Emigracioni/ Ja kushtet për të marrë azil në Suedi

1680
Sigal

Marrja në konsideratë e kërkesës individuale nga Agjencia e Migracionit të Suedisë. Kush mund të përfitojë, dokumentat, rregullorja e Dublinit, karta e azilkërkuesit, akomodimi,kujdesi mjeksor dhe financat.

Në Suedi të gjitha kërkesat për azil merren në konsideratë në mënyrë individuale nga Agjencia e Migracionit të Suedisë

 

Si kërkohet azil në Suedi sipas

-Kush mund ta përfitojë nga shqiptarët

-Cilat janë dokumnetet dhe kërkesat dhe si bëhet kërkesa

-Cila është Rregullorja e Dublinit për azilantët

Kërkesa juaj për azil do të shqyrtohet nga Agjencia e Migracionit të Suedisë. Rregullat për personat që mund të marrin azil në Suedi janë të përfshira në Konventën e OKB-së për Refugjatët, rregulloret e përgjithshme të BE-së si dhe në ligjin suedez. Kjo fletë informative ju ofron informacion të përmbledhur për mënyrën sesi menaxhohet kërkesa juaj për azil nga Agjencia e Migracionit dhe për të drejtat e përgjegjësitë që keni si azilkërkues në Suedi. Do t’ju jepet më shumë informacion në një periudhë të mëvonshme dhe gjithashtu do të keni mundësi të bëni pyetje.

Rregullat e azilit

Në Suedi të gjitha kërkesat për azil merren në konsideratë në mënyrë individuale nga Agjencia e Migracionit të Suedisë. Suedia do t’ju japë një leje qëndrimi nëse jeni refugjat ose keni nevojë për mbrojtje për arsye të tjera.

Refugjat

Në përputhje me Konventën e OKB-së në Lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe ligjin Suedez, ju jeni refugjat në qoftë se po përjetoni një frikë të bazuar të përndjekjes për shkak të

  • racës
  • kombësisë
  • besimit fetar apo politik
  • gjinisë
  • orientimit seksual
  • përkatësisë karshi një grupi të caktuar shoqëror.

Përndjekja mund të vijë nga autoritetet e vendit tuaj të origjinës. Gjithashtu mund të ndodhë që autoritetet nuk janë në gjendje apo nuk dëshirojnë të sigurojnë mbrojtje karshi përndjekjes që mund të shkaktohet nga persona apo grupe individuale. Nëse keni statusin e refugjatit, zakonisht ju jepet një leje qëndrimi për tre vjet. (Personave të caktuar që kanë aplikuar për azil brenda 24 Nëntor 2015, si datë e fundit mund t’u jepet një leje qëndrimi e përhershme.)

Personat që gëzojnë të drejtën për mbrojtje plotësuese

Sipas ligjit suedez, gëzoni të drejtën për mbrojtje plotësuese, në rast se ju

  • rrezikoni përballjen me dënimin me vdekje
  • rrezikoni t’i nënshtroheni dënimit fizik, torturës apo trajtimeve ose ndëshkimeve të tjera çnjerëzore ose poshtëruese
  • jeni të rrezikuar të lëndoheni seriozisht si civil për arsye të konfliktit të armatosur.
  • Personat që gëzojnë statusin e të drejtës për mbrojtje plotësuese zakonisht kanë leje qëndrimi për 13 muaj. (Personave të caktuar që kanë aplikuar për azil brenda 24 Nëntor 2015, si datë e fundit mund t’u jepet një leje qëndrimi e përhershme.)

Bërja e kërkesës për azil

Për të bërë kërkesë për azil në Suedi, ju duhet të vini personalisht në Agjencinë e Migracionit. Njësia e Aplikimit do të pranojë dhe regjistrojë kërkesën tuaj për azil. Do t’ju bëhen fotografi dhe do t’ju kërkohet të lini shenjat e gishtërinjve tuaj. Shenjat e gishtave tuaja përdoren, ndër të tjera, për të parë nëse keni bërë kërkesë për azil në ndonjë vend tjetër në Evropë. Do t’ju takojë një zyrtar që mbulon rastin në fjalë i cili do t’ju bëjë pyetje, përmes një përkthyesi, lidhur me faktin se kush jeni, përse e keni lënë vendin tuaj të origjinës dhe si keni udhëtuar për në Suedi. Ju gjithashtu do të pyeteni për rrethanat tuaja familjare dhe për shëndetin tuaj. E bëjmë këtë për t’u përgatitur për shqyrtimin e kërkesës tuaj. Do t’ju duhet t’u përgjigjeni më shumë pyetjeve rreth arsyeve për azil gjatë shqyrtimit të kërkesës. Nëse keni ndonjë nevojë të veçantë, për shembull një aftësi të kufizuar, që mund të jetë një kapacitet i ulët për të vepruar fizikisht, nga ana mendore ose intelektuale, duhet të informoni Agjencinë e Migracionit për këtë. Nëse aftësia juaj e kufizuar e bën të vështirë për ju që të komunikoni me Agjencinë e Migracionit gjatë bërjes së kërkesës për azil, ju keni të drejtë të ndihmoheni.Në njësinë e aplikimit ju gjithashtu mund të merrni informacion për mënyrën sesi funksionon procesi i azilit dhe do t’ju jepet mundësia që të bëni pyetje. Pas regjistrimit të kërkesës tuaj, do t’ju jepet një vërtetim i përkohshëm për kërkesën tuaj për azil. Ruajeni këtë vërtetim derisa të merrni kartën e Azilkërkuesit, e cila ju identifikon si azilkërkues.

Na tregoni kush jeni

Për t’i mundësuar Agjencisë së Migracionit të përcaktojë nëse keni të drejtën e azilit, do t’ju duhet të provoni se cili jeni dhe nga keni ardhur. Mënyra më e mirë për ta vërtetuar këtë është paraqitja e pasaportës ose kartës së identitetit gjatë bërjes së kërkesës për azil. Duhet të lëshohet një dokument identifikimi nga autoritetet në vendin tuaj të origjinës dhe të përmbajë një fotografi tuajën. Duhet të tregojë emrin tuaj, shtetësinë tuaj dhe kur keni lindur. Është përgjegjësia juaj që të merrni dokumente që vërtetojnë identitetin tuaj. Nëse nuk keni ndonjë dokument identifikimi me vete kur të paraqiteni në Agjencinë e Migracionit për të bërë kërkesën për azil, zyrtari që mbulon rastin tuaj do t’ju kërkojë të dorëzoni dokumentet e identifikimit sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse keni vështirësi për gjetjen e dokumenteve të identitetit, duhet të demonstroni pranë Agjencisë së Migracionit se jeni duke u përpjekur. Nëse keni dokumente të tjera që tregojnë identitetin tuaj, për shembull një patentë shoferi, certifikatë lindjeje, vërtetim shtetësie apo dokumente ushtarake, ju duhet t’i dorëzoni ato. Dokumentet e tilla nuk mund të provojnë individualisht se kush jeni, por disa prej tyre, së bashku me raportin apo të dhënat tuaja për formimin tuaj dhe vendin e origjinës, ndihmojnë për ta bërë evident identitetin tuaj. Nëse keni bërë çdo përpjekje për të provuar se kush jeni, ju mund të gëzoni të drejtën të punoni gjatë pritjes për marrjen e një vendimi.

Ju nuk mund të zgjidhni se cili vend duhet të marrë parasysh kërkesën tuaj për azil (Rregullorja e Dublinit)

Pasi të keni paraqitur kërkesën tuaj për azil, Agjencia e Migracionit do të shqyrtojë nëse kërkesa juaj duhet të konsiderohet në Suedi ose në një vend tjetër të BE-së. Nëse ju është dhënë viza, keni pasur disa lloje lejesh qëndrimi ose keni kërkuar azil në një vend tjetër të BE-së gjatë rrugëtimit tuaj drejt Suedisë, mund t’ju duhet të ktheheni në atë vend Këto rregulla janë përfshirë në Rregulloren e Dublinit. Ju mund të lexoni më shumë në lidhje me këtë në fletën informative “Unë kam bërë kërkesë për azil brenda BE-së – cili vend do të marrë në konsideratë kërkesën time?”. (Ky pamflet nuk është i disponueshëm në të gjitha gjuhët.)

Gjatë kohës që prisni

Nëse kërkesa juaj për azil do të përcaktohet në Suedi, ju mund të qëndroni këtu gjatë pritjes për marrjen e një vendimi. Gjatë kësaj kohe do të jeni në kontakt me njërën nga njësitë pritëse të Agjencisë së Migracionit. Personeli në njësinë e pritjes nuk vendos nëse do t’ju jepet apo jo e drejta e azilit. Njësia e pritjes ju ndihmon me çështje praktike, si financat dhe akomodimi. Njësia e pritjes gjithashtu do t’ju kontaktojë kur të keni marrë një vendim, në mënyrë që të mund të merrni informacion se çfarë do të thotë vendimi për ju dhe çfarë do t’ju duhet të bëni.

Informacion i rëndësishëm

Njësia e pritjes do t’ju ftojë në një takim informimi në grup. Në takim ju do t’ju jepet informacion i nevojshëm për azilkërkuesit. Ky mund të jetë informacion rreth akomodimit, për shembull, ose financave, ose kujdesin shëndetësor dhe mjekësor. Do t’ju jepet informacion për ligjet, autoritetet e tjera dhe për organizatat që punojnë për të ndihmuar azilkërkuesit, për shembull. Ky është një informacion mjaft i rëndësishëm që do ta gjeni të nevojshëm gjatë pritjes për marrjen e një vendimi. Do t’ju jepet shumë informacion, në njësinë e aplikimit, si edhe në njësinë e pritjes. Ju mund të ndiheni sikur po merrni shumë informacion të gjithin në të njëjtën kohë. Ruani letrat që ju janë dhënë në mënyrë që të mund ta lexoni informacionin përsëri kur të keni nevojë, dhe bëni pyetje herën e ardhshme që shihni një zyrtar të çështjes në fjalë. Nëse jetoni në strehimin e ofruar nga Agjencia e Migracionit, do të shihni ndonjëherë personelin e Agjencisë së Migracionit që punon atje ose viziton vendin. Personeli nuk është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me kërkesën tuaj për azil, por mund t’u ndihmojë të gjeni informacionin që kërkoni.

Në pritje të shqyrtimit të një azili

Mund të duhet shumë kohë para se të merrni një shqyrtim azili Kohët e pritjes gjithashtu mund të ndryshojnë nga personi në person. Gjatë shqyrtimit të azilit do të jeni në gjendje të na tregoni më shumë se përse jeni duke kërkuar azil në Suedi, çfarë ka ndodhur me ju dhe çfarë mendoni se mund të ndodhë nëse duhet të ktheheni në vendin tuaj të origjinës. Ju mund të thirreni në disa takime para se të merret një vendim për ju. Ejani në oraret që Agjencia e Migracionit ka rezervuar për ju. Është e vështirë të lësh takime të reja dhe mund të duhet të presësh më shumë për marrjen e një vendimi nëse do të duhet të ri-caktojmë oraret.

Lajmëroni adresën tuaj

Nëse zhvendoseni gjatë kohës së pritjes së një vendimi, duhet të lajmëroni Agjencinë e Migracionit për adresën tuaj të re, në mënyrë që të mund t’ju arrijmë kur të vijë koha për shqyrtimin tuaj ose për takime të tjera. Kontrolloni rregullisht postën tuaj në mënyrë që të mos humbni informacionin nga Agjencia e Migracionit.

Karta e Azilkërkuesit

Gjatë bërjes së kërkesës për azil në Suedi, do t’ju jepet një vërtetim për aplikimin tuaj. Ka një numër në vërtetim që mund ta jepni kur kontaktoni Agjencinë e Migracionit. Kjo do ta bëjë më të lehtë për zyrtarin e ngarkuar të çështjes që të gjejë të dhënat tuaja. Përafërsisht një javë pas dorëzimit të kërkesës tuaj për azil, ju mund të merrni një kartë nga njësia juaj e pritjes. Karta quhet Karta e Azilkërkuesit dhe zëvendëson vërtetimin. Ju duhet ta mbani kartën tuaj të Azilkërkuesit me vete gjatë gjithë kohës si provë se jeni azilkërkues dhe keni të drejtë të qëndroni në Suedi gjatë kohës që jeni duke pritur për marrjen e një vendimi. Ju do të duhet të keni kartën tuaj me vete në çdo kohë kur merrni kujdesin shëndetësor në mënyrë që t’ju jepet përkujdesja për të cilën gëzoni të drejtën, me një pagesë më të ulët.

Akomodimi

Ju ose mund të organizoni akomodimin tuaj ose të jetoni në akomodimin që ju mundëson Agjencia e Migracionit. Nëse keni paratë tuaja, ju duhet të paguani për akomodimin që Agjencia e Migracionit iu ka ofruar. Nëse e keni rregulluar personalisht akomodimin tuaj, ju duhet ta paguani vetë qiranë. Nëse jetoni në akomodimin e siguruar nga Agjencia e Migracionit, nuk mund të zgjidhni se ku të jetoni dhe mund të keni nevojë të lëvizni gjatë kohës së pritjes. Mos harroni të njoftoni Agjencinë e Migracionit për adresën tuaj nëse organizoni vetë akomodimin tuaj. Ju gëzoni të drejtën për strehim të përshtatur posaçërisht nëse keni nevoja të veçanta. Kjo mund të vlejë për ju nëse, për shembull, keni një aftësi të kufizuar, vuani nga sëmundja fizike ose mendore, jeni një person i komunitetit LGBT, shtatzënë ose i moshuar. Informoni Agjencinë e Migracionit për nevojat tuaja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ne do të bëjmë çmos të gjejmë llojin e duhur të akomodimit për ju. Është e rëndësishme që të gjithë në shtëpi të respektojnë njëri-tjetrin dhe të tregojnë konsideratë për njëri-tjetrin, për shembull, pavarësisht nga feja, kultura apo orientimi seksual. E vini në dijeni Agjencinë e Migracionit nëse mendoni se nuk jeni i/e sigurt në shtëpi.

Shëndeti dhe kujdesi mjekësor

Si azilkërkues, ju gëzoni të drejtën për kujdesin shëndetësor emergjent, kujdesin dentar emergjent dhe kujdesin urgjent mjekësor. Shërbimi shëndetësor do të vendosë se çfarë lloj kujdesi mund të përfitoni. Nëse e tregoni kartën tuaj të azilkërkuesit, ju paguani tarifa më të ulëta për kujdesin shëndetësor dhe për disa ilaçe. Fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeç që kërkojnë azil kanë të drejtë për të njëjtat shërbime shëndetësore njëlloj me të rinjtë që jetojnë në Suedi. Të gjithë azilkërkuesit janë ftuar të kryejnë një kontroll shëndetësor falas në një qendër shëndetësore. Kontrolli shëndetësor nuk do të ndikojë në kërkesën tuaj për azil. Është konceptuar për ju dhe që t’ju mundësojë të përfitoni ndihmë të shpejtë nëse keni nevojë për përkujdesje. Gjatë kontrollit shëndetësor do t’ju jepen këshilla për çështjet e shëndetit, për mundësinë e kryerjes së testeve dhe informacione për shërbimin e kujdesit shëndetësor dhe mjekësor në Suedi. Informoni personelin shëndetësor nëse keni ndonjë paaftësi, sëmundje apo ankesa të tjera për të cilat keni nevojë për kujdes të veçantë. Personeli shëndetësor nuk punon për Agjencinë e Migracionit dhe është i kushtëzuar nga ruajtja e detyrimit të konfidencialitetit (fshehtësisë).

Punësimi

Si azil kërkues, mund të punoni në Suedi pa leje punësimi në rast se

  • kërkesa juaj po merret në konsideratë në Suedi
  • ju keni bërë përpjekje për të sqaruar identitetin tuaj
  • kërkesa juaj për azil nuk vlerësohet në mënyrë të qartë si krejtësisht e pabazuar.

Nëse përmbushni këto kërkesa, ju gëzoni të drejtën e punësimit. Pika 7 në kartën tuaj të Azilkërkuesit do të deklarojë “dëshmi për përjashtimin nga detyrimi për të mbajtur një leje punësimi (AT-UND)” nëse keni të drejtë të punoni Nëse keni punuar dhe kërkesa juaj për azil është refuzuar, ju mund të vazhdoni të punoni derisa të largoheni nga vendi, ose për aq kohë sa të bëni përgatitjet për t’u larguar nga vendi. Nëse iu jepet një leje qëndrimi, kjo nënkupton se ju mund të vazhdoni të punoni. Ju mund të kontaktoni Shërbimin e Punësimit Publik Suedez (www.arbetsformedlingen.se) për të kërkuar punë.

Mbështetja financiare

Nëse nuk jeni në gjendje të punoni, ose nuk keni paratë tuaja, ju mund të aplikoni për një kompensim/pagesë ditore. Paratë që merrni nga Agjencia e Migracionit duhet të jenë të mjaftueshme për ushqim, veshje dhe shpenzime personale. Nëse merrni një kompensim nga Agjencia e Migracionit, është e rëndësishme që ju të njoftoni Agjencinë e Migracionit nëse gjendja e financave tuaja pëson ndryshim, për shembull, nëse gjeni punë ose nëse ndryshoni adresën tuaj. Ndryshimi i adresës mund të rezultojë në një ndryshim në shumën e kompensimit ditor. Dhënia e informacionit të rremë ose mosdhënia e informacionit mund të konsiderohet krim dhe Agjencia e Migracionit mund ta raportojë këtë në polici.

 

 

– Nesër do të lexoni:

– Përse kërkoni mbrojtje në Suedi

– Si Agjencia e Migracionit do të emërojë një avokat të trajnuar, i cili do të kujdeset

-Si kryhet shkolla dhe arsimimi në tërësi

  • Si i rritur, ju mund të filloni të mësoni Suedisht për Emigrantët