Bebeka Alla: Personazhet e mia janë ndjerë po aq mirë se unë

998
Sigal

Bebeka Alla, artiste, piktore, grimiere dhe fotografe, sjell freski dhe risi në TKOB

Një mbrëmje e ngrohtë, e mbushur me energji pozitive në Bar Opera. Në trokitjen e gotave të verës, urimi gëzuar vinte miqësisht edhe pse ishte 14 janar 2015. Është një mbrëmje e organizuar nga  Bebeka Alla (artiste, piktore, grimiere, dhe fotografe), për promovimin e kalendarit të 2015, me artistët e operës dhe baletit. Të ftuar ishin artistët dhe punonjësit e TOB, artistët e Teatrit dhe miq te saj. Ishin midis të tjerëve dhe gazetarë, shkrimtarë, poetë që e kanë përgëzuar në vite punën artistike të Bebekës. Duke parë kalendarin dëgjoheshin gëzuar dhe faleminderit. Aty shihet fuqishëm puna krijuese e Bebekës, bashkë me stafin e TKOB. Në këtë kalendar pasqyrohet edhe kalendari artistik i përzgjedhur nga stafi drejtues dhe artistik i operës, për vitin 2014. Ky është viti i pestë që Bebeka ndërmerr një nismë të tillë ku janë përfshirë dhe shumë artistë të huaj që kanë kënduar në skenën magjike të TKOB. .

 Personazhet e kalendarit 2015

-Ermonela Jaho (“Madame Butterfly”), Armaldo Kllogjeri (Pikertoni), Sindrit Bejleri (Cio Bonxo), Marjana Leka (Butterfly) Vikena Kamenica (Suzuki),  Eva Golemi (opera “LeVili”), Sonila Baboçi (Dorabela, “Cosi fan tutte”), Erjona Gjyzeli (Euridice, “Orfeo ed Euridice”), Ogert Islami (Opera Tosca), Ylber Gjini (Skarpio),  Cristiano Riçi (Rodolfo), Enrico Marchesini (Coline), Alisa Katroshi (Mimi), Dorina Selimi (Muzet, opera “Bohem”), Ilir Kerrni (Halili),  Dion Gjinika (Zhermoni),  Evis Nallbani, Ledia Sula,  Jonida Onuzi (baleti “La traviata”), Gerti Vaso (baleti “Karmen”), Albert Matraku (baleti “Copelius”).

 Pika më delikate e grimit

Në fjalorin profesional quhet derdhja e fytyrës. Kur realizohet derdhja, elementët e tjerë janë më të lehtë, pasi më vonë shtohen të gjithë elementët që janë rrudhat, zgjerimi i faqeve dhe e një hunde të re. Me këto elementë fillon tjetërsimi i personalitetit.

 Roli i Bebekës në grimin e personazheve

Në teatër, opera, balet, personazhet tjetërsohen tërësisht në moshë dhe në karakter. Një rol mund ta luajë një aktor apo këngëtare e madhe në moshë, kur në rol duhet të ketë moshë krejt tjetër dhe në fillim të shfaqjes për shkak të grimit asnjë nuk e njeh. Ky është roli i grimieres. Një rol që ndoshta nuk përballet direkt me spektatorin, por që ka rëndësinë e vet. Pastaj është zëri ai që i bën spektatorët ti njohin. Pra ky është roli i padukshëm i grimieres në skenë. Roli i grimieres në skenat botërore ngelet kurdoherë parësor  dhe pse ata marrin pak nga lavdia e shfaqjeve. Kështu është dhe me Bebekën që dhe pse bën një punë kolosale, rri në hije, askush nuk kujtohet për të thënë dy fjalë për punën e saj dhe pse ajo për të bërë një karakter rri me orë por edhe me ditë.

 Vështirësitë në grim

“Besoj se ka shumë vështirësi,- thotë ajo, madje mund të them që personazhe të veçantë duhet të punosh me orë, pasi duhet të jetë në funksion të pjesës që luan”. Ka të drejtë! Kur shikon se si ajo punon me një përqendrim total befasohesh. P.sh, të kesh një personazh në jetën e tij normale dhe do ta kthesh nga të ri në të vjetër duhet të fillosh të punosh me rrudhat e fytyrës, që ka elementë të  posaçëm dhe deri tek flokët. Sa punë rraskapitëse. Art shumë i vështirë, por po kaq dhe i bukur.

Ilir Kerrni

Mjeshtër një pyetje. Një kalendar i veçantë i Bebeka Alla, ku në foto jepen të gjitha aktivitetet pikante te TKOB gjate vitit 2014. Cili është komenti juaj për këtë kalendar të veçantë?

Përveç vlerës artistike te pa diskutueshme që ka çdo moment i fiksuar në fotografi, do të thosha se për mua është një kontribut i madh qe i behet teatrit nga njerëz që janë të lindur për teatrin. Pa memorie çdo gjë vdes, parë në këtë këndvështrim autorja i ka bërë një shërbim të pallogaritshëm artit tonë. Mbetem i mendimit se është vlerë e madhe artistike dokumentimi i jetës artistike të TKOB, por mbi te gjitha vlerë për krijimin e memories.

 Armaldo Kllogjeri-tenor

 Për hir te se vërtetës është një privilegj të jesh pjesë e një kalendari që grimierja jonë Beka Alla krijon çdo vit me shumë personazhe dhe figura artistike, gjë të cilën nuk e bën çdo kush. Më tepër do vlerësoja punën e Bebekës se sa veten time në atë kalendar!! Duke marrë parasysh se sa e vështirë është për të. Jo çdo kush mund të jetë pjesë e një kalendari të tillë sepse kjo varet nga rolet kryesore që performon në atë teatër, por e rëndësishme është sepse përkrah këtij kalendari pozohen edhe fotot e artisteve me emër që ndodhen dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Unë dua ta falënderoj përzemërsisht Bebekën për krijimtarinë e figurës artistike në të gjitha personazhet që unë kam luajtur në atë teatër, sepse “Madame Butterfly” ka qene opera e fundit ne te cilën unë mora pjese. Ju uroj gjithë të mirat edhe suksese. Armaldo!!!

 Ermir Dizdari-dirigjent

Çdo nismë ka një të veçantë, një mirësi, një vizion, një mesazh. Të përcjellësh në një kalendar shfaqjet kryesore të një institucioni të vetëm të Operës, siç është TKOB, është nj ndërmarrje e vështirë dhe e bukur. Nisma të tilla duhen përshëndetur jo vetëm për kohën por edhe për idetë të cilat marrin formë jetësore. Çdokush ka dëshirë të shohë veten në një kalendar të tillë, pasi ai mbetet i përjetshëm, një dokument historik i lexueshëm që pakkush mund ta perceptojë për momentin. Si muzikant dhe ish pjesë e këtij institucioni, them që nisma të tilla duhen përgëzuar, duhen përkrahur, pasi vetëm nxitje dhe pozitivitet përcjellin.

  Ndjesia e Bebekës për kalendarin dhe TOB-in

“Jam ndjerë shumë mirë pasi të gjithë personazhet e mia janë ndjerë po aq mirë se unë. N.q.s do kisha pakënaqësi nga ana e tyre do ndihesha keq. Por ndihem dy herë më e lumturuar pasi këngëtarët operistik më kanë falënderuar në mënyrë të veçantë. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë për këtë bashkëpunim artistik dhe me nivel”.