Bashkim Koçi/ Jeta, si një sfidë për Ksanthipi Bufit

921
Sigal

 Ajo tashmë është në majë të “gradaçielit”, në “katin” e 85-t të saj, por nëse i marrim këta kate një e nga një, Ksanthipi Bufi (Xhoxhi) i ka ngjitur ata si rrallëkush, duke sfiduar me forcë dhe me vullnet  të pashoq, nëse kemi parasysh jetën e saj, të nisur e të bitisur me ngjarje paksa të rënda për t’iu bërë ballë. Ca më shumë për një grua. Ai që ka patur rastin të lexojë jetëshkrimin e Ksanthipi Bufit, nuk besoj të mos ketë mbetur  “i pagoi”, i befasur nga peripecitë që e kanë shoqëruar  dhe nga stuhi të papritura që e kanë përplasur sa në një breg, në bregun tjetër të jetës. Madje bëhet “e pabesueshme” sesi një vajzë e mbetur jetime që kur ishte vetëm katër vjeç, të mund të këtë patur aq “fat”, të mund ta ketë “ndihmuar zoti” për të arritur deri këtu, në këtë çast të jetës, të cilit i belbëzon nga thellësia e shpirtit: Unë kam jetuar, e përshkova më shumë sukses rrjedhën që më kish caktuar Fati.

Po si, cilat ishin armët që përdori Ksanthipi Bufi për të mos iu nënshtruar fatkeqësive që i erdhën një e nga një si të paskëshin qenë një “perandori”?  Unë nuk mund të hedh dot në këto pak radhë ekstraktin e jetës të kësaj zonje, madje e kam të pamundur, por nëse  e shikojmë nga një këndvështrim tjetër, atë të dhënies të informacionit  sesi prindërit tanë, pra plejada e vërsës së kësaj nëne,  kanë mundur të realizojnë “të parealizueshmen”, ia vlen të thuhet diçka. Ia vlen edhe për një gjë  tjetër: për të përcjellë  tek brezat e sotëm mesazhin se për të pasur sukses në jetë, këmbëngulja për të arritur një qëllim të caktuar duhet të jetë më e madhe se frika nga dështimi.

 Ka një thënie, e cila nuk lë vend për diskutim, është nga ato që njerëzimi e ka patur dhe e ka të shenjtëruar: Njeriu ka nevojë për arsimim ashtu  si bima për ujë. Ashtu sikundër thahet pema kur është e njomë, po nuk u ujit, edhe njeriu thahet  shpirtërisht po nuk u edukua qysh në fëmijëri. Ksanthipi Bufi, falë dhuntisë së saj për të studiuar, falë zellit  për të qenë “e para ndër shoqe”, iu hapën të gjitha rrugët të ishte e përzgjedhura për të vijuar shkollimin atje ku mund të arsimoheshin vetëm parallinjtë, sëra e Familjeve të Mëdha. Po si kështu, ç’ndodhi me Ksanthipin, vajzën nga qyteti i Lushnjës, e cila jetonte në një shtëpi të shtruar e lyer rreth e rreth me baltë, që nuk  kishin as bukë për të mbajtur shpirtin gjallë? Kjo është një pyetje paksa e pakuptueshme për brezat e sotëm, por kur dëgjon këtë zonjë, tashmë 85 vjeç, të krijohet bindja  sikur mbreti i botës na qenkërka rastësia. Ajo, siç edhe thamë pak më sipër, ishte jetime, pa baba. Nëna, Vera, bënte punë nga më të rëndomtat, nga më ropatëset, e që nxirrte aq para sa për të mbajtur frymën e katër jetimëve. A mund të kishte shans vajza “e para ndër shoqe” të mund të shkollohej, ashtu si edhe ëndërronte të bëhej në mes të kësaj skamjeje? Po ja që edhe fukaresha e vogël na e paskësh pasur një “pasuri”. Ajo tregon se mësuesi i saj, Esat Libohova, një burrë i moshuar e patriot i madh, nuk kish lënë gur pa lëvizur, nuk kish lënë derë të organeve të pushtetit të atëhershëm pa trokitur, deri në Ministrinë e Arsimit, për t’ja arritur qëllimit që nxënësja e tij, “e shkëlqyera në mësime”, të mos humbiste, të mos “i thahej shpirti”, duke mos  u shkolluar më tej, në një nga shkollat e mesme,  me bursë nga shteti. Madje për të plotësuar “kushtet”, siç mban mend ajo, u desh të falsifikohej edhe mosha, pra viti i lindjes, të cilin edhe sot e kësaj dite gjendet  i regjistruar në dëftesën që ka marrë atëherë, nga viti 1929, ai i vërteti, në vitin 1922, ashtu si e kërkonte shkolla. Paksa e pabesueshme, apo jo?

I doli e drejta e studimit për në qytetin e Shkodrës, në një nga shkollat më me emër të asaj kohe, “Donika Kastrioti”. Xhaxhai më përgatiti një “valixhe” për të vendosur ato pak plaçka që u sajuan, për të mos më nisur lakuriq. “Valixhja” si një kuti,   nga ato që përdoreshin për mbajtjen e vaj-gurit, e bojatisur si mos më keq, tregon zonja Ksanthipi pas 75 vjetësh për atë udhëtim, i cili në atë kohë i ish dukur  paksa misterioz. Ajo thotë pastaj, si për ta bërë  bisedën ashtu si ka ngjarë se “valixhja” nuk kishte as vegë për ta mbajtur. Dërrasa e valixhes-kuti  ia kish bërë belin copë.  Tani mua, shkruesit të këtyre radhëve, më lejohet të bëj një pyetje: Mundet sot, në këtë shekull që jetojmë, të gjendet një djalë apo një vajzë të marrë rrugën për të vijuar studimet, apo edhe për të shkuar me pushime, të ketë si pjesë të udhëtimit  “bagazh” si ky që sapo thamë, të nxënëses pedagogjikase Ksanthipi Bufi?

 Vështirësitë e jetës nxjerrin në pah karakterin e vërtetë të njeriut. Të fortë, apo të dobët. Në rastin tonë nxënësja jetime do të shkonte në Shkodër, në shkollën “Donika Kastrioti”, po me kë, kush do ta shoqëronte? Ajo e kishte një shoqe nga Lushnja, Liri Andonin, e cila ishte në vitin e dytë, por u duhej të kishin si shoqërues edhe një mashkull.  Prapë rastësia solli çudinë tjetër. Aty në Lushnje dikush i kishte treguar me gisht se “ajo vajza atje” është nxënëse dhe po shkon për në Shkodër, në shkollën ku do të studiosh ti. Është nga Bregu, është bashkë me të atin, i paskësh thënë ai “dikushi”, emri i të cilit nuk i kujtohet. Dhe Ksanthipi na “e zbulon” këtë emër, duke na çuar në vitet kur këto vajza bënë emër në lëvizjen antifashiste në qytetin e Shkodrës. Ishte Parashqevi Zoto, bashkëshortja e ardhshme e Kahreman Yllit.  Sigurisht, ajo nuk lë pa përmendur emra të tjerë, që kanë lënë gjurmë në historinë e luftës, duke nxjerrë në pah kontributin e disa familjeve shkodrane si Kumbaro, Juba, Xhabija, Jubani, Sereqi etj., tek të cilat 60 vajzat konviktore të shkollës “Donika Kastrioti” gjetën mbështetje si të ishin bijat e tyre.

Lufta ua ndërpreu ëndrrat, ishte viti 1940. Shkollat u mbyllën. Djemtë dhe vajzat të moshës së Ksanthipit iu bashkëngjitën formacioneve partizane, apo  u bënë pjesë e frontit nacionalçlirimtar.  Si do t’i vinte halli më tej kësaj vajze, tashmë e mbetur gjysmake, as në qell e as në tokë? Ajo tregon për veprimtarinë e saj revolucionare në qytetin e Lushnjës dhe kujton sesi zhvilloheshin ngjarjet, sesi ia bashkua të rinjve lushnjarë, të cilët propagandonin me protesta të fuqishme zemëratën popullore, sesi u njoh me luftëtarë trima e të zotë, ku njëri nga ata do të ishte bashkëshorti i saj i ardhshëm, komisari i Brigadës së 16-të Sulmuese, Sokrat Bufi.

 Ka një kuptim të madh porosia, e cila shprehet me këto fjalë: Nëse do të jesh i bukur vrapo, nëse do të jetosh gjatë vrapo, nëse do të jesh i mençëm vrapo. Ksanthipi Bufi vrapoi gjithë jetën. Nuk u ndal për asnjë çast. Në vitin 1945, menjëherë pas çlirimit, u hapën shkollat, por ajo tashmë ish krejt “e çorientuar”, ashtu si ngjan me të gjithë shoqërinë pas një lufte të madhe. Ndaj “vrapoi” drejt aksioneve për rindërtimin e vendit dhe ngritjen e veprave të reja nga pushteti popullor.  Do të ishte po ky vit që ajo të regjistrohej si e jashtme në shkollën pedagogjike “Nëna Mbretëreshë”, në Tiranë. Ishte strehuar tek një familje, Mehdi Bedallit, të  cilën, siç thotë pas kaq dekadash “nuk mund ta harroj kurrë, sa të jetë gjallë”. Por njeriu që “vrapon” ka mundësinë që të kap rastin, të gjejë atë çka kërkon, qoftë të jetë edhe “prapa diellit”. Ksanthipi kujton, jo pa emocion, edhe pse kanë kaluar dhjetëra vjet, që të drejtën për të vazhduar shkollën me bursë nga shteti ia dha Enver Hoxha. Ishte tetori i viti 1946, atëherë kur Enveri ndau tapitë e para të Reformës Agrare në fshatin Gorre, në Lushnje. Ia kish thënë Komandantit kërkesën, duke bërë edhe sqarim se ishte përjashtuar nga shkolla “Donika Kastrioti” si “pjesëmarrëse e demonstratës të 28 Nëntorit të vitit 1942”. Kam qarë me lot nga gëzimi, tregon e moshuara 85 vjeçare, kur Enveri i dha porosi të prerë ministrit të arsimit të asaj kohe, Bedri Spahit, që të kujdesej për mua. Fiks pas një muaji, në nëntor, më erdhi lajmi për të shkuar në shkollë.

Jeta për Ksanthipi Bufin ka qenë sfidë, të cilën ajo e përballoi, duke bërë realitet edhe ëndrrat. Disa, siç do ta themi këtu, iu prenë në mes. Në rininë e saj, atëherë kur duhej, e lidhi jetën me një ndër luftëtarët më të zotë dhe idealist, djalin fierak, Sokrat Bufin. Nuk është vendi këtu të sjellim hollësira rreth asaj që ndodhi me jetën e Sokrat Bufit, njërit ndër kuadrot më të formuar të pas luftës. Faktin që na duhet të sjellim është se ai u nda nga jeta në mënyrë misterioze, plot 9 vjet pas martesës, duke lënë katër fëmijë jetimë dhe bashkëshorten, Ksanthipin, vetëm 28 vjeç.  Nëna e re, e cila e kish marrë jetën si një bukuri, dëshironte ta adhuronte deri në fund. Por ja që ajo na qenkësh edhe trishtim dhe duhet ta kalonte, qenkësh edhe luftë dhe duhet ta pranonte. Unë që po hedh këto radhë, për të treguar atë çka përballoi kjo grua në jetë, di diçka, pako gjë, sepse disa vite të rinisë time kanë qenë “të komanduara” nga Ksanthipi Bufi. Ajo punoi shumë vjet, deri sa doli në pension, në detyrën e drejtoreshës të konviktit të shkollës pedagogjike “Janaq Kilica” në Fier, ndër më të mëdhatë e më të suksesshmet në shkallë vendi. Nuk janë disa dhjetëra, por mijëra nxënës, të cilët sot punojnë apo kanë dalë në pension, por që nuk kanë harruar “nënën e tyre të dytë”, Ksanthipin, të “tmerrshmen”, si e thërrisnim, e cila  na  rriti dhe u kujdes si të na kish fëmijët e saj.

Njeriu duhet të krenohet me punën, me moralin, me sjelljen që ka ndërtuar  vetë. Kjo  për Ksanthipi Bufin ka qenë “pronë e saj”, e pa tjetërsueshme. Ua përcolli brezave që rriti e edukoi, ua kultivoi edhe të katër fëmijëve të  saj, të cilët u rritën e u burrëruan  si të ishin me nënë e babë, si të paskëshin kryer “shkollën”  “jeta është  sfidë e duhet përballuar”. Nuk është teprim e as shpërdorim i modestisë po të sjellim atë që Ksanthipi Bufi i shkolloi, i bëri me arsim të lartë të katër fëmijët, Yllin, Arbenin, Zanën dhe Agimin. Janë ekonomistë, inxhinierë, fizikantë dhe arkitektë të zotë, që kanë bërë emër. Por njëri prej tyre, Ylli Bufi arriti të ketë një detyrë të lartë shtetërore, të jetë Kryeministër i Shqipërisë.

 Një kokërr gruri nuk e mbush dot hambarin, por ndihmon kokrrat e tjera për ta mbushur. Ksanthipi Bufi është një nga këto “kokërr gruri”, të cilën, ne që e njohim,  i jemi mirënjohës!