Mao Ce Duni. Emocionet e atyre që na thanë ishte e madhe. Në krye të sallës ishte një podium me katër shkallë, tek hyrja kishte 3 vetë si duket udhëheqës apo të sigurimit. Ai hyri ashtu madhështor ku e mbante një vajzë e re për krahu. Ai pasi bëri disa hapa ngriti dorën dhe na përshëndeti. U afrua në cep të podiumit, na përshëndeti sërish me dorë, buzëqeshi. Ishin me dhjetëra fotografë që shkelnin aparatet ku blicat ndriçonin në çdo sekondë. Mao u kthye për të ikur. Kur ishte në të dalë u kthye sërish tek ne na tundi sërish dorën deh na buzëqeshi. E gjithë kjo ceremoni zgjati 5 minuta. Kur u kthyem në hotel gjithë personeli na shikonte si perëndi. Ato na merrnin duart dhe na i puthnin. Mos i lani duart na thoshin, jeni njerëzit më të lumtur në botë që takuat Maoin. Na shikonin me zili dhe kënaqësi. O zot. Ne se prekëm me dorë Maon fare. Ishte ideja e takimit, e të parit nga afër që ato na shikonin ashtu.

 Ke bërë më shumë përshtypje në punën tuaj si mësuese?

Një burrë nga Kavaja. Ishte viti 1986. Një ditë ai me vajzën 9-vjeçare troket në derën e shtëpisë. Hapa derën dhe mbeta e habitur. Nuk i njoha. Ju jeni shoqja Piti? Po, i them. Të lutem të dalim jashtë të qaj një hall. Hyrë brenda,- i them. Hyri tërë ndrojtje. Më shpjegoi se kishte ardhur që të fuste vajzën nën shkollën e baletit. Nuk e dinte sa talent kishte goca, por ajo e donte shumë baletin. Folëm gjatë. Në fund i thashë se vajza që të konkurrojë duhet të mësojë diçka, ndonjë pjesë, ndaj duhet të rrijë në Tiranë disa ditë që unë ta mësoj. Ai ngriti supet, duke më thënë se nuk kishte mundësi. Atëherë i thashë, ma lër mua vajzën në shtëpi. Do rrijë me vajzën time. Mos ki merak. Ai nuk po më besonte. Ajo do shoqërohet dhe do flejë me vajzën time i thashë, janë vërsnike. Më shikonte duke lotuar. Pranoi. Kur do ikte më la një mijë lekë në dorë. Ishin shumë për kohën. E ndala, n.q.s nuk merr lekët do marrësh vajzën me vete i thashë. U step. U tremb. I mori lekët duke ju dridhur duart. Unë për disa ditë i bëra mësim vajzës. Ajo mësoi shumë shpejt. Konkurroi dhe fitoi. Pas këtij rasti pata shumë kërkesa të tilla nga Kavaja. Ishin të gjithë njerëz mirënjohës.

A jeni vlerësuar për këtë punë?
Besoj se po.  Unë kam punuar rreth 30 vjet në këtë shkollë. Për mua mbase vlerësimet kanë qenë të mira. Në vitin 1990, për meritat e veçanta në edukimin e artistëve të ri me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe, mu akordua titulli “Naim Frashëri”.

Si e vazhduat punën pas daljes në pension?
Nga viti 1998, vit kur unë dola në pension, dhashë kontributin pranë Akademisë së Arteve të Bukura si pedagoge e lëndëve klasike. Paralelisht me të mu ofrua bashkëpunimi me shkollat private që lindën në atë kohë, gjithmonë në shërbim të mësuesisë dhe të fushës koreografike, duke vënë në skenë pjesë të veçanta apo vepra të plota nga baleti shqiptar dhe botëror.

Tregojnë se ishit e rreptë dhe mbanit dhe një shkop dirigjenti në klasë?

Po, e rreptë, por e drejtë. E rreptë në mësim, e dashur jashtë saj. Shkopi është mënyrë drejtimi në shkollën e baletit. Nuk mund ta imagjinoja veten mësuese pa disiplinë, pa nxënës të dëgjueshëm.

Kë do të veçosh nga nxënëset e tua?

Marjola Kuqo që është në Itali dhe ka hapur shkollë për baletin. Më tej  Ariste Lito,  që është në Greqi  që dhe ajo ka hapur një shkollë aty. Kozeta Bakiu, Blerina Albana, e shumë të tjera. Nxënëset e mia tashmë janë kudo në botë dhe kanë bërë emër.

 Kur dhe si e ke njohur Prof. Agron Aliajn?

Në vitin 1957 u hap shkolla e baletit. Ai që në këtë vit që erdhi nga Rusia e pata pedagog. Unë isha matura e parë. Prof. Agroni më jepte me jepte anën profesionale të baletit klasik. Ishte korrekt, i ditur, serioz. Vinte në shkollë i veshur bukur, plot madhështi. Ishte shumë i përgatitur. Në mësim ishte shumë serioz. Kur shpjegonte nuk pipëtinte as miza.

Panajot Kanaçi

Panajot Kanaçi jepte lëndën e dancit historik. Ishte njeri shumë impulsiv. I papërtuar. Shumë i përgatitur. Energjik dhe shumë i lidhur me profesionin. Nuk abuzonte kurrë me orën e mësimit. Jepte gjithçka dinte dhe ishte koherent. Kishte një imagjinatë të çuditshme. Bashkë me këta të dy, dua të them se po kaq i madh ishte dhe Skënder Selimi. Pra ishin pedagogë të përgatitur të gjithë në Rusi, pasi shkolla Ruse e asaj kohe ishte numër një. Zoica Haxho dhe Ganimet Vëndresha. Të gjithë na e dhanë profesionin me shumë pasion dhe dashuri. Silleshin në mënyrë perfekte. Ne dridheshim prej tyre në kuptimin e mirë të fjalës.

Lexuesi dëshiron të dijë se çfarë thonë nxënëset dhe nxënësit e dikurshëm për mësuesen e tyre të adhurueshme.
Blerina Arbana –Drejtore e Shkollës së baletit

“Çdokush ka nostalgjinë e fëmijërisë që e ruan thellë në oqeanin e pafund të ndjenjave.
Një portret imponues që të hipnotizon që në shikimin e parë. Nuk lëshon pe e, po ta ndeshje nëpër shkallët e institucioneve kërkoje t’i rrëshqisje për të mos u përballur, deri në kufijtë e inferioritetit tënd, por, çuditërisht, me një zemër të madhe e të ndjeshme deri në dhembje, me një humor të jashtëzakonshëm, ajo ishte qendra e gravitetit për koleg e nxënës. Kërkuese e profesioniste deri në madhështi dhe më besoni asgjë te portreti i saj nuk është tepri. Ky është portreti i mësueses sime për të cilën admirimi është pak dhe dashuria është shumë. Me mësuesen Piti me të cilën do ta mbyllja dhe shkollën e mesme do të hapej një botë tjetër para syve të mi. E mbaj mend si tani në klasë nuk po pipëtinte asgjë, madje, as miza si i thonë fjalës. Zëri i saj kumbonte për të na rrënjosur ushtrimet e përditshme dhe kompletimin tonë artistikisht. Na ka falur aq shumë dashuri dhe përkushtim, sa shpesh herë harronte familjen. Kjo mësuese vazhdoi edukimin tek unë deri në formimin tim si balerin, por sërish do të përfitoja prej saj edhe për të hyrë plotësisht në fushën e fshehur të pedagogjisë. Jo vetëm unë, por një gjeneratë e tërë artistësh i detyrohemi asaj me respekt dhe mirënjohje. Në zemrën time 67 vitet e tua kanë mbjellë lule dëshira, të cilat i rrita me përkujdesje e ngrohtësi. Jam e kënaqur tek e shoh se fijet e bardha ende nuk duken në flokët e tu, siç duket çdo fije ka një histori që nuk venitet, një thesar që u përcillet brezave me dashuri. E tillë jeni dhe do të mbeteni në sytë dhe memorien time. Për mua nuk keni moshë, ndaj ju adhuroj.

Rudina Laska-ish nxënëse

Me nderim dhe respekt të veçantë ndihem e mikluar të shkruaj dy rreshta për mësuesen time të veçantë, znj. Nermin Ahmeti (Strazimiri).
Ky personalitet i dashur, në fushën e baletit ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen dhe formimin e shumë brezave, duke sakrifikuar, me përkushtim e saj në këtë fushë.
Prej 8 vjetësh prania e saj në jetën time ka gdhendur dëshirën, pasionin përkushtimin ndaj këtij profesioni. Fjala që do ta personifikonte atë, për mua është “Big Mama”

Shpëtim Dajçi-koleg
Shkëpusim disa sekuenca nga një shkrim i këtij pedagogu teksa flet për këtë mësuese veterane duke e quajtur “Ikon” Mësuesja e shquar e talenteve të pafund.
Ajo është një mësuese shqiptare, e cila mban mbi supet e saj 40 vjet mësimdhënie në fushën e vështirë të baletit klasik. I mrekulluar për atë që kjo mësuese u ka dhënë nxënësve ndër vite ai thotë: Duke ndjekur një saxho të saj me nxënësit e shkollës së baletit, ku unë punoj ndjeva kënaqësi të madhe dhe emocion të veçantë për talentet që ajo ka përgatitur. Në portretin e kësaj mësueseje ndjehet puna e saj pasionante këmbëngulja, durimi teksa udhëzonte nxënëset e reja në aspektin e balerinave të ardhshme. Ajo i ka blatuar nxënësve talent dhe pasion për këtë art të bukur. Duke e ndjekur hap pas hapi në karrierën e profesionit të vet këtë zonjë të fortë me një autoritet të padiskutueshëm profesional edhe sot pas kaq vitesh kur thinjat e fisnikërojnë edhe më tej e ndjek këtë provim të zakonshëm të kuptoj emocionet e përhershme të saj. “Gruaja e hekurt, mësuesja ime (zonja Piti, siç njihet kudo) vazhdon të më bindë se vendi im do të rikthehet përsëri në traditat më të mira të tij dhe me balerin të talentuar. Kur kujtoj ndërkaq se edhe të gjithë mësuesit e shkollës së baletit janë nxënëset e mësueses së nderuar  Nermin Stazimiri them me bindje se, Shqipëria me njerëz të tillë do të rilindë edhe në artin tonë të dashur.

Rezarta Sulejmani-nxënëse
Kur më thanë se duhet të shkruaja për zysh Pitin u vura në vështirësi. Kujtimet janë të pafundme. Respekti i madh dhe mirënjohja nuk mund të shprehet me dy rreshta Po një gjë do të jetë e para  Në qoftë se sot jam këtu ku jam është merita vetëm e zysh Pitit.  Është ajo që më zbuloi më përgatiti dhe më bëri të fitoi konkursin për në shkollën e baletit. Nga dita e parë që shkela në atë shkollë përkujdesja, përkrahja   dhe mirësia e saj më kanë ndjekur në çdo hap të jetës sime. Mënyra e saj e mësimdhënies,  serioziteti në punë, përkushtimi i saj për të na dhënë maksimumin janë pika referimi për mua. Unë do jem mirënjohëse për gjithë jetën dhe krenare të them që kam qenë nxënëse e Zysh Pitit.