Anila Omari:Zhvendosja e punonjësve të instituteve të Qendrës Albanologjike ishte e nxituar dhe fyese

508

INTERVISTA/ Flet gjuhëtarja Anila Omari: Problemi më i madh sot, kultura e dobët gjuhësore

Gjuhëtarja Anila Omari para disa kohësh ka hedhur në treg librin “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”. Sipas saj, gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë të familjes indo-europiane dhe në këtë rrafsh mund të kenë pika të përbashkëta të trashëguara nga paraardhëset e tyre. Problemi më i madh sot, shpjegon Anila, është kultura e dobët gjuhësore sidomos e brezit të ri. Vërshimi pa kriter i fjalëve të huaja është një problem, por shohim edhe përdorime të gabuara në drejtshkrimin, në morfologjinë dhe në sintaksën e shqipes, çka flet për mangësi të formimit gjuhësor në shkollë. Tashmë ajo ka përfunduar një fjalor të veprës së Pjetër Bogdanit me shpjegime në italisht dhe shqip dhe po shkruan një studim për leksikun e Bogdanit, shtresëzimin e tij dhe punën krijuese të autorit për pasurimin e leksikut të shqipes së shekullit XVII.

 -Ju kohët e fundit keni hedhur në treg librin “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”. Ku konsiston ky libër dhe çfarë marrëdhëniesh gjuhësore kanë këto dy gjuhë?

  Libri “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”, Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012, është rezultat i një pune kërkimore të gjatë, të filluar që në fund të viteve ‘80 si punim i disertacionit të doktoratës së mbrojtur në vitin 1995. Unë kisha mbaruar studimet universitare në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë për gjuhë shqipe dhe gjuhë serbokroate, kështu që mbas emërimit në Institutin e Gjuhësisë, në sektorin e Historisë së Gjuhës, fillova të merrem me marrëdhëniet gjuhësore të shqipes me serbishten, që në atë kohë quhej serbokroatishte. Deri atëherë marrëdhëniet mes këtyre dy gjuhëve fqinjë ishin studiuar në kuadrin e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët sllave ballkanike, ku përfshihej edhe bullgarishtja. Nga albanologët e shquar, si Jokli, ishte shtruar kërkesa për të dalluar elementin serb nga ai bullgar si dhe sllavizmat me shtrirje më të gjerë në mbarë gjuhën nga ato me karakter të kufizuar krahinor. Për këtë arsye studimi kërkonte medoemos edhe kërkime në terren për verifikimin e sllavizmave sipas përhapjes dialektore-gjeografike. Si një nga kriteret e dallimit të elementeve me burim nga serbishtja ishte edhe kriteri gjeografik, përcaktuar që më parë nga Çabej, sipas të cilit sllavizmat e Shqipërisë veriore ishin me prejardhje nga serbishtja, ndërsa ato të Shqipërisë së Mesme e të Jugut nga bullgarishtja. Kështu që për nevojat e studimit kreva ekspedita kërkimore në Veri të Shqipërisë, në 11 pika që përfaqësonin krahinat kryesore etnografike të Shqipërisë veriore. Tani, mbas shumë vjetësh, me rastin e botimit e rimora në dorë doktoratën dhe i bëra një ripunim rrënjësor, sidomos për sa i përket korpusit të sllavizmave, duke e zgjeruar e pasuruar me të dhëna të reja edhe nga literatura e botuar ndërkohë për këtë çështje.

 -Cilat janë prejardhjet e dy gjuhëve dhe a kanë ndikim ato tek njëra-tjetra?

 Gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë të familjes indo-europiane dhe në këtë rrafsh mund të kenë pika të përbashkëta të trashëguara nga paraardhëset e tyre. Ato janë edhe gjuhë ballkanike dhe si të tilla kanë përkime të karakterit tipologjik, ndonëse serbishtja nuk bën pjesë në gjuhët ballkanike parësore, siç është shqipja me rumanishten e bullgarishten. Por për ndikime të njërës gjuhë në tjetrën mund të flasim në kushtet e kontakteve gjuhësore mes popullsive shqiptare e serbe apo edhe dygjuhësisë në zona të caktuara, të ardhura si pasojë e rrethanave historike që kanë kushtëzuar marrëdhëniet midis këtyre popujve. Këto ndikime janë të shtresëzuara në kohë dhe fillojnë me dyndjet e para sllave, në shekujt VII-VIII, përforcohen në kohën e pushtimeve të perandorive sllave, si ajo bullgare (shek. IX-XI) dhe serbe (shek. XI-XII e XIV), dhe vijojnë deri në kohët e reja në zonat kufitare të kontaktit me popullsitë sllave. Ndikimi sllav nuk ka të njëjtin intensitet në të gjithë territorin e shqipes: në zonat skajore ai është më intensiv, ndërsa në drejtim të brendësisë vjen duke u zbehur. Kjo do të thotë që edhe rëndësia e sllavizmave në gjuhën shqipe nuk është e njëjtë. Ka një numër fjalësh me burim sllav që kanë përhapje në mbarë gjuhën, pra janë të rrënjosura në gjuhë, dhe ka një numër shumë më të madh sllavizmash që kanë përhapje të ngushtë lokale afër zonave kufitare. Ndërsa sllavizmat e të folmeve shqipe të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi kanë një tjetër status, ato janë pasojë e kontakteve të vazhdueshme dhe kushteve të ekzistencës së dygjuhësisë, prandaj vështirë se duhen përfshirë në korpusin e sllavizmave të shqipes, edhe pse mund të bëhen objekt studimesh të veçanta. Koncepti i marrëdhënies nënkupton dy kahe drejtimi, pra jo vetëm marrje, por edhe dhënie. Për këtë arsye në punim nuk është lënë mënjanë ndikimi që ka ushtruar gjuha shqipe në të folmet jugore të serbishtes në rrafshe të ndryshme: fonetik, gramatikor e leksikor. Duke mos pasur mundësi praktike hulumtimi në terren në të folmet serbe apo malazeze, jemi mbështetur në punimet e dialektologëve serbë e malazezë, të cilët kanë vënë në dukje ndikime të jashtme në të folmet e studiuara prej tyre, që në pjesën më të madhe janë ndikime të shqipes.

 -Cilat janë problemet më të mprehta të gjuhës shqipe sot?

 Problemi më i madh sot më duket kultura e dobët gjuhësore sidomos e brezit të ri. Mosnjohja e mirë e gjuhës amtare, që me sa duket ka të bëjë me mangësi të rënda në arsimin bazë, por edhe me mungesën e leximit tek të rinjtë, krahas me përvetësimin e gjuhëve të huaja dhe krijimin e brezave dy- a trigjuhësh, ka sjellë edhe zëvendësimin e fjalëve dhe shprehjeve ekzistuese shqipe, tashmë të panjohura për të rinjtë, me fjalë e shprehje të gjuhëve të huaja, qoftë të marra drejtpërdrejt, qoftë të përkthyera ose kalkuara në shqip sipas modelit të huaj. Vërshimi pa kriter i fjalëve të huaja është një problem, por shohim edhe përdorime të gabuara në drejtshkrimin, në morfologjinë dhe në sintaksën e shqipes, çka flet për mangësi të formimit gjuhësor në shkollë. Mungesa e kulturës gjuhësore shkon krahas me varfërinë kulturore të përhapur masivisht; mjafton të shohësh gabimet që bëhen në shtypin e përditshëm që pasqyrojnë mungesë kulture të theksuar. Por përtej këtyre problemeve që lidhen me formimin arsimor-kulturor, pra nuk janë të brendshme për vetë gjuhën dhe funksionimin e drejtë të saj, gjuha shqipe përjeton probleme të tjera që vijnë nga hapja me botën e jashtme dhe e vënë atë përballë sfidash të mëdha, siç është problemi i terminologjisë së disa fushave kulturore, teknike e shkencore, deri dje të panjohura për shqipen dhe shpesh herë të reja edhe për gjuhët kryesore të Europës. Ndërkaq janë hartuar një numër i madh fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, por del problemi i koordinimit të përdoruesve dhe njësimit të terminologjisë. Një sugjerim me vend që është bërë për këtë çështje do të ishte dixhitalizimi i fjalorëve terminologjikë anglisht-shqip që do të krijonte kushtet për njohjen e termave zyrtarë dhe njësimin e tyre nga përdoruesit e shqipes në mbarë botën.

 -Flitet shumë për ristandardizimin e gjuhës shqipe, a është kjo një klimë e favorshme dhe cili është mendimi juaj, duhet apo jo një ristandardizim?

Siç e thashë më lart, problemet që ka gjuha shqipe sot nuk janë kryesisht probleme të brendshme të gjuhës, por të arsimit e kulturës. Gjuha letrare shqipe ka funksionuar për bukuri në të gjitha rrafshet e saj funksionale, në radhë të parë si gjuhë e letërsisë artistike dhe këtë e tregojnë veprat e shkrimtarëve tanë më të shquar dhe e përkthyesve më të njohur. E gjithë kjo letërsi është shkruar në kodin drejtshkrimor standard, të miratuar përfundimisht në vitin 1972, dhe në këtë kod mund të vijojë të shkruhet edhe për shumë vite të tjera pavarësisht nga zhvillimi i gjuhës. Mbasi ngulitet një herë, kodi drejtshkrimor përvetësohet dhe bëhet i njëjtë për të gjithë, pra njësohet. Ky kod bën që të merremi vesh, në radhë të parë me shkrim, pavarësisht dialektit që flasim. Por trajta e shkruar e gjuhës ndikon edhe në shqiptim dhe kjo bën që të ruhen më mirë format e plota të fjalëve. Në një gjuhë të shkruar vonë kuptohet që drejtshkrimi do të jetë më afër gjuhës së folur. Por me kalimin e kohës dhe me evolucionin e gjuhës trajta e shkruar i largohet gjithnjë e më shumë trajtës së folur. Kjo sjell edhe atë largim të shkrimit nga shqiptimi që shohim në gjuhët kryesore të Europës, që janë standardizuar para 500 ose 600 vjetësh por nuk kanë ndryshuar drejtshkrimin e tyre, përveç se mbas periudhash shumë të gjata kohore dhe për çështje shumë të veçanta. Mjafton të përmendim dy shembuj nga gjuhë me traditë të vjetër shkrimore si anglishtja dhe frëngjishtja, ku p.sh. fjalët angl. enough ose frëngj. oiseau nuk kanë asnjë përputhje mes veshjes grafike (shkrimit) dhe veshjes tingullore (shqiptimit), por askujt nuk i shkon ndër mend t’ua ndryshojë drejtshkrimin. Edhe në këtë pikë ne nuk kemi pse të çelim shtigje të reja e të rishikojmë drejtshkrimin pas vetëm 40 vjetësh. Nuk qëndron problemi te drejtshkrimi, por te përvetësimi i tij, dhe ky problem do të jetë edhe me një drejtshkrim të ri, madje do të ketë një pështjellim midis atyre trajtave që përdoruesit kanë përvetësuar një herë dhe trajtave të reja që duhen mësuar. Përvoja e vendeve të tjera ka treguar se reformat drejtshkrimore nuk kanë qenë të suksesshme, megjithëse kanë qenë minimale dhe preknin çështje të veçanta të alfabetit e jo të drejtshkrimit. Tek ne, përkundrazi, propozimet për ndryshim janë shumë të thella dhe prekin një numër shumë të madh fjalësh, sipas studimit dhe statistikave të kryera nga prof. Rami Memushaj. Me këto propozime drejtshkrimi ulet në nivelin e gjuhës së folur, duke ndjekur thjesht parimin fonetik. Në të vërtetë, ndonëse se i është mëshuar më tepër parimit fonetik për hir të traditës, drejtshkrimi ynë mbështetet në thelb në parimin morfologjik, pasi është marrë parasysh ruajtja e trajtave të fjalëve pavarësisht nga shqiptimi, si p.sh. te gjinia femërore (fushë), te shumësi i emrave (shokë), në takim të dy bashkëtingëlloreve me zëshmëri të ndryshme që u përkasin morfemave të ndryshme (zogjtë, jo zoqtë), në fjalëformim (anëtar, punëtor) etj.. Ndryshimet që propozohen e rrudhin këtë parim të domosdoshëm për një gjuhë si shqipja me prirje reduktuese apo gërryese. Drejtshkrimi duhet të jetë konservator dhe gjuha e folur të respektojë sa të jetë e mundur trajtën e shkruar. Pastaj shkalla e largimit të gjuhës së folur nga e shkruara varet nga niveli i ligjërimit që zgjedh folësi për të komunikuar. Për të mos e zgjatur, mendimi im është që një rishikim i drejtshkrimit është luks i tepërt në kushtet kur gjuha ka nevoja përkujdesjeje e mirëmbajtjeje.

 – Sipas Kongresit të Manastirit gjuha letrare u vendos toskërishtja, pse u vendos kjo gjuhë dhe a i ka rezistuar kohës ky vendim?

 Për dijeni, në Kongresin e Manastirit (1908) nuk u mor ndonjë vendim për gjuhën e përbashkët apo gjuhën letrare, por vetëm për njësimin e alfabetit. Por mund të themi se aty u hodh hapi i parë edhe drejt afrimit të dy dialekteve kryesore me disa rregulla drejtshkrimore që u përcaktuan aty. Toskërishtja u afirmua si gjuhë zyrtare mbas luftës II botërore me ardhjen në fuqi të regjimit komunist. Që nga viti 1945 u vendos që abetarja shkollore të ishte në toskërisht dhe po në këtë variant edhe shkresat e administratës publike, fjalimet zyrtare e partiake, organi i PKSh etj., ndërsa në gjuhën e letërsisë përdoreshin të dy variantet letrare kryesore. Natyrisht gjuha e administratës së lartë partiake, e shtypit, e shkollës, e mediave ndikonte në përhapjen e variantit letrar toskë në mbarë hapësirën e shqipes dhe sidomos kryeqyteti që ishte qendra rrezatuese e këtij ndikimi. Megjithatë, toskërishtja kishte një traditë të gjatë lëvrimi letrar sidomos që nga Rilindja e këtej, një traditë që arriti një shkallë të lartë përpunimi në vitet ’30 të shekullit XX, në periudhën e lulëzimit të shtypit progresist e laik me ndikim të gjerë në mbarë vendin. Ajo u zhvillua më tej në vitet ’50-’60 me shkrimtarët e shquar të atyre viteve, arriti maja me përkthimet e kryeveprave botërore dhe u kodifikua në gramatika e fjalorë. Ndërkaq ky variant përgjatë viteve kishte ndërvepruar me gegërishten si në variantin e folur ashtu dhe në gjuhën letrare, duke krijuar një variant letrar mbidialektor dhe që mund të themi se kishte mbështetjen e vet në gjuhën që flitej në Tiranë nga brezat e rinj të të ardhurve nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Kështu që Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 veçse sanksionoi një realitet që funksiononte prej kohësh duke kodifikuar përfundimisht drejtshkrimin e kësaj gjuhe letrare. Ishte vendimi i KM i vitit 1974 që e bëri të detyrueshme për të gjithë përdoruesit e shqipes këtë variant letrar me bazë toskërishten, duke e shtrirë atë në të gjitha rrafshet e lëvrimit të gjuhës. Ky absolutizim i përdorimit të standardit solli edhe mënjanimin gradual nga lëvrimi letrar i gegërishtes, e cila mbeti më tepër në rrafshin e gjuhës së folur. Sot ka një rigjallërim të variantit letrar të gegërishtes në nivel lokal, si dhe një përfshirje të gjerë të autorëve të traditës letrare gege në arsimin e mesëm, çka i shërben njohjes nga brezat e rinj të kësaj tradite të pasur e të vjetër në letërsinë shqipe dhe mundësisë së pasurimit të leksikut të gjuhës letrare me elemente të dialektit gegë. Gjuha standarde jo vetëm që i ka qëndruar kohës, por është zhvilluar e pasuruar shumë që nga koha e sanksionimit të saj si e tillë, duke jetuar tashmë jetën e vet si variant mbidialektor, aq sa sot po flitet gjithnjë e më shumë për “gjuhë shqipe” me kuptimin e gjuhës standarde sipas kuptimit të italishtes, ku “italiano” do të thotë pikërisht “italishte letrare” që nuk përkon plotësisht me asnjë dialekt të veçantë.

 – Rregullat e gjuhës zyrtare, letrare, a zbatohen sot nga administrate publike dhe pse (n.q.s shkelen) shkelen këto rregulla?

  Nuk kam bërë vëzhgime të posaçme në këtë fushë, por me aq sa kam parë nga pjesë të shkresave zyrtare që paraqiten në emisionet tv, ato përmbajnë mjaft gabime. Arsyeja për këtë është ajo që shpjegova më lart, mungesa e kulturës së përgjithshme e në veçanti të asaj gjuhësore, si dhe një lloj moskujdesjeje në përdorimin e gjuhës.

 -Flitet shumë për Enciklopedinë shqiptare, a është ajo në procesin e botimit dhe çfarë vendi zë gjuhë-letërsia në këtë botim?

Mesa di unë, Enciklopedia shqiptare ka mbetur në vend me përfundimin e hartimit të listës së zërave, për mungesë fondesh.

  -Kohët e fundit ju zhvendosën nga godina e Institutit të gjuhësisë dhe letërsisë, a ishte i drejtë ky transferim pa adresë dhe si mund të zgjidhet ky problem?

  Zhvendosja e punonjësve të instituteve të Qendrës Albanologjike ishte e papritur, e nxituar dhe madje fyese për punonjësit shkencorë, të cilët u vunë përpara kërkesës për të lëvizur brenda një jave, me gjithë bibliotekat dhe materialet që kishin në zyra. Ata mund të zhvendoseshin me qetësi vetëm pasi të kishin përfunduar zyrat që na janë premtuar pranë Qendrës Albanologjike në Sheshin “Nënë Tereza” dhe të krijoheshin kushtet e nevojshme të punës, me praninë edhe të bibliotekës dhe të arkivave të instituteve. Por e gjithë kjo urgjencë u bë për t’i liruar ndërtesën një “pronari” të dyshimtë të Radio Tiranës së vjetër, një ndërtesë e blerë nga shteti dhe e inauguruar nga mbreti Zog si e para Radio kombëtare në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë tani për tani është strehuar në ish zyrat e Enciklopedisë prapa Akademisë së Shkencave.

 -Duke qenë femër në një institucion serioz, a mendoni se femra në Shqipëri ka hapësirat e duhura për të shpalosur aftësitë e veta në shoqërinë shqiptare?

 Unë mund të flas për Institutet e QSA dhe më konkretisht për Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë ku bëj pjesë. Aktualisht mund të them se në Institutin tonë janë gratë ato që mbizotërojnë edhe numerikisht dhe i japin tonin jetës shkencore të tij.

 -Po politika shqiptare a i ka lënë hapësirat e duhura si në çdo vend europian femrës për pjesëmarrjen në politikë?

  Vendosja me ligj e një përqindjeje për pjesëmarrjen e grave në politikë më duket sanksionim i një pabarazie ekzistuese dhe një ligjërim (legalizim) i një padrejtësie. Gratë duhet ta meritojnë vendin e punës dhe jo ta fitojnë sipas një përqindjeje vetëm mbi baza gjinore. E kuptoj që një ligj i tillë mund të jetë i nevojshëm në vende si Shqipëria ku sundon patriarkalizmi dhe maskilizmi (dhe me këtë i jam përgjigjur edhe pyetjes suaj pasardhëse), por vlerësoj mbi të gjitha barazinë e të gjithë shtetasve përpara ligjit.

 -Çfarë vepre tjetër keni në dorë dhe ku konsiston ajo?

Kam përfunduar një fjalor të veprës së Pjetër Bogdanit me shpjegime në italisht dhe shqip dhe po shkruaj një studim për leksikun e Bogdanit, shtresëzimin e tij dhe punën krijuese të autorit për pasurimin e leksikut të shqipes së shekullit XVII.