Anita Take: Një CD e vetme përfshin perlat e krijimtarisë virtuoze të Agim Prodanit

730
Sigal

Flet Anita Take, zëri i melodioz  që emocionon tërë brezat

Zëri i saj edhe sot veçohet për timbrin aq të bukur. Një zë që gjithkush i jep emërime të ndryshme. Në çdo kohë këngët e saj këndohen nga të rinjtë me dëshirë, pasi aty gjen mallin, dashurinë, lirinë, shpirtin e trazuar, emocionet jetësore. Ajo këndon dhe duket se vallëzon, duket sikur përhap emocion jete të një natyre tjetër. Kur dëgjon ato këngë, jeta merr tjetër ngjyrë, tjetër ritëm, pasi kënga e saj është këngë zemre, këngë mirësie, këngë ilaçi shpirtëror. Zëri i saj i bukur dhe brilant, ka lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës shqiptare, pasi ajo në çdo dalje që ka bërë në skenë ka ngritur peshë spektatorët, të cilët e kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës me duartrokitje frenetike. Kur bisedon me të e shikon me vëmendje dhe vëren se ajo është e qetë, e ëmbël, e sigurt, gjithmonë me një buzëqeshje në fytyrë, buzëqeshje që të bën ta admirosh. Ajo nuk shtiret kurrë, nuk kërkon kurrë të evidentohet, pasi tek thjeshtësia ajo shikon bukurinë e jetës.

Kur përkon ngjitja në skenë?

Pikërisht në vitet e para të pasluftës. Ato vite që në fëmijërinë e saj lanë gjurmë. Bashkë me riparimin e plagëve të luftës, edhe kënga shqiptare po merrte rrugën e saj. Mos të harrohet ishin ato vite, kur emancipimi i femrës shqiptare nuk ishte si sot. Atëherë ende mbizotëronte ferexheja. Anita ishte në avangard të emancipimit të femrës shqiptare. Për më tej të qenit këngëtare ishte ende diçka shumë e avancuar për femrën shqiptare por jo për Anitën, që donte patjetër ta bënte prezent zërin e saj në shërbim të shoqërisë, por në veçanti të femrës shqiptare. Edhe sot thuhet mes kritikëve të artit (me plot gojën), se një nga këngëtaret e para  në Shqipërinë komuniste ishte dhe Anita Take. Ishte vitit 1949. Një vit kur Tirana po merrte veten dhe arti filloi të lulëzonte. Në këtë vit përkon dhe dalja në skenë  e Anita Takes. Ishte një dalje spektakolare, një dalje plot dinjitet që di ta bëjë vetëm një këngëtare e madhe me vizion për të ardhmen. Karakteristikat e zërit të saj, thjeshtësia në skenë, dëshira për të përcjellë art të mirëfilltë e bënë atë që në këtë dalje një këngëtare të dashur që për çdo ditë spektatorët e donin shumë e më shumë. Duhet theksuar se, ajo u lind në një familje që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj muzikës.

 Çfarë risie tjetër do të sillte skena për të?

Në skenë i gjeta të gjitha thekson ajo. Në skenë ajo gjeti të gjitha ato që kishte si ëndërr. Aty mori profesionin e përjetshëm, aty u njoh me kompozitorë dhe këngëtarë, por aty njohu Princin e Kaltër, bashkëshortin e përjetshëm të madhin Agim Prodani. Ai tek Anita së pari njohu një zë të rrallë, së dyti një vajzë pa vese dhe një vajzë të re që po çante me dinjitet. Cilësi këto shumë të rralla për kohën. Ishin të dy me fat, por Anita thotë se, më me fat ishte ajo, pasi Agim Prodani  mbetet  një ndër kompozitorët shqiptarë më të shquar të të gjitha kohërave, ose më mirë të themi themeluesi i muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Dhe kjo lidhje nuk ndodhi rastësisht. Agimi pa tek ajo një këngëtare me të ardhme, ndërsa Anita tek Agimi, pa njeriun e sigurt, kompozitorin e aftë, intelektualin e sinqertë që mund të çante çdo dallgë të jetës.  Në fillimet e tyre të njohjes, netëve të vona kur mbaronin nga puna në Estradë, Agimi  e shoqëronte për në shtëpi.  U bë si rit ky shoqërim, zgjati disa muaj, kështu lindi një dashuri e sinqertë që vetëm dy artistë si ata dinë ta vlerësojnë dhe ta respektonin. Dhe lidhja e tyre e sinqertë i dha shumë shpejt frytet.  Me ndihmën e tij dhe me talentin e saj Anita brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër u bë këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë. Ata i gjeje të dy kudo, në punë, në skenë, në pazar, në vizita miqësore. Një çift ideal dhe një marrëdhënie e rrallë në çift.  Të dy bashkë ata u bënë protagonistët e muzikës së lehtë shqiptare, duke thyer shumë tabu të kohës dhe duke dhënë shembullin e tyre në drejtim të artit, por dhe të marrëdhënieve në çift.

 Ç’ndodhi në natën e parë të shfaqjes?

Anita thotë se, Estrada e Tiranës u hap si një zhanër i ri i humorit dhe këngës. Pikërisht, aty përkojnë fillimet e saj skenike, në atë estradë që u bë ëndrra e çdo këngëtari, duke përfshirë dhe Vaçe Zelën. Në këtë tempull të artit shqiptar, ku kanë dalë sa e sa aktorë të humorit dhe këngëtarë të muzikës së lehtë Anita formoi personalitetin e saj si këngëtare. Në regjimin komunist, Estrada e Tiranës, ishte ndër institucionet më të realizuara të artit shqiptar. Aty ajo mësoi se, çfarë është disiplina në punë. Rregullat  e një koncerti, marrëdhëniet epror -vartës, përmirësimi i zërit, sakrifica, mposhtja e vështirësive. Natën e parë të shfaqjes së parë, i ndodhi diçka  shumë e hidhur. Nëna i kaloi një paralizë. Por në punë duhej të shkonte. Ashtu mes lotëve u paraqit në punë. Dhimbja ishte e madhe për një vajzë të re si ajo. Në korridor hasi me drejtorin Gaqo Avrazi. Ai e pa me lot në sy dhe me tualetin e lehtë të shpërndarë. E pyeti përse qante dhe Anita mes lotëve tregoi sikletin. Ai i dha leje duke i thënë: “Shko afër nënës, se ne kemi dhe këngëtarë të tjerë”. Ajo e mban mend si asnjëherë këtë ditë për shumë arsye, ku veçon se kishte nënën sëmurë, por dhe se mbetet hera e parë që ajo nuk shkonte në punë.  Për 40 vjet rresht ajo s’ka munguar më kurrë nga ky institucion. Pra, 40 vjet mes skenës, një rast i rrallë që në botë pak kush mund ta ketë. E respektonte maksimum  punën dhe ky respekt ja shpërbleu dhe asaj. Ajo gjatë kësaj kohe për 40 vjet i ka kënduar lirikave të dashurisë, por në shumë koncerte duhej të këndonte dhe këngë popullore qytetare. Duke pasur në krah Agimin ajo s’e ka ndjerë kurrë mungesën e këngëve të reja, duke e rritur për çdo ditë repertorin e saj të mrekullueshëm.

 Në fondin e artë kush përfshihen?

 Këngët e saj dëgjohen gjithmonë, por jo të gjitha kanë atë incizim perfekt. Ky fond për ‘të mbetet fondi i artë. Vetëm ky institucion i kishte të regjistruara pjesët më të madhe të repertorit të saj. Edhe sot e kësaj ditë Radio- Tirana herë pas here vendos këngë nga repertori i saj. Por ajo megjithatë, ndjehet e paplotësuar për vetë faktin se këngët e aj nuk ka mundur t’i bëjë albume. Në gjithë karrierën e saj ajo ka bërë vetëm një CD me 20 këngë, të cilat janë nga perlat e krijimtarisë virtuoze të Agim Prodanit. Dhe ajo jo më kot zgjodhi këngët e bashkëshortit për këtë CD. Kryesorja është se me këto këngë brilante ajo çonte në fund një dëshirë të tij, por nga ana tjetër plotësonte dëshirat e mijëra fansave të saj që këto këngë i quajnë si margaritarë në gjerdanin e margaritarëve të krijimtarisë së Agimit dhe të të kënduarit të Anita Takes. Shumica e këngëve të CD janë lirika të dashurisë, por dhe këngë popullore qytetare.