Anila Gjermeni: Në teatrin e Milanos, respektohem si vendasit

959
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja lirike, sopranoja Anila Gjermeni

Ka filluar të këndojë që në moshën 7 vjeçe si soliste nëpër festivalet për fëmijë në B.Curri-Tropojë e që në atë moshë filloi të fitojë herë çmim të parë e herë të dytë deri sa ka marrë pjesë dy herë në festivalet kombëtare për fëmijë që organizoheshin në Shkodër, ku edhe atje fitoi çmimin e dytë me këngën “çfarë do bëhesh ti o Luli”.

 Sa ndikim ka pasur mësuesja juaj Fatime Sokoli në ëndrrën për të qenë gjithmonë me këngën?

 Në klasën e 8-të mësuesja ime Fatime Sokoli më pyet: Anila ke dëshirë të vazhdosh të këndosh gjithmonë dhe të bëhesh këngëtare profesioniste? Unë u gëzova pa masë dhe i thashë me shumë kënaqësi “PO”. Menjëherë më dërgoi në Shkodër, ku konkurrova për në shkollën e muzikës “Preng Jakova” për kanto dhe e fitova me profesorin e njohur Ferid Bala, i cili menjëherë pa talentin tim dhe më përgatiti me dëshirën më të madhe dhe besim të plotë, ku në vitin e tretë në moshën 16-17 vjeçe realizova me shumë sukses operën time të parë “MRIKA” në rrolin e Mrikës.

Po në Konservator kur konkurrove kush ishte në juri?

 Kur konkurrova për konservator në komision ishin, Nina Mula, Hamide Stringa, e shumë artistë të tjerë dhe fitova menjëherë.  Pra mora maksimalen dhe më vlerësuan.

Si ishte kërkesa e llogarisë dhe përgatitja e pedagogëve në Konservator?

 Në Konservator bëheshin leksione të rëndësishme, profesorët i jepnin shumë prioritet punës së tyre. Kërkesa e llogarisë ishte shumë e madhe dhe ora ishte e plotë gjysmë ore me pianistin e gjysmë ore teknikë dy herë në javë, studim i detyruar edhe pse unë studioja me shumë kënaqësi, ku edhe në Konservator u diplomova me operën “Traviata” e plus programin e plotë me 8 arie dhe romanca, komisioni më vlerësoi me maksimalen 10.

Ku ju çuan pas përfundimit të studimeve?

 Atë vit në 1989, me kërkesën time për motive familjare u caktova në Fier si mësuese e kantos në shkollën e muzikës për 5 vjet.

 Ishte e vështirë të konkurroje në Itali?

Sigurisht. Prej vitit 1994 jetoj në Milano, ku e rifillova edhe njëherë aktivitetin tim, si fillim me role të dyta, “Cavalleria Rusticana”, “Fantasma del opera”, etj., ku në vitin 2001 fillova si “Violetta” në operën Traviata në teatrin “Meda” në Roh, më vonë me “Bohemen” e Puçinit në Milano, Como e disa qytete të tjera të Italisë, “Tosca” në Milano, “Turandot” etj..  Në këtë shtet që mbahet si nëna e operës duhet një nivel i lartë artistik. Konkurrenca është e madhe, por dhe vlerësimi maksimal nis e meriton.

A je ndjerë ndonjëherë keq në skenë?

 Në skenë nuk kam ndjerë vështirësi se po të jesh e sigurt vështirësitë janë më të lehta, por emocionet i kam gjithmonë njësoj, i kam gjithmonë sipër herë të parë sepse pa emocione nuk realizon dot atë që duhet. D.m.th artisti duhet të ketë emocion që të jetë i vërtetë në skenë. Në Itali me audicione dhe konkurse kam fituar herë pas here ku dhe para dy vjetësh pata rastin të këndoj edhe në teatrin e Scales kuartetin e fantazisë së Bethovenit e zgjedhur nga Akademia e Scales ku jam diplomuar.

Po racizëm a keni ndjerë?

Nuk kam ndjerë asnjëherë racizëm, kur kam kënduar se artisti këtu është shumë i vlerësuar dhe i respektuar.  Sa mirë do ishte që të respektohej po kaq në Shqipëri.

I kushtoni rëndësi të veçantë zërit?

 Zëri im është kështu natyral, nuk pi asgjë të veçantë vetëm kur kam ndonjë shqetësim. Nuk abuzoj as me alkool as me duhan, që janë armiqtë e zërit.

 Familja ju pengon në aktivitet të ndryshme?

Unë kam familjen, kam dy fëmijë dhe jam munduar që të bëj aktivitete më shumë në Itali por kam bërë turne dhe koncerte të ndryshme në Zvicër, Belgjikë, Maqedoni, Budapest etj..

 Keni një model, ku keni pasur dëshirë t’i ngjani?

Si model të kënduari kam ndjekur më shumë Maria Callas, e Renata Tebaldi, por kam preferuar të ndjek mënyrën time natyrale të të kënduarit. Dua të kem individualitetin tim.

 Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion, paksa të pa përhapur në Shqipëri?

  Nuk jam penduar fare që kam zgjedhur këtë profesion, por jam shumë e kënaqur se e kam për zemër, e kam pas e do ta kem gjithmonë në të njëjtën shkallë dashurinë për të.

 Ju jetoni në Itali dhe keni parë se femra aty ndihet e vlerësuar, po këtu në Shqipëri a vlerësohet femra?

 Sot më shumë se asnjëherë femra shqiptare, sigurisht, është më e vlerësuar edhe pse ka akoma ndonjë prapambetje nëpër zonat rurale. Por besoj, besoj se çdo gjë është në proces zhvillimi dhe do të ndryshojë për mirë.

Pra mendoni se ende shoqëria shqiptare është maskiliste?

Është, apo ruhet ende pak ideja e maskilizmit, por po ndryshon. Sa herë vij shoh ndryshime në Shqipëri. Femra po arsimohet çdo ditë dhe më tepër.

Cili është problemi i femrës sot?

 Problemi i femrës është zhvillimi, emancipimi, e drejta e saj për punë, pjesëmarrja në politikë, për më tepër arsimim, vlerësimi më tepër i saj.

 Çfarë vlerëson tek një njeri?

Vlerësoj sinqeritetin, inteligjencën, forcën dhe kurajën për të ecur përpara.

 Cilët do falënderosh në këto arritje?

Profesorët e mi, Ferid Bala, Shqipe Mingomata, Hamide Stringa, e këtu na Milano Ersilia Colonna, Carlo Gaifa të Akademisë La Scala.