Si kërkohet azil në Suedi

804
Sigal

Në Suedi të gjitha kërkesat për azil merren në konsideratë në mënyrë individuale nga Agjencia e Migracionit të Suedisë

Si kërkohet azil në Suedi

Kush mund ta përfitojë nga shqiptarët

-Cilat janë dokumnetet dhe kërkesat dhe si bëhet kërkesa

-Cila është Rregullorja e Dublinit për azilantët

Kërkesa juaj për azil do të shqyrtohet nga Agjencia e Migracionit të Suedisë. Rregullat për personat që mund të marrin azil në Suedi janë të përfshira në Konventën e OKB-së për Refugjatët, rregulloret e përgjithshme të BE-së si dhe në ligjin suedez. Kjo fletë informative ju ofron informacion të përmbledhur për mënyrën sesi menaxhohet kërkesa juaj për azil nga Agjencia e Migracionit dhe për të drejtat e përgjegjësitë që keni si azilkërkues në Suedi. Do t’ju jepet më shumë informacion në një periudhë të mëvonshme dhe gjithashtu do të keni mundësi të bëni pyetje.

Rregullat e azilit

Në Suedi të gjitha kërkesat për azil merren në konsideratë në mënyrë individuale nga Agjencia e Migracionit të Suedisë. Suedia do t’ju japë një leje qëndrimi nëse jeni refugjat ose keni nevojë për mbrojtje për arsye të tjera.

Refugjat

Në përputhje me Konventën e OKB-së në Lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe ligjin Suedez, ju jeni refugjat në qoftë se po përjetoni një frikë të bazuar të përndjekjes për shkak të

  • racës
  • kombësisë
  • besimit fetar apo politik
  • gjinisë
  • orientimit seksual
  • përkatësisë karshi një grupi të caktuar shoqëror.

Përndjekja mund të vijë nga autoritetet e vendit tuaj të origjinës. Gjithashtu mund të ndodhë që autoritetet nuk janë në gjendje apo nuk dëshirojnë të sigurojnë mbrojtje karshi përndjekjes që mund të shkaktohet nga persona apo grupe individuale. Nëse keni statusin e refugjatit, zakonisht ju jepet një leje qëndrimi për tre vjet. (Personave të caktuar që kanë aplikuar për azil brenda 24 Nëntor 2015, si datë e fundit mund t’u jepet një leje qëndrimi e përhershme.)

Personat që gëzojnë të drejtën për mbrojtje plotësuese

Sipas ligjit suedez, gëzoni të drejtën për mbrojtje plotësuese, në rast se ju

  • rrezikoni përballjen me dënimin me vdekje
  • rrezikoni t’i nënshtroheni dënimit fizik, torturës apo trajtimeve ose ndëshkimeve të tjera çnjerëzore ose poshtëruese
  • jeni të rrezikuar të lëndoheni seriozisht si civil për arsye të konfliktit të armatosur.
  • Personat që gëzojnë statusin e të drejtës për mbrojtje plotësuese zakonisht kanë leje qëndrimi për 13 muaj. (Personave të caktuar që kanë aplikuar për azil brenda 24 Nëntor 2015, si datë e fundit mund t’u jepet një leje qëndrimi e përhershme.)

Bërja e kërkesës për azil

Për të bërë kërkesë për azil në Suedi, ju duhet të vini personalisht në Agjencinë e Migracionit. Njësia e Aplikimit do të pranojë dhe regjistrojë kërkesën tuaj për azil. Do t’ju bëhen fotografi dhe do t’ju kërkohet të lini shenjat e gishtërinjve tuaj. Shenjat e gishtave tuaja përdoren, ndër të tjera, për të parë nëse keni bërë kërkesë për azil në ndonjë vend tjetër në Evropë. Do t’ju takojë një zyrtar që mbulon rastin në fjalë i cili do t’ju bëjë pyetje, përmes një përkthyesi, lidhur me faktin se kush jeni, përse e keni lënë vendin tuaj të origjinës dhe si keni udhëtuar për në Suedi. Ju gjithashtu do të pyeteni për rrethanat tuaja familjare dhe për shëndetin tuaj. E bëjmë këtë për t’u përgatitur për shqyrtimin e kërkesës tuaj. Do t’ju duhet t’u përgjigjeni më shumë pyetjeve rreth arsyeve për azil gjatë shqyrtimit të kërkesës. Nëse keni ndonjë nevojë të veçantë, për shembull një aftësi të kufizuar, që mund të jetë një kapacitet i ulët për të vepruar fizikisht, nga ana mendore ose intelektuale, duhet të informoni Agjencinë e Migracionit për këtë. Nëse aftësia juaj e kufizuar e bën të vështirë për ju që të komunikoni me Agjencinë e Migracionit gjatë bërjes së kërkesës për azil, ju keni të drejtë të ndihmoheni.Në njësinë e aplikimit ju gjithashtu mund të merrni informacion për mënyrën sesi funksionon procesi i azilit dhe do t’ju jepet mundësia që të bëni pyetje. Pas regjistrimit të kërkesës tuaj, do t’ju jepet një vërtetim i përkohshëm për kërkesën tuaj për azil. Ruajeni këtë vërtetim derisa të merrni kartën e Azilkërkuesit, e cila ju identifikon si azilkërkues.

Na tregoni kush jeni

Për t’i mundësuar Agjencisë së Migracionit të përcaktojë nëse keni të drejtën e azilit, do t’ju duhet të provoni se cili jeni dhe nga keni ardhur. Mënyra më e mirë për ta vërtetuar këtë është paraqitja e pasaportës ose kartës së identitetit gjatë bërjes së kërkesës për azil. Duhet të lëshohet një dokument identifikimi nga autoritetet në vendin tuaj të origjinës dhe të përmbajë një fotografi tuajën. Duhet të tregojë emrin tuaj, shtetësinë tuaj dhe kur keni lindur. Është përgjegjësia juaj që të merrni dokumente që vërtetojnë identitetin tuaj. Nëse nuk keni ndonjë dokument identifikimi me vete kur të paraqiteni në Agjencinë e Migracionit për të bërë kërkesën për azil, zyrtari që mbulon rastin tuaj do t’ju kërkojë të dorëzoni dokumentet e identifikimit sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse keni vështirësi për gjetjen e dokumenteve të identitetit, duhet të demonstroni pranë Agjencisë së Migracionit se jeni duke u përpjekur. Nëse keni dokumente të tjera që tregojnë identitetin tuaj, për shembull një patentë shoferi, certifikatë lindjeje, vërtetim shtetësie apo dokumente ushtarake, ju duhet t’i dorëzoni ato. Dokumentet e tilla nuk mund të provojnë individualisht se kush jeni, por disa prej tyre, së bashku me raportin apo të dhënat tuaja për formimin tuaj dhe vendin e origjinës, ndihmojnë për ta bërë evident identitetin tuaj. Nëse keni bërë çdo përpjekje për të provuar se kush jeni, ju mund të gëzoni të drejtën të punoni gjatë pritjes për marrjen e një vendimi.

Ju nuk mund të zgjidhni se cili vend duhet të marrë parasysh kërkesën tuaj për azil (Rregullorja e Dublinit)

Pasi të keni paraqitur kërkesën tuaj për azil, Agjencia e Migracionit do të shqyrtojë nëse kërkesa juaj duhet të konsiderohet në Suedi ose në një vend tjetër të BE-së. Nëse ju është dhënë viza, keni pasur disa lloje lejesh qëndrimi ose keni kërkuar azil në një vend tjetër të BE-së gjatë rrugëtimit tuaj drejt Suedisë, mund t’ju duhet të ktheheni në atë vend Këto rregulla janë përfshirë në Rregulloren e Dublinit. Ju mund të lexoni më shumë në lidhje me këtë në fletën informative “Unë kam bërë kërkesë për azil brenda BE-së – cili vend do të marrë në konsideratë kërkesën time?”. (Ky pamflet nuk është i disponueshëm në të gjitha gjuhët.)

Gjatë kohës që prisni

Nëse kërkesa juaj për azil do të përcaktohet në Suedi, ju mund të qëndroni këtu gjatë pritjes për marrjen e një vendimi. Gjatë kësaj kohe do të jeni në kontakt me njërën nga njësitë pritëse të Agjencisë së Migracionit. Personeli në njësinë e pritjes nuk vendos nëse do t’ju jepet apo jo e drejta e azilit. Njësia e pritjes ju ndihmon me çështje praktike, si financat dhe akomodimi. Njësia e pritjes gjithashtu do t’ju kontaktojë kur të keni marrë një vendim, në mënyrë që të mund të merrni informacion se çfarë do të thotë vendimi për ju dhe çfarë do t’ju duhet të bëni.

Informacion i rëndësishëm

Njësia e pritjes do t’ju ftojë në një takim informimi në grup. Në takim ju do t’ju jepet informacion i nevojshëm për azilkërkuesit. Ky mund të jetë informacion rreth akomodimit, për shembull, ose financave, ose kujdesin shëndetësor dhe mjekësor. Do t’ju jepet informacion për ligjet, autoritetet e tjera dhe për organizatat që punojnë për të ndihmuar azilkërkuesit, për shembull. Ky është një informacion mjaft i rëndësishëm që do ta gjeni të nevojshëm gjatë pritjes për marrjen e një vendimi. Do t’ju jepet shumë informacion, në njësinë e aplikimit, si edhe në njësinë e pritjes. Ju mund të ndiheni sikur po merrni shumë informacion të gjithin në të njëjtën kohë. Ruani letrat që ju janë dhënë në mënyrë që të mund ta lexoni informacionin përsëri kur të keni nevojë, dhe bëni pyetje herën e ardhshme që shihni një zyrtar të çështjes në fjalë. Nëse jetoni në strehimin e ofruar nga Agjencia e Migracionit, do të shihni ndonjëherë personelin e Agjencisë së Migracionit që punon atje ose viziton vendin. Personeli nuk është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me kërkesën tuaj për azil, por mund t’u ndihmojë të gjeni informacionin që kërkoni.

Në pritje të shqyrtimit të një azili

Mund të duhet shumë kohë para se të merrni një shqyrtim azili Kohët e pritjes gjithashtu mund të ndryshojnë nga personi në person. Gjatë shqyrtimit të azilit do të jeni në gjendje të na tregoni më shumë se përse jeni duke kërkuar azil në Suedi, çfarë ka ndodhur me ju dhe çfarë mendoni se mund të ndodhë nëse duhet të ktheheni në vendin tuaj të origjinës. Ju mund të thirreni në disa takime para se të merret një vendim për ju. Ejani në oraret që Agjencia e Migracionit ka rezervuar për ju. Është e vështirë të lësh takime të reja dhe mund të duhet të presësh më shumë për marrjen e një vendimi nëse do të duhet të ri-caktojmë oraret.

Lajmëroni adresën tuaj

Nëse zhvendoseni gjatë kohës së pritjes së një vendimi, duhet të lajmëroni Agjencinë e Migracionit për adresën tuaj të re, në mënyrë që të mund t’ju arrijmë kur të vijë koha për shqyrtimin tuaj ose për takime të tjera. Kontrolloni rregullisht postën tuaj në mënyrë që të mos humbni informacionin nga Agjencia e Migracionit.

Karta e Azilkërkuesit

Gjatë bërjes së kërkesës për azil në Suedi, do t’ju jepet një vërtetim për aplikimin tuaj. Ka një numër në vërtetim që mund ta jepni kur kontaktoni Agjencinë e Migracionit. Kjo do ta bëjë më të lehtë për zyrtarin e ngarkuar të çështjes që të gjejë të dhënat tuaja. Përafërsisht një javë pas dorëzimit të kërkesës tuaj për azil, ju mund të merrni një kartë nga njësia juaj e pritjes. Karta quhet Karta e Azilkërkuesit dhe zëvendëson vërtetimin. Ju duhet ta mbani kartën tuaj të Azilkërkuesit me vete gjatë gjithë kohës si provë se jeni azilkërkues dhe keni të drejtë të qëndroni në Suedi gjatë kohës që jeni duke pritur për marrjen e një vendimi. Ju do të duhet të keni kartën tuaj me vete në çdo kohë kur merrni kujdesin shëndetësor në mënyrë që t’ju jepet përkujdesja për të cilën gëzoni të drejtën, me një pagesë më të ulët.

Akomodimi

Ju ose mund të organizoni akomodimin tuaj ose të jetoni në akomodimin që ju mundëson Agjencia e Migracionit. Nëse keni paratë tuaja, ju duhet të paguani për akomodimin që Agjencia e Migracionit iu ka ofruar. Nëse e keni rregulluar personalisht akomodimin tuaj, ju duhet ta paguani vetë qiranë. Nëse jetoni në akomodimin e siguruar nga Agjencia e Migracionit, nuk mund të zgjidhni se ku të jetoni dhe mund të keni nevojë të lëvizni gjatë kohës së pritjes. Mos harroni të njoftoni Agjencinë e Migracionit për adresën tuaj nëse organizoni vetë akomodimin tuaj. Ju gëzoni të drejtën për strehim të përshtatur posaçërisht nëse keni nevoja të veçanta. Kjo mund të vlejë për ju nëse, për shembull, keni një aftësi të kufizuar, vuani nga sëmundja fizike ose mendore, jeni një person i komunitetit LGBT, shtatzënë ose i moshuar. Informoni Agjencinë e Migracionit për nevojat tuaja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ne do të bëjmë çmos të gjejmë llojin e duhur të akomodimit për ju. Është e rëndësishme që të gjithë në shtëpi të respektojnë njëri-tjetrin dhe të tregojnë konsideratë për njëri-tjetrin, për shembull, pavarësisht nga feja, kultura apo orientimi seksual. E vini në dijeni Agjencinë e Migracionit nëse mendoni se nuk jeni i/e sigurt në shtëpi.

Shëndeti dhe kujdesi mjekësor

Si azilkërkues, ju gëzoni të drejtën për kujdesin shëndetësor emergjent, kujdesin dentar emergjent dhe kujdesin urgjent mjekësor. Shërbimi shëndetësor do të vendosë se çfarë lloj kujdesi mund të përfitoni. Nëse e tregoni kartën tuaj të azilkërkuesit, ju paguani tarifa më të ulëta për kujdesin shëndetësor dhe për disa ilaçe. Fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeç që kërkojnë azil kanë të drejtë për të njëjtat shërbime shëndetësore njëlloj me të rinjtë që jetojnë në Suedi. Të gjithë azilkërkuesit janë ftuar të kryejnë një kontroll shëndetësor falas në një qendër shëndetësore. Kontrolli shëndetësor nuk do të ndikojë në kërkesën tuaj për azil. Është konceptuar për ju dhe që t’ju mundësojë të përfitoni ndihmë të shpejtë nëse keni nevojë për përkujdesje. Gjatë kontrollit shëndetësor do t’ju jepen këshilla për çështjet e shëndetit, për mundësinë e kryerjes së testeve dhe informacione për shërbimin e kujdesit shëndetësor dhe mjekësor në Suedi. Informoni personelin shëndetësor nëse keni ndonjë paaftësi, sëmundje apo ankesa të tjera për të cilat keni nevojë për kujdes të veçantë. Personeli shëndetësor nuk punon për Agjencinë e Migracionit dhe është i kushtëzuar nga ruajtja e detyrimit të konfidencialitetit (fshehtësisë).

Punësimi

Si azil kërkues, mund të punoni në Suedi pa leje punësimi në rast se

  • kërkesa juaj po merret në konsideratë në Suedi
  • ju keni bërë përpjekje për të sqaruar identitetin tuaj
  • kërkesa juaj për azil nuk vlerësohet në mënyrë të qartë si krejtësisht e pabazuar.

Nëse përmbushni këto kërkesa, ju gëzoni të drejtën e punësimit. Pika 7 në kartën tuaj të Azilkërkuesit do të deklarojë “dëshmi për përjashtimin nga detyrimi për të mbajtur një leje punësimi (AT-UND)” nëse keni të drejtë të punoni Nëse keni punuar dhe kërkesa juaj për azil është refuzuar, ju mund të vazhdoni të punoni derisa të largoheni nga vendi, ose për aq kohë sa të bëni përgatitjet për t’u larguar nga vendi. Nëse iu jepet një leje qëndrimi, kjo nënkupton se ju mund të vazhdoni të punoni. Ju mund të kontaktoni Shërbimin e Punësimit Publik Suedez (www.arbetsformedlingen.se) për të kërkuar punë.

Mbështetja financiare

Nëse nuk jeni në gjendje të punoni, ose nuk keni paratë tuaja, ju mund të aplikoni për një kompensim/pagesë ditore. Paratë që merrni nga Agjencia e Migracionit duhet të jenë të mjaftueshme për ushqim, veshje dhe shpenzime personale. Nëse merrni një kompensim nga Agjencia e Migracionit, është e rëndësishme që ju të njoftoni Agjencinë e Migracionit nëse gjendja e financave tuaja pëson ndryshim, për shembull, nëse gjeni punë ose nëse ndryshoni adresën tuaj. Ndryshimi i adresës mund të rezultojë në një ndryshim në shumën e kompensimit ditor. Dhënia e informacionit të rremë ose mosdhënia e informacionit mund të konsiderohet krim dhe Agjencia e Migracionit mund ta raportojë këtë në polici.

 

 

Nesër do të lexoni:

– Përse kërkoni mbrojtje në Suedi

– Si Agjencia e Migracionit do të emërojë një avokat të trajnuar, i cili do të kujdeset

-Si kryhet shkolla dhe arsimimi në tërësi

  • Si i rritur, ju mund të filloni të mësoni Suedisht për Emigrantët

Shkolla

Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që kërkojnë azil gëzojnë të drejtën të shkojnë në shkollë dhe të frekuentojnë sistemin parashkollor. Bashkia/Komuna në të cilën jetoni është përgjegjëse për mundësimin e aksesit në shkollë dhe në sistemin parashkollor për fëmijët dhe të rinjtë që kërkojnë azil në të njëjtat kushte me të tjerët që jetojnë në bashki/komunë. Për ta bërë më të lehtë që bashkia të ofrojë një vend në shkollë për fëmijën tuaj, ju duhet të jepni pëlqimin tuaj që Agjencia e Migracionit t’i japë bashkisë/ komunës detaje për emrin e fëmijës suaj, datën e lindjes, gjuhën, vendin e origjinës dhe numrin e rastit në fjalë. Ju gjithashtu mund të kontaktoni vetë bashkinë/komunën dhe t’u thoni atyre se dëshironi që fëmijët tuaj të frekuentojnë shkollën apo sistemin parashkollor.

Si i rritur, ju mund të filloni të mësoni Suedisht për Emigrantët (SFI) kur ju jepet një leje qëndrimi për Suedinë. Por nëse doni të mësoni Suedisht gjatë pritjes për marrjen e një vendimi, ka shumë organizata joqeveritare dhe shoqata për arsimimin e të rriturve që organizojnë grupe studimi në gjuhën suedeze. Pyetni njësinë tuaj të pritjes se çfarë mundësish keni për të studiuar Suedishten në vendin ku jetoni.

Organizatat joqeveritare

Në shumë vende aktivitetet për azilkërkuesit janë organizuar, për shembull, nga organizatat joqeveritare, shoqatat e arsimimit për të rritur dhe kishat. Personeli në Agjencinë e Migracionit mund t’ju japë informacion se cilat organizata veprojnë aty ku jetoni. Jo të gjitha organizatat mund të gjenden në qytete të vogla. Pyetni njësinë tuaj të pritjes nëse dëshironi të kontaktoni një organizatë me një fokus të veçantë.

Shqyrtimi i azilit

Në procesin e shqyrtimit të azilit ju do të jeni në gjendje të na tregoni përmes një përkthyesi më shumë rreth arsyeve tuaja që iu shtynë të kërkoni azil, domethënë përse kërkoni mbrojtje në Suedi. Ju jeni personi që di më së mirë se kushdo arsyet që iu shtynë të lini vendin tuaj të origjinës. Është e rëndësishme, pra, që të na tregoni gjithçka që ju ka ndodhur në vendin tuaj dhe çfarë mendoni se mund të ndodhë nëse jeni të detyruar të ktheheni. Duhet të na tregoni se çfarë iu ka ndodhur saktësisht, jo thjesht për situatën në vendin tuaj të origjinës.

Agjencia e Migracionit mund të bëjë një vlerësim të saktë të arsyeve tuaja vetëm nëse na thoni gjithçka që është e rëndësishme lidhur me vendimin tuaj për të lënë vendin tuaj të origjinës. Zyrtari që mbulon rastin në fjalë do t’ju ndihmojë duke ju bërë pyetje për të gjetur se çfarë është e rëndësishme për plotësimin e kërkesës tuaj.

Nëse dispononi dokumente të mundshme ose ndonjë gjë tjetër që mbështet deklaratën tuaj, duhet t’i sillni ato gjatë shqyrtimit të azilit. Nëse është e nevojshme, Agjencia e Migracionit do të bëjë përkthimin e materialit.

Gjërat që janë të vështira për t’u thënë

Disa gjëra janë të vështira për t’u thënë, por më pas mund të jenë më të rëndësishmet për t’u treguar. Zyrtari që ndjek rastin në fjalë është i kushtëzuar nga një detyrim konfidencialiteti dhe mund t’u kalojë atë që ju keni thënë vetëm personave të tjerë, të cilët gjithashtu po punojnë me kërkesën tuaj.
Përkthyesi është i detyruar nga i njëjti detyrim konfidencialiteti si zyrtari që ndjek çështjen në fjalë. Nëse keni nevojë, mund të kërkoni një pushim në procesin e shqyrtimit.

Nëse preferoni një zyrtar femër apo mashkull për shqyrtimin e rastit, duhet të na vini në dijeni në kohën e duhur përpara se të nisë procesi i shqyrtimit.

Ndihma ligjore

Shumica e njerëzve që kërkojnë azil gëzojnë të drejtën për një avokati publik. Nëse gëzoni të drejtën për një avokat publik, Agjencia e Migracionit do të emërojë një avokat të trajnuar, i cili do të kujdeset për interesat tuaja dhe do të sigurojë ndihmë juridike gjatë periudhës që Agjencia e Migracionit studion kërkesën tuaj.

Agjencia e Migracionit emëron dhe paguan për këshilltarin ligjor, por këshilltari ligjor punon në mënyrë të pavarur nga Agjencia e Migracionit dhe nga autoritetet e tjera. Ju mund të propozoni një person ose të bëni kërkesë për të pasur një këshilltar ligjor mashkull apo femër. Na vini në dijeni në kohën e duhur përpara nisjes së shqyrtimit. Edhe nëse nuk gëzoni të drejtën e një këshilltari ligjor të paguar nga Agjencia e Migracionit, ju mund të zgjidhni të punësoni një këshilltar ligjor që ta paguani vetë.

Puna dhe roli i përkthyesit

Një përkthyes merr pjesë në shumë takime me Agjencinë e Migracionit dhe interpreton atë që thuhet. Ndonjëherë përkthyesi është i pranishëm dhe herë të tjera përkthyesi merr pjesë përmes telefonit ose ekranit. Kini parasysh të bëni pushime gjatë bisedës, për t’i mundësuar përkthyesit të transmetojë atë që keni thënë. Prisni derisa ai ose ajo të mbarojë së përkthyeri para se të filloni të flisni përsëri.

Përkthyesit duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara. Para interpretimit, përkthyesit duhet të informojnë të dy palët për rolin e tyre, detyrimin e tyre të ruajtjes së fshehtësisë dhe detyrimin e tyre për të interpretuar gjithçka që thuhet në dhomë. Përkthyesit interpretojnë gjithçka që thuhet, pa shtuar ose pa hequr gjë. Përkthyesit duhet të jenë neutralë, që do të thotë se ata nuk duhet të shprehin pikëpamjet e tyre mbi politikën, fenë apo çfarëdo tjetër. Përkthyesit duhet të jenë të paanshëm. Kjo nënkupton se përkthyesi nuk duhet të përfshihet, apo të përpiqet të ndihmojë ndokënd, apo të tregojë se ai ose ajo është në anën e ndonjërit gjatë bisedës.

Është shumë e rëndësishme që të na tregoni nëse nuk e kuptoni përkthyesin ose nuk ndjeheni mirë me të për arsye të tjera. Ju mund ta ndërprisni takimin dhe të kërkoni një përkthyes tjetër. Na vini në dijeni paraprakisht nëse dëshironi një përkthyes mashkull apo femër.

Vendimi

Nëse ju jepet një leje qëndrimi

Nëse ju jepet një leje qëndrimi, ju mund të jetoni dhe punoni në Suedi. Pasi t’ju jepet leja e qëndrimit, duhet të shkoni në Agjencinë Suedeze të Taksave (Skatteverket), ku do të futeni në Regjistrin Civil dhe do t’ju jepet një numër personal identifikimi. Si provë të lejes tuaj të qëndrimit, ju do të merrni kartën e lejes së qëndrimit nga Agjencia e Migracionit. Karta është dërguar në njësinë tuaj të pritjes.

Leje qëndrimi e përhershme ose e përkohshme

Leja më e zakonshme e qëndrimit për personat që kanë bërë kërkesë për azil në Suedi është një leje e përkohshme, e cila vlen për një ose tre vjet.

Shumicës së personave të cilëve iu ishte dhënë leja e qëndrimit si refugjatë ose kanë të drejtën për mbrojtje plotësuese ose për nevoja mbrojtje të një lloji tjetër para 20 Korrikut 2016 iu është dhënë një leje qëndrimi e përhershme.

Më 20 Korrik 2016 Suedia prezantoi një ligj të ri. Sipas ligjit të ri, personat e vlerësuar si refugjatë dhe për të cilët është marrë vendim për këtë duke filluar nga 20 Korriku 2016 i përfshirë, kanë të drejtë për leje qëndrimi të përkohshme për një periudhë tre vjeçare.

Personat të cilët konsiderohen se përmbushin kushtet për mbrojtje plotësuese dhe për të cilët është marrë vendim për këtë duke filluar nga 20 Korriku 2016 i përfshirë iu jepet një leje qëndrimi e përkohshme për 13 muaj.

Personat e grup moshës 17 dhe 24 vjeç që studiojnë në një kurs të arsimit të mesëm të lartë, në varësi të kushteve të caktuara mund t’u jepet leje qëndrimi më afat-gjatë në mënyrë që të përfundojnë studimet e tyre.

Ende është e mundur që fëmijët dhe familjet me fëmijë që kanë bërë kërkesë për azil deri më 24 Nëntor 2015, si datë e fundit të marrin një leje qëndrimi të përhershme, me kusht që fëmijët të jenë nën moshën 18 vjeç në kohën që Agjencia e Migracionit merr vendimin.

Mundësi e kufizuar e ribashkimit familjar

Personat me status refugjati mund të ribashkohen me familjen e tyre.

Personat të cilëve u jepet një deklaratë e statusit të mbrojtjes plotësuese dhe që kanë bërë kërkesë për azil deri më 24 Nëntor 2015, si datë e fundit, mund të ribashkohen me familjen e tyre. Sidoqoftë, personat që u jepet një deklaratë e statusit të mbrojtjes shtesë dhe që kanë bërë kërkesë për azil pas 24 Nëntorit 2015, mund të ribashkohen me familjen e tyre vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Shtyrja e leje qëndrimit

Kur skadon afati i leje qëndrimit të përkohshëm, mund të bëni kërkesë për një shtyrje. Është e rëndësishme të kërkoni një shtyrje përpara se të skadojë leja e qëndrimit tuaj të përkohshëm, por jo më herët se tre muaj më parë.

Ju mund të merrni një leje qëndrimi të zgjatur nëse ende keni nevojë për mbrojtje. Ju gjithashtu mund t’ju jepet një leje qëndrimi e përhershme nëse jeni në gjendje të demonstroni se mund të mbani veten përmes punësimit ose përmes biznesit tuaj. Personat e grup moshës 17 dhe 24 vjeç që studiojnë në një kurs të arsimit të mesëm të lartë, mund të marrin në disa raste një leje qëndrimi më afat-gjatë.

Nëse kërkesa juaj refuzohet

Një refuzim nënkupton se Agjencia e Migracionit ka përcaktuar që nuk keni arsye të mjaftueshme për të qëndruar në Suedi. Nëse kërkesa juaj refuzohet, ju keni dy zgjedhje: mund ta pranoni vendimin dhe të ktheheni në vendin tuaj të origjinës ose të apeloni rastin.

Nëse kërkesa juaj për azil refuzohet, ju do të merrni një vendim për refuzimin e hyrjes apo dëbim. Kjo zakonisht është e vlefshme për katër vjet nga data në të cilën vendimi hyn në fuqi. Nëse ktheheni në Suedi gjatë kësaj periudhe, mund t’ju refuzohet hyrja apo të përziheni sërish. Në një rast të tillë, ju nuk do të keni të drejtë që çështja juaj të merret përsëri në konsideratë ose të keni mbështetje nga Agjencia e Migracionit.

E drejta për strehim dhe mbështetje financiare pushon së ekzistuari

Nëse kërkesa juaj për azil refuzohet, ju nuk keni më të drejtë për mbështetje financiare. Kjo vlen për të rriturit që nuk jetojnë me fëmijë nën 18 vjeç për të cilët ata janë kujdestarë. Mbështetja financiare i referohet, për shembull, një shume ditore dhe akomodimi të siguruar nga Agjencia e Migracionit. E drejta juaj pushon kur vendimi për refuzimin e hyrjes ose dëbimit hyn në fuqi dhe ju nuk keni më të drejtë ta apeloni atë, ose kur afati përfundimtar për largimin vullnetar nga ana juaj skadon. Më pas duhet të largoheni nga Suedia.

Nëse dëshironi të apeloni

Nëse zgjidhni të apeloni, kjo nënkupton se ju kërkoni që një gjykatë të marrë në konsideratë vendimin. Ju duhet të dërgoni apelin/ankesën tuaj në Agjencinë e Migracionit. Duhet të merret nga Agjencia përpara hyrjes në fuqi të vendimit, që është tre javë nga data kur ju jeni njoftuar për vendimin. Nëse keni një këshilltar ligjor, ai ose ajo mund të jetë në gjendje t’ju ndihmojë.

Agjencia e Migracionit do të shqyrtojë ankesën tuaj së pari, për të parë nëse duhet të ndryshohet vendimi. Nëse Agjencia e Migracionit nuk konsideron se vendimi duhet të ndryshohet, ajo do ta përcjellë apelin/ankesën tuaj pranë një gjykate migracioni, që do të marrë në konsideratë çështjen tuaj. Nëse nuk pajtoheni me vendimin e gjykatës së migracionit, ju mund të kërkoni nga Gjykata e Lartë e Migracionit (Migrationsöverdomstolen) që të marrë në konsideratë çështjen tuaj.

Gjykata e Lartë e Migracionit do të shqyrtojë vetëm raste të caktuara të cilat janë të rëndësishme në parim për dhënien e udhëzimeve për vendimet e ardhshme. Nëse ju këshilloheni se Gjykata e Lartë e Migracionit nuk do ta marrë parasysh apelin/ankesën tuaj, vendimi hyn në fuqi menjëherë.

Nëse ndryshoni mendjen dhe dëshironi të tërhiqni ankesën tuaj, ju mund të informoni Agjencinë e Migracionit se pranoni vendimin për refuzim. Në një rast të tillë, gjykata do të anulojë apelin/ankesën tuaj dhe rasti nuk do të merret parasysh.

Kthimi

Ju keni njëfarë kohe në dispozicion për t’u larguar nga vendi me pëlqimin tuaj duke filluar nga data në të cilën vendimi për të refuzuar kërkesën tuaj hyn në fuqi. Vendimi ju tregon kohën e mbetur në dispozicion për të lënë vendin dhe është përgjegjësia juaj të largoheni nga vendi në kohë. Ju mund të kini mbështetje nga Agjencia e Migracionit për t’u kthyer në vendin tuaj të origjinës ose në një vend tjetër në të cilin keni të drejtë të jetoni. Agjencia e Migracionit mund t’ju ndihmojë, për shembull, me kontakte në vendin tuaj të origjinës ose të bëjë rezervimin e udhëtimit tuaj.

Disa persona mund të përftojnë gjithashtu mbështetje financiare në formë ndihme që ata të ri-fillojnë edhe një herë nga e para në vendin e tyre të origjinës dhe një numër i caktuar mund të marrë ndihmë me mbështetjen e ri-integrimit, si p.sh ndihmë ligjore apo ndihmë për të hyrë në tregun e punës në vendin e tyre të origjinës. Pyetni zyrtarin e çështjes për të ashtuquajturën mbështetje të rivendosjes nëse dëshironi të keni më shumë informacion.

Ndalimi i ri-hyrjes

Nëse nuk largoheni nga vendi brenda kohës së përcaktuar në vendimin tuaj, ju mund të merrni një ndalim ri-hyrjeje. Ju nuk do të lejoheni të ri-hyni në Zonën Shengen, Bullgari apo Rumani për një periudhë prej një viti. Është e rëndësishme që të jeni të vetëdijshëm për kohën kur duhet të largoheni nga vendi.

Ju gjithashtu mund të merrni një ndalim ri-hyrje nëse Agjencia e Migracionit beson se ju nuk do të largoheni vullnetarisht.

Nëse merrni një vendim për refuzimin e hyrjes që duhet të zbatohet menjëherë, do të merrni gjithmonë një ndalim ri-hyrjeje.

Nëse refuzoni të bashkëpunoni

Nëse Agjencia e Migracionit beson se nuk po bashkëpunoni për t’u kthyer në vendin tuaj të origjinës, ju mund ta humbni kompensimin tuaj ditor. Agjencia e Migracionit gjithashtu mund t’ju mbajë nën mbikëqyrje ose në paraburgim. Mbikëqyrja nënkupton që duhet të raportoni rregullisht në orare dhe vende të caktuara. Ju gjithashtu mund të detyroheni të dorëzoni pasaportën tuaj ose dokument tjetër identifikimi. Paraburgimi nënkupton që duhet të jetoni në një strukturë të mbyllur nga e cila nuk mund të largoheni.

Nëse Agjencia e Migracionit konsideron se nuk është e mundur të zbatohet refuzimi i hyrjes ose dëbimit për arsye se nuk po bashkëpunoni, policia mund të marrë përgjegjësinë për të bërë të mundur largimin tuaj nga vendi. Policia ka të drejtë të thërrasë dhe t’ju kërkojë, dhe mund të përdorë forcën për t’ju larguar nga vendi.

Informacion i ri

Nëse paraqitet një informacion i ri pas marrjes së refuzimit përfundimtar, Agjencia e Migracionit mund të marrë në konsideratë faktin nëse informacioni i ri nënkupton se nuk mund të dëboheni. Mund të jetë, për shembull, përkeqësimi i gjendjes në vendin tuaj të origjinës apo gjendja juaj shumë e ngarkuar shëndetësore. Agjencia e Migracionit mund ta marrë parasysh këtë me iniciativën e vet ose pasi ju t’i keni kërkuar Agjencisë së Migracionit ta bëjë këtë gjë.

Nëse doni të dini më shumë

Do të ftoheni në disa takime ku do t’ju jepet informacion për atë që është e rëndësishme të dini gjatë kohës së pritjes.

Zyrtari i çështjes në njësinë e aplikimit do t’ju tregojë se çfarë mbështetje mund të merrni në lidhje me, për shembull, strehimin tuaj, financat, kujdesin shëndetësor dhe shkollimin për fëmijët tuaj.

Pasi njësia e aplikimit të ketë regjistruar kërkesën tuaj për azil, do të caktoheni në njësinë e pritjes. Njësia e pritjes do t’ju ftojë në një takim informativ në grup dhe do t’ju jepet informacion lokal për vendin ku jetoni.

Njësia e pritjes gjithashtu do t’ju ftojë në takime kur ka diçka të re për t’ju thënë për rastin tuaj. Kur të merrni një vendim, një zyrtar i çështjes do të shpjegojë se çfarë do të thotë vendimi për ju dhe çfarë do t’ju duhet të bëni.

Nëse keni ndonjë pyetje, mund të pyesni njësinë tuaj të pritjes ose të telefononi Njësinë e Shërbimit të Klientit në 0771-235 235. Orët kur mund të merrni në telefon për Shërbimin e Klientit janë të hënën deri të premten, ora 08.00-16.00.

Gjithashtu mund të lexoni më shumë në www.migrationsverket.se/asylum-albanian

www.informationsverige.se ju mund të lexoni më shumë për mënyrën sesi funksionon shoqëria Suedeze.

Nëse keni nevojë urgjente për t’u lidhur me shërbimin e policisë, ambulancës ose zjarrfikësve, duhet të telefononi në numrin 112.

Nëse dëshironi të flisni me policinë për një çështje që nuk është urgjente, ju duhet të telefononi në numrin 114 14.

Nëse keni pyetje në lidhje me shëndetin tuaj ose kujdesin shëndetësor, mund të telefononi 1177.

Last updated: 29 shtator 2017

Was the information on this page helpful to you?